AKTUALITET

Aborti për adoleshentet, gjinekologu Avenir Balili: Detyrimisht do të shtohen shtatzënitë e padëshiruara

14:48 - 26.04.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

VOLTIZA DURO/ Projektligji i ri mbi shëndetin seksual dhe riprodhimin ka shkaktuar debate të shumta, veçanërisht për nenin mbi abortin dhe shtatzëninë surrogate. Në një intervistë për gazetën “Panorama” prof. ass. dr. Avenir Balili, mjek obstetër gjinekolog tregon se shtatzënia me qira mund t’u vijë në ndihmë më së miri grave që kanë probleme shëndetësore dhe nuk munden të kenë një shtatzëni.




Ndërkohë, përsa i përket ligjit mbi abortin në grup-moshën 16-vjeçare, Balili nënvizon se kjo mund të sjellë rritjen e numrit të aborteve në radhët e minoreneve.

Si e vlerësoni projektligjin e ri mbi shëndetin seksual dhe riprodhimin, që konsiston në ligjshmërinë e nënave surrogato?

Nëna surrogate ose “mitra me qira” është një alternativë terapeutike që gjinekologu e vë në dispozicion të çifteve infertile. “Surrogate” vjen nga latinishtja subrogare që do të thotë “me zëvendësu”. Rasti i parë i suksesshëm daton në vitet 1985-86 dhe që nga ajo kohë janë realizuar me mijëra lindje të fëmijëve të shëndetshëm me këtë artificë. Praktikisht embrionet e krijuara në laboratorët e fekondimit in vitro prej qelizave fillestare të çiftit të partnerëve ose të donatorëve transferohen në mitrën e nënës surrogate. Fëmija i ardhshëm do ketë bagazhin gjenetik të prindërve të tij të “nënës biologjike”, por do zhvillohet dhe do të lindë nga mitra dhe trupi i një nëne e marrë hua që quhet edhe “nëna lindëse”. Në fillim u ndihmuan çiftet që e kishin të pamundur anatomikisht të përmbushnin ëndrrën e tyre dhe më vonë indikacionet u zgjeruan aq shumë sa kohët e fundit abuzohet hapur.

Sipas projektligjit, cilat janë kushtet që duhet të plotësohen që një grua që dëshiron të bëhet nënë, ta arrijë këtë nëpërmjet një nëne surrogate?

Për arsye mjekësore surrogacia është e vetmja zgjidhje për gratë që kanë lindur pa uterus (mitër) sindromi Mayer-Rokitansky-Hauser-Kuster, por që kanë vezore normale. Anomalitë e lindura të mitrës mund të kërkojnë zëvendësimin me mitrën e dikujt tjetër. Gratë që e kanë humbur mitrën për arsye të dëmtimeve të tyre në lindje ose aborte, si dhe ato me malinjitete të qafës së mitrës ose vet mitrës gjithashtu mund të përdorin mitrat me qira. Paciente me aborte të përsëritura dhe mossukses të fekondimit in vitro për mungesë të implantimit të vezëve të fekonduara lehtësohen me anë të surrogacisë. Të sëmurat me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, veshkave që mund të dëmtojnë më tej shëndetin nga shtatzënia natyrale e kërkojnë mitrën me qira. Çiftet gay ose meshkujt single janë kandidatë jo të rrallë. Artistët në karrierë që nuk duan të ndërpresin punën e tyre dhe njëkohësisht nuk duan të “deformohen” nga barra dhe lindja janë frekuentueset e shpeshta të qendrave të fekondimit in vitro.

 

Po nënat surrogate, çfarë kushtesh duhet të plotësojnë për të realizuar një shtatzëni të tillë?

Nënat surrogate që të pranohen nga qendrat e riprodhimit të asistuar duhet të jenë të reja ndërmjet moshës 21-45 vjeç, të kenë lindur të paktën një fëmijë dhe jo më shumë se 5 lindje normale dhe tre me operacion. Fëmija i fundit nuk duhet të jetë më i vogël se tre vjeç. Barrat duhet të jenë të distancuara jo më pak se dy vjet njëra nga tjetra. Gratë duhet të gëzojnë shëndet të plotë të mos kenë sëmundje infektive dhe të jenë psikologjikisht të ekuilibruara. Konsensusi i bashkëshortit është i domosdoshëm. Në shumicën e rasteve dhënia përkohësisht e mitrës për barrën e dikujt tjetër bëhet për kompensim ekonomik dhe në raste më të pakta për të ndihmuar pa pagesë për altruizëm ndaj çifteve pa fëmijë.

