DOSSIER

“Kur i thanë Nexhmijes: ‘Shano po vdes për bukë’, ajo iu kthye; ‘akoma s’ka ngordhur?!”

12:05 - 03.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Memorie.al publikon historinë e panjohur të “Vajzave me kordele të kuqe”, e cila vjen nëpërmjet dëshmive të rralla, të 90- vjeçarit Tomorr Dosti, i biri i Hasan Dostit, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Mustafa Krujës nën pushtimin italian dhe kreu i Komitetit për Shpëtimin Kombëtar i dalë nga Konferenca e Mukjes, i cili në ’44-ën u largua nga Shqipëria bashkë me Mithat Frashërin dhe u vendosën në SHBA, ku pas vdekjes së Mithatit në 1949-ën, ai drejtoi për shumë vite Komitetin “Shqipëria e Lirë” që mbështetej nga qeveria e SHBA-ve, duke përfaqësuar Shqipërinë në të gjitha Kongreset e “Popujve të robëruar” që mbaheshin në Europë dhe SHBA. E gjithë historia tragjike e familjes së Hasan Dostit, njeriut që mori me vete Enver Hoxhën në vitin 1936 në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit e Muço Qullit, duke i dhënë të lexonte edhe fjalimin e tij nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës, dhe për afro shtatë vjet nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe ajo e pushtimit të vendit, mbajti në shtëpinë e tij në Tiranë, Nexhmije Hoxhën, Nefo Puto Myftiun e Naxhije Dumen, shoqe klase të bijës së tij, Shanisha Dostit, për të cilat vite më vonë u realizua filmi “Vajzat me kordele të kuqe”! Si vuajtën në burgje dhe internime të gjithë fëmijët e Hasan Dostit (pesë vëllezër e tre motra), që nga viti 1944 e deri në 1991-in, duke filluar nga Shanishaja, e cila pasi kishte studiuar dy vite universitet në Itali në degën Farmaci, u internua në vitin 1945, duke punuar me kazmë në kanalet e ndërmarrjes Komunale të Durrësit, për të përfunduar më pas në burgun e Kosovës së Lushnjës për pesë vjet për “agjitacion e propagandë”! Përse ajo dhe vëllezërit e motrat e saj nuk pranuan kurrë që të kërkonin ndihmën e Nexhmije Hoxhës, e cila në vitin 1945, kur një shoqja e klasës, pa dijeninë e tyre i shkoi në zyrë dhe i kërkoi që të bënte diçka për Shanon, duke i thënë se po vdisnin për bukë, ajo i përgjigj: “Akoma nuk ka ngordhur”?! dhe i la ata në burgje e internime deri në vitin 1991?!




Lidhur me këtë histori të trishtë dhe tragjike të familjes së tyre, me z. Tomorr Dosti që është vëllai i Shanisha Dostit, një nga “Vajzat me kordele të kuqe”, ish-shoqes së ngushtë të Nexhmijes në Institutin Femnor, “Nana Mbretneshë”, kemi biseduar që nga fillimi i viteve ’90-të kur ai ishte nënkryetar i Partisë Demokratike dhe deputet i Parlamentit shqiptar, dhe më pas, por ai nuk na ka dashur kurrë që ta bënte publike në shtyp. Zoti Dosti ka preferuar që të qëndrojë në heshtje, ashtu siç ka qëndruar prej këtyre tre dekadave e gjithë familja e tyre, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë “meka ku falen” të gjithë ish-të përndjekurit dhe burgosurit politikë të Shqipërisë që nga shembja e regjimit komunist. Por pas shumë insistimeve nga ana jonë, kemi mundur që t’i shkëpusim këtë intervistë zotit Dosti, i cili edhe pse tashmë në moshën 90-vjeçare, por me një shëndet dhe memorie për t’u pasur zili, na sjell në kohë dhe me detaje të gjithë historinë e trishtë të familjes së tij.

