Kulturë

Analiza/ Jemi kthyer në kohën tjetërsuar të Enver Hoxhës

18:00 - 05.06.20 Gazeta Shqiptare

(Analizë mbi artikullin e Edi Ramës botuar me 31 maj 2020)



Nga Kujtim Drishti*

E lexova artikullin. E pa mundur, thashë: jemi kthyer në kohën e Enver Hoxhës. Të del një piktor dhe të hiqet si specialist për gjithçka, edhe për artin edhe për arkitekturën, deri këtu hahet, por kur te del si specialist i historisë aty e kupton se përse ai e ka të lehtë të fshijë historinë. Një gjë është e qartë, Edi Rama ka para, ose miqtë e Edit Ramës kanë shumë para, si për të hapur ekspozitë pikture personale në Nju York ashtu dhe për të shkruar në “prestigjiozen franceze ‘Le Monde’”.
Unë do të analizoj artikullin e tij. Por do ta bëj këtë analizë në disa shtresa: në faktin historik, në artin e të folurit përpara publikut dhe në psikologjinë e Edi Ramës. Kjo e fundit shprehet te rreshti i fundit të shkrimit te tij ku ai përfundon në një paradë mesianike universale: «Shpifni, shpifni, sepse do mbetet gjithnjë diçka» të huazuar nga Francis Bacon në shekullin e XVII.

Mesianiku Edi Rama e din se do mbetet diçka në të vërtetë, por kjo është e vërteta historike që ai e shuan, sepse ai nuk e do historinë e Shqipërisë, sepse ajo ka shumë gjak. Paradën e Francis Baconit e kanë përdorur të gjithë gënjeshtarët e botës për të kthyer të vërtetat me kokë poshtë. Me këtë frazë të Francis Bacon ai mbyll tezën e tij se ngjarja e Teatrit është e mbushur me shpifje. Le të shikojmë se cila është teza fillestare e hedhur nga autori ne artikull.
« Prandaj është e dëshpërueshme të konstatosh, shkruan ai, se deri në ç’pikë gënjeshtrat dhe lajmet e cunguara shpërndahen sot ne botën tonë, duke bërë të nevojshme që e vërteta të zvarritet në baltë më parë se të dalë për të fituar, ndërsa faktet u dashkan të bëjnë një udhëtim të gjatë në shkretëtirë përpara se të arrijnë në portin e duhur»

Çfarë thotë Edi Rama këtu? Asgjë të re veçse me një stil letrar kondicionon lexuesin me idenë universale, se të vërtetës i duhet një rrugë e gjatë për të triumfuar. Thirrja e të vërtetave universale do t’i shërbejë atij më poshtë për të nxjerrë të vërtetën e tij si e vërtetë universale.
Mësim i pa marrë nga historia në konditat e një shteti pa Gjykatë Kushtetuese. Por, cila është e vërteta universale e Edi Ramës?
E vërteta universale e Edi Ramës është përqendruar në fragjilitetin e një ndërtese, godinës se Teatrit popullor. Çfarë  do lloj rëndësie historike të kishte ajo, diskutimi do të orientohej gjithnjë në faktin që kjo godinë nuk është e ndërtuar me normativat moderne. Për këtë, ai duhej të merrte dhe dëshmitë e artistëve të teatrit për të thënë se kjo godinë nuk është e ndërtuar për teatër, është jo spacioze, jo e rehatshme dhe e ndërtuar me një material fragjil. I duhej të krijonte me dhjetëra komisione ekspertësh që të vërtetonin fragjilitetin e godinës. Deri këtu ne i japim të drejtë Edi Ramës. Dhe ai nuk mungon në paraqitjen në artikullin e tij të të gjitha këtyre fakteve. Madje shton në fund të kësaj radhitje:


«Vérité oblige: le bâtiment du Théâtre national n’a jamais été classé comme un monument protégé» – E vërteta na detyron: ndërtesa e teatrit nacional nuk ka qenë kurrë e klasifikuar si një monument nën mbrojtje. Por ka një detaj që ai e neglizhon me qëllim: «ndërkohë që punimet e shkatërrimit të teatrit kishin filluar, disa parti politike organizuan me shpejtësi një manifestim… » duke vënë përpara alibinë e tij-partitë politike ai harroi t’i thotë botës se teatri kish muaj që ishte pushtuar nga mbrojtësit naivë të tij dhe se në orën 4 të mëngjesit të 17 majit forcat e rendit u përplasen me ta.

Prapa këtij detaji qëndron ajo që ai neglizhon të thotë, sepse e drejta nuk mbaron këtu. A mund të mbarojë e vërteta dhe e drejta në fragjilitetin e godinës, me të cilin është dakord çdo njeri i arsyeshëm?

