OPINION

Brirët e korrupsionit jashtë Shqipërisë

10:11 - 29.06.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vendi ynë merr pjesë në Konventën e Asistencës Reciproke Administrative për Çështjet Tatimore të Organizatës Evropiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (OECD) dhe të Grupit G-20 të vendeve më të zhvilluara të botës. Janë 137 vende pjesëmarrëse në këtë Konventë. Në shtator 2020 bëhet funksionues Standardi i Përbashkët i Raportimit (CRS), ose sistemi i shkëmbimit automatik të informacioneve të llogarive financiare të individëve dhe kompanive për 112 vende të botës aderuese në Konventën e mësipërme, të cilat kanë nënshkruar hyrjen në këtë sistem. Në këto vende bën pjesë edhe Shqipëria. Çdo të thote kjo? Që nëse një ish-zyrtar i administratës sonë publike ka çelur dhe mban llogari likujduese në Qipro apo në Ishujt Kajman (Cayman), pasi ka bërë allishverishe dhe korrupsion për dhënje leje koncesioni, apo abuzime në tendera publikë, dhe është treguar “i zgjuar”për të akomoduar paratë jo të djersës së vet në llogari bankare jashtë vendit, tani do të gdhihet i pambrojtur. Pas shtatorit 2020, në mënyrë automatike informacioni për këto llogari i vjen edhe administratës sonë tatimore. Pse bankat në Qipro apo vende të tjera ia japin sistemit të ngritur, sipas marrëveshjes. Këto informacione do të ndihmojnë ata që punojnë ndershmërisht në ministrinë tonë të Financave dhe Ekonomisë, që t’ia kalojnë Drejtorisë së Krimit financiar në Ministrinë e Rendit dhe që duke punuar në grup, institucionet e shtetit tonë të zbulojnë brirët e korrupsionit galopant të filluar që në kohën e nisjes së shfrytëzimit të naftës shqiptare nga kompani të rregjistruara në parajsat fiskale në vitin 2006. Si dhe me nisjen e koncesioneve të para pas Ligjit për Koncesionet të dhjetorit 2006. Ka shumë përflitje për shuma të mëdha parash të korrupsionit, të kaluara jashtë vendit dhe depozituara në banka të vendeve parajsa fiskale. Informacioni që do të vijë pas shtatorit 2020, do të vërtetojë nëse këto përflitje janë krijesa fantazie të sëmurë, apo realitet i dhimbshëm për abuzimin me paranë e taksapaguesve tanë. Më 30 janar 2020, Kuvendi miratoi ligjin Nr. 4/2020 “Për shkëmbimin automatik të informacionit”, i përgatitur nga ministria jonë e Financave dhe Ekonomisë. Ky ligj i hap rrugë shkëmbimit të informacioneve mbi llogaritë “off shore” duke përfshirë bilancet e llogarive dhe ato të pronësisë. Ka shumë të mira ky ligj për arkën e Shtetit. Sistemi i këmbimit automatik të informacionit do të rrisë të ardhurat, do të evitojë shmangien dhe evazionin fiskal, do të ushtrojë kontroll më të mirë të marrëveshjeve të taksimit të dyfishtë dhe verifikim të të ardhurave të tatimpaguesve. Bankat tona tregtare, pra bankat e nivelit të dytë janë ndër hallkat kryesore në sigurimin e informacionit të nevojshëm për përmbushjen e detyrimeve që dikton Ligj “Për shkëmbimin automatik të informacionit”. Banka e Shqipërisë po punon me intensitet me bankat tregtare, duke ndihmuar për përshtatjen dhe zhvillimin e infrastrukturës se nevojshme që bankat të zbatojnë si duhet kërkesat e ligjit. Deri në fund të korrikut 2020, të gjithë qytetarët që kanë llogari në bankat brenda Shqipërisë, do të vetëdeklarojnë me një formular të posaçëm vendbanimin e tyre dhe numrin tatimor. Këto të dhëna, bashkë me informacionet mbi llogaritë bankare, do të mund të përdoren nga autoritetet tatimore në 112 shtete, në kuadër të nismës globale të OECD dhe G-20 për të luftuar evazionin fiskal, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, aktualisht bankat tona tregtare mbajnë rreth 2.94 milionë llogari bankare. Janë mbi 1.6 milionë qytetarë, të cilët i zotërojnë këto llogari bankare të hapura, të cilat do të vetëdeklarohen. Vetëm se procesi po has vështirësi, për shkak të pandemisë COVID-19, të numrit të madh të klientëve emigrantë dhe të adresave te pasakta. Të gjithë qytetarët me një llogari bankare, po thirren gradualisht nga bankat, për të deklaruar vendbanimin dhe numrin tatimor, që njëkohësisht shërben si deklaratë pëlqimi. Këto të dhëna do të përdoren nga palët e treta, si informacion për korrektësinë e tyre në pagesën e detyrimeve tatimore. Do të jetë një botë shumë më e pastër dhe më korrekte, me këtë sistem ku futen dhe informohen tatimet. Evazionit fiskal në llogaritë offshore dhe shmangjes së grumbullimit të parave jashtë vendit jo për qëllime investimi të pastër, po ju vjen një ditë e vështirë. Banka jonë qendrore po punon për të lehtësuar bankat e nivelit të dytë, pasi vetëdeklarimi i klientëve të tyre i ngarkon ato me kosto të shtuar financiare, me punë për përshtatjen e informacionit në sisteme, me burime njerëzore të shtuara, etj. Me rritjen e informacionit në nivel global për lëvizjen e parave nga kanalet bankare, korrupsioni dhe evazioni fiskal do të nisin të njohin ditë të vështira edhe tek ne.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.