MILOSAO

Gjuhët janë organizma të gjallë

23:30 - 02.03.20 Gazeta Shqiptare

Gjuhët janë krahasuar me organizma të gjallë, pra ato janë në zhvillim të vazhdueshëm. Ato nuk mund të ruhen të ngurtësuara e të balsamosura në një gjendje pastërtie absolute që nuk mund të ekzistojë, siç nuk mund të ekzistojë asnjë gjuhë “e pastër”, e papërzier. Gjuhët ushqehen nga dialektet, nga gjuha e folur, nga gjuhët e huaja etj. dhe ndërveprojnë me to. Si çdo gjuhë edhe shqipja u është nënshtruar ndërhyrjeve e ndikimeve të ndryshme, ku një rol të rëndësishëm kanë luajtur gjuhët e huaja. Përmes këtyre përzierjeve e ndikimeve fjalori i gjuhës shqipe është pasuruar dhe vazhdon të pasurohet me fjalë e terma të domosdoshme për komunikimin ndërnjerëzor. Gjuhëtari i shquar Selman Riza (1909–1988), në punimin e tij “Fillimet e gjuhësisë shqiptare”, botuar në Prishtinë 1952, ka edhe këtë kapitull mbi elementet e huaja në leksikun e shqipes. Aty dalin shtresat leksikore me burim të huaj në gjuhën shqipe, të hyra gjatë marrëdhënieve historike të shqipes me gjuhët e tjera në kontakt ose të pushtimeve shekullore romake e turke. Siç e përcakton drejt studiuesi që në parathënien e veprës dhe në hyrjen e artikullit: 1. gjuhët ndryshojnë aq sa nuk kuptohen nga folësit e saj mbas një farë kohe dhe 2. ashtu siç nuk ka kombe të papërziera ashtu nuk ka as gjuhë të papërziera. (Redaksia)

Nga SELMAN RIZA
Vërtè më sa ka kombe kryekëpùt të papërziem përkah raca aq ka gjuhëna qind për qind të fjeshta përkrah fjalori. Mirëpo në fjalorin e gjuhës shqipe randësija numerike e elementevet prej origjine së hueje – me thânë të drejtën kapërxen bukur fort mesataren e zakonshëme.
Dhe këtu haemadreq nuk kemi parasysh terminat teknikë prej origjine greke, latine, franceze etj. që kanë hy edhe në gjuhënat tjera e që prandej quhen: fjalë ndërkombtare. Këtu madjè nuk kemi gjithaq ndër mendë as ato fjalë që të parët t’anë dikur përvehtësuenë prej fqinjvet Sllavë dhe prej sundimtarëvet Tyrq. Këtu, po thomi, nuk kemi gjithaq ndër mendë as sllavizmat që, ta merr mendja, në fjalorin e shqipes e shqipes kanë një randësí të madhe por që prapëseprapë zânë aty një vend relativisht të vogël; as tyrqizmat që vërtè janë mâ të shumta por që në të njâjtin numër o aty pari gjinden gjinden edhe në tjerat gjuhëna ballkanike.



 

Këtu krye kreje kemi parasysh të gjitha ato fjalë jashtëzakonisht të shumta përkah numëri e gjithashtu jashtëzakonisht të përditshëme përkah përdorja që në fjalorin e shqipes janë prej origjine latine e që në kohë të vet të parët t’anë përvehtësuenë prej Rromakëvet të lashtë. Por a thue përse? – Paj, vërtè kahndonjëherë për të shenjue këte apo ate kundranë të ré për ta, këto apo ate themelatë të panjoftun prej tyne; por mâ të shumtën e herëvet, me thânë të drejtën, pa pikë nevoje sepse në zavendësim pikërisht të gjegjësevet fjalë vehtjake që ndërkaq u lanë në shpërdorje e ranë në harresë.
Asgjamangu po mendove se ndër né sundimi rromak zgjati pandërpremas mâ se gjashtëqind vjet e se prej të gjithë popujvet t’Evropës që patnë ra’ ndën zgjedhën e Rromës, soll dy popuj bânë ball rrezikut të çkombtarizimit: të parët e Grekëvet të sodshëm: Helenët, para madhnisë mendore e shkëlqimit qytetnuer të të cilëvet u përul deri krenija e ngadhnjimtarëvet rromakë, dhe të parët e neve Shqiptarëvet: Ilirët, – të cilët, larg së pasuni pasë në mbrojtje të vetëvehtes një të këtillë përparësi kulturore mbi shkelësat e huejë, ishin përkundrazi kaq të pashkëlqim përkah qytetnimi sa që Helenët i quenjin “Barbarë”; asgjamangu, po thomi, po mendove këto gjâna, atëherë çdo gjykimi të pezmatuem në kryet t’at kundër të parëvet t’ânë për këte teprí latinizmash dikur të panevojshëme por sod të domosdoshëme – vjen e i zê vendin një ndjenjë miradije në zemrën t’ânde ndaj këtyne burrave të fortë që dijtnë e mujtnë me na lânë trashëgim një gjuhë hindo-evropjane të mvehtësishëme përkah pjesa kryesore e lândës së fjalorit e pothuejse përkah tânësija e landës së gramatikës.