Për argumentet e mëposhtme ne do të shikojmë se Edi Rama bëhet vetë cungues i pjesës tjetër të së vërtetës. Dhe në këtë loje futet edhe gazeta “Le monde” që e ndjen se ekziston një pjese e errët në këtë mes. Ajo zgjedh pikën më të dobët të shkrimit për ta vendosur si titull prezantues artikullin e kryeministrit shqiptar:
«Një informacion i cunguar transformohet në mënyrë të pa evitueshme në një gënjeshtër të madhe».

Por po të shikojmë me kujdes: cili nocion është e kundërta e gënjeshtrës? E kundërta e gënjeshtrës është e vërteta. Atëherë perse mjeshtrit e gazetarisë franceze të «Le Monde » zgjodhën këtë pasazh, ngatërrimin e nocionit të së vërtetës me nocionin e «informacionit»? Përse ata nuk thonë «Një e vërtetë e cunguar kthehet në gënjeshtër? Arsyeja është e thjeshtë: ata e ndjejnë se nuk e njohin të vërteten dhe nuk angazhohen në nocionin e së vërtetës, duke tradhtuar me elegancën franceze ne një fare mënyre autorin e shkrimit.

Pra, këtu vijmë në pjesën e dytë të së vërtetës në atë që nuk është me materiale por që çuditërisht ngriti njerëzit në protestë.

Ashtu si çdo njeri është i ndërtuar me lëndë, me mish e me gjak nga njëra anë dhe me shpirt nga ana tjetër, po ashtu dhe kjo ndërtesë kishte një shpirt. Populli e ndjente, prandaj u hodh ta mbronte pa mendje të kthjellet se përse, por shpirti nuk është i kapshëm, konkret dhe i vendosshim në tryezën e negociacioneve midis ekspertëve të arkitektonikës. Njerëzit më të angazhuar e pushtuan teatrin, sepse e kuptonin se ai mbante në vete një pjese të shpirtit të kombit.
Cili ishte ky shpirt i Kombit, i përqendruar në këtë ndërtesë fragjile?
Studiuesi Aurel Plasari vërtetoi me dokumentacione se diçka e rëndë dhe e madhe kish ndodhur në këtë ndërtesë të kryeqytetit shqiptar. Punimi i tij ishte skrupuloz dhe serioz. Por për dreq në Shqipëri nuk ka akoma një Akademi që ta mbështeste punimin e tij e të merrte nismën të kërkohej emërtimi i «monumentit në mbrojtje».

Në kontekstin e Shqipërisë pa Gjykatë Kushtetuese ai që është kryetar i shtetit i ngjan më shumë Mbretit se sa një kryetar shteti demokratik. Ju le të nënkuptoni pasojat e këtij fakti jo vetëm në Shqipëri por edhe në hartimin e këtij artikulli të mbretit arrogant.

Duhej një shpirt elegant, një «bel âme» që të kish kuptuar simbolikën e kësaj ndërtese. Dhe ata dolën, por përpara mbretit jo elegant, u mospërfillën.

Në ketë ndërtese « u ekzekutua intelektualizmi» thotë avokati Spartak Ngjela. Dhe kjo ndodhi në vitet e para pas çlirimit. Që prej asaj kohe u kristalizua një përçmim për intelektualin në Shqipëri. Por a është koha ku intelektuali të ketë zënë vendin e tij në popull? JO! Po!- thotë Edi Rama, unë jam intelektual, ja ku e keni dhe artikullin tim në gazetën e intelektualëve të botes. Ndërkohë që Bauman ka deklaruar «La décadence des intellectuels» që pas viteve ‘80 të shekullit të shkuar. Ndërkohë që dy studiues francezë akuzojnë «faqen e fshehur të Le monde» në librin e tyre investigues «La face caché du Monde» (Pierre Péan dhe Philippe Cohen).

Po duhej një shpirt elegant për të kuptuar përse u ndërtua një grup për mbrojtjen e Teatrit, i cili ishte brenda në teatër kur forcat e rendit të veshura me antiplumb dhe kaskat e mesjetës, sulmuan godinën në ora 4 të mëngjesit ashtu siç sulmohen terroristet e armatosur në Paris.

Por këtë, publiku francez nuk e di. Nuk e di që kjo ndërtesë ishte vendi ku u ekzekutua intelektualizmi në kohen e komunizmit në Shqipëri. Vërtetë ai ishte i dobët në raportin forcave me komunistet por populli ka kuptuar se ne do ishim krejt ndryshe sot po të kishim pasur një opozite të fortë. Ky mësim duket se nuk i shkon për shtat as një qeverie as një partie në Shqipëri.

