OPINION

Mbi kompromisin e heshtur të Zogut dhe shqiptarëve për ligjin dhe shtetin

07:11 - 24.02.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sipas kujtimeve të Eqerem bej Vlorës, vetë themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali thërret krerët e dy fiseve labe, të cilët ishin në armiqësi me njëri-tjetrin dhe iu kërkon që të pajtohen pasi nuk ishte koha për grindje. Shteti i porsakrijuar nuk kontrollonte veçse një territor të ngushtë përreth qytetit të Vlorës dhe duhet t’i tregonte botës se së paku atje kishte rregull. Dy krerët e fiseve labe kishin respekt të madh për Ismail Qemalin. Respekt të dyfishtë, edhe si një njeri i familjes Vlora, edhe si themelues i shtetit shqiptar. Ata ishin gati që me fjalën e Ismail Qemalit të bënin gjithçka. Ata ishin gati të sakrifikonin çdo gjë për të, ta dëgjonin fjalën e tij pa e bërë dysh, edhe sikur t’u kërkonte t’i mblidhnin meshkujt e fisit e t’i dërgonin në luftë, përveç kur mendonin se ajo që iu kërkonte ai cenonte reputacionin e fisit të tyre. Në këtë ngjarje shfaqet fare qartë me të gjithë përmasat e saj kotësia shqiptare, të cilën Mid’hat Frashëri e ka quajtur vetinë më të keqe të shqiptarëve, burim të të këqijave të tjera. Këta njerëz nuk e kuptonin shtetin më tepër se bashkëkombësit e tyre me të cilët bisedoi Durhami. Ata nuk duan t’ia dinë se shteti funksionon me ligje, se ajo që janë duke bërë ata është e dënueshme sipas ligjeve të çdo shteti dhe se i pari i shtetit të ri shqiptar, duke qenë i detyruar t’i tregonte botës se shqiptarët janë në gjendje të jetojnë sipas mënyrës europiane, mund të urdhëronte që t’i arrestonin e t’i nxirrnin në gjyq. Ata e merrnin parasysh edhe këtë, dhe duke qenë se fjala e dhënë ishte e shenjtë për ta, ata nuk e gënjejnë të parin e shtetit, por i thonë me sinqeritet se nuk ia japin dot premtimin që kërkon prej tyre. Ata ishin njerëz, të cilët nëse e jepnin fjalën do ta mbanin atë edhe nëse do të shuheshin të gjithë. Jakob Fallmerayer do të shkruante edhe kështu për shqiptarët:




“Shqipëria është atdheu i mendimeve të shkurtra, depo e rezervave të forcës fizike, vendi që me vullnetin e vet nuk pranon t’i bindet as të dëgjojë as vetveten, as të tjerët. Shqipëria është elementi që mohon vazhdimisht dhe tek e cila anarkia dhe mungesa e ligjit në njëfarë mase janë shpirti dhe fryma jetësore”.