 

asssssssssssssss asssssssssssssssss asasas
<
>

Asht e vërtetë se në veprën e vet “Etymologisches Ëörterbuch der albanesischen Sprache” (Fjaluer etymologjik i gjuhës shqipe) Gustav Meyer-i ka përpilue një statistikë simbas së cilës pjesën kryesore në fjalorin e shqipes e përbâkanë përkundrazi latinizmat a rromanizmat. Mirëpo këjo statistikë âsht e pasaktë sepse: 1) fjalori etymologjik i Meyerit âsht bukur larg së përfshimi të gjitha fjalët e shqipes, 2) prej 5140 fjalëvet, sa figurojnë në këte fjaluer, një numër bukur i madh âsht marrë pikërisht prej dialektevet të Shqiptarëvet t’Italisë ku, ta merr mendja, rromanizmat do të jenë mâ të shumta se ndër Shqiptarët tjerë dhe, 3) për shum fjalë që Meyeri në fjalorin e tij mbathi origjinës latine apo la m’anash si të dyshimta përkah etymologjija – u vërtetue mâ vonë se ato në shqipe janë përkundrazi prej burimi drejtë për së drejti hindo-evropjan.
Këtyne tri vërejtjeve të veçanta kundër statistikës së Meyerit i duhen shtue dhe këto dy vërejtje të përgjithshëme. Bashkë me Bopp-in, Miklosich-in etj., Meyeri takon brezit fillesëtar të studjuesavet shkencorë të gjuhës shqipe. N’anë tjetër Meyeri në të gjithë studjimet e tij mbi albanistikën âsht nisë prej pargjykimit të pathemel se shqipja për një qime pasëka shpëtue prej njëj latinizimi të plotë e se ajo përbâka një gjuhë të përzieme. Thash: prej pargjykimit të pathemel sepse, edhe sikur të pranohet theza e Meyerit në lidhje me fjalorin e shqipes, mbetet gramatika e shqipes për të cilën do t’ishte qesharake me pohue se përkah pjesa kryesore qenëka origjine latine. Tanì dihet se për mvehtësinë e njëj gjuhe lânda e fjalorit âsht larg së çuemi aq kandar sa çon kandar lânda e gramatikës që shfaq llojin mâ subtil të konceptevet: konceptet e marrëdhanjevet e ku si të thuesh pasqyrohet mënyra e hecjes së vetë të menduemit.
Për shembull në fjalorin e anglishtes fjalët prej origjine franceze e latine – numerikisht janë mâ të shumta se fjalët prej origjine gjithgjermane. Asgjamangu me thânë se anglishtja veç për pak pasëka mbetë pa u bâ rijo-latinishte [gjuhë neolatine – shën. i red.] do t’ishte një gjykim i pavend. Por a thue përse? – Paj, sepse përkah gramatika anglishtja âsht një degë e dlirë e trungut gjithgjerman. Madjè prej pikëpamjes së papërzietësisë, mbi fjalorin e anglishtes fjalori i shqipes ka këte avantazh a përparësí që ndërsa n’anglishte në shumicën e rasavat rijolatinizmat përdoren krahas me gjithgjermanizmat gjegjëse, kështu që në këto rasa fjalori i anglishtes të bân me të vërtetë përshtypjen e njëj fjalori të përziem; përkundrazi në shqipe një gjâ e këtillë ndodh në stërpakicën e rasavet.
Megjith këta larg nesh ndërmendja me shpërnjoftë meritat albanologjike të Gustav Meyerit! Mun jemi të bindun se Gustav Meyerit nuk âsht për të ja pá aspak të madhe paragjykimin e pathemel mbi gjymsë-latinizimin e gjuhës shqipe: njâ sepse, siç vumë ré pak parandej, ai në laminë e etymologjisë shqiptare nuk ka mujtë në kohën e vetë me qenë veçse pionier përgatitës i Holger Pedersenit e sidomos i Norbert Joklit, dhe dy sepse ky pargjykim i tij ka qenë si të thuesh një reakcion shkencorisht i shëndetshëm kundër rrymës bashkëkohanike t’albanologëvet diletanta të cilët deri emënat e zotavet e të fatosavet në mythologjinë greke kërkonjin me i shpjegue me anë të shqipes… pelasgjike.
Të madhe duhet me ja pá p.sh. faqengrîtit lingvist francez A. Meillet, i cili për të përligjë pretendimet e Grekomëdhejvet mbi Shqipninë e jugut e të Serbomëdhejvet mbi Shqipninë e veriut, më një vepër për ndryshe shkencore botue gjatë së parës luftë botënore, ja se ç’shpifte kundër gjuhës shqipe e madjè drejtëpërsëdrejti ja se ç’villte kundër kombit shqiptar: “Gjuha shqipe, mâ e mbrama gjuhë e shkrueme, âsht një krijesë pjesërisht artificiale, si Shteti Shqiptar të cilin bânë provë me e themelue prej 1912 deri më 1914, dhe i cili dështoi me një mënyrë kaq mizerabel.”

