EKONOMI

Zbardhet VKM-ja/ Kredi me interes zero për gjyqtarët e prokurorët

12:00 - 16.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Prokurorët dhe gjyqtarët mund të përfitojnë kredi me interes zero për një sipërfaqe banimi prej 50 m2 dhe pasi të kenë punuar të paktën tre vjet radhazi në të njëjtin qytet. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave, ku është përcaktuar procedura e detajuar të kritereve dhe kushteve që magjistratët duhet të plotësojnë për të përfituar kredi me interes zero për qëllime banimi. Në kuptim të këtij vendimi, me magjistrat, i cili trajtohet me kredi, nënkuptohet magjistrati sipas parashikimeve të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Vendimi përcakton se magjistrati ka të drejtë që të përfitojë vetëm një herë kredi hipotekore, interesat e së cilës financohen nga shteti, kur ka ushtruar detyrën për një periudhë jo më pak se tre vjet pa ndërprerje dhe ka nevojë për banim, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2, në zonën e qendrës së qytetit ku ai ushtron detyrën. Për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës në fjalë shtohet me 10 m2 për person.




Magjistrati ose bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmija i tij nën moshën 18 vjeç nuk ka në pronësi të tij pasuri të paluajtshme pa kolateral, për qëllime banimi ose pasuri të paluajtshme, që përdoret për veprimtari tregtare, shërbimi e prodhimi; magjistrati ose bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmija i tij nën moshën 18 vjeç nuk kanë pasuri të mjaftueshme për të blerë një banesë në shumën e vlerës përkatëse të kredisë të financuar nga shteti, që duhet të përfitojë magjistrati, në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Sipas vendimit magjistrati, i cili gëzon të drejtën që të përfitojë kredi hipotekore, sipas këtij vendimi, duhet të paraqesë kërkesën me shkrim pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të shoqëruar me: certifikatën e lindjes dhe certifikatën familjare, në çastin e dorëzimit të kërkesës; deklaratën për rrethanat, që mbështesin nevojën për strehim, sipas këtij vendimi. Për çdo deklarim, për të përfituar nga kredia lehtësuese, subjekti konfirmon vërtetësinë e tyre dhe pranon kushtin për konvertimin e drejtpërdrejtë të kredisë lehtësuese në kredi tregtare, kur vërtetohen pavërtetësi në deklarim dhe/ose rrethana të rreme. Kopje e kësaj deklarate i vihet në dispozicion edhe institucionit bankar, vërtetimin nga gjykata ose prokuroria ku magjistrati ushtron detyrën, vërtetimin nga punëdhënësi mbi të ardhurat neto të çdo anëtari të familjes mbi moshën 18 vjeç; vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Kadastrës se, në emër të tij dhe të çdo anëtari të familjes, nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë dhe kopje të deklaratës së interesave private.
Kredia
Kredia për shtëpi do të financohet nga bankat e nivelit të dytë, sipas një marrëdhënieje trepalëshe, ku magjistrati do të ketë detyrimin për të paguar principalin me interes të barabartë me 0% në vit dhe shteti do të ketë detyrimin për të paguar interesat. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë përgjegjës për mbajtjen e bazës së të dhënave, për planifikimin e fondeve të nevojshme dhe pagesën e subvencionit te banka e përzgjedhur, në çdo vit buxhetor. Fondi i përcaktuar për këtë qëllim të planifikohet në buxhetin përkatës vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kur përfiton kredi

1.Të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet detyrën e tij.
2.Të mos ketë përfituar më parë kredi për shtëpi të financuar nga shteti, gjatë ushtrimit të funksionit të tij.
3.Të mos jetë përfituar kredia për shtëpi e subvencionuar nga shteti nga një person tjetër brenda familjes së magjistratit, i cili ka të drejtën e përfitimit të kësaj kredie.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.