Intervista

Intervista e ambasadorit të Kinës për “GSH/ Zhou Ding: Të bashkohemi si një trup për fitore të luftës ndaj COVID-19

12:00 - 06.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

1.Q: Z. Ambasador, Së pari, Ju falënderoj shumë për këtë intervistë për GSH. Pyetja e parë, pothuajse gjysmë viti pas fillimit të luftës së Kinës kundër COVID-19 me përpjekjet marramendëse, por efektive, është nxjerrë një letër e bardhë, me titull “Duke luftuar COVID 19: Kina në veprim”. A mund të ndani, ju lutem, me lexuesit tanë, pikat kryesore të këtij dokumenti dhe cili është mesazhi që përcillet për Kinën dhe botën?




A: Është kënaqësia ime të intervistohem nga gazeta juaj. Pandemia COVID-19 është një krizë e madhe për të gjithë botën, që paraqet rrezik serioz për jetët dhe shëndetin e njerëzve nëpër botë. Si shteti i parë që zbuloi, raportoi dhe filloi luftën kundër COVID-19, Kina ka vepruar me vendosmëri për të kontrolluar përhapjen dhe për të shpëtuar jetë.

Dokumentimi i plotë i përgjigjes së Kinës ndaj COVID-19 përgjatë muajve të fundit ka domethënie të madhe, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për gjithë botën, ku virusi vazhdon të bëjë kërdi. Letra e bardhë është mjaft e detajuar dhe gjithëpërfshirëse me shumë informacion, prej të cilave unë do të veçoja tre aspektet e mëposhtme:

Së pari, qeveria kineze ka vendosur jetët dhe shëndetin e njerëzve në radhë të parë, duke marrë masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur Wuhan-in dhe Hubei-n. Presidenti Xi Jinping theksoi se jetët dhe shëndeti i njerëzve duhet të jenë gjithmonë të parat. Kina përfundoi testimin e 11 milionë banorëve të Wuhan-it brenda dy javësh, ndërsa nga fillimi i luftës kundër COVID-19 deri tani janë testuar më shumë së 90 milion njerëz në të gjithë vendin; numri i përgjithshëm i rasteve mbetet i qëndrueshëm në pak më shumë se 85000. Çdo shpenzim për mjekimin në lidhje me COVID-19 është mbuluar nga qeveria.

Së dyti, Kina ka themeluar një mekanizëm kontrolli dhe parandalimi për COVID-19 që funksionon më së miri. Siç e ka dëshmuar edhe bota, Kina ka marrë një qasje bazuar në shkencë dhe ka mobilizuar të gjitha burimet mjekësore përreth vendit. Kina ka implementuar në mënyrë strikte distancimin social dhe gjurmimin e kontakteve, ka ndërtuar spitale dhe qendra emergjence brenda ditëve, ka zhvilluar kit testues të shpejtë, ka aplikuar një kombinim të mjekësisë tradicionale kineze me mjekësinë perëndimore, dhe ka përdorur Big Data (të dhëna të mëdha) dhe inteligjencën artificiale për të lehtësuar masat kontrolluese dhe parandaluese etj.

Së treti, Kina ka qenë aktivisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar me transparencë kundër pandemisë që prej fillimit, duke luftuar krah për krah me pjesën tjetër të botës. Grafiku kohor i përgjigjes së Kinës është i qartë. Kina njoftoi në kohë OBSH-në dhe shtetet e tjera në fillimet e virusit të ri, publikoi në kohë sekuencën e gjenomit të virusit dhe ndau vazhdimisht eksperiencën e saj për trajtimin dhe parandalimin. Komuniteti ndërkombëtar i dha Kinës ndihmë dhe mbështetje të vlefshme, dhe Kina është duke bërë çdo gjë për të mbështetur shtetet e tjera. Këto përpjekje përfshijnë zotimin prej 2 miliard dollarësh si ndihmë ndërkombëtare për dy vjet, premtimin se vaksina kundër COVID-19 e zhvilluar në Kinë do të sigurohet si produkt publik global, anulimi i borxheve për shtetet përkatëse, dhe bashkimin në Nismën e Pezullimit të Borxheve të G20-s për shtetet e pazhvilluara.