Rromanizmat në shqipe
Deri këtu fjalët që në fjalorin e shqipes janë prej origjine latine, i kemi quejtë me dy emëna të ndryshëm: latinizma a (mâ mirë mâ thânë) rromanizma. Por a thue përse?
Para diçkah mâ se njëqind vjetsh gjuhëtari gjerman Friedrich Diez themeloi rromanistikën, thuej, dijtuninë krahasore të gjuhënavet rijo-latine e në dritë të zbulimit se të gjitha rijolatinishtet, thuej, italishtja, frangjishtja, spanjollishtja, portugalishtja, rrumanishtja, provencialishtja dhe dialektet retoromanë – burojnë jo prej latinishtes letrare që quhet edhe latinishte klasike por prej latinishtes vulgare që quhet edhe popullorçe e Rromës me rrethe a rromakçe.
Tanì çkah ndodhi për çdo rijolatinishte marrun në tanësí, u vërtetue edhe për pjesën përkatëse të fjalorit të shqipes; kështu që vyen me shkoqitë se fjalët që dikur të parët t’ânë përvehtësuenë prej Rromakëvet të lashtë, kanë takue gjithashtu rromakçes e kështu që prandej âsht mâ mirë me i quejtë: rromanizma.
Këjo shkoqitje âsht e nevojshëme përgjithësisht sepse kudo popullorçia ndryshon pak a shum prej letrarishtes e veçanërisht sepse ndër Rromakët e lashtë gjuha e folun që zhvillohesh e tejtrajtohesh lirisht, shkoi gjithnjâ tue u largue mâ fort si përkah fonetika ashtu edhe përkah morfologjija prej gjuhës së shkrimit që traditat letrare dhe konservatizmi shkolluer ruejtnë përkundrazi të thuesh prej çdo tjetërsimi. Në latinishten vulgare trajta e akuzativit, për të dhânë një shembull prej morfologjije, ardhi e me ndihmën e këtyne apo atyne parafjalëve zavendësoi të gjitha rasat tjera. Madjè ndër Rromakët e lashtë letrarishtja dhe popullorçja herë herë ndryshonjin edhe përkah fjalori. Ndërsa në letrarishte thuhesh p.sh. equus, pugna, mutare etj.; përkundrazi në popullorçe thuhesh: caballum, battaliam, cambiare (kal, betejë, me këmbye).
Ndonëse burojnë prej së njâjtës latinishte vulgare, gjuhënat rijolatine në gjendjen e sodshëme ndryshojnë të thuesh kryekëpùt ndërmjet veti sepse qysh prej afro dymijë vjetësh e tëhu çdonjâna sosh âsht përshkue nëpër një zhvillim krejt në veti. Mirëpo edhe në krye të kohës, latinishtja vulgare qysh u paraqit te njâni popull jo-latin që e përvehtësoi, ajo ashtu nuk u paraqit te tjetri; sepse qysh në fillim çdonjani prej këtyne popujve latinishten e tjetërsoi në përputhje pikërisht me të ndryshëmet prirje të trashëgueme gjuhësore e sidomos shqipt[im]ore. Prandej edhe rromanizmat e shqipes ndryshojnë kaq tepër p.sh. prej italianizmavet dhe françezismavet gjegjëse siç shihet prej pasuesavet grupe shembujsh ku në vijim të latinizmavet vulgare kemi shenjue italianizmat dhe françezismat njëherë siç drejtëshkruhen e mandej, mbrenda kllapash, siç shqiptohen:
áurum, oro, or, ar; paucum, poco, peu, pak; Paulum, Paolo, Paule, Pal; etj.
laudem, lode, – lavd; causa, cosa, chose, kafshë (këqyr mâ poshtë) etj.
amicum, amico, ami, mik; augustum, agosto, août, gusht etj.
centum, cento, cent, qind; caelum, cielo, ciel, qiell;
cantare cantare chanter, këndue; etj.
spiritum, spirito, esprit, shpirt (kq. m. p.); sortem, sorte, sort, short; sagittam, saetta, – shigjetë; socium, socio, shok; spessum, spesso, épais (i dendun, i trashë), shpesh; sanguisugam sanguisuga, sangsue, shushunjë (kosovarisht piskavicë); consolare, consolare, consoler, ngushllue; insulam, ìsola, île, ishull; desiderare, desiderare, désirer, dëshirue; etj.
scintillam, scintilla, etincelle, shkëndijë;
masculum, mascolo, mâle, mashkull; pescem, pesce, poisson, peshk; scribere, scrivere, ecrire, shkrue; etj.
linum, lino, lin, lî-lini; molinum, molino, moulin, mullî- mullini; consobrinum, cugino, cousin, kush(ë)ri – kush(ë)rini; etj.
crucem, croce, croix, kryq; uncturam, untume, yndyrë; juncuturam, giuntura, jointure, gjymtyrë etj.
onorem, onore, honneur, nder; terraemotum (fjalëpërfjalshëm: e dheut lëvizje, e tokës lëkundje), terremoto, – termet; timorem, timore, tmer;
marmorem, marmo, marbre, mermer etj.
mentem, mente, mende; parentem, parente, parent, prind;
gentem, gente, gens, gjind(je); etj.
Shembujt e sipërm i dhamë grupe grupe për të tregue se të njâjtët tinguj – në të njâjtët kushte thekësimi dhe rrokëzimi – pësojnë të njâjtët ndryshime pamvarësisht prej fjalëvet ku gjinden; – çkah pikërisht ka mundësue qëndrueshëmimin a stabilimin e ligjëvet të caktuem simbas të cilëvet âsht bâ kapërximi tingulluer a fonetik prej latinishtes vulgare në këte apo ate rijolatinishte gjegj[ësisht]. në pjesën përkatëse të fjalorit të shqipes.
Mirëpo për të mujtë me shpallë p.sh. se një fjalë e shqipes qenëka prej origjine latine – nuk mjafton me qenë në rregull soll me fonetikën: duhet me kënaqë edhe semantikën dmth. ate degë të gjuhësisë që studjon zhvillimin kuptimuer të fjalëvet të njëj gjuhe si dhe ndryshimin në kuptim që një fjalë mund të pësojë tue kalue prej njëj gjuhe në tjetrën.
Në lidhje me këte vërejtje do të japim një shembull të famshëm. Njâni prej albanistavet të brezit të parë shqiptarizmën poshtë që siç dihet shenjon një vend ndën një tjetër, e bâni të rrjedhun prej rromanizmës postea që përkundrazi do me thânë: mbasandej (tosk. pastaj). Tanì vërtè, përkah tingujt e këtyne dy fjalëve, këjo etymologjí ishte në rregull, – çkah nuk mund të thuhesh porse përkah kuptimet e tyne. Për të kapërxye vështirësinë semantike, Boppi (se ai âsht auktori i kësaj etymologjije) arsyetoi kështu: fjala postea, që në latinishte ka kuptimin e njëj njambasnjasimi kohuer horizontal, kur kaloi në shqipe, muerr kuptimin e njëj njambasnjasimi venduer vertikal. Ta merr mendja se një shpjegim i këtillë nuk bindi kurrkend aq mâ pak harushanin danez Holger Pedersenin i cili fjalën poshtë e gjeti autoktone si një mbetuní ndajfoljore t’emënit të zhdukun: po; – (krahasò me greqizmën gjegjëse pos-podis si dhe me latinizmën letrare: pes-pedis =kambë), – të zhdukun sepse të zavendësuem prej rromanizmës gjegjëse (kujtò: italianizmën gamba, françezizmën jambe etj.); kështu që etymologjisht poshtë do me thanë: te kâmbët.
Edhe në lidhje me ndryshimet në kuptim që, tue kalue në shqipe, kanë pësue këto apo ato fjalë të rromakçes, do të japim dy shembuj.
Siç shihet p.sh. prej italianizmës dhe françezizmës gjegjëse, rromakizmá causam ka dashtë me thânë: send, – çkah dikur edhe ndër né ka dashtë me thânë shqiptarizma gjegjëse: kafshë siç shihet prej endè së gjallës lashtogegizëm: ka(f)shë e lash(t)ë = tosk. gjëagjëzë si dhe prej rijotoskizmës pleonastike: gjëkafshë = send. Madjè p.sh. edhe Bardhi timonin e përkufizon: “cafsce e barchesse”. Mirëpo në toskënishten e ré (se prej gegënishtes së ré ajo asht zhdukë tashmâ) fjala: kafshë ka marrë kuptimin të shtazës shtëpijake, të gjâsë së gjallë. – Ndërsa italianizma spirito dhe françezizma esprit duen me thânë: frymë kryezotnisht mendore, tejkrijesë me kulturë e natyrës njerëzore; përkundrazi shqiptarizma gjegjëse: shpirt ka kuptimet: frymë jetësore dhe karakter moral për të cilat kuptime italishtja dhe frangjishtja kanë fjalët: anima dhe âme.
Para se me përfundue mbi rromanizmat në shqipe, do të shtojmë dhe këto dy vërejtje.
E para. Me një stërpakicë rasash, në këte apo atë rijolatinishte, krahas me emënin që rregullisht ka rrjedhë prej trajtës n’akuzativ n’emënit gjegjës në latinishten letrare, paraqitet dhe emëni që përjashtimisht ka rrjedhë prej trajtës më nominativ. Tanì, bar [të paktën – shën. i red.] në dy rasa, e njâjta gjâ ka ndodhë edhe në pjesën përkatëse të fjalorit të shqipes: nom. lat. cúmpater kum(p)tër (përdoret soll në toskënishte); kurse akuz. lat. cumpátrem kumbar. Gjithashtu: nom. lat. imperátor mbret; kurse akuz. lat. imperatórem peranduer. – Le të shenjojmë me këte rast se me fjalët: mbret dhe peranduer âsht e njëj origjine edhe fjala: perëndi, që në krye të kohës ka dashtë me thânë: mbretní a rregjëní (prej lat. regem=mbret). Edhe me të vërtetë ndërsa Buzuku ka: “Atih yneh qi ieh enbeh qiellt…: arte regjenia ioteh…”; përkundrazi Matranga (1592) ka: “Ati inæ, cciæ iée ndræ chíelt… ; arthtæ perændía ióte,…”. – Dhe në këte zhvillim kuptimuer a evolutë semantike prej mbretit deri te zoti nuk âsht për të bâ gjithaq çudë sepse, siç dihet, perandorët romakë edhe për së gjalli hyjnoheshin a perendizoheshin.
E dyta. Në kohën e Renesansës, thuej, të Rishlindjes së lashtës kulturë greko-latine n’Evropën perëndimore në qindvjetshat XV dhe XVI shkrimtarët rijo-latinë zunë në veprat e veta me përdorë shum latinizma letrare, gjegjësinat vulgare të të cilavet gjindeshin në rijolatinishten përkatëse; kështu që qysh prej asaj kohe e tëhu, në këte apo atê rijolatinishte, më një numër jo gjithaq të vogël rasash paraqiten kah dy fjalë vërtè bukur të ndryshëme përkah tingujt e madjè edhe përkah kuptimi por që rrjedhin njâna prej trajtës letrare kurse tjetra prej trajtës popullore të së njajtës latinizëm e për të cilat prandej thuhet se përbâjnë kah një duplikat letraro – populluer. Qe në frangjishte një shembull kësish duplikatesh: hôtel-hôpital (bujtinë-smundëtore).
Tanì dhe në pjesën përkatëse të fjalorit të shqipes gjinden bar këta dy tre shembuj duplikatesh letraro-popullore: fëmijë-familje, farkë-fabrikë, shtat- shtet. (f. 241). Në lidhje me duplikatin e mbarë le të vërejmë se në rrumanishte: stat do të thotë edhe: shtat edhe shtet.