Është me domethënie të madhe që Jakob Fallmerayer, në të njëjtin libër ku shkruan gjëra që duhet të na bëjnë krenarë për vjetërsinë e shqiptarëve dhe vitalitetin e tyre si racë, si libri “Elementi shqiptar në Greqi” (1857), jep edhe këto gjykime për shqiptarët që duhet të na bëjmë të turpërohemi dhe të reflektojmë thellë. Sepse cilësi të tilla janë të pranishme edhe te shqiptarët e sotëm në Shqipërinë e sotme shoqërore. Sjellje të tilla nga shqiptarët, si ato të përshkruara më lart bëjnë edhe sot që të huajt të thonë se shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese. Një përmbledhje të tezave të ndryshme të të huajve për shqiptarin si qenie politike dhe aftësitë e tij shtetformuese e ka bërë dikur edhe një njohës i mirë i shqiptarëve, Antonio Baldaci, i cili udhëtoi në viset shqiptare gjatë disa viteve në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX. Baldaci është përpjekur që të përmbledhë si mendimet e armiqve të shqiptarëve, si serbi Cvijiç, ashtu edhe të miqve të tyre të deklaruar, si anglezi Murray dhe të japë ai vetë një gjykim të balancuar. Ja sesi shkruan Baldaci: “Mendimet janë shumë të ndryshme. Disa thonë se shqiptari nuk përfaqëson një popull, se nuk është besnik dhe punëtor. Në të kundërtën, të tjerët e ngrenë lart njësinë kombëtare, besnikërinë dhe veprimtarinë, dhe këto dy ekstreme të paraqitura nga studiuesit Cvijiç dhe Murray mbështeten edhe nga vetë shqiptarët, kështu që njëra palë sheh me simpati të pastër të ardhmen e kombit të vet, ndërsa pala tjetër, që nuk është e pakët në numër, në vend të pavarësisë kombëtare, do të parapëlqente një ndërhyrje të huaj të këtij apo atij shteti, i afërt apo i largët, i madh apo i vogël, sipas simpatisë që ka arritur të krijojë propaganda në shpirtin e tyre të ulët. Për ata që janë shqiptarë të pastër, por të nxitur nga qëllime thjesht egoiste dhe të papastra, Shqipëria nuk ka ç’të shpresojë nga pavarësia e saj”.  

Në kohën që shkruante Baldaci kishte nisur prej disa dekadave një debat europian për shqiptarët, në kuadrin e përplasjes mes fuqive të mëdha për Ballkanin. Siç shihet, për të huajt, si për miqtë, ashtu dhe për armiqtë e shqiptarëve, si me rol vendimtar për çështjen nëse shqiptarët duhet të kishin apo jo shtetin e tyre, në këto debate theksohej karakteri i njeriut shqiptar. Sipas tyre, karakteri i njeriut shqiptar do të përcaktonte dhe fatin e këtij shteti. Armiqtë e shqiptarëve thoshin se këta të fundit nuk e kishin atë pjekuri karakteri që duhej për të ndërtuar shtetin, ndërsa miqtë e shqiptarëve e pohonin këtë, shikonin se si mund të gjendeshin mënyra që shqiptarët të piqeshin si komb, që do të thoshte të piqeshin edhe si karaktere individuale, duke kaluar nën një periudhë tutele nga ndonjë fuqi e madhe. Në përshkrimin e mësipërm të Baldacit duken edhe gjurmët e ndikimit të këtij debati te vetë shqiptarët, ku gjithashtu kishte një debat për të ardhmen e kombit që gjendej akoma nën pushtimin osman, por që tanimë dukej qartë se nuk do të zgjaste edhe për shumë kohë. Edhe te shqiptarët mendimet qenë të ndara. Ata që e shikonin me frikë ndarjen nga Perandoria Osmane më tepër kishin frikë për atë që mund t’ i ndodhte shtetit të ri në periudhën e ndërmjetme deri kur të maturohej karakteri kombëtar shqiptar, i individëve dhe i bashkësisë. Në përshkrimin e mësipërm të Baldacit mund të gjesh pasojat e një politike të qëllimshme të Turqisë ndaj shqiptarëve, fillimet e së cilës gjenden në mendimet e kronikanëve turq.

Atë shqetësim që kishte Durhami pas bisedave të shumta me malësorët shqiptarë e reflekton Fan Noli, në një fjalim që mbajti në Korçë, në 18 gusht 1923, kur ishte kryetar i opozitës: “Fjalët që i dëgjoj nga goja e të gjithëve janë: ‘Shqipëria u bë’. Do të ish më e drejtë të thuhej që nisi të bëhet dhe aherë do ishim të gjithë në një mendje. Jemi në situatën e njeriut që ka blerë tapinë e tokës e që i mbetet tani të ndërtojë shtëpinë me themele të shëndosha e ta ruajë me zotësitë e trimëritë e tij. Këtë kuptim duhet të ketë njohja e indipendencës sonë prej shteteve të botës dhe caktimi i kufive tona. Na mbetet tani puna e rëndë të themelojmë një shtet modern, të bazuar mbi lirinë e qytetarëve dhe kanunin (Noli e përdor fjalën ‘kanun’ në kuptimin ‘ligj’. Përmbi të gjithë. Po duhet të dimë që liria është në rrezik nga shkelësit e brendshëm dhe sado që rreziket e jashtme u larguan, rreziket e brendshme për lirinë po shtohen dhe është detyra e tërë kombit dhe e çdo qytetari veçanërisht, ta mbrojë lirinë e fituar kundër çdo shkelësi të brendshëm e të jashtëm natë e ditë, pa pushim”.  

