EKONOMI

Kasat kushtuan 46 mln euro, asnjë efekt në rritjen e të ardhurave

10:48 - 14.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konkluduar se përdorimi i kasave fiskale ka pasur ndikim të dobët në rritjen e të ardhurave tatimore. Përmes një raporti për periudhën 2010-2018, KLSH-ja bën me dije se edhe pesha mesatare e TVSH-së ka pësuar rënie me 6%. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport, ku bën me dije se pavarësisht shumës prej 46 milionë eurosh të shpenzuara për blerjen e tyre nga vetë bizneset, sërish nisma nuk ka sjellë përmirësim në të ardhurat tatimore nga TVSH-ja e brendshme apo nga Tatimi i Fitimit. Nismën e fundit të qeverisë për modernizimin e sistemit të monitorimit të taksave, KLSH-ja e sheh si të rrezikshme teksa thekson se disa nga risqet konsistojnë në koston e shtuar që do të kenë bizneset për zëvendësimin e kasave, por edhe në refuzimin e tyre. “Shuma prej 46.5 milionë eurosh të shpenzuara për 27 lloje të kasave fiskale në përdorim nuk ka sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm në të ardhurat tatimore nga TVSH-ja e brendshme apo nga Tatimi i Fitimit. Nga 155 mijë kasa të instaluara gjithsej, 3/4 e kasave fiskale janë të vendosura në subjektet tatimpaguese të regjistruara si biznes i vogël”, – thuhet në raport.




Antiinformaliteti
Aksionin antiinformalitet i ndërmarrë nga qeveria, që parashikonte gjoba deri në mbylljen e aktiviteteve në rastet e mosdeklarimit të të ardhurave, KLSH-ja e sheh si joefektiv në uljen e evazionit apo në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Në raport thuhet se aksioni është përqendruar më shumë në aspektin teknik të kasave dhe në rritjen e masave ndëshkimore për bizneset, por nuk ka sjellë përfitimin e pritshëm. Madje, KLSH-ja konkludon se krahasuar me vitin 2009, në 8-vjeçarin e fundit vihet re një rënie prej 6% të peshës mesatare të TVSH-së të mbledhur nga tatimet. Gjithashtu, në raport dilet në përfundimin se tre e katërta e kasave fiskale janë të vendosura në bizneset e vogla, ndërsa për periudhën 2017-2018 është rritur xhiroja e raportuar nga bizneset, por është ulur raportimi mesatar për kuponët e lëshuar. Për këtë, KLSH-ja thotë se nga institucionet nuk ka pasur objektiva të qarta për përfitimin që duhet të sillte ky sistem si dhe nuk ka vendosur detyra konkrete për menaxhimin dhe monitorimin e mbarëvajtjes së sistemit të kasave fiskale. KLSH-ja e përfundon raportin duke theksuar se mungesa e një modeli të suksesshëm për reduktimin e evazionit fiskal, së bashku me zbatimin efektiv të përdorimit të kasave fiskale që është i përhapur dhe i dukshëm do të vazhdojë të pengojë përmirësimet e ndjeshme në rritjen e të ardhurave edhe në të ardhmen.

Risqet e sistemit të riskut

Miratimi jo në kohë i ndryshimeve ligjore dhe akteve nënligjore, i cili vështirëson realizimin e kërkesave të projektit.
Mospërshtatja e sistemit të ri me pajisjet fiskale aktuale dhe integrimi me sistemin bazë të tatimeve, gjë e cila do të shoqërohet me rritje të kostos për bizneset.
Mungesa e bashkëpunimit dhe reagimi negativ i aktorëve kryesorë të këtij projekti jashtë administratës tatimore (tatimpaguesit, shoqëritë e autorizuara etj.).
Mungesa e bashkëpunimit nga aktorët kryesor për ndërtimin e regjistrit të pasurive të luajtshme/paluajtshme dhe të institucioneve financiare.
Implementimi i sistemit të ri për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në zonat rurale, etj..


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.