Nexhmije bundra Pese velelzerit Dosti Shanisha Dosti, motra e Tomorrit Tomorr Dosti 1 20200130_233110-668x375
<
>

Z. Dosti, në ç’rrethana jeni njohur ju si familje për herë të parë me Nexhmije Hoxhën?
Nexhmije Xhuglinin, ne si familje e kemi njohur për herë të parë diku nga viti 1937-të kur ishim vendosur me banim në Tiranë, pasi ajo ishte shoqe e ngushte dhe në një klasë me motrën tonë të madhe, Shanon (Shaninsha Dosti), dhe të dyja ishin nxënëse në Institutin Femëror, “Nëna Mbretëreshë” këtu në Tiranë. Kurse Shano me Nexhmijen njihej më herët, që nga viti 1935-’36, kur ne ishim ende me shtëpi në Berat, pasi ato të dyja ishin konviktore në Tiranë te Instituti Femëror “Nana Mbretneshë”. Dhe nisur nga kjo gjë, Nexhmija bashkë me Nefo Puton, (motrën e Arben Putos, gruan e Manush Myftiut), e disa vajza të tjera shoqe klase dhe shkolle me to, vinin rregullisht pothuaj çdo fund javë në shtëpinë tonë, pasi ato të ishin konviktore.

Ku keni banuar ju në atë kohë, pra ku ishte shtëpia juaj që vinte Nexhmija me Nefo Puton?
Në atë kohë ne kemi banuar te një shtëpi që ndodhet dhe sot diku në mes Rrugës Kavajës dhe Rrugës së Durrësit, fare pranë Ministrisë së Arsimit, nga ana e mbrapme e saj, te Rruga “Kont Urani” siç quhej atëherë, përballë shtëpisë së Dr. Harxhit. Apo të jem më i saktë, shtëpia ku banonim ndodhet diku prapa ish-Gjykatës së Tiranës, ku sot ka disa studio ligjore, zyra avokatie, noterë etj. Ajo ishte një shtëpi qerpiçi dy katëshe dhe ne ishim qeraxhinj aty. Gjatë atyre viteve aty vinin edhe disa vajza të tjerë, si: Naxhije Dume (gruaja e Nesti Kerenxhit, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme në vitet 1945-‘49), Xhorxhina Hodges, një vajzë nga Saranda, Polikseni quhej, mbiemri s’më kujtohet tani, etj. Në atë shtëpi jetonim: babai, nëna (që ne i thërrisnim Ane), pesë vëllezër dhe tre motra. (Shanishaja, motra e madhe, dt. lindja, 1922, Tefta, 1923, Viktori, 1925, Luani, 1927, Veronika 1929, unë, Tomorri, 1930, Leka 1931 dhe Ernesti 1936. Bashkë me ne në një shtëpi jetonte dhe xhaxhai, Kutbiu, që ishte mësues.

Sa shpesh vinte Nexhmija te shtëpia juaj dhe për sa kohë?
Nexhmija me shoqet e tjera që përmenda më sipër, vinin pothuaj çdo fund jave, por ndonjë herë edhe ditë të tjera të javës, pasi ne e kishim shtëpinë jo shumë larg me shkollën e tyre, Institutin “Nana Mbretneshë” dhe ato përfitonin nga rasti e vinin kollaj aty. Pra, nga shkolla te shtëpia jonë, as 10 minuta rrugë nuk ishte, pasi atyre u duhej të kalonin vetëm sheshin “Skënderbej” dhe vinin ose nga rruga e Kavajës, ose nga Rruga e Durrësit.

Për sa vite vazhdoi Nexhmija me Nefon të vinin në shtëpinë tuaj?
Po afro shtatë vjet, që nga viti 1937 kur ne erdhëm në Tiranë e deri nga viti 1942-’43, pasi ato vazhduan të vinin edhe pas mbarimit të Institutit “Nana Mbretneshë”, pasi motra, Shano, e ruajti miqësinë me to.

