KULTURË

Qyteti minator i Selenicës në Vlorë gjatë komunizmit

13:45 - 01.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Natasha Llanaj Perpunja – A i kemi njohur ne brezat me sakrificat e prindërve dhe gjyshërve të tyre, me kalvarin e vuajtjeve për mbijetesë në një nga vendet me diktaturën më të egër? Sigurisht që ne të gjithë kemi një bilanc, por a ka qenë ky i mjaftueshëm? Unë them se jo, jemi të vonuar. Kam shfletuar qindra faqe dokumentesh, ku në mënyrë rrënqethëse pasqyrohet mizoria e atij regjimi që burgosi, pushkatoi, dëboi dhe internoi shumë familje nga vatrat e tyre. Vetëm në vitin 1983 sipas disa vendimeve të Komisionit të Dëbim internimeve, janë dëbuar dhe internuar qindra familje dhe individë. /Dosja 250 dhe 251, lista e dëbim-internimeve.




Kampet e izolimit ose kampet e hapura si Selenica dhe shume zona të thella të Vlorës dhe të Shqipërisë nuk mund të krahasohen me burgjet e Spaçit dhe të Burrelit ku humbën jetën dhe rininë e tyre shume nga elitat e kombit, por ishte një jetë e vështirë nën vëzhgimin mbytës të sigurimit të shtetit. Në çdo hap të jetës që do të bëjë do të duhej miratimi i organizatave të Partisë, do të duhej miratimi i operativit të sigurimit. Edhe për të shkuar në spital në Vlorë do të merrje lejen e operativit, nuk mund të takoje dhe të merrje pjesë në gëzimet dhe fatkeqësitë e të afërmve, miqve sepse do të krijoje problem edhe për ata. Selenica është një qytet i vogël minatorësh me një nga minierat më të vjetra të Shqipërisë, me serën e së cilës ishin shtruar rrugët e Europës, por 36 kilometrat e saj për në Vlorë nuk ishin shtruar kurrë. Qyteza mblidhte punëtorë edhe nga fshatrat përreth. Vështirësia e punës në minierë, tymi dhe bloza e zezë e shkrirjes së serës shkatërronin mushkëritë jo vetëm të minatorëve që nuk i kalonin të 60-tat, por të gjithë qytetarëve. Ekonomia familjare ishte shumë e varfër, ende i kam para syve fëmijët e vegjël duke trokitur tek njëri-tjetri për një lugë salcë apo një filxhan vaj, apo si e ndanin rrogën me njëri-tjetrin, kush e merrte i pari, dhe kështu qarkullonte në gjithë lagjen deri sa vinte rroga tjetër dhe shlyenin borxhet. Një varfëri që e kemi ndjerë të gjithë. Këtyre pamjeve, ju shtuan netëve në errësirë edhe ardhjet e familjeve që kishin lënë të detyruara shtëpitë dhe vatrat e pronat e tyre. Nëpër mend më kalojnë dëshmitë e gjalla të familjeve të para të ardhura në këtë qytet të dëbuar dhe të ndëshkuar padrejtësisht nga regjimi, familja Murtaj, Xhaferaj një familje me djem të talentuar që kontribuuan dukshëm në jetën e qytetit si piktorë dhe duarartë, por që nuk patën fatin që fëmijët e tyre të shkolloheshin me arsim të lartë. Është një nga pengjet që mund të ketë jo vetëm prindi dhe fëmija, por edhe shokët dhe mësuesit e tyre për këtë ndalim në arsimimin e tyre.

Dosja Xhelal Ndreu
Një familje me 70 anëtare pasi Cen Elezi doli në mal si kundërshtar i qeverisë komuniste filloi një kalvar i vërtetë vuajtjesh, burgosjesh dhe internimesh për këtë familje. Xhelal Ndreu kishte bërë Shkollën Teknike ku drejtor ishte Hari Fultz dhe me shpresën se pushteti komunist do të binte dhe do të ndërtohej një shtet perëndimor që bashkëpunojnë me anglo-amerikanët. Të tjerë vëllezër nga frika e arrestimeve tentojnë të arratisen, por nuk munden t’u shpëtojnë arrestimeve dhe dënimeve. U konfiskohet pasuria dhe fillojnë dëbim-internimet e tyre në Berat, Tepelenë, Valias, Porto Romano, Kripore, Sevaster, Xhuherinë, Llakatund, Lubonje. Djemtë e kësaj familjeje bëjnë të gjithë së bashku rreth 130 vjet burg. Një familje që pësoi një kalvar vuajtjesh dhe persekutimesh në burgje, kampe dhe zona të thella. Pa asnjë të drejtë shkollimi të lartë, edhe pse ishin nxënës të shkëlqyer që do ndiqeshin dhe përndiqeshin në çdo hap edhe në bankat e shkollës me denigrimin si armiq të pushtetit. Edhe sot është në kujtesë reagimi i shokëve që e donin Cezar Ndreun, shokun e tyre, ndaj mësueses kandidate Partie që e denigronte hapur si djali i një familjeje armike të popullit. Gjithçka bëhej në emër të popullit, fatkeqësisht.

