OPINION

Humbja e gjyqeve me punonjësit dhe efekti negativ i tyre në buxhetin e shtetit

07:30 - 20.02.20 Alfred Cako*
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një nga fenomenet më negative në rritjen e shpenzimeve të administratës shtetërore lidhet me vendimet gjyqësore për largim të paarsyeshëm dhe të pajustifikuar nga puna të qindra e mijëra punonjësve çka vazhdon të krijojë efekte negative për Buxhetin e shtetit dhe portofolit të gjithë shqiptarëve. Në 7 vitet e fundit, këto vendime i kanë rënduar shpenzimet publike më tepër se 2 miliardë lekë çdo vit, ose thënë ndryshe, me mbi 16 milionë euro në vit dhe kështu llogaritet përafërsisht se në shtatë vite janë rreth 112 milionë euro! Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore vazhdojnë të mos marrin masat e duhura për sistemimin në punë të ish-punonjësve fitues të gjyqeve, duke vijuar me praktikën e pagesave të dyfishta për një vend pune, pavarësisht pozicioneve të lira të pretenduara në administratën shtetërore. KLSH ka vërejtur se vendimet gjyqësore të formës së prerë nuk raportohen dhe nuk deklarohen si shpenzim. Kjo bie në kundërshtim me nenin 61 të Ligjit nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Një veprim i tillë krijon kushtet për akumulimin e kamatëvonesave si pasojë e vonesës në shlyerjen e tyre dhe nënvlerësimin e shpenzimeve të vitit. Dukuri të tilla shpien në thellimin e deficitit buxhetor dhe për shkak të pagesave të tarifave përmbarimore, si pasojë e mosekzekutimit vullnetar të vendimeve dhe thyerje të radhës së shlyerjes së vendimeve. Në shumë institucione qendrore të kontrolluara, madje edhe ministri nuk ekziston baza e të dhënave të vendimeve gjyqësore, në mënyrë që nga ana e tyre të raportohet efekti i detyrimeve si pasojë e vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë.




Në mbështetje të kësaj analize të përgjithshme, e cila është deduktuar nga ana e audituesve të KLSH me të dhënat e shifrave të mësipërme mund të shohim konkretisht më poshtë disa të dhëna në tri subjekte të audituara së fundi nga ana e KLSH, si “Albpetrol sh.a”, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe në RTSH.

Në “Albpetrol sh.a”, për 5 muajt e fundit të vitit 2018 janë shpenzuar prej humbjes së një numri të konsiderueshëm gjyqesh (32 ҫështje) me punëmarrësit e shkarkuar, 54,985,953 lekë, ku përfshihen edhe shpenzimet përmbarimore. Ndërsa përsa i takon gjashtëmujorit të parë të vitit 2019, “Albpetrol sh.a” ka shpenzuar nga humbja e 68 ҫështjeve gjyqësore me punëmarrësit e shkarkuar rreth 44,674,086 lekë. Pra, për të gjithë periudhën e auditimit, nga humbja e proceseve gjyqësore “Albpetrol sh.a” ka humbur gjithsej 99,660,039 lekë.

Po kështu, nga rritja e shpenzimeve gjyqësore të Autoritetit të Aviacionit Civil nga shlyerjet e titujve ekzekutivë janë shpenzuar në total për një periudhë 20- mujore deri në shtator të vitit 2019, rreth 6,112,547 lekë gjithsej, të ndarë në dy periudhat e ndryshme vjetore përkatësisht në 528,396 lekë (viti 2018) dhe 5,584,151 lekë (8 muajt e parë të vitit 2019).

Situata: Nga auditimi i dokumentacionit u konstatua se gjatë vitit 2018 është paguar një ish-punonjëse e AAC-së, për të cilën janë likuiduar paga të prapambetura në vlerën 470,236 lekë bruto dhe sigurime shoqërore e shëndetësore nga punëdhënësi në shumën 58,160 lekë, periudha 14 mars-30 qershor 2018. Baza ligjore për pagesën janë, Vendimi Nr.2316 datë 18.06.2018 i Gjykatës Administrative të shkallës së pare.

Nga audituesit e KLSH-së u konstatua se objekti i kërkesë-padive të punonjësve si palë paditëse në përgjithësi përmbahej në disa pika: 1-Deklarimin e marrëdhënies së punës të zgjidhur nga ana e punëdhënësit në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara; 2. Detyrimin e palës së paditur, të dëmshpërblejë paditësin me disa paga mujore, për mosrespektim të afateve të njoftimit për zgjidhjen e marrëdhënies së punës; 3. Detyrimin e palës së paditur, të dëmshpërblejë paditësin me pagën e 1 (një) viti për zgjidhjen në mënyrë të menjëhershme pa shkaqe të justifikuara të kontratës së punës me kohëzgjatje të pacaktuar; 4. Detyrimin e palës së paditur, të dëmshpërblejë paditësin me disa paga mujore, për moszbatim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës; 5. Detyrimin e palës së paditur, të dëmshpërblejë paditësin me disa paga mujore, si shpërblim për vjetërsi në punë.