Si shpjegohet, pasi në vitin 1942, babai juaj, Hasan Dosti, ishte ministër i Drejtësisë në qeverinë e asaj kohe ndërsa Nexhmija me Nefon e Naxhije Dumen, ndërkohë ishin angazhuar në Lëvizjen Antifashiste? Duket e pabesueshme, por është shumë e vërtetë që ata kanë ardhur, pasi dhe motra jonë bënte pjesë me Grupet Antifashiste, ku pjesa më e madhe e tyre ishin bashkuar apo ishin me Rininë Komuniste. Dhe për këtë arsye, sapo babai, Hasani, e morri vesh për motrën tonë, Shanon, që merrej me ato gjëra, pra që bashkëpunonte, apo më saktë ishte pjesë e atij grupi vajzash me ideale komuniste, e hoqi dhe e dërgoi për studime të larta në Itali, në degën e Farmacisë. (Nuk qëndronte atje, por shkonte dhe vinte kur kishte provimet). Po ju them edhe faktin tjetër, jo vetëm kaq, por Xhorxhina Hodges, ka ardhur në shtëpinë tonë me uniformën e partizanes me armë ne brez dhe ne e kemi pritur e përcjellë njësoj sikur të kishte qenë motra, jonë, Shano. Faktin që ato vajza, pra shoqet e motrës vinin në shtëpinë tonë, e ka pranuar vetë Naxhije Dume, në kujtimet e saj të bërë publike tashmë prej vitesh, ku midis të tjerash ka shkruar: “Ne, me Nexhmije Xhunglinin, Nefo Puton etj., i bënim mbledhjet tek shtëpia e ministrit, Hasan Dosti, pasi kishim shoqe të ngushtë, Shanishanë, vajzën e tij…”. Por desha të shtoj se në atë kohë nuk shikoheshin këto gjëra, pra ndarja; komuniste-balliste, me atë sy që u panë pas mbarimit të Luftës. Vetë Enver Hoxha, rrinte tek shtëpia e kunatit të tij, Bahri Omarit, që ishte ministër i Punëve të Jashtme dhe eksponent i lartë i Organizatës nacionaliste, Balli Kombëtar. Ne i prisnim me kënaqësinë më të madhe ato vajza, pasi që nga Nefo, Nexhmija, Xhorxhina, etj., ishin si vajzat e shtëpisë. Kujtoj Anenë, (siç i thërrisnim ne nënës sonë), kur vinte fundi i javës që do vinin vajzat në shtëpi, kur i thoshte vëllait, “Tori, na u mbarua vaji, me ça do u gatuajmë vajzave që na vinë sot…”?! Pra kjo ishte gjendja në shtëpinë tonë.

Sa kohë qëndroi babai juaj Hasani në postin e Ministrit dhe përse u largua?
Babai qëndroi tre katër muaj në postin e Ministrit të Drejtësisë, dhe gjatë asaj kohe ai mundi që të shpëtonte nga vdekja disa eksponentë të Lëvizjes Komuniste, si Hasan Reçi, Sinan Gjoni etj. Në fundin e majit ’42, babai dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Drejtësisë, pasi nuk pranoi që të firmoste për pushkatimin e komunistëve Nikolla Tupe, Ferit Xhajku e Hamdi Mëzezi, të cilët u kapën nga autoritetet italiane gjatë udhëtimit me një makinë në të dalë të Fierit. Ai dha dorëheqjen pasi nuk ishte dakord për dënimin kapital që ishte caktuar për tre nga gjashtë komunistët që vepronin në Fier. Për tre prej tyre ishte dakord dhe kryeministri Mustafa Kruja t’i falte, por Hasani bashkë me Jup Kazazin, ngulnin këmbë dhe insistonin që t’u falej jeta të gjithëve. Dhe pasi kjo nuk ndodhi, ai u largua duke dhënë dorëheqjen. Në vitin 1942, me hapjen e Institutit Shqiptar të Studimeve Shkencore, (ku Kryetar ishte Patër Anton Harapi) babai Hasani u caktua nënkryetar për Studimet Historike së bashku me Aleksandër Xhuvanin (që ishte për Letërsinë) dhe Odhise Paskalin (për Artet).

