DOSSIER

“Unë Romano Gobbo, kam bërë testamentin në favor të Enver”

09:59 - 02.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dashnor Kaloçi –  Memorie.al publikon disa dokumente të rralla arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, të cilat prej vitesh janë mbajtur “Tepër sekret”, ku bëhet fjalë për një korrespodencë në mes ambasadës shqiptare në Romë, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe kabinetit të Enver Hoxhës, lidhur me një testament pasuror që një shtetas italian, i quajtur, Romano Gobbo, nga San Darligo, Triste, kishte vendosur që t’ia linte Enver Hoxhës?! Çfarë thuhet në ato dokumente arkivore që redaksia e Memorie.al po i publikon për herë të parë duke filluar nga numri i kaluar dhe si shpjegohet fakti që; ato dokumente zyrtare me një rëndësi aq të madhe që i adresohen Enver Hoxhës, nuk janë të cikluara nga ana e tij ashtu siç ndodhte me të gjitha dokumentet e tjerë edhe nga më të rëndomtat?!




“Bashkangjitur ju dërgojmë letrën origjinale të qytetarit Italian, Romano Gobbo, drejtuar ambasadës sonë në Romë, me anë të së cilës ai njofton se ka përgatitur një testament të vetin në adresë të shokut Enver Hoxha”! Kështu thuhet në mes të tjerash në një prej dokumenteve arkivore me siglën “tepër sekret” që mban datën 30 nëntor të vitit 1981, të cilat Memorie.al i publikon për herë të parë, duke tentuar të hedhë dritë dhe të ndriçojë një nga historitë më të errëta të familjes së ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, që ka të bëjë me një testament pasuror që i ka ardhur atij nga një shtetas italian, me emrin Romano Gobbo!

Nisur nga fakti se, për pasurinë e familjes Hoxha është përfolur shumë nën zë, që nga fundi i viteve ’80-të, dhe hapur e publikisht në shtyp, pas rrëzimit të regjimit komunist në vitin 1991, publikimi i këtyre dokumenteve tenton që të zbardhë sadopak një nga anët më të errëta të familjes së diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha, e cili për gjysmë shekulli me radhë qeverisi me dorë të hekurt vendin e vogël ballkanik, duke e lënë atë një nga më të prapambeturit e më të pazhvilluarit e gjithë kontinentit europian.

Në shkrimin e djeshëm publikuam të plota dy dokumente arkivore me faksimilet përkatëse, ku i pari që mban datën 20 nëntor 1981, është një shkresë zyrtare e ambasadës shqiptare në Romë, e firmosur nga ambasadori, Piro Bita, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, ku i bëhet me dije se një shtetas italian, i quajtur, Romano Gobbo nga San Darligo, Trieste, ushqente një dashuri të madhe për “veprën e shokut Enver”, në shenjë respekti shprehte dëshirën që të linte me testament pasurinë e tij, “në favorin tonë”! Në fund të kësaj shkrese zyrtare, ambasada shqiptare e Romës, i bënte me dije Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, se letrën ata po e dërgonin për t’i vënë në dijeni, pasi personin në fjalë nuk e njihnin, por do t’i dërgonin fotografi dhe disa material të shokut Enver.
Pas kësaj letre, dhjetë ditë më pas, më datën 30 nëntor 1981, ministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, i dërgon një shkresë zyrtare, sekretarit personal të Enver Hoxhës, Haxhi Kroit, ku e informon për letrën që i ka ardhur atij dikasteri që ai drejtonte, lidhur me një shtetas italian të quajtur, Romano Gobbo, i cili “kishte përgatitur një testament pasuror në adresë të shokut Enver Hoxha”! Dhe në fund të kësaj shkrese zyrtare, ministri Reiz Malile, theksonte se ambasada shqiptare në Romë i bënte me dije se nuk e njihte personin në fjalë, i cili që më datën 16 gusht të vitit 1981, kishte dërguar një letër ku i shpjegonte hollësisht lidhur me një testament pasuror që kërkonte t’ia linte Enver Hoxhës. Dokument të cilin Memorie.al po e publikon për herë të parë në këtë shkrim, bashke më një intervistë të gjatë që i kemi marrë z. Dashnor Kaloçi, ku ai shpjegon me detaje të gjithë historinë e këtyre dokumenteve dhe investigimin që ka bërë në lidhje me to.

dashnor-kaloci-2 hxohaa IMG_1721-750x375 IMG_1726-750x375 foto-ok-18
<
>

 

