Intervista

Ekspertja, Alda Tasho: Rëndësia e burimeve njerëzore në ecurinë e një biznesi

09:30 - 24.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pas diplomimit jo pak studentë hasin vështirësi në gjetjen e një vendi dhe kjo për shkak të një sërë faktorësh. Vetë bizneset kërkojnë punonjës të kualifikuar, madje edhe me eksperiencë pune; në një kohë që të sapodiplomuarit në jo pak raste nuk kanë kryer as praktikë në universitetet nga të cilat vijnë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ekspertja e burimeve njerëzore, Alda Tasho tregon se profesionet më të kërkuara në tregun e punës janë agjentët e marketingut, manaxherët, ekonomistët, programatorët, informaticienët apo punonjësit socialë. Më tej, ajo shton se shqiptarët nuk janë të qëndrueshëm në vendin e punës e kjo për shumë arsye objektive dhe subjektive, ku mund të përmenden kushtet e punës, pretendimet për rrogën, puna në skuadër, mungesa e motivimit nga ana e pronarëve të një kompanie. Ndërkohë, Tasho bën me dije se burimet njerëzore janë një element i rëndësishëm në ecurinë e një kompanie apo biznesi, e për këtë arsye duhen zgjedhur punonjësit e përshtatshëm. Të sapodalët nga bankat e shkollës mund të rrisin performancën dhe aftësitë profesionale nëpërmjet programeve specifike profesionale.




Sa të rëndësishme janë burimet njerëzore në ecurinë e një biznesi?

Në mënyrë që një biznes të jetë i suksesshëm duhet të kujdesemi për burimet njerëzore. Pa një ekip të talentuar, biznesi juaj bie poshtë. Sado i fuqishëm të jetë një sipërmarrës, nëse ekipi i punës nuk ka perfomancën e duhur, ai biznes është i destinuar të dështojë. Burimet njerëzore janë të rëndësishme për çdo biznes që nga fillimi i tij.  Kështu që është shumë e rëndësishme që të zgjidhen punonjësit e duhur për një ecuri sa më të mirë të biznesit. Pra, HR është faktor i rëndësishëm dhe thelbësor për suksesin e një biznesi.

Sa kombinohen teoria me praktikën në auditorët e universiteteve shqiptare? Si lindi ideja e projektit “Rekrutim, trajnim dhe punësim i burimeve njerëzore”?

Në trajnime kemi pasur studentë dhe individë të punësuar në shtet apo në privat. Dhe gjatë trajnimit lindnin pyetje ku teoria duhej detyrimisht të përputhej me praktikën. Dhe si rrjedhojë e kësaj, shkëmbeheshin konceptet teorike të studentëve dhe ato praktike të individëve tashmë të punësuar dhe me një lloj eksperience, pra gjatë trajnimeve zhvilloheshin biseda konsultative ku përfituesit kryesorë ishin studentët, të cilët “vidhnin” përvojat e individëve (ekonomistë, inxhinierë etj.) tashmë të punësuar diku. E pamë të domosdoshme ngritjen e disa programeve specifike profesionale kryesisht për profesionet si: ekonomist, inxhinier, psikolog, informaticien, jurist, gazetar etj.. Meqenëse studentët nga bankat e shkollës dalin pak a shumë në kuadrin teorik, meqenëse edhe intershipet apo praktikat profesionale janë të shkurtra në afat kohor dhe nga ana tjetër bizneset kërkojnë burime njerëzore të kualifikuara, ndërtuam pikërisht disa programe specifike, të cilat përditësohen sipas kërkesave të tregut.

Si bëhet verifikimi nëse individi është i përgatitur për t’u përballur me tregun e punës?

Siç e shihni edhe në emërtim, projekti fillimisht rekruton burimet njerëzore, ku kontingjenti kryesor janë studentët, por nuk përjashtohen edhe individë, pjesë e një kompanie apo pune në shtet, të cilët duan të sistemohen diku në një pozicion pune më të mirë. Më pas, mbas shqyrtimit të CV-së (kurrikulumit), individi u nënshtrohet testeve profesionale, meqenëse CV-ja e individit flet, por jo gjithmonë çka shkruhet aty është reale. Nëse shihen deficite në njohuritë bazike të programeve të kompjuterit, gjuhëve të huaja apo të programeve të cituara në CV, atëherë kandidati brenda dëshirës së tij është pjesë e procesit të trajnimit apo kualifikimeve të mëtejshme. Nëse ai është i përgatitur për tregun e punës sipas karakteristikave të përshkrimit të punës që kërkon një biznes, atëherë ai futet automatikisht në database dhe i delegohet biznesit.

