EKONOMI

Rimbursimi i TVSH-së, qeveria mund t’ia kthejë biznesit me këste

10:35 - 25.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka nxjerrë një vendim në bazë të së cilës, administrata tatimore mund të rimbursojë TVSH-në me këste, në rastet kur bëhet fjale për shuma që i kalojnë 150 milionë lekë (1.2 milionë euro). Këto pagesa do të shtrihen për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet. Këtë marrëveshje biznesi mund ta përdorë dhe si barrë siguruese në kuadër të një kredi bankare. Vendimi parashikon që në rastet kur tatimpaguesit realizojnë investime në vlera të larta apo kanë blerje mallrash/shërbimesh me TVSH, të cilat krijojnë tepricë të lartë kreditore të TVSH-së për t’u rimbursuar, administrata tatimore kërkon nga tatimpaguesi dhe, pasi merr dakordësinë e tij me shkrim, mund të lidhë marrëveshje për pagesë me këste të shumës së miratuar për t’u rimbursuar. Marrëveshja përmban planin e skeduluar dhe afatet e pagesës së kësteve të TVSH-së të miratuar për t’u rimbursuar. Me nënshkrimin e marrëveshjes dhe me miratimin e planit të pagesës së shumës për t’u rimbursuar, detyrimi i administratës tatimore ndaj tatimpaguesit konsiderohet i shlyer dhe nuk aplikohen kamatëvonesat.




Vendimi para-shikon që Administrata tatimore i propozon tatimpaguesit lidhjen e një marrëveshjeje për pagesën me këste të shumës së miratuar për t’u rimbursuar në rastet e mëposhtme: a) shuma e TVSH-së për t’u rimbursuar është mbi 150 000 000 lekë; b) nuk mund të aplikohet neni 75, “Detyrimet tatimore të paguara më tepër”, i ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Në rastet kur përmbushen këto kushte dhe pasi ka diskutuar paraprakisht me tatimpaguesin, administrata tatimore, brenda 5 ditëve pune nga data e miratimit të shumës për rimbursim, i dërgon tatimpaguesit projektmarrëveshjen për pagesën me këste të shumës për t’u rimbursuar, ku është përcaktuar plani i pagesave të kësteve sipas muajve. Plani i pagesës me këste të shumës së miratuar për t’u rimbursuar duhet të shtrihet për një periudhë jo më të gjatë se 2 vjet. Kjo procedurë mund të zbatohet edhe për stokun e kërkesave të miratuara për t’u rimbursuar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duke respektuar kriteret e pikës 3 të këtij vendimi. Formati i projektmarrëveshjes përcaktohet nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Tatimpaguesi shpreh dakordësinë, brenda 5 ditëve pune nga marrja e kërkesës së administratës tatimore, dhe i kthen administratës tatimore marrëveshjen e firmosur. Në rastet kur tatimpaguesi ka kundërshtime lidhur me projektmarrëveshjen apo skedu-limin e afatit dhe të kësteve të pagesës së shumës për t’u rimbursuar, zgjidhja e kundërshtimit bëhet me mirëkuptim ndërmjet palëve. Marrëveshja për pagesën me këste të shumës së TVSH-së së miratuar për t’u rimbursuar mund të lidhet më shumë se një herë me të njëjtin tatimpagues, nëse plotësohen kriteret e pikës 3 të këtij vendimi. Nëse brenda periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes së lidhur, tatimpaguesit i është miratuar për rimbursim kërkesa tjetër e radhës, palët mund të dakordësohen të rishikojnë këstet e marrëveshjes ekzistuese, duke marrë në konsideratë edhe shumën e re të miratuar për t’u rimbursuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.