KULTURË

Edmond Budina: Nëse kryeministri e di veten Pikaso, unë jam Tornatore

18:00 - 24.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Regjisori i njohur, Edmond Budina, ka folur me tone të ashpra ndaj qeverisë dhe organeve të shëndetësisë, që i nxorën emrin si i infektuar me koronavirus, së bashku me vëllanë e tij regjisor, Robert Budina. Në një lidhje me “Skype” për “News 24”, Budina tha se do të bëjë dhe një tampon të dytë për të zbuluar nëse është infektuar vërtetë, por do ta bëjë jashtë Shqipërisë. Nga ana tjetër, regjisori paralajmëroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, pasi sipas tij, askush nuk mund të tallet me dinjitetin e qytetarëve, kushdo qoftë ai. “Unë nuk do të doja të bëja një tampon të dytë, se ku e di unë që s’mund të më fusin një infektim, sikur vepruan edhe me Teatrin, që e shembën teksa njerëzit ishin akoma brenda. Kjo është e frikshme në këtë vend. Unë tamponin do ta bëj, por jashtë Shqipërisë. Këtë çështje do ta ndjekim nga pikëpamja ligjore, bashkë me Robertin, pasi edhe mënyra si vepruan ishte skandaloze.




Ata nuk janë padronë, që na nxjerrin emrat, na bëjnë të sëmurë, nuk mund të bëjnë gjithçka me jetët tona”, tha Edmond Budina. Ai shtoi se: “Duhet respektuar dinjiteti ynë në bazë të ligjeve që ka vendi dhe jo të merremi nëpër këmbë. Ne duhet të mësohemi që qytetari i thjeshtë duhet të respektohet në tërë dinjitetin e tij. Nuk është paraja që i jep dinjitet atij, por sjellja”. Si një prej figurave qendrore në mbrojtje të godinës historike, Edmond Budina që la Italinë për të qëndruar në protestë, tha: “Ne kemi treguar qytetari duke protestuar prej dy vitesh te Teatri Kombëtar. Të merresh nëpër këmbë nga kryeministri që të përmend emrin 2-3 herë, të bën të mendosh se vërtet unë mund të jem aktor i dorës së dytë, por mbi të gjitha jam qytetar. Dua t’i them kryeministrit se nëse ai e quan veten që ka çmim të barabartë me Pikason, unë e kam punën të barabartë me Frederiko Felinin, Salvatoren, Tornatoren etj.. Ndërsa kryeministri të merr nëpër këmbë. Çdo qytetar, qoftë edhe ai që lyen këpucët në rrugë apo që punon në fabrikë ka dinjitetin e tij dhe duhet respektuar. Ky është turp i madh që na drejtojnë disa njerëz që janë të pacipë, të paskrupullt. Edhe nëse nesër dikush merr nëpër gojë familjen e Edi Ramës, do të jem kundër kësaj gjëje. Ai mund të jetë kryeministër, por nuk është padron as i Shqipërisë, as i yni”, tha Budina me tone të ashpra. I pyetur nëse i janë nënshtruar testit të COVID anëtarët e “Aleancës për Teatrin”, Edmond Budina tha: “Me ç’di unë jo, se nuk kanë asnjë arsye të bëjnë tamponin, pasi nuk kanë asnjë shenjë. Përderisa nuk kam edhe unë, që isha në kontakt direkt me një njeri të sëmurë, atëherë ata nuk kanë arsye pse të bëjnë tamponin”. Regjisori deklaroi se nuk ka ndjerë asnjë shenjë të infektimit me koronavirus. Budina tha se ia kanë publikuar emrin pa i kërkuar leje, duke shtuar se i kanë lindur dyshime se gjithçka mund të jetë edhe e kurdisur. “Unë si tani, si dje, si pardje kam qenë shumë mirë, nuk kam pasur asnjë shqetësim. Nuk kam asnjë shenjë të tipit të virusit COVID-19. Me këtë dua të them që edhe mund të jem i infektuar me COVID-19, por ndoshta jam asimptomatik. Edhe Roberti është shumë mirë. Të gjithë jemi mirë. As gruaja e Robertit e as fëmijët nuk kanë virus. Gruaja dhe fëmijët e Robertit dolën negativë. Insistoi ISHP-ja që të bëjë testin, sepse në familje ndërroi jetë halla. Doli se një grua që ishte në varrim ishte pozitive me koronavirus, e pas kësaj insistuan që të bëj testin. Na bënë testin sepse na thanë se jemi kontakt i afërt, sepse në varrim ishte vëllai im, Gjergji. Pas testit, dola pozitiv dhe u bë gjithçka publike”, tha Budina.

Edmond Budina shtoi se gjuha që përdori Edi Rama në lidhje me të dhe vëllanë që u tha se ishte me COVID-19, ishte hipokrizi. “Dyshimi mbetet që mund të jem i infektuar kanë thënë ndoshta për shkak të protestës sonë për Teatrin. Më lënë të dyshoj fort, sepse nuk kishin arsye pse ta bëjnë publik kur nuk e kam kërkuar. Kjo më duket e çuditshme. Si mund ta bëjë këtë gjë kryeministri, që duhet të jetë i pari që duhet të ruajë privatësinë. Kishte gjuhë hipokrite, duke thënë se i vjen keq, por ndoshta na thotë që mos dilni në protesta se këta janë të infektuar. Unë pas 10 ditësh kam të drejtë të dal. Halla ime ka vdekur që më 5 qershor e sot jemi më datë 22 qershor. Nuk do kërkoj të bëj asnjë tampon”, deklaroi Budina.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.