Familja Hasanaj
Në ligjëratë të zhdrejtë po mundohem të jap disa nga dëshmitë e tyre në hetuesi dhe në gjykimin e tyre për të kuptuar më mirë çfarë përfaqësonin dhe çfarë kërkonin këta njerëz që u arrestuan, u burgosën dhe u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Xhevdet Hasani, Pelivan Sako Hazizi, Guro Abazi, Irfan Shaska e shumë qytetarë të tjerë që përpiqeshin të reagonin mbas rrëmbimit dhe konfiskimit të pronës dhe varfërimit të njerëzve. Veprimtaria e tyre nënvizonte zgjimin e punëtoreve ndaj trajtimit të keq në page, gjendjes se rëndë ekonomike.

Frymëzoheshin duke dëgjuar “Zërin e Amerikës”, “Radio Londrën”, “Radio Komiteti”, “Shqipëria e lirë”. U burgosën me rreth 20 vjet burg secili, por edhe familjet e tyre u dëbuan dhe persekutuan gjithë vitet e regjimit, tentuan të arratisen por nuk ia dolën dhe vazhduan pa asnjë të drejtë shkollimi, traumat e të cilave i paguan deri vonë. Janë me dhjetëra dhe qindra familje që brenda ferrit të përgjithshëm komunist ishin më të ndëshkuarat. Vetëm sepse iu dha një makinë miniere familjareve të Selim Dalanit ish-i burgosur politik, për ta përcjellë për t’u varrosur në vendin e tij, do të bëheshin mbledhje Partie me orë të tëra, ku do të ndëshkoheshin edhe njerëzit e partisë për zbutjen e luftës së klasave, do të dëshmonte një ish- komunist në atë kohë. Familje të tëra si Dibra, Aliaj, Meminaj, Lepenica, Premto, Sharra, Beqiri, Shaska etj., që dallonin vetëm nga origjina dhe shkollimi perëndimor do të ishin mjaft të rezervuara deri edhe në krijimit të familjeve të reja të tyre, biografia do t’i ndiqte në çdo hap. Vëzhgimit të Sigurimit të Shtetit nëpërmjet operativeve të tyre nuk i shpëtonte asnjë dhe asgjë edhe muret kishin veshë, ishin ndrydhur edhe fëmijët në barkun e nënës. Ata mobilizonin në emër të vigjilencës së Partisë shumë njerëz për të ndjekur çdo veprim, çdo fjalë të këtyre njerëzve dhe të informonin operativin.

Varfëria dhe frika e arrestimit dhe dëbimeve mbizotëronte kudo, por me gjithë këtë, kam një mirënjohje për njerëzit e thjeshtë të këtij qyteti që në mënyra të ndryshme herë heshtur dhe herë me guxim dinin si të gjendeshin pranë.
Sa më shumë varfërohej vendi, aq më e egër bëhej lufta e klasave dhe thellohej ndarja. Hije që kanë lënë gjurmë edhe sot në shpirtrat e të gjithë njerëzve. Pasi burgosi, pushkatoi dhe përndoqi e dëboi nacionalistët, pronarët, elitën e shkolluar në Perëndim, familjet e tyre, Partia-shtet do ta mprehte shpatën për bijtë e vet. Filloi lufta e egër brenda Partisë, filluan burgosjet internimet me familjet e tyre, shumë familje erdhën në këtë qytet. Familja e Pajo Islamit, familja Jakova, familja Belishova, Frasheri, Dermani, Ngjela, Hoxha, Dumi, Kerenxhi, Dishnica, Mamaqi, Dermani, Kruja, Cako, Themeli, Bedri Spahiu, Balluku e shumë e shumë të tjerë. “Gazet 69”, makinat e Sigurimit që vinin ditën e natën, arrestonin e sillnin të tjerë. Të gjitha këto reflektonin frike dhe ankth në gjithë qytetin. Një pjesë e këtyre njerëzve më parë në poste të larta shtetërore ishin përgjegjës dhe vendimmarrës të burgosjes dhe internimeve dhe kalvarit të vuajtjeve të të persekutuarve antikomunistë. Një pjesë panë dhe prekën nga afër se ëndrrat e tyre për një shtet të drejtë ishin një iluzion, një pjesë edhe reaguan. Dënimi, burgosja, dëbimi dhe poshtërimi i tyre do të ishte po aq i egër nga Partia e tyre sa edhe të tjerëve antikomuniste më parë.
Ruheshin këta nga kontaktet me njerëz, ruheshin njerëzit nga kontaktet me ta dhe rituali i paraqitjes se përditshme tek operativi i degës.
Qytetarët e kuptonin ardhjen e tyre nga lëvizjet e sigurimit, bëheshin gati shtëpitë e tyre me aparaturat e përgjimit dhe në mesnatë ishin aty.
Kishte pamje nga më të ndryshmet në qytet, frikë dhe ankth për të nesërmen. Skërmitje dhëmbësh, mbledhje për forcimin e vigjilencës së Partisë, kinezërira me nxënës shkollash duke kaluar para shtëpive të tyre duke bërtitur në kor “Parti/Enver”! Varfëria rritej çdo ditë dhe njerëzit që pritnin me shpresë, antikomunistët e parë që merrnin zemër dhe thoshin me njëri-tjetrin se po i vjen fundi këtij regjimi, gjithçka mendonte ai qytet. Do të ishte gjest jo vetëm i mirëpritur moral, por reflektimi i tyre do të besohej duke u larguar nga çdo hallke dhe qelize shtetërore që mund të jenë, do të bashkëpunonin për gjetjen edhe të eshtrave të shumë viktimave të pafajshme ku familjarët e gjenocidit komunist të kishin një varr për të ngushëlluar familjarët e tyre. Në brezin e dytë të të internuarve nga radhët e Partisë, përveç refleksionit ndaj të persekutuarve antikomuniste, bie në sy një element tjetër, ata nuk pranojnë të quhen armiq të popullit, armik i partisë po, do të shprehej Pajo Islami apo Dashnor Mamaqi.

Në dosjen 12552/A të hetuesisë dhe gjykimit të Dashnor Mamaqit, 22 dhjetor 1975, lexojmë: “Unë kam pasur pikëpamje të kundërta me Partine në drejtim të luftës së klasave. Nuk kam qenë dakord me Partinë se në socializëm, lufta e klasave nuk shuhet… Nisur nga kjo pikëpamje unë gjatë gjithë kohës kam mbajtur qëndrime të pajtimit e të afrimit me elemente të damkosur e armiq, duke i marr këta në mbrojtje nga goditjet që u bëheshin……”.

DOSJA PAJO ISLAMI
Pajo Islami, një nga figurat qendrore të Partisë që do të kishte fatin e shumë dhe shumë njerëzve të tjerë që u burgosën dhe u internuan.
Në Konferencën e Tiranës ai do shprehej kundër kultit të individit dhe do të shprehte zhgënjimin e tij për udhëheqjen e Partisë, privilegjet e familjarëve dhe indiferentizmin ndaj kushteve të vështira të punës dhe jetesës së punëtorëve. Do të dëbohej familja e tij ne disa vende, Lubonjë, Selenicë etj. Duke shfletuar në dosjen e tij sheh se kudo ku shkonte kishte një njeri mbrapa, operativi instruktonte njerëz të ndryshëm të rrethit edhe miqësor dhe shoqëror, shokë pune, shofer, që do ta ndiqnin. “Një do të thoshte e takova para disa kohësh tek Banka dhe më tha, qe përjashtimi yt nga Partia nuk është i drejtë./një dëshmitar. “Një tjetër do të informonte e takova tek hotel “Dajti” dhe më tha si e kish kundërshtuar Adil Carcanin”. Një tjetër do ta ndiqte edhe kur dilte me familjen deri tek kodra dhe do të informonte… Një makinë e tërë njerëzish mbas një njeriu, kjo është një dëshmi për funksionimin e gjithë të dëbuarve dhe njerëzve të lirë në thonjëza dhe jo të lirë.

Ky, ishte qyteti im, në kohën e diktaturës.
*Kumtesa në konferencën “Të mohuar nga regjimi”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.