Kryesore

“Droga më shkatërroi jetën, më braktisën të gjithë, më ndihmoni!”

10:17 - 20.08.18 Senad Nikshiqi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jam shkatërruar nga droga dhe kam shkatërruar jetën e familjes”. Riad Celufaj dhe fjalët që thotë janë historia e jetës së tij. 24 vjeçari nga Shkodra tregon dashurinë dhe luftën me drogën, betejë që herë e ka fituar dhe herë e ka humbur.




Ai e nisi drogën kur ishte vetëm 18 vjeç duke përdorur heroinë ndërsa sot ndodhet mes shumë vështirësive. I riu shkodran tregon përmes një interviste rrugëtimin e jetës së tij deri sot në ditët më të këqija me shpresën se tashmë do të nisë një kapitull i ri.

Rrugëtimi me drogën për Riadin nuk ishte asgjë tjetër veçse një shkatërrim. Vjedhje, borxhe, mashtrime, ndarje nga familje, ndarje nga miqtë dhe të gjitha këto të lënë të kuptosh se 24-vjeçari ka prekur fundin.

Por Riad Celufaj për fat të mirë prej 6 muajsh ka gjetur forcë dhe është shkëputur nga përdorimi i drogës. Sot më shumë se kurrë ky 24 vjeçar ka nevojë për të gjithë, për familjen, për shokët, për shoqërinë dhe akoma më shumë për shoqatat, institucionet apo individë që kujdesen për këtë shtresë personash. Rrëfimi i Riadit nuk mbaron me kaq. Ka diçka shumë të rëndësishme për t’i thënë të gjithë të rinjve shkodran dhe jo vetëm që rrezikojnë të bien në kurthin e përdorimit të drogës.

Riad Celufaj gjeti forcën duke kërkuar publikisht ndihmë.

Riad si e ke nisur përdorimin e drogës?

Unë e kam nisur që kur isha 18 vjeç. Në atë kohë shkova në një sallë lojërash dhe aty takova rastësisht një person. Ai ishte përdorues dhe duke ndenjur me të e mësova edhe unë. Që atëherë më janë bërë 6 vite që unë përdor heroinën derisa kam arritur në këtë ditë që kam humbur gjithçka dhe kam nevojë për ndihmë. Jam në një situatë të keqe ndërsa kam vetëm 1% shpresë, 99% jam i humbur.

Si ke arritur që ta sigurosh heroinën duke qenë se je i papunë?

Fillimisht merrja para në shtëpi si çdo i ri. Më pas kam filluar që të marr borxhe kudo dhe nuk i ktheja më paratë në shumicën e rasteve. Pas borxheve tek të afërmit kam nisur të marr borxh në shokë dhe më pas tek të njohur të tjerë. Pas borxheve disa herë jam detyruar të vjedh paratë e shtëpisë ose kam shitur orendi apo gjëra të tjera të shtëpisë.

Po jashtë shtëpisë ke vjedhur?

Fatkeqësisht disa herë po. Kam vjedhur, sepse më duheshin paratë për të siguruar dozën e heroinës.

Sa para të duheshin dhe sa doza ke përdorur zakonisht gjatë ditës?

Minimumi më duhej një dozë që bën 30 mijë lekë të vjetër. Normalisht një përdoruesi të rregullt i duhen të paktën dy doza në ditë. Unë kam arritur të përdor edhe 5 doza dhe më pas kam qëndruar me nga 3 ditë i shtrirë, sepse nuk kam qenë në gjendje që të çohem.

A ke tentuar që të punosh ndonjëherë?

Kam tentuar dy herë, por kam qëndruar shumë pak. Është shumë e vështirë që të punosh, sepse ta kërkon trupi dhe e kisha të pamundur. E kam lënë punën dhe shpesh i kërkoja paratë paradhënie pronarëve dhe derisa ata e kanë kuptuar.

Me kë jeton aktualisht?

Unë momentalisht jam krejt i vetëm. Babai më ka vdekur para pak kohësh. Nëna me dy vëllezërit dhe motrën janë larguar prej 9 muajsh në Francë dhe më kanë braktisur me të drejtë. Unë kam bërë shumë të këqija dhe ata nuk e meritojnë ndaj kanë krejtësisht të drejtë. Edhe shokët apo të afërm e të njohur më kanë braktisur për shkak të borxheve dhe problemeve tjera dhe duke parë se përdorja drogën gjithë kohën.

Nuk ke komunikuar gjatë 9 muajve me nënën dhe të tjerët?