Italianizmat në shqipe
Edhe mbas shpartallimit të perandorisë së Rromakëvet të lashtë në qindvjetshin V, gjuha e tyne vazhdoi me nëdikue me nji farë mase mbi gjuhën shqipe nëpër kanalin fetar, sepse, siç dihet, latinishtja edhe sod e kësaj dite âsht gjuha zyrëtare e kishës katholike, kleri i së cilës deri vonë ka drejtue shkollat si ndër katholikët e huejë ashtu edhe ndër katholikët shqiptarë, të cilët për mâ tepër deri në mvehtësimin e Shqipnisë më 1912 kanë qenë në Shkodër të vetmët bartësa të kulturës perendimore.
N’anë tjetër sundimi venecian mbi bregdetin shqiptar gjatë mesjetës si dhe të gjithmonshëmet marrëdhënje tregtare të Shqiptarëvet me Italianët prunë me veti ato pak a shum italianizma që gjinden edhe sod në fjalorin e shqipes. Tani âsht e afërmendshëme se tue kalue në shqipe këto italianizma nuk pësuenë të njajtët tjetërsime tingllore që në kohën e vet patnë pësue rromakizmat. Në këte mes karakteristike âsht këjo gjâ që ndërsa s-ja e rromakizmavet âsht ndryshue në sh përkundrazi s-ja e italianizmavet ka mbetë e pandryshueme, siç shihet prej këtyne shembujve:
scalo dha skelë (kurse latinizma: scalae ka dhânë: shkallë) sincero dha i sinqertë, fresco dha i fresktë, mostro dha mostër (sod Italianët për mostër thonë: campione sepse mostro ka marrë kuptimin: përbindsh), sicuro dha i sigurtë, secco (i thatë) dha i cektë (i pathellë), soda dha sodë, seta(ccio) dha sitë (seta dmth. mëndafsh sepse e bame prej fijesh mëndafshi); etj.
Fan Noli ka prirje edhe italianizmavet me u mbathë tjetërsimin tinglluer të rromakizmavet p.sh. (i) shigur(të). Ky imitim i së dikurshëmes evolutë spontane âsht përgjithësue në fjalët: shpjegim, shpenzim etj. (Budi, Bogdani kanë: spenzim).

