Speciale

Reportazh nga Thumana/ “Kemi parë ferrin për së gjalli, 30 sekonda sa 30 vjet”

14:16 - 03.12.19 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Heshtjen e natës që ka pllakosur e thyen befas një sirenë therëse që të bën të përhumbesh, të shqetëson, të përvëlon shpirtin. Në kalvarin e gjatë të automjeteve me targa shqiptare e të huaja, parakalon me shpejtësi një ambulancë, dhe më pas edhe disa makina policie.



Arrijmë të dallojmë nga larg kamionë të mëdhenj që vijnë nga Kosova me ndihma ushqimore e veshmbathje, si dhe makina të tjera që ikin po drejt Kosovës të mbushura plot me valixhe e trasta. Ndihma pafund për njerëzit, dhe njerëz pafund që po largohen të frikësuar. Flamuri kuq e zi qëndron krenar sipër automjeteve të shqiptarëve të Kosovës. Gjithë kjo panoramë në këtë natë të ftohtë nuk përngjan me realitetin, del vrullshëm përtej kornizave të normales që prej 30 sekondisht fatal që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit. Largohemi nga trafiku i pazakontë e vazhdojmë rrugëtimin në një udhë të ngushtë pa dritë, duke ndjekur tabelën që goditja sizmike nuk e rrëzoi dot, tabelën që të çon për Thumanë, një nga zonat më të prekura nga lëkundja e fuqishme që mori plot 23 jetë njerëzish. Dhimbja ndihet kudo, por nuk ka mundur të gjunjëzojë Thumanën, pasi ende dëgjohen zërat e banorëve që sinjalizojnë shpresën, jetën, vazhdimësinë pavarësisht tragjedisë. Ecim më në brendësi të fshatit.

Një grup i vogël banorësh qëndrojnë nën dritën e zbehtë të shtyllës në rrugë nga ku dallohet qartë në fytyrat e tyre prezenca e ndjenjës së frikës, panikut dhe tmerrit. Disa gra mbajnë ndër duar qeset me ushqime, dhe shtrëngojnë fort pas vetes vogëlushët e tyre. Jeta për ta duket se ka ngadalësuar hapat, është bërë më gri, dhe memoria ka ngelur në atë mëngjes të zi që iu përsëritet ditë pas dite, e natë pas nate. A ka më guxim të flejë Thumana në një kohë që çdo mbyllje e syve i rikthen në orën 3.54 të së martës katastrofike? “Kemi parë ferrin për së gjalli, vdekja ishte aty të na merrte. Jemi zgjuar të tmerruar, kam marrë fëmijët bashkë me burrin dhe kemi dalë jashtë. Nuk di sa mund të kem vrapuar në ato momente, s’po mendoja dot asgjë, përveç të shpëtoja jetën e fëmijëve. E kujtoj si nëpër mjegull, di vetëm që jeta jonë ka qenë në fije të perit. Dëshira më e madhe është të shpëtonim të gjallë. Kanë vdekur shumë vetë, kemi ngelur të traumatizuar, nuk mundemi të vëmë gjumë në sy”tregon Ermira, një 45 vjeçare nga Thumana.

NATA NË KAMP

Ecim për në qendrën e Thumanës, dhe në terrin e natës duken nga larg çadrat e bardha të kampit ku janë strehuar qindra banorë dhe përballë tij qëndrojnë ato pallate të rrënuara që para 26 nëntorit kanë qenë mundi dhe djersa e shumë viteve punë. Por sot janë shndërruar në armikun më të madh të Thumanës, pasi ishin ato pallate që iu morën jetën 23 personave të pafajshëm pas tërmetit apokaliptik. Kampi është rrethuar nga kangjella të larta ku byzylykun blu është pasaporta për të hyrë brenda tij. Forca të shumta policie qëndrojnë jashtë në një kohë që trupat e specializuara nga vende të ndryshme të botës përpiqen të japin mbështetjen maksimale për banorët.

