AKTUALITET

Zhaneta dhe Anisa Josifi u përcollën sot në banesën e fundit, përlot shoqja e Blertës: Lamtumirë në Parajsën që aq shumë dëshiruat!

22:04 - 04.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mes lotësh, dhimbjes dhe trishtimit, Zhaneta dhe Anisa Josifi nënë e bijë u përcollën sot në banesën e fundit.




Anisa ishte një e re që ëndërronte të vishte një ditë fustanin e bardhë, por nuk mundi dot ta veshë për së gjalli… E mbi arkivolin e 30-vjeçares ishte vendosur një fustan nusërie. Në një kohë kur të gjithë prisnin që ta përcillnin të renë nuse, ata u mblodhën sot për ta përcjellë në banesën e fundit, ku do të prehet së bashku me nënën dhe babanë. Edhe ky i fundit, 15 vite më parë ka vrarë veten duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonin ne lagjen Partizan.

Vëllezërit e Zhanetës, si dhe një e afërme e tyre mezi mbanin veten nga kjo tragjedi… E në fakt, kush nuk qau, edhe qielli sot derdhi lot!

Historia e kësaj familje ka tronditur mbarë opinionin publik në lidhje me detajet shokuese. Anisa Josifi, sipas motrës së saj Blerta, 34 vjeç e cila ndodhet e shtruar në spital, kishte 15 muaj që kishte vdekur dhe se familja po priste ringjalljen e saj. Ata e lyenin trupin me vaj e uthull dhe e kishin mumifikuar pasi besonin tek Ringjallja.

Të gjithë kanë mbetur të shokuar nga kjo ngjarje, aq më tepër që në Përmet kjo familje njiheshin të qetë dhe pozitivë. Askujt nuk ia ka marrë mendja që në kufijtë e të paimagjinueshmes, 56-vjeçarja Zhaneta së bashku me të bijën Blertën do të mbanin për më shumë se një vit Anisën e vdekur në shtëpi.

Një nga shoqet e Blerta Josifit, Noela Shabani, përmes një postimi në rrjetin social ka përlotur me dedikimin e ndjerë.

“Ato ecnin te vdekura mes nesh, por ne nuk kishim sy ti shihnim”, – shkruan ajo ndër të tjera.

POSTIMI I PLOTË

“Ne të gjithë e vramë familjen Josifi! Të gjithë ne nga pak. Unë, ti, të gjithë ne…. E vramë me indiferentizmin tonë, e vramë me pamundësinë tonë. E vramë sepse asnjëherë nuk gjetem kohë për të zgjatur dorën më tepër se gjuhën tonë. E sot? Vajtojmë me hipokrizi për fatkeqësinë që pllakosi këtë familje duke hequr mënjanë pjesën tonë të fajit. Ato u kapën fort pas diçkaje që ti nxirrte nga zymtësia ku ishin zhytyr,e cila rezultoi fatale. Çfarë ironie! Të biesh nga shiu në breshër! Çfarë fataliteti mjeran! Ato ecnin te vdekura mes nesh por ne nuk kishim sy ti shihnim. Ato frymonin pranë nesh e ne nuk kishim as kohë ti dëgjonim.

Ato çirreshin për ndihmë me një zë që tingullonte i shurdhët për veshët tanë! Edhe sa Blerta dhe Anisa të tjera do të kenë këtë fat? Horror do ta quante kushdo të gjithë këtë( madje ashtu e quajta edhe unë një moment nxitimi) . Por jo. Ato zgjodhën të largoheshin me zhurmë nga kjo jetë, zhurmë të cilën nuk e bënë dot sa ishin gjallë sepse ne me egon tonë për të nënvlerësuar këdo nuk i lejuam. Nxorrën zë në lamtumirën e fundit. Zhurmuan në delirin e çmendurisë, nën kufijtë e të paimagjinueshmes dhe tragjikes! Më në fund ne i kthyem sytë nga ato por tepër vonë! Lamtumirë në Parajsën që aq shumë dëshiruat! Ju lindët kurse ne vdiqëm”.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.