Sllavizmat në shqipe
Ne kryeveprën e tij “Srbi i Arbanasi”, albanologu kroat Milan Šufflay me të drejtë flet për një bashkëjetesë të Shqiptarëvet me Serbët gjatë Mesjetës së vonshëme, prej së cilës kohë edhe datojnë të sodshëmet sllavizma në Fjalorin e shqipes. Tanì pyetjes përse prej kësaj bashkëjetese nuk rrodhi edhe nëdikimi i anasjelltë i fjalorit të shqipes mbi atë të serbishtes – âsht e vërtetë se duhet me i u përgjegjë tue u thirrë krye kreje në historinë politike, thuej, në pozitën e ndënrendueme të Shqiptarëvet kundrejt Serbëvet n’atë kohë. Mirëpo për të shpjegue plotësisht karakterin e njëanshëm të këtij nëdikimi gjuhësuer na mendojmë se âsht nevoja me u thirrë edhe në historinë e kulturës. Dhe për të përligjë këte mendim t’anë na besojmë se mjafton me përmendë këtu soll këte gjâ se në fjalorin e shqipes ndërsa njanat sllavizma kanë të bâjnë me shfaqjet e luftës, me jetën e shtetit e me rendin shoqnuer, përkundrazi një numër bukur i madh i tjeravet kanë të bâjnë me punimin e metalevet, me bujqsinë e blegtorinë, me ndërtesëtarinë etj. siç shihet prej dy të parëvet ndër tre pasuesat grupe shembujsh:
rob, verigë, nevojë (në serbishten e sodshëme nevolja dmth. skamje), plaçkë, gjobë, me koritë (koriti sod dmth. me qërtue); zakon (në serb. dmth. ligj), sundim (në serb. suditi dmth. me gjykue. – Në Kanunin e Lekës: sund quhet një vendim i marrun prej bajraktarit, krenëvet e djelmnisë), rend (serb. red), me paditë (serb. napasti gjegj. napadati dmth. me sulmue); mitë (tyrq. ryshfet); rod (çoroditun < çroditun = dalun rodit a fisit. Kujto në kosovarishte me çylye për me çlye a shlye), kreshnik (serb. krajišnik = dikur ushtarak i rojës së kufinit), gosti; etj.
gozhdë (serb. gvoz+dje dmth. hekur), kovaç (nallban, farkëtar), patkue (serb. potkovica), kyç (çelës); opinga, vadë = ujitje (serb. voda = uj), megjë, braz(d)ë, ugar, sanë, rudinë, le(n)dinë, osten (serb. ostanj), tërnakop, kosë, koritë; stan, përç (skjap i patredhun), ogiç (? krahaso me serb. jagnjiæ- = qengj); prag, strehë, pod etj.
çudë, uzdajë, bisedë, rok, jug, ças(t), lakmi (serb. lakom = lakmues), zagushi (serb. zagušiti = me zânë grykën, me mbytë), gërç, memec (serb. nemec), vazhdim (serb. važda = gjithmonë, pandërpremas), vërsnik (moshatar, serb. vršnjak), begati (serb. bogat = i pasun); sokol etj.
Mbas pushtimit tyrk disa prej sllavizmavet me kohë ranë në harresë. P. sh. te Bogdani: razmim (serb. razumeti = me kuptue) dmth. ardhje në takim për t’u marrë vesh. – Thanjen: “me i a përspjetë” fjalori i Bashkimit italisht e shpjegon kështu: “me bâ shpejtë e pandërpremas” (serb. prispeti = me arrijte me kohë, me ja befë kur e ku duhet). – Gjithashtu Bashkimi ka: me smilatë = me marrë me të mirë (serb. milovati = me përkëdhelë). – Te Bardhi dhe Bogdani sllavizma dobí, që sod shenjon soll pavarësinë ekonomike, fitimin tregtuer, ka dhe kuptimin e fitores ushtarake. – Sllavizma: i udobë = i pavështirë (serb. udoban = komod, i volitshëm për rehatllëk), që deri vonë shtihesh shpesh në punë, tash të thuesh ka dalë krejt jashta përdorjeje etj.
Natyrisht, ndër Shqiptarët e Kosovës sllavizmat janë mâ të shumta se ndër Shqiptarët tjerë. Mirëpo, hiq serbizmat e përvehtësueme prej 1912 e tëhu, këto kosovarizma sllave janë sllavizma të ruejtuna qysh prej Mesjete, – mbi çkah dëshmon p.sh. edhe fjalori i Bashkimit (1908), landa e të cilit âsht nxjerrë prej shkodranishtes së ré dhe prej gegënishtes së vjetër dhe, në të cilin figurojnë shumica e këtyne kosovarizmave sllave:
apet (serb. opet) = prapë, përsëri; tugë = t’ardhun për të vjellë, neverí (serb. nevera, (iz)neveriti); opqinë (serb. opæina = përbashktësí), gavedar = lopëçar, bacë = quejtje përkëdheljore për vllanë a kushrinin mâ të madh (serb. bato < brat), zhugë = zgjebe (serb. šuga), vaniçar = mullis (serb. vodenièar), gërdí = shpërshijim, të velun (serb. grditi = me sha) etj.
Typikisht kosovare janë p.sh. dy thanjet pleonastike: çikë devojkë = vajzë në moshë martese (serb. devojka = vajzë), dhe rrush grezdë = rrush endè i pa-arrijtun (serb. groždje = rrush) – Le të shtojmë se në kosovarishte ka nisë bukur fort me depërtue lidhafjala serbisht: a (por, kurse, ndërsa etj.) për të shprehë një kundërshtí jo gjithkaq të thekësueme.