Kur mund të ketë ardhur Nexhmija për herë të fundit tek shtëpia juaj?
Po e sigurtë që ajo ka ardhur deri nga viti 1942, kur motra, Shano ende nuk kishte shkuar për studime në Itali, mos të them dhe më vonë. Mbarimi i Luftës rezultoi si mos më keq për familjen tonë. Babai, Hasani, nisur nga funksionet dhe angazhimet që kishte pasur gjatë Luftës, pra: si Ministër i Drejtësisë, Kryetar i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar në Mbledhjen e Mukjes, ku ishte pas Mithat Frashërit në krye të delegacionit të Ballit Kombëtar dhe një nga drejtuesit kryesorë të asaj organizate nacionaliste, u detyrua të largohej nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944. Ai mori me vete dhe Luanin, vëllanë (që është pas Viktorit dhe para meje), dhe nga shtëpia ikën pa mbaruar Lufta në Tiranë, pra diku nga fillimi i muajit nëntor, apo fundi i tetorit dhe me 25 nëntor ata u larguan nga Shqipëria nëpërmjet Shkodrës për në Mal të Zi, me eksponentët e tjerë nacionalistë. Por ndërsa babai me Luanin kishin ikur nga shtëpia, ditën e fundit që forcat gjermane u larguan nga Tirana, na vranë nënën, (Anenë) dhe xhaxhanë, Kutbiun.

T’i kthehemi edhe njëherë shkurtimisht asaj ngjarje, si dhe pse ndodhi ajo gjë?
Aty nga fundi i vitit 1944, ne ishim shpërngulur nga shtëpia te rruga “Kont Urani” dhe banonim diku në fund të Rrugës së Kavajës, te shtëpia e Agjah Libovovës, pasi ai ishte mik i ngushtë i babait dhe aty nuk paguanim qira. Tre katër ditët e fundit para çlirimit të Tiranës, pra që nga datat 15,16 dhe 17, në Rrugën e Kavajës ku banonim ne, vazhdonte tërheqja e autokollonave gjermane që vinin nga Rruga e Elbasanit dhe shkonin drejt Veriut. Atë ditë, pra ditën e fundit që ata po largoheshin, pikërisht më 16 nëntor, dikush, ndonjë partizan që ishte fshehur në ndërtesat afër shtëpisë ku banonim ne (është dhe sot diku përballë Kishës Katolike), i qëlloi gjermanët që po tërhiqeshin dhe ata zbritën duke bërë kontroll, në disa shtëpi nga erdhën plumbat që u qëlluan ata. Dhe në shenjë hakmarrje ashtu siç dhe e kishin ata ligjin e Luftës, bënë raprezalje duke hyrë në disa shtëpi të asaj lagje, si tek ne, ku pushkatuan nënën dhe xhaxhanë, Kutbiun. Po kështu nga plumbat dhe zjarri që i vunë shtëpisë, u plagos në krah dhe motra, Veronika dhe u përzhit pak nga flakët teksa tentonte të dilte nga shtëpia, si dhe vëllai Viktori, që gjermanët deshën ta pushkatonin fillimisht. Kjo ishte e gjitha, pra një fatkeqësi e madhe që na ra pikërisht më momentet e fundit që gjermanët po largoheshin nga Tirana dhe nënën e xhaxhanë ne i varrosëm fillimisht në oborrin e shtëpisë, pasi nuk dihej se sa do zgjaste Lufta.

Në ditët që vijuan ç’ndodhi me familjen tuaj?
Të mbetur pa prindër, ne mbetëm si mos më keq dhe u shpërndamë ku të mundeshim tek njerëzit tanë, pasi nisur nga fakti se ishim fëmijët e Hasan Dostit, na urdhëruam të iknim nga Tirana dhe të vendoseshim në Durrës. Aty na strehoi Esat Derraca, (një kushëri i babait nga Gjirokastra), i cili na liroi një barake, 2 metra me 3 metra, ku u strehuam ne të gjashtë vëllezër e motra, pasi siç ju thashë, Luani kishte ikur me babanë.