Letra për testamentin pasuror që do i lihej Enver Hoxhës
San Dorligo della Valle. më 16 .8.1981

AMBASADES SE RPS TE SHQIPERISE

R O M E

Unë i nënshkruari Romano Gobbo, i biri i Domenikos dhe i Maria Puhar, lindur në Pola (Pulja-Jugosllavi-shënimi ynë), me 2 nëntor 1905, me banim në San Dorligo dell valle Nr.432, ju njoftoj se kam bërë testamentin në favor të heroit të madh Enver Hoxha, udhëheqës i të lavdishmes Republikë Popullore të Shqipërisë.
Këtë po e bëj paraprakisht për çdo eventualitet, sepse kam ndërmënd që testamentin t’ia jap në dorë një funksionari të ambasadës së Shqipërisë, kur ta ndjej se do të më vij vdekja.

Prandaj, dua të di se si të veproj për dorëzimin e tij.

A ka ndonjë përfaqësi të Republikës shqiptare në Trieste apo qytet tjetër të afërt? Në qoftë se po, ju lutem më bëni të ditur.

Unë jam mirë, por duhet të jem i përgatitur. Nuk kam dhe nuk kam pasur kurrë fotrografi të njerëzve politikë, por atë të heroit më të madh të të gjithë kohrave, të Enver Hoxhës, dëshiroj ta kem.

I vemti njeri në botë që mund të thuhet se me të vërtetë është komunist.

Njeriu që Diogjeni kaq shumë e kërkonte me pishtar, më në fund ai u gjet dhe quhet Enver Hoxha, presidneti më i madh shpirtëror i Republikës Popullore e të gjithë botës.