Çfarë avantazhesh ka trajnimi i burimeve njerëzore?

Ky projekt duhet parë në dy këndvështrime. Së pari, individi ndërgjegjësohet për aftësitë e tij profesionale pas procesit real të testimit dhe kupton kërkesat që ka tregu i punës vendas apo i huaj; si rrjedhim ai i nënshtrohet procesit të mëtejshëm të kualifikimit. Si rrjedhojë, ai edhe i sapodalë nga bankat e shkollës, nëpërmjet programeve profesionale mund të rritë performancën e tij dhe aftësitë profesionale. Trajnimi që ai merr është aset i tij dhe ai e përdor në interesat e biznesit ku punësohet, pra ai rrit aftësitë e tij dhe është i sigurt të përballojë kërkesat e tregut në profilin që zotëron.  Nga ana tjetër biznesi i shkurtohet koha për të rekrutuar burimet njerëzore të duhura për pozicionin e kërkuar dhe mbi të gjitha ofrohet një lloj garancie mbi potencialet e burimeve njerëzore. Nuk është e thënë që me një trajnim të vetëm, individi përmbush plotësisht kërkesat e kompanisë, por në krahasim me të sapodiplomuarit është shumë herë më i përgatitur.

Sa të qëndrueshëm janë shqiptarët në vendet e punës?

Përpos kësaj, gjatë praktikave deri diku zbulohen dhe personaliteti i individit, gjë të cilën biznesi e kërkon si element kyç, pasi kemi vënë re që njerëzit nuk janë të qëndrueshëm në vendin e punës. Kjo për shumë arsye objektive dhe subjektive, por mund të përmendim kushtet e punës, pretendimet për rrogën, puna në skuadër, mungesa e motivimit nga ana e pronarëve të një kompanie etj.

Çfarë do të na sugjeronit që një individ të jetë pjesë e një kompanie për një kohë më të gjatë?

Pyetje me vend kjo, sepse individët qoftë edhe për një rrogë pak më të lartë largohen, pavarësisht nga kontrata e shkruar nga të dyja palët. Sigurisht, gjithkush do të shkojë të punojë aty ku gjendet më mirë, sepse interesat personale tërhiqen nga një pagesë më e lartë, por jo gjithnjë duhet parë pagesa. Ka shumë faktorë që një individ të ndihet mirë në një organizatë apo kompani ku këtu bëjnë pjesë edhe mënyrat e motivimit apo të punës në skuadër. Dhe si rrjedhojë e kësaj kërkese të tregut, ofrohet edhe softskills për stafet e bizneseve si një domosdoshmëri tjetër e tregut të punës.

Cilat janë profesionet më të kërkuara nga bizneset?

Sot nuk është e lehtë të gjesh një punë, aq më tepër për profesionet e larta, por më të kërkuara janë pozicionet agjent marketingu, menaxher (koncepte këto që shpesh ngatërrohen edhe nga vetë biznesi apo individi), ekonomistë, programatorë, informaticienë, punonjës socialë etj. Mesatarisht në muaj punësohen 3-5 individë, por ka dhe raste ku janë punësuar edhe 10 të tillë, sidomos në kompani të mëdha. Ajo që vëmë re dhe është për t’u theksuar se sot mund të gjesh një punë, por është e vështirë për ta mbajtur atë vend pune.

Punët e kërkuara

“Sot nuk është e lehtë të gjesh një punë, aq më tepër për profesionet e larta, por më të kërkuara janë pozicionet agjent marketingu, menaxher (koncepte këto që shpesh ngatërrohen edhe nga vetë biznesi apo individi), ekonomistë, programatorë, informaticienë, punonjës socialë etj.”, – tha Tasho.

Qëndrueshmëria në punë

“Kemi vënë re që njerëzit nuk janë të qëndrueshëm në vendin e punës. Kjo për shumë arsye objektive dhe subjektive, por mund të përmendim kushtet e punës, pretendimet për rrogën, puna në skuadër, mungesa e motivimit nga ana e pronarëve të një kompanie etj.”, – bëri me dije ekspertja e burimeve njerëzore.

Motivimi dhe pagesa

“Individët qoftë edhe për një rrogë pak më të lartë largohen, pavarësisht nga kontrata e shkruar nga të dy palët. Sigurisht gjithkush do të shkojë të punojë aty ku gjendet më mirë, sepse interesat personale tërhiqen nga një pagesë më e lartë, por jo gjithnjë duhet parë pagesa. Ka shumë faktorë që një individ të ndihet mirë në një organizatë apo kompani, ku këtu bëjnë pjesë edhe mënyrat e motivimit apo të punës në skuadër”, – tha Tasho.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.