Kur e mësoi babai juaj, se ishin vrarë bashkëshortja dhe vëllai, Kutbiu dhe si vijoj jeta e familjes suaj?
Babai e ka mësuar atë gjë disa muaj më vonë kur ishte në kamp në Itali, ku një nga miqtë e ngushtë të tij, e ngushëlloi duke ia treguar ngjarjen… (përlotet). Që në vitin 1945, arrestuan vëllanë, Viktorin, së bashku me disa shokë të tij dhe i dënuan për agjitacion e propagandë etj. dhe Viktori bëri pesë vjet burg. Nisur nga gjendja e vështirë ekonomike, pasi ishim pa asnjë të ardhur, unë shkova në Gjirokastër tek disa kushërinj të babait. Kurse të tjerët vazhduan qëndruan në Durrës, duke jetuar vetëm me një rrogë të vogël që merrte motra e madhe, Shano, që punonte punëtore me kazmë e lopatë, në Ndërmarrjen Komunale të Durrësit. Ishin në atë gjendje sa as bukën e gojës nuk e siguronin dot.

Nisur nga kjo situatë ku ndodheshit ju në atë kohë, a u shkoi ndërmend që t’i kërkonit ndihmë Nexhmije Hoxhës, apo Nefo Myftiut e ndonjë tjetre nga ish-shoqet e motrës që ishin me poste në pushtet…?
Neve si vëllezër e motra as nuk e kemi biseduar kurrë me njëri-tjetrin këtë gjë dhe normalisht nuk as nuk na ka shkuar ndërmend një gjë e tillë, pasi do ta kishim biseduar. Por, Nexhmija e dinte të gjithë atë çka kishte ndodhur në familjen tonë dhe situatën e vështirë ekonomike ku ndodheshim, pasi atë gjë ia kishte thënë duke ia treguar me hollësira, një nga shoqet e saj dhe të motrës sonë gjithashtu, Polikseni, (me origjinë nga Saranda, mbiemri nuk po më kujtohet tani), e cila pa i thënë njeri, kishte shkuar vetë dhe e kishte takuar Nexhmijen në zyrën e saj në Tiranë. Pasi ia kishte treguar, edhe pse Nexhmija e kishte pritur ftohë kur ajo i hapi bisedën për familjen tonë, në fund, Polikseni i kishte thënë: Ça mund të bësh ndonjë gjë për Shanon, se po vdesin për bukë, pasi nënën dhe xhaxhanë ja vranë gjermanët? Nuk do e besoni, po ajo i tha shprehimisht vetëm këto fjalë: “Akoma nuk ka ngordhur. As nuk dua t’ia di fare për të, sepse ajo na tradhtoi”? Kjo ishte përgjigja e Nexhmijes që Polikseni na e solli ne nëpërmjet një njeriu të afërm të familjes sonë.

Për çfarë tradhtie e kishte pasur fjalën Nexhmija?
Po çfarë tradhtie…., ja për atë që babai Hasani, e dërgoi Shanon për studime në Itali dhe që ajo nuk doli në mal partizane si ato!

Po si mendoni, a mund t’ju ndihmonte Nexhmija kur dihej se çfarë emri kishte Hasan Dosti në atë kohë për regjimin komunist?
Nuk bëhej fjalë që të na ndihmonte dhe as që i kishim kërkuar ndihmë, gjë të cilën ia kishte sqaruar edhe Polikseni asaj, pra i kishte thënë Nexhmijes që kishte shkuar pa dijeninë tonë, por po e bënte atë nisur nga fakti se Shanon e kishin pasur shoqe të ngushtë dhe në shtëpinë tonë kishin ndenjur për disa vjet si në shtëpinë e tyre. Por Shanos, çuditërisht s’i bëri shumë përshtypje dhe tha vetëm këto fjalë: “Nuk e mendoja kurrë që ajo Nexhmije, të bëhej kaq e egër”?!