Me respekt

Romano Gobbo

San Dorligo dell Valle Doli na Trieste

Intervista

Zoti Kaloçi, a mund të na thoni diçka më tepër rreth dy dokumenteve që kemi publikuar në numrin e djeshëm të Memorie.al, dhe këtij që keni botuar sot, çfarë janë këto dokumente dhe si e kur i keni gjetur?
Dy dokumentet që janë publikuar dje te Memorie.al dhe ky që po publikojmë sot janë dokumente të zakonshme arkivor, e veçanta e këtyre dokumenteve është në përmbajtjen e tyre, pasi bëhet fjalë për një testament pasuror që i ka ardhur Enver Hoxhës nga një qytetar i huaj, i quajtur Romano Gobbo dhe ky fakt mendoj që ka interes për publikun, pasi për pasurinë e familjes së ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë, diktatorit Enver Hoxha, është folur shumë, madje që ende pa rënë regjimi komunist. Kjo paraqet interes për publikun se si qëndron e vërteta rreth kësaj.
Pse botohen sot që ka ndërruar jetë Nexhmije Hoxha…?!
Botohen sot pasi kam dashur që të gjej dhe dokumente të tjera të “kësaj linje” dhe gjithashtu shtyrja e tyre ka ardhur edhe për shkak se unë kam investiguar duke kërkuar dhe takuar persona të ndryshëm që kanë pasur lidhje direkte apo indirekte me këtë ngjarje, apo më saktë me këto dokumente dhe kjo ka dashur kohën e vetë. Pasi dihet mire, se për ngjarje të tilla, është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që të gjesh njerëz që të pranojnë të flasin publikisht për to.
Dhe keni gjetur…?
Po, kam gjetur, por ata nuk kanë dashur që të pronocoheshin publikisht në shtyp. Fillimisht po ju tregoj se çfarë më ka thënë H. L., një ish-funksionar i lartë i Zbulimit Shqiptar, që për vite me radhë ka shërbyer në sektorin e Zbulimit Politik pranë disa përfaqësive diplomatike shqiptare në Perëndim. Pyetjes sime se; përse në ato dokumente nuk është firma e Enverit apo sekretarit të tij dhe përse ajo duket që është një korrespodencë zyrtare e ndërprerë, ai iu përgjigj: “Ose ato i janë fshehur Enverit, pra nuk kanë rënë në dorë të tij dhe me to janë marrë ata që kanë qenë afër tij, (duke nënkuptuar Nexhmijen), ose me to është marrë Zbulimi Politik personal i Enver Hoxhës, i cili në bazë të një platforme të Byrosë Politike, nuk funksiononte me shkresa të shkruara, por vetëm me urdhra gojorë, ose kur ishte e nevojshme që duheshin bërë me shkresa, pra me shkrim, ato griseshin menjëherë nga marrësi, pasi ishte i qartë për atë që do të kryente. Kështu dhe në këtë rast, pas këtyre tre dokumenteve, sipas tij, mund të jetë marrë Zbulimi Politik personal i Enver Hoxhës.
Ç’ishte ky Zbulim dhe përse i shërbente ai Enver Hoxhës?
Gjithnjë sipas ish-funksionarit të lartë të Zbulimit Politik Shqiptar, por edhe të tjerë që kam mundur të pyes, Zbulimi Politik personal i Enver Hoxhës, ka qenë një organ apo strukturë që vepronte njësoj si Sigurimi i Shtetit, por nuk varej nga Ministri i Brendshëm, por direkt nga Enver Hoxha. Kjo strukturë nuk ka qenë një shpikje e Enver Hoxhës, por ajo si strukturë ka ekzistuar dhe ka funksionuar që nga Stalini dhe pothuaj të gjithë ish-sekretarët e parë të Partive Komuniste të vendeve të Evropës Lindore, të cilët nga paranoja, nuk kishin besim te Ministrat e Punëve të Brendshme dhe kishin shpikur këtë strukturë, një Shërbim Sekret personal, që kontrollonte edhe vetë ministrat e Brendshëm. Një strukturë të tillë thuhet dhe besohet që ka pasur edhe Enver Hoxha, i cili ka funksionuar deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1990, (pra edhe në kohën e Ramiz Alisë), dhe në krye të tij, Enveri kishte besuar disa persona shumë koefident të tij, deri pjesëtarë të familjes Hoxha. Ajo strukturë ka pasur dhe zyrat apo godinën e saj që ka qenë një vilë dykatëshe diku fare pranë godinës së Radio-Televizionit Shqiptar.
Dihen konkretisht emrat e atyre që kanë drejtuar Zbulimin Politik personal të Enverit?
Sipas ish-funksionarit të lartë, por siç ju thashë edhe të disa personave të tjerë që kam mundur të kontaktoj, në krye të atij Zbulimi ka qenë H.T., Dh.L., etj., e deri te Nexhmije Hoxha, që thuhet që ka qenë edhe i fundit drejtues i atij Zbulimi. Përveç këtyre, po të kemi parasysh edhe dy tre emra të tjerë, nisur nga fakti se si janë trajtuar ata nga Enver Hoxha, të bën ta besosh pa asnjë mëdyshje ekzistencën e kësaj strukture të fshehtë. Pra, njëri version është ky që me këto dokumente mund të jetë marrë Zbulimi Sekret personal i Enver Hoxhës, kurse version tjetër, që ato i janë fshehur Enverit nga Nexhmije Hoxha, gjë e cila sipas atyre që thashë që jam konsultuar, është më e mundshmja.
Pse mendohet që e ka fshehur Nexhmija këtë dokument?
Në të gjithë praktikën zyrtare shkresore, personit që i dërgohej një letër, raport, informacion, korrespodencë, apo çdo gjë tjetër që të përmbante ajo letër, ai vinte një shënim mbi të, ku thuhej p.sh., se si duhej ndjekur ai problem, apo vinte vetëm firmën, që tregonte se e kishte marrë dhe parë atë dokument, apo shënonte se ai dokument duhej arkivuar, (duke shënuar. a-a, akt për arkivim), etj. Në këtë kuadër dhe me këtë rregull kanë funksionuar dhe çdo letër që i është dërguar Enver Hoxhës, ku ai ka vënë shënimin, ose firmën, apo sekretari i tij, (Enverit), Haxhi Kroi, ka shënuar ndonjë porosi që i ka dhënë vetë Enveri, apo thjesht ka shkruar se ai dokument “u pa nga shoku Enver”, dhe ka shënuar a-a (akt për arkivim). Ndërsa në këto dokumente, nuk ka asnjë shënim të tillë dhe aq më shumë, se korrespodenca në mes ambasadës shqiptare në Romë me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë dhe kabinetin e Enver Hoxhës, duket se është ndërprerë. Të jemi të saktë deri në fund, kjo korrespodencë edhe mund të ketë vazhduar më vonë, por nga ato dokumente që unë kam mundur të shoh, nuk më rezulton që të ketë vazhduar.
Që do të thotë se….?
Në parantezë po iu them se nga ky çast që po flasim, ne vetëm po supozojmë, duke analizuar se çfarë mund të ketë ndodhur. Pra gjithçka është në kuadrin e supozimeve, kuptohet në kuadër të dëshmive që unë kam mundur të mbledh nga persona që kanë pasur lidhje direkete apo indirekte me atë çka paraqesin dhe trajtojnë këto dokumente. Dhe gjëja e parë që mendohet se pse aty në ato dokumente, mungon firma e Enverit, apo ndonjë shënim i tij ose i sekretarit të tij personal, siç ndodhte rëndom me të gjitha shkresat zyrtare ose jo, që i vinin në adresë të tij, është ajo që Enverit nuk ia kanë treguar këto dokumente, apo më saktë ia kanë mbajtur të fshehta.
Dhe kush mund ta bënte këtë gjë?
Pra, nisur nga fakti që ato dokumente që i përkasin një rëndësie tepër të veçantë, pasi bëhet fjalë për një testament me një trashëgimi pasurore që një i huaj po ja dërgonte, (apo më saktë donte t’ia dërgonte Enver Hoxhës), dhe nuk kanë shënimin apo firmën e tij, tregojnë qartë se nuk i kanë rëndë në dorë dhe dyshimet e para bien mbi Nexhmije Hoxhën. Por desha të shtoj se nuk është vetëm fakti që aty mungon firma e Enverit, por ka dhe fakte të tjera që mendoj se e bëjnë shumë të besueshëm këtë gjë, pra fshehjen e këtyre dokumenteve nga ana e saj?
Çfarë konkretisht?
Nga investigimet që kamë bërë, një ish-funksionar i Shërbimeve Sekrete (Sigurimi i Shtetit), M.L. që në atë kohë ka qenë me punë në organet e Zbulimit Shqiptar në një përfaqësi tonën diplomatike, (i cili ka preferuar që të mbetet anonim dhe të mos dalë publikisht në shtyp për arsye të ndryshme), më ka shpjeguar saktë dhe qartë se ai ka qenë personi i parë që është ngarkuar për ndjekjen e atyre dokumenteve.
Nga kush dhe çfarë i është thënë atij?
Vetëm nga fundi i vitit 1984, (pra gati katër vjet pasi kanë ardhur këto dokumente), ai është thirrur në Komitetin Qendror, nga Sofokli Lazri, i cili pasi e ka njohur me dokumentet në fjalë, e ka urdhëruar që ai të ndiqte atë problem, për të zbardhur se kush ishte Romano Gobbo dhe ç’pasuri kishte apo dispononte ai! Pasi dyshimi i parë, ishte se ajo mund të ishte kurdisur nga UDB-ja jugosllave, pra një lojë e saj!
Po përse këtë gjë nuk e kanë bërë që në vitin 1981 kur dhe kanë ardhur ato letra, por pas katër vitesh?
Ai më tha se pas ardhjes së atyre dokumenteve, (ndoshta kjo është thjesht koeçidencë) ndodhi ngjarja me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, dhe në muajt në vijim në vitin 1982, u arrestuan ish-titullarët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu etj., dhe gjithnjë sipas tij, (pra po citoj ish-funksionarin ne Zbulimit Shqiptar), “nuk e kishte njeri mendjen te letrat për testamentin pasuror që i kishte ardhur Enverit”?! Dhe nisur nga ky urdhër qi ai morri nga Sofokli Lazri, shkoi në Itali dhe u morr me investigimin dhe zbardhjen e profilit të shtetasit Italian, Romano Gobbo, që i kishte dërguar letrën pranë ambasadës shqiptare në Romë, ku shprehte dëshirën që t’i linte pasurinë e tij me testament, Enver Hoxhës.
Dhe çfarë rezultonte të ishte ky person?
Sipas funksionarit në fjalë të Zbulimit Shqiptar, ai dhe kolegët e tij që u morën me këtë çështje, angazhuan një agjentin e tyre (kosovar me banim në Trieste), të cilit i paguan një shumë prej 10 mijë dollar amerikan dhe ai ra në gjurmët e Romano Gobbo, por vetëm kaq duke marrë disa të dhëna rreth tij, pasi për pasurinë që ai kishte, nuk mësuan dot asgjë, sepse ajo ishte një sekret bankar që nuk mund të depërtonin dot.
Ç’u bë më tej me këtë person, pra a u kontaktua ai?
Gjithnjë sipas funksionarit në fjalë të Zbulimit Shqiptar, ai nuk di gjë se ç’u bë më pas me të, pasi aty mbaronte edhe detyra e tij, dhe me këtë u mor një tjetër person, koleg i tij, që askush nuk e dinte, pasi çdo gjë mbahej sekret. Ashtu si dhe për detyrën që iu dha atij për të marrë të dhëna mbi personin e Romano Gobbo, nuk ka pasur dijeni njeri tjetër.
Këtu mbyllet kjo gjë?
Nuk mbyllet këtu, në vitin 1985, vetëm pak ditë, apo më saktë disa javë pas vdekjes së Enver Hoxhës, ky person është thirrur përsëri dhe ka shoqëruar Nexhmije Hoxhën në një vizitë disa javore që ajo ka bërë në atë kohë në Itali, ku atë e shoqëronte Sulo Gradeci e ndonjë tjetër i afërm i saj. Personi në fjalë ka dhe disa fotografi ku kanë dalë bashkë me Nexhmijen në fotografi gjatë asaj vizite që ajo bëri në Itali.
Cili ka qenë qëllimi i asaj vizite të Nexhmije Hoxhës, pra si i është thënë atij kur iu dha detyra që të shoqëronte Nexhmijen?
Sipas tij, Nexhmija kishte shkuar aty “për t’u qetësuar dhe shplodhur nga gjendja e rëndë që kishte përjetuar pas vdekjes së Enverit” dhe detyra që i ishte dhënë atij ta shoqëronte, përbënte një sekret shtetëror. Kështu i ishte komunikuar ajo detyrë nga eprorët. Por Nexhmija Hoxha dhe njerëzit që e shoqëronin, nuk “pushoi” vetëm në Itali, por ajo bëri një vizitë edhe në Zvicër, gjë e cila konfirmohet nga të tjerë persona, pasi, funksionari i Zbulimit Shqiptar M.L. në fjalë që e shoqëroi atë në Itali, tregon se ai nuk ka qenë në vizitën që Nexhmija bëri në Zvicër, pasi aty në Itali mbaronte detyra e tij.
Po ju personalisht, a keni tentuar të investigoni nëse ka ekzistuar një person i tillë në Trieste, pra, Romano Gobbo?
Patjetër, para dy tre vjetësh, u kemi dërguar një email Komunës së Triestes, duke kërkuar disa të dhëna, (si gazetar) nëse ekzistonte një person i tillë? Komuna e Trietes na u përgjigj zyrtarisht (disponojmë korrespodencën me email-et), duke na thënë se një person me emër të tillë kishte jetuar deri në vitin 1908 dhe më pas nuk ka ekzistuar njeri me këtë emër në atë Komunë.
Pra, del se ai dokument ka qenë i rrëmë?!
Kjo është një çështje që nuk mund të zgjidhet nga një gazetar, kushdo qoftë ai dhe aksesin që mund të ketë. Por gjithnjë nga konsultimet që kam bërë me personat që ju thashë pak më lart M.L., ekziston dhe një variant tjetër, i cili është dhe më i besueshmi që mund të ketë ndodhur.
Dhe cili është ky….?
Familja Hoxha duke dashur të justifikojë një pasuri monetare, ka inskenuar sikur ajo i është bërë dhuratë nga një i huaj, duke kopsitur dhe dokumentet dhe atë pasuri mund ta ketë depozituar diku jashtë.
Ku do merrej ajo pasuri monetare?
Nuk ka qenë e vështirë shumë, pasi veç të tjerash, unë po ju tregoj vetëm një dokument që do ta publikoj në ditët në vijim, që tregon se në vitin 1963, Shoqëria Komisionare që vepronte në Tiranë, kishte mbledhur një shumë prej 1.75 milonë dollar amerikan, vetëm nga pasuritë e patundshme që ajo kishte shitur në Itali, të cilat kishin qenë pronë e shtatë familjeve të të ndryshme të njohura shqiptare, (familje të persekutuara) prokurat e të cilave ua kishte marrë me dhunë nga ana e Sigurimit të Shtetit. Në dokumentin në fjalë, janë emër e mbiemër familjet që i dispononin ato pasuri dhe mbi to ka dhe shënime të Enver Hoxhës, që sugjeron se si do t’u merrej firma trashëgimtarëve të tyre që të lëshonin prokurën. Pra, unë vetëm një version ju tregova, pasi mundësitë për të gjetur një pasuri monetare për Enver Hoxhën apo familjen e tij, mund dhe duhet të kenë qenë më të mëdha./Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.