Si paraqitet qasja dhe implementimi i këtij ligji në shtete të tjera?

Para fillimit të konfliktit ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës në drejtim të Ukrainës dhe vetë Rusisë kishte një fluks të madh qytetarësh evropiane për të ashtuquajturin turizëm të fertilizimit për surrogaci. Arsyeja kryesore ishte shtrëngesa ligjore në vendet e origjinës dhe ofertës së madhe të mitrave me qira për arsye ekonomike të popullatës femërore vendase. Shumë vende e kanë liberalizuar surrogatësinë si SHBA, Kanada, Meksika, Anglia, Vendet e Ulëta etj; në Francë, Gjermani, Kine, Japoni e disa vende të tjera vazhdojnë ta ndalojnë ose ta shtrëngojnë surrogatësinë. Ka edhe vende që janë ende indiferente ndaj këtij problemi socio-ekonomik. Duhet treguar vëmendjen e duhur edhe ndaj këtij problemi sa mjekoligjor aq edhe juridik për të mënjanuar abuzimet dhe keqpërdorimet në këtë fushë, ashtu sikurse dhurimi i gjakut, organeve, spermatozoideve dhe ovociteve që janë rregulluar me kalimin e kohës dhe duke fituar eksperiencë.

Sa shkon kostoja e një shtatzënie surrogate?

Kostoja e një shtatzënie surrogate në SHBA është 40.000-120.000 USD në varësi të shtetit dhe spitalit. Ndërsa në kontinentin e vjetër përafërsisht është e njëjta vlerë, por në euro. Paguhen procedura e stimulimit dhe marrjes së vezëve nga nëna biologjike, fekondimi në laborator i tyre me spermatozoidet, transferimi pas fekondimit të embrioneve në mitrën e gruas të dhënë me qira.

Sa ekziston mundësia që nëna surrogate të lidhet më fëmijën dhe të kërkojë ta mbajë fëmijën si të vetin, duke mos respektuar kushtet e kontratës?

Pas mbetjes shtatzënë, e gjithë mbarëvajtja e saj dhe lindja e fëmijës është në ngarkim të çiftit të nënës biologjike. Duhen shtuar këtu edhe shpenzimet për ekzaminimet përpara fillimit të procedurave për qiradhënësen e mitrës. E gjithë kjo marrëveshje duhet dokumentuar mirë si për aspektet financiare, ashtu dhe legale midis çiftit dhe nënës lindëse për të mos pasur mosmarrëveshje më vonë. Fëmijët e lindur me këtë alternativë terapeutike nuk ndryshojnë biologjikisht nga vëllezërit ose motrat e tjera të mëparshme të çiftit prindëror. Pretendime dhe mosmarrëveshje grindje e kërcënime ka pasur vazhdimisht në mes të pjesëmarrësve të kësaj procedure riprodhuese.

Mund ta sjellim me një shembull konkret?