Tyrqizmat në shqipe
Dihet se ne vijim të fitores që më 1389 korrnë në betejën e Kosovës, ku ndën udhëheqjen e Gjon Kastriotit, të jatit të Skanderbegut, patnë marrë pjesë n’anën e mbretit serb Llazar edhe Shqiptarët, – Tyrqët arrijtnë shpejtë me tejshtrî mbi krejt Ballkanin një sundim që vazhdoi afro pesëqind vjet. Dihet mbasandej se pos mëkambësa e përhapësa të njëj pushteti ushtarako – politik mjaft të përqëndruem ndonse feudal, Tyrqet qenë edhe bartësa të bindun të njëj ideologjije: t’ideologjisë fetare islame, të cilën një numër përpjesëtimisht i vogël Sllavësh dhe i madh Shqiptarësh edhe e përqafuenë. Dihet mâ në fund se qysh parandej Tyrqet kishin përfitue bukur fort me një anë prej kulturës arabo-persiane e n’anë tjetër prej kulturës greko-byzantine.
Së këndejmi shpjegohen edhe gjurmat e shumta që sundimi tyrk la ndër popujt ballkanikë e që në gjuhënat ballkanike përbâjnë të kështu-quejtunat turqizma, në të vërtetën osmanllizma sepse shum prej tyne janë arabizma dhe persianizma.
Tanì vërtè zgjimin kombtar dhe mvehtësimin shtetnuer të popujvet ballkanikë e shoqnoi një fushatë spastrimi e fjalorëvet vehtjakë prej turqizmavet të padëshirueshëme; mirëpo randësija numerike e këtyne âsht edhe sod e kësaj dite mjaft e madhe, siç shihet, të thomi, në shqipe prej pasuesavet grupe shembujsh:
zullum, xhelat, zor, ryshfet, bedel, hatër, inat, salltanet (etym. madhështí sulltani); amanet, hajr, sherr, fall, vesvese, xhin; qejf, rehat, llaf, dembel, mahmur, terjaqí, sarhosh; taze, bajat, paq, pis etj.
pare, pazar, kusur, veresije, borxh, kamatë, mall, qirá, kandar, terezi, hile, dyqan, ortak, hamall etj.
zanat, hallat, batall; çelik, xham, tel; kallëp, mashë, zile, hallkë legen, fuçí, kovë, filxhan etj.
temel, konak, avllí, oxhak, ahër, sokak, raft; minder, sofër; jorgan, dyshek, perde; çorapë, xhep, jakë, astar, gajtan, paft; babë, hallë, beqar, etj.
amà belda (belqida), tek, tuk, bash (shqip: mun), barabar; vendçe njerëzillëk, kompromisaxhi, etj.
Madjè në shqipe ka edhe mjaft idiotizma e proverba për të cilët gati me sigurí mund të pohohet se janë përkëthime të fjalëpërfjalëshëm prej tyrqishtes. Ndër né shumica e stërmadhe e ndritshmitarëvet popullore gjatë Rishlindjes kombtare (1878-1912) ishin shkollue në Tyrqí; – edhe mësuesat e mavonshëm nxanësavet shqiptarë mësimet ua shpjegonjin e ua diktonjin zakonisht tue u nisë prej ndonjëj librit tyrqisht; – edhe parandej në “vazet” e tyne hoxhollarët do të kenë bâ bukur do punë si përkëthyesa të fjalëpërfjalshëm idiotizmash e proverbash tyrqisht. Qe disa shembuj kësish përkëthimesh të fjalëpërfjalshëm që në gjuhësi quhen: “calques linguistiques”: me dhanë dorë, me prishë gojën, me më, të, i pré mendja; me dhânë fëtyrë, me ardhë hakut, me ngrânë kryet e vet, me rá mbrapa, mos me bâ parë, me bâ ar (me u turpnue), me pá ditë; me më, të, i marrë syt; dëshmor dhe deshmitar, anëtar, me hjekë keq; etj. – Katundi që duket, kallauz nuk do. Sheh rrushi rrushin e piqet. Më qiti rrenc. Krye jave etj.
el vermek, agiz bozmak; aklim, aklin, akli kesmek; yüz vermek, hakkindan gelmek, kendi basini jemek, ardina dö¿mek, para etmemek, ar etmek, gün görmek, göz almak, ºehit ve ºahit, teraftar güçlük çekmek;
Görönen köv kalauz istemez. Üzüm üzüme baka baka-kararir. Beni jalanci çikardi. Haftanin baºinda.