Jo nuk më kanë lejuar dhe përgjigja e tyre është që unë duhet të kthehem në rrugën e duhur. Nëse kthehem atëherë pas 5 vitesh a 10 vitesh mbase familja rikthehet tek unë. Unë i kuptoj dhe ata kanë të drejtë. I kërkoj falje për gjithçka atyre dhe gjithë të tjerëve.

Me çfarë je marrë para se të nisje drogën?

Kam qenë një djalë i shkathët them. Kam qenë boksier, kampion me të rinjtë dhe sapo kalova tek të rriturit nis drogën dhe u shkëputa nga sporti. Kam lënë shkollën e mesme pasi nisa një punë me idenë se do e merrja më pas shkollën dhe doja të përqendrohesha te puna. Shumë shpejt nisa drogën dhe lashë edhe punën dhe shkollën se fillova më.

Vazhdon që ta përdorësh heroinën?

Jo unë kam 6 muaj që jam shkëputur dhe nuk e përdor më heroinën.

Çfarë kërkoni ju aktualisht në këtë gjendje që jeni?

Ajo që kërkoj është një ndihmë nga të gjithë ata që kanë mundësi. Kërkoj të më ndihmojnë shoqatat që janë në Shqipëri, institucionet apo kushdo tjetër që ka mundësi, sepse tashmë kam mbetur krejt i braktisur dhe kam kuptuar se çfarë kam bërë.

Si e sheh zgjidhjen për të ardhmen e jetës tënde?

Unë dua që të tregohem i sinqertë. Ajo që më kanë rekomanduar edhe doktorët është që të largohem nga Shqipëria në një shtet tjetër sepse edhe doktorët ma kanë thënë që persona si unë është e vështirë të qëndrojnë aty ku kanë përjetuar vuajtjet dhe problemet e mëdha për shkak të drogës. Kështu që nëse dikush ka mundësi të më ndihmojë që të largohem nga Shqipëria ose të më gjejnë një punë të rregullt që të nisë një jetë të re.

Gjatë 6 viteve që ke përdorur heroinën ka qenë e vështirë ta sigurosh në Shkodër?

Jo nuk është e vështirë. Janë disa persona që e kanë. Ata e pinë edhe vetë, por edhe e shesin për të fituar para. Më shumë janë dorë e dytë ose e tretë. Nuk është se kanë sasi të mëdha, thjeshtë e shpërndajnë.

Çfarë ndjesie të jep?

Të jep adrenalinë dhe pasi e përdor atë të jep shumë oratori. Të duket sikur të gjithë e kanë gabim dhe vetëm t’i ke drejtë dhe gjen çdo mënyrë për t’i dhënë të drejtë vetes.

Po kur nuk e përdor nëse nuk ke para në një moment?

Faktikisht një përdorues gjithmonë e gjen mënyrën për të siguruar paratë për dozat. Megjithatë mund të ketë ndonjë rast që mbet keq. Atëherë ke dhimbje të madhe të kokës, të gjithë trupit dhe gjithçka bëhet e padureshme. Ke dhimbje të madhe kockash dhe të zien i gjithë trupi.

Sa persona mund të jenë në Shkodër përdorues të heroinës?

Të paktën aq sa njoh unë janë 40 persona në total përdorues të heroinës dhe të gjithë na njohin në ambulancë, sepse kemi qenë disa herë.

Po në shkolla a ke ndonjë ide a përdoret droga?

Po nga sa kam dijeni të rinjtë e përdorin shumë. Normalisht jo heroinën, por përdorin shumë hashash. Kam parë edhe 12 vjeçar ndërsa 15-16 vjeçarët në shkolla tashmë janë të zakonshëm që e përdorin.

A keni një mesazh për ata të rinj që sapo kanë nisur të përdorin drogën?

I lutem që ta lënë sa më parë dhe t’i qëndrojnë sa më larg. Mjafton të më shohin mua se ku kam mbërritur dhe se si jam katandisur duke humbur thuajse gjithçka. Kam shpresë vetëm 1% se gjërat do ndryshojnë dhe 99% jam totalisht i humbur sepse nuk kam asnjë përkrahje. Edhe kur i shoh të rinjtë mundohem me fjalët e mia që t’i tregoj historinë time dhe t’i them që t’i qëndrojnë sa më larg drogës, sepse do t’i mohojë edhe familja, siç më ka mohuar mua bashkë me gjithë rrethin shoqëror.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.