Një aktore e huaj që kreu këtë procedurë nga të parat në Evropë për arsye se duhej të vazhdonte të xhironte një film si dhe për shumë impenjime të tjera televizive e teatrale pati ngjarje të pakëndshme më vonë. Nëna surrogate e lindi djalin normalisht dhe sipas marrëveshjes ia larguan fëmijën menjëherë, nuk e ushqeu me gji dhe nuk e pati më asnjë kontakt me të. Nëna biologjike gjithashtu nuk e ushqente dot fëmijën e saj me gji, por ia besoi një baby sitter-i derisa mbushi moshën për çerdhe e kopsht. Kur filloi shkollën, djali u dërgua në Zvicër për t’u edukuar e shkolluar sa më mirë. Ishte gjithnjë i harruar nga prindërit e tij. Kjo histori vazhdoi deri në universitet e më tej kur doli në jetë. Nënën dhe babain i takonte rrallë në fundjavë ose gjatë pushimeve të shkurtra verore e dimërore, sepse prindërit ishin vazhdimisht të zënë me punë. Kjo sjellje e prindërve të munguar e të huaj që paguanin për djalin e vetëm vazhdoi derisa ai mbaroi universitetin e doli në jetë. Babai që ishte më i ri se gruaja ndërroi jetë në një aksident automobilistik dhe nëna tashmë e moshuar dhe e mbetur vetëm u kujtua për djalin e saj. Kërkoi që i biri t’i qëndronte afër. Djali u shpreh se kishte pasur një nënë të ftohtë, egoiste që mendonte vetëm për vete e jo të pranishme në jetën e tij deri atë ditë. E la nënën me “baby sitter” të paguar prej saj, siç e kishte besuar edhe ajo dikur në duar të huaja. Në raste të tjera, jo rrallëherë, çiftet biologjike janë kërcënuar me ndërprerje të shtatzënisë, rrëmbim të fëmijës, për arsye monetare etj.. Nëna dhe babai janë të domosdoshëm për krijimin, lindjen, mirërritjen, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Pra familja është njësia e shenjtë e shoqërisë tonë dhe fëmijët janë produkt i dashurisë prindërore.

Në projektligj citohet se vajzat e mitura të grup-moshës 16 vjeçare mund të kryejnë abort edhe pa dijeninë e prindërve. A do të sjellë kjo rritjen e numrit të aborteve në radhët e minoreneve? A është e përgatitur një adoleshente për të marrë një vendim të tillë?

Përsa i përket liberalizimit të abortit edhe për vajzat 16-vjeçare, mendoj se është vendim i drejtë, por pak i parakohshëm për Shqipërinë. Liria seksuale që gëzojnë të rinjtë tanë sot do pasohet detyrimisht me shtimin edhe të barrave të padëshiruara. Personalisht konstatoj një rënie të aborteve që i dedikohet përdorimit më të gjerë të kontraceptivëve të ndryshëm dhe njëfarë edukate më të mirë seksuale. Mendoj dhe shpresoj që kjo tendencë do vazhdojë dhe nuk ka nevojë ta demonizojmë më shumë fenomenin e abortit. Ndryshimet në legjislacionet e vendeve të përparuara si dhe të fqinjëve tanë duhet të na bëjnë të mendojmë e të veprojmë si ata e jo të jemi të veçantë e kreativ deri në absurditete. Aborti është një procedure delikate që duhet kryer nga specialistët, sepse mund të dëmtohet në mënyrë të parikthyeshme shëndeti riprodhues i vajzës ose gruas. Fatmirësisht aborte të provokuara ose kriminale si quheshin në të kaluarën janë eksepecional në ditët tona. Për vajzat e reja duhet të tregohet një kujdes më i madh kur paraqiten për të abortuar dhe t’u lehtësohen detyrimet financiare. Konsensusi i prindërve është jo i domosdoshëm dhe të jetë në dëshirën e vet femrës.

A duhet të kryhet abort deri në javën e njëzet e dytë të shtatzënisë në momentin që shtatzënia është rezultat i përdhunimit, marrëdhënieve seksuale me dhunë ose një krimi tjetër seksual?

Sipas legjislacionit të propozuar, më duket e arsyeshme ndërprerja e shtatzënisë deri në javën e 14. Lejimi i abortit të vonshëm për arsye mjekësore dhe sociale deri në javën e 22 gjithashtu, shkon krahas legjislacioneve të vendeve të tjera evropiane. Politikat demografike bëhen nga specialist të kësaj fushe, por që duhet përfituar edhe nga eksperienca botërore. Nuk është aborti ai që pengon shtimin e shqiptarëve dhe që prish ekuilibrin djalë apo vajzë. Duhet të ruajmë sa më shumë shëndetin e gruas në përgjithësi dhe atë riprodhues të brezave të reja. Komuniteti i mjekëve duhet të shprehin hapur mendimin e tyre dhe jo të merret mendim e vendim vetëm nga disa “drejtues” e “shefa”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.