Po përveç Nexhmijes, ju si familje ju ka njohur dhe Enveri Hoxha?
Po ky është fakt i njohur që Enveri, por ajo që nuk është thënë kurrë është fakti se babai, Hasani, e përfshiu atë në delegacionin që shkoi në Shkodër për të marrë eshtrat e dy patriotëve të mëdhenj, Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit. Në atë kohë unë kam qenë gjashtë veç dhe babai me ka marrë me vete në Shkodër dhe kam qenë prezent në të gjitha ceremonitë që u zhvilluan atje. Ajo ngjarje është fiksuar në disa foto ku vetëm në njërën, është dhe fotografia ku kam dalë dhe unë dhe Enveri ndodhet afër nesh…! (Zoti Dosti na tregon një foto që po e publikojmë në këtë shkrim)

Konkretisht si ka ndodhur kjo ngjarje ku Enveri ka dhe një tjetër foto ku është duke mbajtur një fjalim te ballkoni i Bashkisë së Shkodrës?
Po e kujtoj shumë mirë dhe është shumë e vërtetë që Enveri ka folur aty në emër të “Djemurisë gjirokastrite”, por Enveri mbajti fjalimin që kishte përgatitur babai, Hasani, për të mbajtur, pasi babai u sëmur dhe atë fjalim që kishte përgatitur, ja dha Enverit, pasi ai ishte dhe më i riu në të gjithë atë delegacion.

Sa kohë qëndruat në Durrës?
Në Durrës ne qëndruam deri në vitin 1949, kur pas goditjes së “Grupit të Koci Xoxes”, unë dhe Shano u lejuam që të punonim në arsim. Unë bërë një kurs dhe më emëruan mësues në fshatrat e Tepelenës, kurse Shano meqë kishte bërë dhe dy vjet universitet në Itali (për farmaci), nuk bëri kurs, por u fut direk si arsimtare. Por kjo punë ku na lejuan, nuk zgjati veçse disa muaj, pra më pak se një vit dhe ne na hoqën përsëri jo vetëm nga puna, por na larguan edhe nga Durrësi. Në atë kohë, Mehmet Shehu si ministër i Punëve të Brendshme kishte mbajtur një fjalim ku kritikonte Ministrinë e Arsimit, duke thënë se kishte ulur vigjilencën, duke lejuar të punojnë në arsim, fëmijët e Hasan Dostit. Kaq u desh dhe ne na hoqën.

Po kush u kishte ndihmuar ju në të vërtetë për të filluar në Arsim dhe ku jua dërguan më pas?
Faktikisht ne na kishte ndihmuar, Kadri Baboçi, zv/ministri i Arsimit, i cili ishte vëllai i gruas së dajos sonë, Ursam Selfos. Pasi na hoqën nga Durrësi, unë shkova disa kohë në Fier, te vajza e tezes së babait, kurse tre motrat dhe tre vëllezërit, (Leka, Ernesti dhe Viktori që u lirua nga burgu në vitin 1950, u internuan në Gradishtë të Lushnjes. Viktori qëndroi pak kohë aty, pasi e internuan përsëri fillimisht në Kuç të Vlorës dhe më pas në Porto Palermo. Në vitin 1951, motrën, Shanon e lejuan të vinte në Tiranë, ku ajo punoi përsëri në Komunale, si punëtore me kazmë dhe lopatë. Pas pak kohësh, Shanon e hoqën përsëri nga puna dhe nga Tirana, duke e sjellë në internim në Gradishtë, ku sollën dhe Viktorin nga Porto Palermo. Unë me Lekën kemi qëndruar në Gradishtë deri në vitin 1953 që na morën ushtar në Tiranë në Xhenjo, në një brigadë pune, (pra ushtar pa të drejtë arme), dhe kur kishim bërë afro 9 muaj ushtri, na arrestuan dhe pasi na mbajtën disa kohë në hetuesi, na dënuan me nga 25 vjet burg me akuzën “agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisje”. Bashkë me ne ishte dhe një shoku ynë që u dënua me 20 vjet. Ne mund të kishim shprehur ndonjë pakënaqësi, por nuk kishim bërë asnjë plan për arratisje dhe çdo gjë ishte e montuar, thjesht se ne duheshim dënuar si djemtë e Hasan Dostit, i cili që nga viti 1949, pas vdekjes së Mithat Frashërit, ishte kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” në SHBA, ku kishte një jetë shumë aktive në politikë, si p.sh., duke përfaqësuar Shqipërinë në Kongreset e “Popujve të Robëruar” që mbaheshin herë pas here në vende të ndryshme si Europë e SHBA. Pra gjithçka që ndodhte me ne, bëhej si presion ndaj babait që ai të mos merrej me politikë dhe “me veprimtari armiqësore” kundër Shqipërisë. Madje, kur kemi qenë në Burgun e Burrelit, ne na kanë ardhur nga Tirana dhe na kanë kërkuar që t’i shkruanim letër babait, që ai të mos merrej me politikë, por ne nuk pranuam dhe ata u larguan pa na lutur shumë.