Noli ishte i detyruar që të shprehej kështu se vinte re që shqiptarët anekënd vendit mendonin si ata malësorët me të cilët bisedoi Durhami, pra se tani që u bë shteti shqiptar, ky shtet duhet t’i zgjidhte të gjitha punët me “shkopin magjik” dhe atyre nuk u mbetej veçse të bënin kërkesa. Se tani që kishin shtetin e tyre niste puna e vërtetë për të zhvilluar vendin, kjo as që u shkonte në mendje. Fjalët e Nolit, i cili u fliste ashtu siç iu flet politikani zgjedhësve të tij në një shtet perëndimor, nuk i kuptonin fare. Nuk e kuptonin se me këtë mendësi rrezikonin shumë të binin në duart e ndonjë tirani dinak, i cili duke shfrytëzuar naivitetin e tyre do t’ u bënte premtime të bukura duke iu thënë se nëse ia jepnin atij pushtetin, ai do ta përdorte “shkopin magjik” të shtetit për të plotësuar të gjithë kërkesat e tyre. Këtë rrezik kishte parasysh Noli kur thoshte në të njëjtin fjalim se: “Liria mbrohet nga shkelësit e huaj me trimërinë e pushkës, nga shkelësit e brendshëm me trimërinë e shpirtit, me kurajën civile, e cila është më e lartë se e para”.

Opozita e Nolit humbi në zgjedhjet e vitit 1923, sepse nuk iu premtoi shqiptarëve veçse punë të vështirë për të ndërtuar “shtëpinë e përbashkët”, shtetin e prosperuar. Fituan ata që premtuan mrekulli me “shkopin magjik”. Noli nuk blinte vota, kështu që nuk ishte fare tërheqës si politikan. Noli u ofronte shqiptarëve idealizmin e tij u thoshte se donte të punonte për të ndërtuar një shtet ligjor sipas modelit perëndimor. Problemi i Nolit ishte se shqiptarët të cilëve iu drejtohej ai kishin një refuzim të lindur për ligjin dhe për shtetin, sipas modelit europian, gjë që e kishte vënë re me shqetësim. Noli i njihte mirë shqiptarët. Fjalimi i tij i famshëm për pesë anarkitë e tregon qartë këtë. Ai e dinte se kujt ishte duke iu drejtuar, por si një idealist i pandreqshëm mendonte se mund t’i bindte shqiptarët me fjalë të cilat ata nuk i kuptonin. Sot, kur citohet Noli për pesë anarkitë, nuk citohet për pjesën ku ai flet për rrugëdaljen prej tyre. Në fakt Noli, pasi përshkroi me hollësi pesë anarkitë, përshkroi dhe sfidën me të cilën do të përballej, ai që do të provonte të vinte rregull në vendin ku sundonin këto pesë anarki. Dhe Noli e quajti marrjen përsipër të kësaj, idealin më të lartë: “Hodhëm një sy mbi problemin e tmerruar që kishim përpara e na u ngjethën mishrat, po s’u trembëm e iu përveshëm punës. Qysh mund të hezitonim e të ndruheshim? A ka ideal më të lartë se sa të nxjerrësh vendin tënd nga shpella e errësirës, ta shërosh nga plagët shekullore, ta lirosh nga thonjtë e nga gërshërët e hydrës së anarkive? A ka ideal më bujar se sa të krijosh e të vesh një racë të re, të fortë e të disiplinuar, me fenë e detyrës në zemër, me diellin e lirisë në ballë e me flamurin e sakrificat për të mirën e përgjithshme në dorë? Ja një punë për një komb ndërtonjës, për nation-builder, ja një punë për një trim legjendar, ja një punë për një gjysmëperëndi”.