Nëse ky aspekt, bërja e gjyqeve kundra opozitës intelektuale shqiptare, përfaqësonte anti – vlerën, ekzekutimin e vlerës, për ironi të historisë kjo ndërtesë iu kushtua Vlerës së Artit, ku publiku zbuloi artin e madh botëror, i cili i tejkalonte kufijtë e vlerës së ideologjisë komuniste dhe mbajti popullin në një ëndërr të bukur për dekada me radhë ndërkohë që «lufta e klasave» vazhdonte tmerrin e saj, këtë herë mbi vetë njerëzit që e kishin përkrahur. E po pastaj? Thonë partizanet e Edi Ramës. Ai ka dedikuar antivlerës një bunker 200 metra me tej. Po! Në mes të kryeqytetit si për të thënë se bunkeri do të mbetet një atavizëm psikologjik edhe tek kryetarët e shtetit shqiptar. Të ftohtë ndaj emocionit që prodhon ai. Por Edi Rama është materialist dhe e di se po vrave trupin ke vrarë dhe shpirtin. Në artin e negociacioneve Edi Rama është një sofist i orës së parë. Mbështetet në të vërteta universale për të bërë të vërtetën e tij si universale. Konditat i ka. Paraja nuk u mungoje të shkruajë edhe në ‘Le Monde’.
Por për ekspertet e artit të të folurit në publik ai keqpërdoron autorët e botës. Në këtë artikull ai kërkoi në ndihmë Sheksipirin, Baconin dhe Alber Kamynë.
Ai i referohet Shekspirit për t’i marrë: «Çmenduria dhe mençuria janë aq të lehta për t’u kapur sa dhe sëmundja infektive» por publiku francez nuk e di se Edi Rama ndërtoi një monument të zi në parkun më të madh të Tiranës për të kujtuar ata që ranë në fushën e betejës për të mbrojtur Erdoganin.
Perse? -pyesin francezët.
Përse?-  përgjigjen shqiptarët.
A është kjo një mençuri apo një çmenduri?

Këtu thënia e Shekspirit gjen justifikimin e plotë të saj. Por ai thotë edhe diçka tjetër tek Makbethi thotë edhe: «Për të gënjyer boten, ngjaji botës».
Kështu bën dhe kryeministri shqiptar, madje për t’i ngjarë botës sipas finesës së Shekspirit ai vesh edhe atletet e Perëndimit edhe brekushet e Lindjes. Ai thërret në ndihmë Albert Kamynë që ishte një njeri rebel kundra pushteteve, me mendje të hapur dhe të lirë duke vënë në pozitë të vështirë intelektualet e kohës së tij me Sartrin në krye dhe ai vendos emrin e Kamysë pikërisht pas frazës ku eviton të flasë për të vërtetën e cunguar: «Voilà encore une parfaite illustration démontrant comment une information tronquée se transforme inévitablement en un grand mensonge, ajoutant en cela au malheur du monde, comme le disait si bien Albert Camus» dhe unë përkthej: ja përsëri një ilustrim i përkryer që vërteton se si një informacion i cunguar transformohet në një gënjeshtër të madhe, duke i u shtuar me këtë fatkeqësisë së botës, siç e thoshte aq bukur Albert Kamy.

Por Albert Kamy për të rritur peshën e mesazhit filozifik do të kish dashur më shumë që në vend të fjalës «informacion i cunguar»  të ish thënë: «e vërtetë e cunguar» gjë që për një arsye psikologjike të fortë, Edi Rama nuk guxon ta përmendë sepse e vërteta i fut frikën, sepse ajo është e vërteta e historisë që kristalizohet nga një AKADEMI SERIOZE të cilën ai e ka zëvendësuar, por nuk ka këllqe ta thotë përpara opinionit publik.

E vërteta ka emocion. Informacioni nuk ka domosdoshmërish emocion.
Kjo ndërtese fragjile mbante emocionin e krimit mbi intelektualizmin në histori ashtu si dhe emocionin e Lavdisë së Artit. Por në mendjen e të gjithë pushtetarëve asnjëri nga këto emocione të historisë nuk kish lindur. Këtë fenomen nuk mund ta dijë ndërtuesi i përbotshëm danez.

Natyra nuk lë vende bosh. Në vend te emocionit ajo ka futur shikimin e ftohtë të snobizmit burokratik që do të krenohet me një Tiranë moderne por pa kujtesë emocionale.
Një muzeum në qendër të Tiranës aty ku ishte Teatri do t’i rikthente koherencën popullit shqiptar e në mënyrë të veçantë vetë Tiranës.

Civilizimi nuk është kuintesencë e modernizmit. Ai është kuintesencë e kulturës. Nuk mund të ketë kulturë të thellë pa kujtesë të thellë.

*Mjek në Paris.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE