KULTURË

“SHTEGTIMI I ONUFRIT”/ Pikënisja dhe pikëmbërritja e një metafore

11:36 - 24.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Oltsen Gripshi – “In & Out”, Edi Muka & Gëzim Qëndro (2000), “Më kap po munde”, Genc Mulliqi (2003), “Vende të spikatura”, Erzen Shkololli (2004), “Nuk ka si shtëpia”, Rubens Shima (2006), “Bërë me tradhëti”, Rubens Shima & Ervin Hatibi (2007), “Unë jam Arti-st”, SuzanaVarvarica Kuka (2010), “Piktura e jetës moderne”, Alban Hajdinaj (2011), “Ndoshta të ëndërrosh”, Daniele Capra (2012), “Elozhe dyshimit”, Claudio Cravero (2013), “SiO2 Arsyeja e brishtësisë”, Verena Stenke & Andrea Pagnes (2015), “Stranger than Kindness – Mitrush Kuteli”, Fani Zguro (2016), “Au fil du temps – Kujtesë kolektive, kujtime personale”, Gaetano Centrone (2017). Këto janë disa prej edicioneve të ekspozitës Onufri. Edicione të cilat hap pas hapi krijuan rrugëtimin e Onufrit ndër vite, duke prekur, shtjelluar dhe ndërtuar një traditë të përvitshme artistike në skenën e arteve pamore në Shqipëri.
Onufri, i cili që në krye të herës lindi si një ekspozitë e përbashkët midis artistëve të njohur shqiptar të cilët në veprat e tyre trajtonin subjekte nga realiteti (më të prekshme dhe kuptueshme nga publiku, realiste), gjatë vijueshmërisë së tij në kohë filloi të hapej drejt horizonteve të reja, me emra të rinj dhe artistë të huaj të cilët padyshim sollën frymën e bashkëkohësisë që jetonin.
Në një analizë reflektuese që mund t’i bëj Onufrit nga fillesat dhe deri në edicionin e fundit XXIII, arrijë në përfundimin se në planin horizontal emërtimi i kësaj ekspozite mbetet po i njëjtë (dhe deri këtu nuk ka asgjë që nuk shkon), por nëse do të vëreja pikërisht luhatjet artistike, e cila kjo ekspozitë ka pasur gjatë vijueshmërisë së saj do të mbërrija në një tjetër përfundim; në atë se, a ka më kuptim që kjo ekspozitë të mbajë ende emrin e një ndër piktorëve ikonograf më në zë të shekullit XVI? Përse kjo pyetje reflektuese?! Sepse nga vëzhgimi i artistëve dhe veprave të tyre pjesëmarrëse Onufri nis me artistë në kapërcyell, ku botën e tyre e shprehnin përmes pikturës realiste mbi kanavacë. Ndërsa në edicionet e sipërpërmendura shikoj një përqasje krejt ndryshe si nga teknikat e përdorura, përmbajtja dhe larmia e artistëve të brezave dhe prejardhjeve kulturore të ndryshme. – Gjithsesi, të gjitha këto nuk duhet të çonin deri në “emigrimin” e Onufrit, por fatkeqësisht me sa duket edhe ai, Onufri u kthye në rrufepritësin e një mbrapshtie!
Thënë këtë, mbërrij në edicionin e Onufrit XXI – 2015, i cili në qendër pati temën e qelqit, se si artistët bashkëkohorë përballen me këtë material sa të mprehtë dhe të ftohtë aq dhe të brishtë e të ndjeshëm. Qelqi si urë lidhje midis këtej dhe andej ekzistencës së qenies, duke krijuar nëpërmjet pasqyrimeve mbi sipërfaqen e tij grimca vetëportreti, të atillë sa nxit ballafaqimin e përbotshëm brenda artisti […]. – Është hapi i parë drejt hapjes me botën jashtë tij dhe njohjes së vetvetes, duke e prekur atë përmes ndjesive që përthith nga rrezatimi i diellit, por dhe ftohtësia e errësirës së zbrazët nën ndriçimin e hënës.




“Shumë artistë që përdorin qelqin e marrin materialin si medium, si simbol dhe bartës të kuptimeve të shumëfishta për të adresuar një mesazh thirrjeje sociale dhe/apo një zgjim intelektual-shpirtëror”.
Kështu do ta përkufizonin marrëdhënien midis qelqit dhe artistëve bashkëkohorë kuratorët e Onufri XXIVerena Stenke & Andrea Pagnes.
Edicioni i Onufrit XXI mishëroi jo vetëm ndërthurjen e brezave të artistëve, sikurse ishte Marina Abramoviæ, Yoko Ono, Tony Craggdhe Joseph Kosuth me artistët e rinj shqiptar, por nxiti/ngjalli një përqasje të re se si dhe çfarë, vërejmë kur shikojmë realitetin përmes qelqit? Si ndikon ai në mendjen tonë dhe mbi të menduarin tonë krijues?
Frymëzues në antologjinë time mbi rrugëtimin e Onufrit është edhe gjesti provokues i Marcel Duchamp-it që mbyllte 50 çajër Parisi në një ampulë farmaceutike. Një koncept, i cili ndryshojë thellësisht mendimin artistik të shekullit të XX, duke shpalosur përmes gjuhës artistiko-konceptuale potencialet e pafundme të qelqit në një dialektikë të pa lëvruar më parë, e cila në mënyrë të pashmangshme ka të bëjë me hapësirën, me kohën dhe me ekzistencën tonë të përditshme.
Filozofia konceptuale e Marcel Duchamp-it e vendos qelqin si një element përbërës epistemologjik të gjuhës së artit bashkëkohorë. Një material i ri shprehësor përmes të cilit krijohen imazhe, ndjesi dhe iluzione të pafundme për t’u zbuluar. Megjithatë nëse do ta lexonim nga këndvështrimi poetik i Pindarit, i cili shkruan “Ashtu si dija dhe jeta, struktura molekulare e qelqit dhe pikat e tij të dobëta janë më shumë rrugë rastësore se sa një ngrehinë e qëndrueshme” do të kuptonim vërtet magjinë e qelqit në një dialog sofit me të.

Lidhur me filozofinë konceptuale të Duchamp-it dhe me parafrazimin poetik të Pindarit qelqi përkthehet në një material “simbolik” dhe bartës i kuptimeve dhe interpretimeve të shumëfishta, duke vendosur ballë për ballë ndjeshmëritë e ndërsjella midis artistit dhe qelqit, artistit dhe hapjes ndaj ideve të reja. Por, një material kaq i brishtë vendosi njëherazi në qendër konceptin se si artistët bashkëkohorë do të filtronin, reagonin dhe shpërfaqnin përmes qelqit nocione si vigjilenca, vëmendja dhe përgjegjësia, për të parë konfigurimin e gjërave të botës sonë me sy më të përqendruar.

Ekspozita Onufri nephesh-ii arteve pamore pas viteve ‘90 në Shqipëri, nëpërmjet së cilës janë ekspozuar vepra jo vetëm me vlera estetiko-artistike, por edhe me mesazhe të fuqishme për shoqërinë shqiptare në tranzicion. Dhe qelqi ishte materiali që përmes vëmendjes, ndjeshmërisë, tejdukshmërisë (transparencës) dhe kujdesit mund të krijojmë një raport të caktuar në marrëdhëniet njerëzore si në sferën private e shoqërore, ashtu dhe përkundrejt mjedisit që na rrethon.
Material i veçantë jo vetëm për atë që është ose atë që përfaqëson, por mbi të gjitha si burimi kryesor i strukturimit të konceptit, mendimit dhe imagjinatës për mesazhet poetike që artistët bashkëkohorë përcjellin kur përballen me këtë material.
Mendime estetike dhe antro-poetike, të cilat i japin jetë dhe fuqizojnë zhvillimin e kulturës bashkëkohore universalisht.
Qelqi në vetvete me tejdukshmërinë dhe brishtësinë që e karakterizon lejon një takim ndërdisiplinor, ku luajaliteti midis reflekseve, zgjerimit të vizionit të njeriut, pasqyrimive dhe mprehtësisë i shërbejnë artistit bashkëkohorë si model dhe pragnjohjeje për të prekur dhe tejkaluar pikërisht në botën onirike të tij, e cila është subkoshienca.
Atëherë në këto rrethana qelqi krijon mundësi të reja perspektivizimi dhe zgjeron hulumtimin në horizonte të pashkelura më parë në mënyrë të vazhdueshme. – Qelqi në Onufrin XXI dhe “OPEN” në Onufrin Re-Made MMXIX, një binom i përsosur, gati algjebrik në mënyrën se si arrin ta zbërthej perceptimin njerëzor, duke lidhur ngushtësisht dy kohë, dy qasje, të së shkuarës së largët dhe të së tashmes së kryer! Sot në kohët që jetojmë përballja me qelqin e artistëve bashkëkohorë i çon ata drejt hapjes mendore(Open Mind), e cila ngjiz një shkëndijë metafizike, argumentimi në përqasjen kundrejt temave të rëndësishme, të tilla si: maskimi, fshehja dhe ndarja, me synim tkurrjen e ndasive, hapësirave, largësive dhe kufijve, duke e përballur veten me dikotomi statike, pezull.

Franklin D. Roosevelt shprehet se: “Njerëzit nuk janë të burgosurit e fatit, por të mendjes së tyre”, ndaj kjo shërben për të shkërmoqur fillimisht muret mendore që secilin prej nesh ka ndërtuar brenda vetes me “ndihmën” dhe ndikimin gjurmëlënës të stereotipave të shoqërisë që na rrethon […].
“OPEN”, si kundërvënie midis koncepteve-doktrinave filozofike, MONIZMIT FETAR nga ku njerëzimi dhe të gjitha dukuritë kanë vetëm një fillesë apo zanafillë, që është materia ose shpirti dhe PLURALIZMIT ONTOLOGJIK, ku njohja e qenies njerëzore dhe ekzistenca e saj bashkë me realitetin fizik që e rrethon kanë fillesa të pavaraura, të shkëputura nga njëra-tjetra të cilat mbështeten tek arsyeja […]. – Por “OPEN” edhe si semina rerum, nga ku lind gjithçka = ATOMIZMI Demokritian, sipas së cilës realiteti fizik është i përbërë nga atomet dhe zbrazëtia, njëlloj si pesha atomike: Pa= MA/1u ku (PA = madhësia fizike e një nr. puro të pastër, MA = masa atomike për një element dhe 1u është bashkësia e unifikuar e masës atomike.). Të përkthyera këto në vlerë artistike, PA = pastërtia absolute e origjinalitetit krijues të artistit, MA = EK = estetika krijuese për çdo vepër dhe 1u = mesazhi konceptual i unifikuar që vepra artistike përcjell: PA=EK/1u.
Formulë kjo e krahasueshme me fuqinë krijues brenda qenies së artistit, ku e verdha, e kuqa dhe bluja= 1u në bazën e teorisë së ngjyrave të Itten i japin atij epërsinë në krahasim me qeniet e tjera; i gatshëm për të zbuluar hapësira të reja dhe estetika bashkëkohore, ku nëpërmjet të cilave të mund të shprehi ndjenjat, revoltën, dashurinë dhe besimin e tij kundrejt sistemeve. Padyshim në këtë rrugëtim të “OPEN”, fjala Elohim e shkëputur nga Libri i Gjenezës së Torah-ut hebraik është më kuptimplotë se kurrë, pasi ashtu si Zoti krijojë njerëzimin në gjashtë ditë dhe më pas në ditën e shtatë pushoi së krijuari, duke e shenjtëruar atë me vetëm një urdhër (“Qoftë…”) – Qoftë SHTEGTIMI i ONUFRIT Re-Made hapësira e re ndërlidhëse e artit bashkëkohor shqiptar me botën përtej… me atë, ku artistët sistemeve i qëndrojnë përballë dhe jo nga pas.
*Artist & historian arti


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.