DËSHMITË RRËQETHËSE

Një grup fëmijësh qëndrojnë te kangjellat kacavjerë me vështrimin nga pallatet e rrënuara. Më I vogli prej tyre, tund kangjellat me shaka, por fjala tërmet nuk përbën më një lojë të padjallëzuar për fëmijët, por një fatkeqësi që s’kanë për ta harruar lehtë. Ata fillojnë bërtasin: “Tërmet, tërmet prapë”; në një kohë që i vogli që sajoi lojën ul kokën si i zënë në faj. “Kemi shumë frikë teta, ja ky na trembi, s’e kupton që situata është shumë keq. Pallatet këtu u ndanë më dysh, i pamë me sytë tanë. Nuk dinim ku të shkonim”,thotë Albioni ndërkohë që qëllon lehtas në sup të voglin e grupit në formë qortimi për shakanë e hidhur. Fëmijët dinë gjithçka, dhe i njohin pothuajse të gjithë viktimat dhe mënyrën sesi ka humbur jetën secili. “Ishte nata më e frikshme që kam jetuar ndonjëherë, jam shumë me fat që kam shpëtuar. Isha te një nga pallatet që u rrënua dhe ende kam në mendje atë zhurmën a uturimën që bënte tërmeti gjithë kohës që po binte. 30 sekonda më janë dukur si 30 orë, ose më shumë 30 vjet; nuk kishin fund. Kanë vdekur shumë veta këtu, i njihnim të gjithë, ende s’na besohet që s’janë më mes nesh. Canen e njihja, kishte ditëlindjen në datën 27 nëntor dhe kishte premtuar që do e festonte. Bënte 18 vjeç, dhe ishte shumë i lumtur, na kishte thënë muaj para që do e bënte të madhe që të mbahej mend. Por kurrë nuk e menduam që të bëhej kaq e madhe, kurrë! Nëse e madhe quhej kjo, s’do doja ta bënte kurrë kështu ditëlindjen, ngeli aty, nën rrënoja”,shprehet me lot ndër sy një 17 vjeçar. Hyrja në kamp nuk është e lejuar dhe bisedat me banorët na u desh ti bënin përmes kangjellave, pavarësisht se fëmijët plot dashamirësi na ofruan byzylykët e tyre për tu futur brenda. Njëri prej vogëlushëve tregon se kushërira e tij 21 vjeçare ngeli nën rrënoja. “Ajo punonte në këpucari. Jetonte me prindërit. Por ngeli brenda, prindërit shpëtuan dhe nuk i kemi parë më, se dimë ku janë. Edhe Kristjan Preçi ka vdekur, ishte 26 vjeç, tre ditë më parë kishte dalë nga burgu. Kurse Alesion e mbështollën me batanije dhe e hodhën jashtë shtëpie. Ai shpëtoi kurse motra e tij Drita vdiq brenda. Kur u përmend mamaja kërkonte vajzën gjithë kohës”,thotë njëri prej banorëve. Ndërkohë biseda ndërpritet nga një zhurmë e fortë e shkaktuar nga prishja përfundimtare e pallateve gjysmë të rrënuara.

VJEDHJA E  BANESAVE

Hija e natës është e rëndë, por në Thumanë ngjall ende tmerr dhe panik. Pavarësisht se po qëndrojnë në çadra për banorët nuk ka gjumë, ndërkohë që nis një stuhi shiu e pamëshirshme dhe të gjithë vrapojnë për t’u futur poshtë një strehe. “Dhe këtë kishim mangët, shiun. Kur bie shi këtu e di si mbushet fusha ku është kampi? Plot e përplot me ujë, një pëllëmbë po njëherë, se si do ia bëjmë nuk e dimë. Kanë për të na u sëmurur fëmijët në këto kushte. Për shërbimin nuk kemi ankesa, na kanë trajtuar shumë mirë, por ky moti po na e vështirëson punën shumë”,thotë një nënë e cila po mban tre fëmijë të vegjël në prehër. Një tjetër problematikë e banorëve është edhe vjedhja e banesave që ka nisur rëndom pas braktisjes së banesave nga goditja e tërmetit me magnitudë 6.3 të shkallës rihter. “Po ne jetojmë 5 veta në shtëpi private. Banesa është dëmtuar dhe kemi qëndruar në kamp këto ditë. Shkova dje e guxova të hyja në shtëpi, por ç’të shihja…Na kishin vjedhur shumë gjëra. Si nuk kanë turp nuk e kuptoj, të përdorin një fatkeqësi të tillë për të vjedhur?”,thotë për ‘GSH’ i revoltuar një 25 vjeçar.

Shpresa për të ardhmen

Ardhja e ditës së re sinjalizon se fatkeqësia do të zbehet gradualisht, koha do të shërojë plagët dhe çdo gjë do ti kthehet normalitetit, duke kujtuar gjithmonë se 23 viktimat do të donin një Thumanë më të mirë. “Tërmeti na shkundi, por ne jemi të fortë, dhe do të qëndrojmë të fortë me ndihmën e gjithë shqiptarëve, dhe shteteve të tjera. Pamë këto ditë një ndihmë të madhe, një solidaritet të pashoq, dhe besoj se pavarësisht tragjedisë, treguam që ende ky vend ka shpirt human, e me dëshirë çdo gjë do të bëhet jo vetëm rindërtimi i banesave në Thumanë, por do të bëhet gjithë Shqipëria”,shprehet për ‘GSH’ një i ri 30 vjeçar nga Thumana.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE