AKTUALITET

Intervista/ Aliaj: Si të bëni verifikimin e kontributeve për të marrë pensionin

15:15 - 04.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të moshuarit që kanë mbushur moshën dhe vitet e punës me sigurime, mund të paraqiten pranë patronatit INAS Albania, për të verifikuar kontributet që kanë arritur të sigurojnë. Kështu, aplikantët do të jenë më të qartë mbi masën e pensionit që do tu takojë në bazë të ligjit për sigurimet shoqërore. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Beskida Aliaj, drejtuese e këtij patronati bën me dije se falë bashkëpunimit me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, kanë akses të verifikojnë në arkivin e këtij institucioni, të gjitha periudhat e punës dhe kontributeve të derdhura. Ajo më tej sqaron për të moshuarit edhe kushtet që duhet të përmbushin si dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë për të përfituar këtë masë pagese. Aliaj thekson se verifikimi i periudhave kontributive kryhet nga ky patronat edhe për shqiptarët që kanë punuar e jetuar në Itali.
Nëse i moshuari që ka mbushur moshën e daljes në pension, nuk ka informacion të saktë mbi periudhat e punës me contribute, si duhet të veprojë për të kryer verifikimet e duhura?
Sa i përket shqetësimit për mungesën e librezës së punës, në këtë aspekt një ndihmë të rëndësishme e ofron patronati INAS. Çdokush mund t’i drejtohet patronatit për të pasur konfirmim për periudhat e punës e të kontributeve të derdhura në të gjithë institucionet dhe ndërmarrjet ku ka punuar. Bazuar në marrëveshjen që INAS ka lidhur me Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri, ISSH, patronati është në gjendje të verifikojë të gjitha periudhat kontributive, në arkivën e këtij institucioni.
Si veprohet kur i moshuari që do të aplikojë për pension, ka informacion të saktë mbi periudhat e kontributeve?
Në rast të kundërt – pra kur i interesuari i di me saktësi periudhat e punës e të kontributeve të derdhura, – në çastin e aplikimit për pension, përpilon formularin ‘Periudha Sigurimi’.
Çfarë të dhënash duhet të plotësohen në këtë formular?
Në formularin ‘Periudha Sigurimi’, kandidati që do të aplikojë për pension duhet të shënojë në rend kronologjik, të gjitha të dhënat mbi periudhat kontributive. Këto të dhëna përfshijnë: ndërmarrjen, institucionin, ish-kooperativën apo subjektin ku ka punuar individi. Gjithashtu, duhet të specifikojë detyrën që ka kryer, datën e fillimit dhe të largimit nga ai vend pune si dhe vërejtjet.
Duhet të jetë domosdoshmërisht vetë i interesuari gjatë aplikimit?
Për aplikimin për pension, sipas mundësisë që kandidatët kanë, ose mund të paraqiten vetë, ose të prokurojnë një të afërmin e tyre. Të gjitha procedurat mund t’i kryejë edhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të INAS-it, pa asnjë pagesë.
Cilat janë kushtet e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë?
Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur: plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 61 vjeç për gratë me koeficentin e rritjes së jetëgjatësisë për gratë (rritet mosha e daljes në pension çdo vit me 2 muaj); kanë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe duhet të kenë të dëshmuara 37 vite të plota pune të deklaruara në mënyrë që të përfitojnë pensionin e plotë të pleqerisë. Kush ka më tepër vite llogariten si vjetërsi pune. Sa më shumë vite pune të kesh aq më i lartë të del pensioni. Formula është: një shumë baze, që aktualisht është 6858 lekë të rinj në muaj dhe një shtesë që llogaritet 1% të pagës mesatare bruto për çdo vit pune. Për shembull kush ka 41 vjet pune do marrë 41% të pagës mesatare mujore bruto për çdo vit pune.
A mund të na jepni një shembull në lidhje me këtë?
Nëse një person ka punuar 21 vite me kontribute në Shqipëri e mbush moshën 60 vjeç e 6 muaj, atëherë do të përfitojë pension të pjesshëm pleqërie, që është i barabartë në përqindje me raportin 21 vite që ka punuar, me 37 vite që nevojiten për pension të plotë pleqërie, pra përfituesi do të marrë 60% të pensionit të plotë.
Cili është dokumentacioni që nevojitet?
Dokumentacioni që duhet të paraqisni janë: fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë e gjendjes familjare; certifikatë martese për gratë (për efekt të mbiemrit të kohës së vajzërisë, me të cilin mund të ketë periudha pune); dy fotografi; libreza e punës e në mungesë të saj plotësimi i rubrikave të punës; vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj); diploma e shkollës së lartë për gratë, e cila konsiderohet vjetërsi pune. Gjithashtu, aplikuesit i nevojitet çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë; vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994. Ndërkaq, aplikuesi duhet të dorëzojë edhe çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive si dhe një fotokopje të librezës së pagimit të energjisë elektrike.
Si bëhet verifikimi i periudhave kontributive në Itali?
Patronati është në gjendje të verifikojë të gjitha periudhat kontributive, në arkivin e institucionit Istituto Nazionale Previdenza Sociale e thënë ndryshe INPS ose institucion ky analog me Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri.
Sa zgjatin procedurat e verifikimit për ata shqiptarë që kanë punuar me kontribute në shtetin italian?
Duke qenë se në Itali ky shërbim ofrohet i informatizuar, ne mund të futemi online në sistemin INPS meqë kemi akses dhe fjalëkalimet e ofruara nga vetë institucioni dhe i nxjerrim këto periudha të punës në Itali, për qytetarin shqiptar, për jo më shumë se 5 minuta dhe mjafton që qytetari të ketë me vete një kartë identiteti dhe një codice fiscale.
Çfarë është ektrati i periudhave kontributive në Itali?
Ektrati i periudhave kontributive është dokumenti që rendit të gjitha kontributet e bëra në INPS në favor të punëtorit. Ai përmbledh pagesat e punës, figurative dhe reduktuese, të ndara sipas ndërmarrjeve ku punonjësi është i regjistruar. Me ektratin e periudhave kontributive punonjësit mund të kontrollojnë rregullsinë e kontributeve të paguara nga ata vetë ose punëdhënësit e tyre për të sinjalizuar edhe ndonjë disakordance me INPS.
Si bëhet ndarja e sigurimeve shoqërore në shtetin fqinj për shqiptarët?
Deklarata e Pensionit detajon të dhënat personale të punonjësit dhe, përmbledhur në një tabelë, përfitimet e sigurimeve shoqërore të ndara në: periudhën e referencës; llojin e kontributeve, pra të punësuar, zejtar, tregti, shërbim ushtarak; shpërblim ose të ardhura, referencat e punëdhënësit si dhe kontribute të dobishme të shprehura në ditë, javë ose muaj, si për llogaritjen e pensionit ashtu edhe për arritjen e të drejtës.




Kushtet e përfitimit:
Ø Plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 61 vjeç për gratë për 2020-ën; plus me koeficientin e rritjes së jetëgjatësisë për gratë;
Ø Të kenë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe  37 vite periudha sigurimi;
Ø Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike
Dokumentacioni:
– Fotokopje e kartës së identitetit
– Certifikatë e gjendjes familjare
– Certifikatë martese për gratë (për efekt të mbiemrit të kohës së vajzërisë, me të cilin mund të ketë periudha pune)
– Dy fotografi
– Libreza e punës (në mungesë të saj plotësimi i rubrikave të punës);
– Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj)
– Diploma e shkollës së lartë për gratë (e cila konsiderohet vjetërsi pune)
– Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë;
– Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994)
– Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.