Pas këtyre kërkesë padive, në përgjithësi gjykata është shprehur se “Marrëdhënia e punës së paditësit është zgjidhur pa u respektuar afati i njoftimit. Zgjidhja e marrëdhënies së punës së paditësit është kryer jo për shkaqe që vareshin nga paditësi. Për rrjedhojë, nuk ka ekzistuar asnjë shkak që të mos lejonte zgjidhjen normale të marrëdhënies së punës për shkaqe të justifikuara duke respektuar afatin e njoftimit. Për rrjedhojë i padituri duhet të detyrohet që të dëmshpërblejë paditësin për mosrespektimin e afatit të njoftimit”.

Si rezultat, nga ekzekutimi i detyruar i titujve ekzekutive me veprime përmbarimore janë rritur shpenzimet e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) dhe është ulur fitimi i saj për shkak të hapave të gabuara që kanë sjellë efekt financiar negativ në buxhet nga ana e drejtorisë së AAC, në kundërshtim me kërkesat dhe standardet e përcaktuara në ligj për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me punonjësit e larguar.

Po kështu, nëse shohim edhe situatën në Radio Televizionin Shqiptar, për periudhën korrik 2017- dhjetor 2019 nga humbja e tetë proceseve gjyqësore ka pasur shpenzime me efekt financiar negativ në buxhetin e RTSH, si rezultat i ekzekutimit të titujve ekzekutivë me veprime përmbarimore, në një vlerë prej rreth 5.805,944. lekë.

Pasi analizuam këto tri raste të verifikuara nga ana e auditimit të jashtëm të KLSH-së është e kuptueshme, për analogji, se fatura e efektit negativ financiar të shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit nga qindra largime të padrejta nga puna e punonjësve të administratës sonë shtetërore në këto 7 vitet e fundit është shifër shumë e lartë financiare.

Ka me dhjetëra raste të tjera, si këto që përmendëm më lart, kur Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka dhënë alarmin për kostot e rënda të vendimeve gjyqësore në dëm të shtetit nga paaftësia e strukturave piramidale drejtuese të administratës shtetërore apo shoqërive publike dhe sidomos të drejtorive të burimeve njerëzore dhe drejtorive të zyrave juridike të tyre. Prandaj, gjatë auditimit KLSH-ja me vendimet e saj ka dhënë rekomandime të ndryshme për përmirësime ligjore apo zbatim me korrektësi të kuadrit ligjor në drejtim të rekrutimit të punëmarrësve, që mund të jenë sipas rastit me kontratë individuale dhe kolektive të përkohshme pune ose punonjës të rekrutuar sipas Ligjit nr. 152/2013, Për nëpunësin Civil.

Në arsyetimin e saj për ta përcaktuar këtë shpenzim të pajustifikuar me efekt financiar negativ, KLSH-ja ka përmendur si bazë ligjore Ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i cili në nenin 8, “Përgjegjshmëria menaxheriale e titullarit”, në pikën 1, thekson se: “Titullarët e njësive publike, përgjigjen për vendosjen e përmbushjen e qëllimeve dhe të objektivave të njësive publike, nëpërmjet krijimit të një sistemi të përshtatshëm dhe efektiv të menaxhimit financiar dhe kontrollit, si dhe përdorimit të fondeve publike, në mënyrë të ligjshme, me ekonomi, efektivitet dhe efiçencë”. Pra, shpenzimet e kryera për vendimet gjyqësore për të cilat gjykata u ka dhënë punonjësve të larguar të drejtën e dëmshpërblimit, konsiderohen të larguar nga puna padrejtësisht, çka do të thotë se shpenzimet e kryera për vendimmarrjet e largimeve nga puna, janë në mospërputhje me legjislacionin e përmendur, duke ndikuar në buxhetin e shoqërisë.

Siç duket, në këtë shkrim nuk kemi analizuar rastet shumë të ndjeshme të rritjes së shpenzimeve buxhetore të institucioneve të qeverisë nga zbatimi i vendimeve gjyqësore prej humbjes së tyre në procese arbitrazhi ndërkombëtar, e cila do e rriste edhe më shumë vlerën e efektit negativ në buxhetin e shtetit.

Kryeauditues në KLSH

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.