Jeta ime

Jetë të dyfishtë mes familjes që e refuzonte dhe partnerit që e donte! Jonida nga Shkodra tregon si është të jesh e martuar me një afroamerikan!

14:56 - 22.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jonida Spahija dhe bashkëshorti i saj Nnamdi Nëachukwu (Nuaçuku) kanë ndarë përvojën e tyre të martesës ndër racore për Zërin e Amerikës.




Çifti shqiptaro-nigerian që jeton në Uashington DC folën për vështirësitë dhe sfidat që solli martesa e tyre, e cila kaloi ditë të errëta në fillimet e saj, pasi u refuzua për një kohë të gjatë nga prindërit dhe familja e Jonidës.

“U rrita në një familje tradicionale myslimane nga Shkodra. Kisha udhëzime të qarta edhe pse të pathëna qe të martohesha me dikë nga veriu dhe nga e njëjta fe. Sigurisht, nuk u nisa me synimin të gjeja dikë që do të ishte komplet e kundërta. Gjeta një njeri të mirë me të cilin ndërtova miqësi dhe filluam të dilnim që në kulturën tonë nënkupton martesën (qesh)”, thotë Jonida për Zërin e Amerikës.

“Nuk më pranuan që isha partneri i saj, derisa lindi vajza. Në atë kohë kishim qenë bashkë për gati tetë vjet. Imagjinoni të jesh në një marrëdhënie ku jeton vetëm pesë minuta larg nga prindërit e bashkëshortes, për të cilët unë nuk ekzistoja”, thotë Nnamdi për Zërin e Amerikës.

Shkodrania tregoi se si i duhej të bënte një jetë të dyfishtë për një kohë të gjatë duke u përpjekur të menaxhonte veças dy gjëra shumë të shtrenjta për të, Namdin dhe familjen e saj.

“Kam vepruar me një mentalitet të heshtur që nuk më shërbeu në aspektin afat-gjatë. Në retrospektivë e di që nuk mund ta përsëris atë gabim. Ja ku jemi tani. Të gjithë po i rishikojmë marrëdhëniet racore dhe po i analizojmë në një kontekst shumë më të gjerë se martesa, në shoqëri, dhe kudo në realitet”.

vetëm përmes bashkëjetesës me Nnamdin, Jonida arriti të njohë “privilegjin e të qenurit e bardhë”, ndërsa tregon se ka qenë dëshmitare e disa incidenteve ku Nnamdi ka qenë objekt i kontrollit policor, thjesht për faktin e ngjyrës.

“Unë isha në sediljen e shoferit kur polici më ndaloi dhe i kërkoi Namdit liçensën, pa mu drejtuar mua që kisha bërë shkeljen…. Ai i zbaton rregullat si asnjë tjetër. Unë, si shqiptare, provoj t’i thyej. Gjithmonë provoj limitet, por jo ai. Tani e kuptoj arsyen. Ai nuk guxon t’i thyejë, pasi për të, kjo mund t’i kushtojë jetën. Për dikë tjetër, jo me atë ngjyrë, nuk është e njëjta gjë”.

Vajza e tyre Zara (që në gjuhën igbo do të thotë “përgjigja”), ishte ajo që ndihmoi në afrimin e familjes së Jonidës ne Nnamdin. Pas diskutimesh të vështira mbi të kaluarën, Nnamdi thotë se e ëma e Jonidës është tani njeriu më i afërt për të në botë, diçka që nuk mund ta kishte imagjinuar. Përparimi i arritur me familjen e Jonidës, e bën atë të besojë se pranimi i gabimeve është elementi kryesor në përmirësimin e marrëdhënieve ndër-racore.

“Është shumë e vështirë t’i kapërcesh problemet pa e pranuar gabimin. Sepse nëse dikush nuk është i gatshëm të pranojë se diçka ka ndodhur ose të pranojë ekzistencën tënde, është shumë e vështirë të thuash ‘të shkuara të harruara’ pasi dhimbja është ende aty.. Është diçka që shoqëria amerikane nuk ka arritur ende ta bëjë. Është e ngjashme me përvojën që kam pasur me familjen e Jonidës. Tani kemi arritur një marrëdhënie shumë të mirë. Shpresoj që një ditë Amerika të arrijë atje ku jemi ne”, thotë ai.

Ajo i sheh me shqetësim komentet denigruese të shqiptarëve në median sociale.

“Në kulturën tonë – flas nga përvoja ime – (shqiptarë të tjerë mund të kenë mendim tjetër), kemi prirjen të mendojmë se i dimë të gjitha, pa patur të gjithë informacionin. Duke parë komentet që shqiptarë të ndryshëm postojnë për perceptimin që kanë për njerëzit që janë në asistencë sociale apo që marrin ndihma të tjera, kupton se këto janë perceptime shumë të njëanëshme që shqiptarët i bëjnë pa e kuptuar thellësisht problemin dhe kjo për mua është shqetësuese”.

Dua të dërgoj një mesazh për ta, thotë Jonida.

“Mendohuni dhe kuptoni deklaratat që bëni, ndikimin që ato kanë. Deklaratat duhet të jenë të bazuara në prova dhe jo në atë pak përvojë që mund të keni patur me një shok apo fqinj me ngjyrë. Thellohuni pak më shumë sepse kjo mënyrë e të menduarit na ka çuar deri këtu dhe nuk na lejon të bëjmë përparim”. / VOA

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.