Intervista

Thirrja e dëshpëruar e babait: Na ndihmoni, tumori po na merr djalin 19 vjeç

15:55 - 25.08.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej 8 muajsh, ai po lufton fort me armikun që nuk e mendonte kurrë se do të pushtonte trupin e tij. Djaloshi 19 vjeçar quhet Ronaldo Kasaj e tashmë gjendja e tij shëndetësore është mjaft kritike pasi tumori po e mposht dita-ditës.




Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Shemedin Kasaj, babai i të riut tregon se përkeqësimi i situatës erdhi si pasojë e mungesës së medikamenteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Prindërit kanë vendosur që ta çojnë Ronaldon për një trajtim të specializuar në Itali, por transporti i 19-vjeçarit do të bëhet me traget, e madje pa asnjë mjek apo infermier që të mbikëqyrë gjendjen e tij.

Më tej, Kasaj me zërin që i dridhet e sytë plot me lot, i bën thirrje institucioneve përkatëse e gjithë shqiptarëve që të ndihmojnë sadopak në shpëtimin e Ronaldos nga vdekja, pasi nuk munden t’i përballojnë vetë shpenzimet e trajtimit në Itali.

Para sa kohësh është konstatuar se djali juaj vuan nga një sëmundje tumorale?

Prej 7 muajsh djali im 19 vjeçar, Ronaldo u diagnostikua nga një gjëndër tumorale në pjesën e grykës. Mjekët pasi i bënë vizitat e diagnostikimet që i duheshin djalit, na thanë që vuan nga Limfoma Malinje, në stadin e parë.

Në cilin spital është trajtuar 19 vjeçari deri më tani?

Pas diagnostikimit, spitali Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” e mori përsipër trajtimin dhe kurimin e tim biri. Kishim shumë muaj që po luftonim me këtë sëmundje e madje po prisnim që të përmirësohej, por djali filloi të shfaqte ënjtje te pjesa e qafës dhe i kërkuam shpjegim doktorit se pse arriti gjendja shëndetësore e Ronaldos në këtë pikë. Po shikoj se gjendja sa vjen e përkeqësohet edhe më shumë.

Sipas mjekëve të Onkologjikut, pse shkoi drejt përkeqësimit gjendja shëndetësore e djalit tuaj?

Mjeku që kishte marrë sipër trajtimin e djalit më tha se nuk ka ilaçe për kurimin e tij, e madje ngriti duart lart sikur u dorëzua para mungesës së medikamenteve. Ronaldo nuk ishte i shtruar në spital, thjesht e çonim te “Nënë Tereza” për të bërë kimioterapitë një herë në 21 ditë. Pas trajtimit të fundit, kur shkuam në Vlorë, pësoi një ënjtje të tmerrshme dhe nuk e dinim se nga i vinte e gjithë kjo. Askush nuk po na shpjegon asgjë! Jemi në mëshirë të fatit e i kemi sytë e duart vetëm nga Zoti që të bëjë një mrekulli për djalin e ta shpëtojë nga vdekja. Flitet kaq shumë për shëndetësinë falas, në një kohë që im bir është lënë në këtë gjendje dhe po e shikojmë të na shuhet ditë pas dite, e kjo për shkak të mungesës së ilaçeve që e pohojnë edhe vetëmjekët me gojën e tyre. Në datën 15 gusht isha te Onkologjiku dhe pyeta doktorin nëse djali do e bënte kimioterapinë të rregullt, por mjeku tha që mungonte një ilaç. Nuk kam ku ta gjej këtë.

Çfarë do të bëni për të shpëtuar Ronaldon nga sëmundja?

Do të nisem drejt Italisë urgjentisht me traget së bashku me Ronaldon, është rruga e vetme që më ka ngelur për ta shpëtuar, pavarësisht se nuk kemi para për ta trajtuar jashtë.

A do iu shoqërojë një mjek apo infermier gjatë rrugës për Itali, në mënyrë që djali të jetë nën mbikëqyrje dhe të mos shfaqë komplikacione?

Kërkova ndihmë nga shteti për ta transportuar për në Itali djalin, në mënyrë që të jetë nën kujdesin e mjekëve, por doktori më tha që për këto lloj sëmundjesh nuk mund të vijë stafi mjekësor gjatë rrugës nga Shqipëria në Itali. Doktori më tha ik, e më shuajti të gjitha shpresat që kisha, vetëm më dha letrën me gjithë trajtimet që djali ka marrë gjatë kësaj kohe në Shqipëri. Tani i kam bërë serumin e fundit që të ketë forca rrugës e mos t’i ndodhë ndonjë gjë e keqe.

Cila është thirrja juaj ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, instancave përgjegjëse si dhe shoqërisë?

Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve e institucioneve përkatëse që të na ndihmojnë për të shpëtuar djalin nga vdekja. Kushdo që ka mundësinë sado pak të kontribuojë në kurimin e djalit tonë në Itali. Jemi dy prindër të tronditur, me zemër të copëtuar që kërkojmë vetëm që drita e syve tonë të mos shuhet, por të jetojë jetën. Fatkeqësisht mundësitë tona ekonomike janë zero, jemi copë-copë e nuk e përballojmë dot trajtimin me të ardhurat që kemi. Ju lutem, i jepni një mundësi Ronaldos që të jetojë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.