SHËNDET

Gerald Kola: Inflamacioni i bajameve, si të shpëtoni nga ndërhyrja kirurgjikale

12:57 - 17.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Inflamacioni i bajameve është një ndër problematikat e shpeshta shëndetësore që prek kryesisht fëmijët e moshës 4 deri në 6 vjeç. Por si mund të shpëtoni nga kjo patologji pa qenë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale? Në një intervistë për suplementin Life Pages në ‘Gazeta Shqiptare’, mjeku Gerald Kola tregon se një dietë ushqimore e ekuilibruar dhe ndryshimi i stilit të jetesës ndikojnë në trajtimin e tonsilitit. Ai shton se bajamet janë pjesë integrale e sistemit limfatik që luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin e veshkave dhe si pasojë duhet të tregohet kujdes maksimal për to. Kola më tej këshillon që të eliminohet kategorikisht përdorimi i duhanit nga personat që vuajnë nga inflamacioni i bajameve.




Çfarë është tonsiliti dhe cilat janë kategoritë më të prekura nga kjo patologji?
Tonsiliti është një infektim i zakonshëm, i shkurtër ose i zgjatur i grykëve apo bajameve, që shkakton inflamacion. Ai ndodh kryesisht në fëmijëri, mes moshës katër dhe gjashtë vjeç, dhe përsëritet në moshën e pubertetit. Ai mund të ndodhë, gjithashtu, në moshën e rritur. Në përgjithësi, sa më shpesh të infektohen bajamet, aq më të prirura bëhen për përsëritjen e infeksioneve.

Cilat janë simptomat kryesore të sëmundjes?
Bajamet janë një pjesë thelbësore e sistemit imunitar, funksioni kryesor i tyre është filtrimi nga bakteret dhe çdo mikroorganizma të tjerë që mund të shkaktojnë infeksione. Megjithatë, ndonjëherë, vetë bajamet mund të vuajnë një infeksion që rezulton në dhimbje dhe inflamacion. Simptomat e tonsilitit përfshijnë: ënjtje dhe dhimbje në qafë, dhimbje në fyt, bajame të zgjeruara dhe të përflakura, gëlltitje të dhimbshme, dhimbje që rrezaton te veshët. Ndërkohë simptoma të tjera mund të përfshijnë: temperaturë të lartë, lungë mbi bajame, humbje e përkohshme e dëgjimit, dhimbje koke, ngjirje e zërit, kollitje, të vjella si dhe ndjenja të përgjithshme të sëmurjes dhe lodhjes.

Mund të na tregoni se cilat janë shkaqet kryesore të inflamacionit të bajameve?
Inflamacioni i bajameve shkaktohet ose nga bakteri streptokok, ose, më rrallë, nga infeksionet virale. Bajamet janë pjesë integrale e sistemit limfatik dhe ato luajnë një rol të rëndësishëm në funksionin e veshkave, dhe për këtë arsye duhet të ruhen.

Në trajtimin natyral për parandalimin e tonsilitit përfshihet dhe një dietë ushqimore e shëndetshme. Cilat janë ushqimet që duhet të konsumojnë personat e sëmurë nga kjo patologji?
Ushqimi është i rëndësishëm dhe shërben si një kurë naturale për trajtimin e sëmundjes. Këshillohet të rrisni konsumin e ujit të pastër e të filtruar, çajit të nxehtë bimor, lëngjet e frutave të holluar dhe supërave. Duhet të përdorni një dietë të pasur me ushqime të plota organike duke vënë theksin mbi perimet e freskëta dhe supat e perimeve. Shmangni ushqimet ndaj të cilave jeni alergjik apo të ndjeshëm. Gatuani me hudhër, xhenxhefil, kërpudha shiitake dhe kërpudha Reishi, sepse të gjitha këto kanë efekte që forcojnë sistemin imunitar.

Më sipër ju përmendët ushqimet që trajtojnë në mënyrë natyrale sëmundjen. Por cilat janë disa prej ushqimeve që mund të ndikojnë në përkeqësimin e tonsilitit?
Është e rëndësishme që të mos shtoni toksicitetit të mëtejshëm në sistemin tuaj kështu që përpiquni të mos konsumoni asnjë ëmbëltues artificial. Këshillohet të mos konsumoni shurup të lartë në fruktozë e të mos pini pije të gazuara. Gjithashtu duhet të shmangni të gjitha ushqimet e shpejta si dhe të gjitha ushqimet e konservuara. Eliminoni produktet konvencionale të qumështit, shmangni mishin e viçit konvencional.

Sa ndikon thithja e avujve me vajra esencialë për lehtësimin e bajameve të inflamuara?
Aromatherapy është terapia aromatike me vajra esencialë që përdoret për këtë problematikë. Disa studime shkencore kanë treguar se banjo me avull në fakt mund të shkurtojnë kohëzgjatjen e një infeksioni në fyt. Thithja e avujve benzoike, livando, trumzë, eukalipt, barbarozë, bergamot ose vajin e pemës së çajit lehtëson simptomat e bajameve.

Çfarë duhet të ndryshojmë në stilin e jetesës për tu prekur sa më pak nga kjo patologji?
I lejoni vetes pak pushim dhe qetësim në mënyrë që trupi juaj të përdorë shumicën e energjisë së tij për të luftuar infeksionin duke reduktuar kështu kohën tuaj të shërimit. Shtoni lagështi në ajrin e shtëpisë suaj për të parandaluar tharjen e astarit të fytit. Nëse nuk keni një mjet lagështues (humidifier), atëherë një tas me ujë i vendosur mbi kaloriferin tuaj ose mjetin e ngrohjes dhe lënë aty gjatë natës do të punojë po aq mirë. Nëse pini duhan është e domosdoshme ta lini atë. Tymi i cigareve është jashtëzakonisht irritues për astarin e fytit. Fokusohuni te frymëmarrja me hundë në vend të gojës, sepse kjo parandalon tharjen e fytit dhe punon si një humidifier natyror për ajrin që thithni. Ndërroni furçën e dhëmbëve pas infeksioneve të grykës (bakteret mbi qimet e furçës mund t’ju ri-infektojnë).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.