Pak më shumë se një vit pas këtij fjalimit, Noli do të pranonte dështimin e tij, i gjendur në arrati, jashtë Shqipërisë. Para se të dëbohej me armë nga pushteti, ai ishte ndëshkuar me votë nga elektorati refuzues ndaj ligjit dhe shtetit, sipas modelit europian. Shqiptarët e shikonin shtetin si një forcë të huaj të cilin e shpërfillnin sa të mundnin, e refuzonin sa të mundnin, dhe vetëm kur iu imponohej i nënshtroheshin, pasi nuk kishin çfarë të bënin tjetër. Ideal për ta do të kishte qenë një shtet shqiptar që të ishte i pranishëm sa për dukje në fshatrat e qytetet e tyre, me ligjet e tij, policët, gjykatësit, nëpunësit, por që në thelb t’ i lejonte të vazhdonin të jetonin siç kishin jetuar para tij, duke bërë me këtë shtet kompromision që kishin bërë me shtetin turk. Zogu iu shkelte syrin bashkëkombësve dhe nuk iu premtonte një shtet europian me fjalë, por një shtet të tillë siç e donin ata me vepra. Zogu nuk dinte të fliste kaq bukur sa Noli, por shqiptarët e kuptonin shumë më mirë Zogun se Nolin të cilin nuk e kuptonin fare. Shteti që premtonte se do të ndërtonte Noli i trembte ata. Nuk e gjenin veten në të, iu dukej i huaj. Në një fjalim të mbajtur në parlament, në 1923, Noli, thoshte: “Cili është programi ynë? Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndershmit. Më të emëruar nëpunësit, duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderi. Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet të mirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë. Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë. Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar. Duam t’i japim popullit liri e jo tirani. Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me dru, po me kanun e me drejtësi. Duam t’i rregullojmë financat e shtetit me kursim e jo ta shkatërrojmë shtetin me rushfete e me taksa. Duam të ndërtojmë e jo të prishim”.

Gabimi i Nolit ishte se ai mendonte që bashkëkombësit e tij donin sundimin e ligjit, donin shtetin e fortë. Në fakt, ata donin vetëm aparencën e këtyre gjërave. Shteti që përshkruante Noli i trembte ata më shumë se kërbaçi i Zogut. Prandaj ata nuk entuziazmoheshin kur Noli thoshte se nuk do ta përdorte drurin. Ai mendonte se me këtë ua kishte fituar zemrën, por nuk e kuptonte se këta njerëz ishin mësuar me drurin, dhe dinin si të merreshin veç me atë që kishte kërbaçin e shtetit në dorë. Kjo ishte gjuha që ata e kuptonin mirë brez pas brezi. Ai që kishte kërbaçin në dorë iu thoshte se unë e di që ju tregoni mospërfillje sa të mundni për ligjin dhe shtetin e unë ua njoh këtë të drejtë. Por unë kërkoj nga ju që t’ i nënshtroheni sa për dukje ligjit dhe autoritetit të shtetit, që Europa të shohë se ne kemi një shtet modern. Nëse ju nuk cenoni pushtetin tim, unë nuk do t’ u cenoj juve më tepër se kaq dhe do t’ u lejoj të jetoni siç keni jetuar brez pas brezi. Nëse disa nga ju dëshirojnë ta ndryshojnë mënyrën e jetesës aq më mirë. Dhe kështu u arrit kompromisi i heshtur mes Zogut dhe shqiptarëve, që i mundësoi Zogut të bëhej mbret dhe ta mbante pushtetin deri kur u largua nga Shqipëria.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.