Ku e vuajtët dënimin dhe kur u liruat nga burgu?
Unë u lirova nga burgu më 9 korrik të vitit 1967 pasi kisha fituar ulje dënimi me amnisti dhe një vit me punë. Kurse Leka u lirua një vit pas meje dhe të dy shkuam prapë në Gradishtë. Por ndërkohë që ne ishim në burg, në vitin 1960 ishte arrestuar dhe motra, Shano, në Gradishtë, e cila u dënua me pesë vjet burg politik për agjitacion e propagandë. Gjithçka ishte e sajuar, madje kujtoj se deri edhe disa njerëz nga rrethi ynë farefisnor, thoshin se Shanos i kishte gjetur Sigurimi i Shtetit, një radio marrëse-dhënëse që e kishte fshehur në një pemë, ku shkonte natën dhe komunikonte me babanë e vëllanë, në SHBA. Këto ishin legjenda që i përhapte Sigurimi i Shtetit dhe njerëzit e shkretë i besonin, apo thjesht i përcillnin ato, siç i dëgjonin. Shano u lirua nga burgu i Kosovës së Lushnjës në vitin 1965 dhe pasi qëndroi disa vjet në internim aty në Gradishtë ku dhe u njoh e u martua me Ibrahim Sokolin, (vëllanë e profesorit dhe etnomuzikologut të njohur, Ramadan Sokoli), i cili u kthye në internim pasi kishte qenë disa vjet në burg, me babanë, Jusufin, Ramadanin dhe vëllanë, Hodo Sokoli, i cili u lirua nga fundi kur regjimi komunist po rrëzohej. Ibrahimi pasi mbaroi internimin u lejua të kthehej në Shkodër bashkë me Shanon, ku të dy punuan përsëri si punëtorë me kazmë e lopatë në Komunale.

Deri kur kanë jetuar Shano me Ibrahimin?
Ibrahimi ndërroi jetë në vitin 1997 në Shkodër dhe pas vdekjes së tij, Shano u kthye tek ne këtu në Tiranë, pasi ata u martuan të mëdhenj në moshë e nuk patën fëmijë. Me lekët që shiti shtëpinë në Shkodër, Shano bëri këtë bibliotekë që kemi ne këtu, pasi në atë kohë na erdhën librat e babait nga SHBA-ja. Kurse Shano ndërroi jetë në korrikun e vitit 1999.