Le të japim mâ në fund disa shembuj fjalësh që janë vërtè prej origjine greke gjegjësisht rijolatine që neve na kanë ardhë me ndërmjetësinë e tyrqishtes:
Ndër né deri Evropa popullorçe quhet tyrqisht Avropë. – Ugur (ital. augurio), fit (kvit), debojë (fr. depôt), batare (ital. batteria), bezele (ital. piselli), ruba (ital. roba), putina (ital. bottini), bastun (ital. bastone), har(i)të (fr. e vjetër charte) etj.; afion (gr. opion = opium), kalem (gr. kalamos), kalldrem (gr. kallos dromos = i bukur drum), argat (gr. ergates = punëtuer), efendi (gr. authentis, authentikos = vërtetësisht, fisnik, fjeshtësisht origjinar), namus (gr. namos = ligj) etj.

Rijogreqizmat
në toskënishte
Ndërsa greqizmat e lashta janë të pakta në shqipe (p.sh. moknë – mullî dore; drandofille, tryezë etj.) përkundrazi greqizmat e reja janë të shumta në toskënishte; – çkah nuk ka rrjedhë gjithaq prej fqinjsisë gjeografike sa shum mâ tepër prej faktit historik se deri në mvehtësimin e Shqipnisë më 1912 Toskët orthodoksë janë shkollue në gjuhën greqisht. Qe disa shembuj rijogreqizmash në toskënishte:
nikoqir (shpinak) prokopí (mbarësí), katandisje (ramje më një shkallë të poshtër), rradhë, dhomë, lajm, i pastër, piru, pandehur, lloj, akoma (endè), qeverisur, skëterrë (ferr, xhehnem), stafidhe (rrush i thatë), stihí (element; fantazëm, përbindsh), mbodhisur (vonue), dhjatë (ungjill, testament), gërmë (shkronjë), gjiton (fqí), andrallë (kokëçamje, telash), baritun (hecun), farmak (helm), kthisur (ndërtue), vulë, ikonë (figurë shenjti), sorkadhe (drenushë), sinor (kufi), dhespot (peshkop orthodoks), dhisk (pjatë), enkas (nergùt, postafat), fanepsur (tëfaqun si hije), katran (pezhgve), ligjëruar, cenuar (prekun fyeshëm), taksur (premtue, zotue), vivllë (libër), llahtarisur (tmerue), torrúa (rradake), llogarí, marangos (zdrukthtar), metaní (përulje, pendesë, arab, sezhde), milingonë (mizëdheu, thnegël); nakatosur (përziem, pështjelluem), llos (shul), zilí (resë, ndezë; lakmi, zmirë), prikë (pajë nusje) etj. – puthosur, fjalosur, farosur, etj. igrasí (lagështí); që të dy < kai oi dhou; s para trembet = s trembet gjithaq etj.
Siç shihet prej shembujvet të sipërm, nëpër toskënishte disa prej këtyne rijogreqizmave kanë kalue në gegënishte tue u bâ kështu shqiptarizma.

Shënime
2 Marrë nga “Fillimet e gjuhësisë shqiptare”, Prishtinë, 1952, në: Selman Riza, “Vepra 1”, Prishtinë, 1996, f. 235-247.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.