Po dy motrat e tjera, Tefta me Veronikën, dhe vëllezërit, a krijuan familje?
Po të dyja u martuan në internim, Veronika me të birin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fiqiri Dines, kurse Tefta me një nga Gjirokastra. Viktori u martua dhe krijoi familje në internim, me të bijën e Abaz Kupit, Hyrijen, një zonjë e vërtetë që ne e kemi respektuar si të parën e shtëpisë tone edhe pas vdekjes së Viktorit, deri ditën që ndërroi jetë para pak muajsh. Edhe Ernesti që ka ndërruar jetë vetëm para tre javësh, krijoi familje po në internim, kurse Leka që ka ndërruar jetë para disa vjetësh, nuk mundi që të krijonte dot familje, pasi i shkoi jeta burgjeve dhe internimeve. Ne kemi qenë në internim deri nga viti 1991 që u rrëzua dhe regjimi komunist, por qëndruam aty dhe disa muaj më shumë pasi nuk kishim ku të shkonim, pasi siç ju thashë, babai ynë, Hasani, nuk pati kurrë një shtëpi të tijën dhe gjithmonë ka jetuar me qera. Nisur nga ky fakt, kur erdhëëm në Tiranë, me letrat me vlerë dhe dëmshpërblimet nga burgjet dhe internimet, privatizuam këtë magazinë duke e adaptuar për banese ku u mblodhën të gjithë, katër vëllezërit dhe tre motrat, me familjet tona.
Po babai dhe Luani deri kur kanë jetuar?
Babai ndërroi jetë në janarin e vitit 1991, në moshën 96 vjeçare në SHBA, pasi kishte mësuar se regjimi komunist në Shqipëri ishte në grahmat e fundit. Kurse Luani jetoi edhe një vit më shumë, por ai erdhi në Shqipëri dhe ne patëm fatin të takoheshim dhe të çmalleshim me njeri tjetrin. Pasi vetëm në vitin 1991 u mblodhëm të pesë vëllezërit dhe motrat bashkë, sepse që nga ’45-sa, ne nuk na binte të takoheshim të gjithë, pasi sa dilte njëri nga burgu, hynte tjetri.

Po pas viteve ’90-të, Nexhmije Hoxha, apo ndonjë nga ish-shoqet e Shanos, a patën ndonjë shenjë brerje ndërgjegjeje?
Kur vdiq Luani në vitin 1992, një nga ish-shoqet e Shanos, i kishte thënë Nefo Myftiut, që të vinin tek ne për ngushëllim, por Nefo i ishte përgjigjur: “Nuk kemi fytyrë të shkojmë te Shano dhe te Dostët për ngushëllim, për çfarë u kemi punuar ne atyre”. Kurse Nexhmijen e ka takuar vëllai jonë, Viktori, diku nga viti 1993 kur ajo ishte në burgun e Tiranës, pasi Viktori në atë kohë së bashku me Arben Puton, ishin në krye të Komitetit të Helsinkit (Komiteti për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) për Shqipërinë. Viktori me kolegët e tij shkuan aty për të parë kushtet e burgut dhe të trajtimit të tyre, pas disa ankesave që bënin me shkrim ish-bllokmenët e arrestuar edhe për gazetarët e huaj dhe ato të Komitetit të Mbrojtjes së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Kur hynë te dhoma e Nexhmijes, ajo e njohu dhe e pyeti: “Tori ti je”? Pra, ju drejtua si një e njohur e vjetër, je me emrin Viktor, por shkurt, Tori!

Si iu përgjigj Viktori?
Po çfarë mund t’i thoshte Viktori, ai iu përgjigj sikur ta kishte një të njohur të vjetër, që na kishte bërë vetëm të mira, duke i thënë me buzagaz; “Po unë jam, por nga më njohe”? Dhe Nexhmija i tha se e kishte njohur nga zëri dhe kishte shtuar: “A të kujtohet kur të thoshte Aneja; Tori, po na mbarohet vaji ullirit dhe do vinë vajzat dhe nuk kemi me çfarë t’u gatuajmë”?! Dhe në fund të bisedës së tyre të shkurtër ajo me duket se e kishte ngushëlluar për vdekjen e vëllait, Luanit, ndërsa për Shanoon nuk tha absolutisht, asnjë fjalë. Si duket Nexhmija vazhdonte ta konsideronte Shanon si tradhtare!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.