Shpresojmë se kjo letër të ndihmojë lexuesit kudo për të kuptuar më mirë çfarë ndodhi me të vërtetë në frontin e luftës kundër COVID-19, të sqarojë disa dyshime dhe keqkuptime në lidhje me përgjigjen e Kinës dhe t’i ofrojë Kinës dhe pjesës tjetër të botës informacione të dobishme për luftimin e krizave shëndetësore në të ardhmen.

2.Q:- Z. Ambasador, SHBA dhe disa shtete të BE-së në mënyrë të pandërprerë kanë akuzuar Kinën për vonesë dhe mbulim të shpërthimit të COVID-19. Cili është qëndrimi i fundit i Kinës ndaj kësaj fushate dhe në pikëpamjen tuaj sa do të ndikohen marrëdhëniet e Kinës me këto vende?

A: Letra e bardhë ofron statistika, fakte të plota dhe një grafik kohor të qartë të Kinës në luftën kundër COVID-19. Përgjigjja e Kinës mund të mos ketë qenë perfekte. Por duke pasur parasysh se Kina ishte shteti i parë në luftë me një virus të panjohur, në hapat e parë, mund të ketë pasur një shkallë të joefikasitetit, për shkak të njohurive dhe eksperiencës së pakët. Strategjia optimale varet gjithmonë nga rrethanat e dhëna të një vendi, e cila duhet të jetë, gjithashtu, e bazuar në shkencë. Të gjitha qeveritë po gjykohen dhe kritikohen përgjatë kësaj pandemie. Disa kanë qenë më të shpejtë në përgjigje, disa më të ngadaltë; disa më agresiv, disa më të rezervuar. Qeveritë, institucionet shëndetësore, media dhe individët, ne të gjithë, duhet të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime prej kësaj pandemie. Sigurisht që ka nevojë edhe për më shumë kërkime nga shkencëtarët dhe mjekët para se të kuptojmë plotësisht natyrën e pandemisë.

COVID-19 ka paraqitur sfida të mëdha për sistemet e shëndetit publik, ka goditur ekonomitë përreth botës dhe ka riorganizuar vazhdimisht politikat e brendshme dhe të jashtme të shumë shteteve. Kina ka marrëdhënie shumë të forta me pjesën tjetër të botës. Ne jemi partneri më i madh tregtar i 70% të vendeve në botë. BE ka qëndruar partneri më i madh tregtar i Kinës për 16 vitet e fundit, ndërkohë që Kina është partneri i dytë më i madh i BE-së. Kina dhe SHBA janë të lidhur ngushtë më njëri-tjetrin në shumë fusha, me një volum tregtar me dy drejtime afro 600 miliard dollarë. Së bashku, Kina dhe SHBA përbëjnë deri në 40% të ekonomisë së botës. Po, ka disa çështje të cilat ne nuk i shohim me të njëjtin sy, por unë besoj se në fund të ditës, qeveritë, udhëheqësit dhe mbi të gjitha popujt, do të jenë të mençur mjaftueshëm për të gjetur zgjidhje në adresimin e dallimeve tona, dhe të kuptojnë qëllimin e përbashkët të paqes dhe begatisë në botë. Veçanërisht, në përballjen me presionin e dyfishtë të kontrollit të pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike, bota ka nevojë për më shumë se asnjëherë më parë për solidaritet dhe bashkëpunim.

3.Q:- Z. Ambasador, gjatë pandemisë ne kemi vënë re se miratimi i Ligjit të Sigurisë Kombëtare në Hong Kong u bë gjithashtu temë e nxehtë në komunitetin ndërkombëtar. Disa vende perëndimore madje i kërkojnë Kinës të rikonsiderojë këtë ligj. Si është mendimi juaj mbi këtë çështje?

A: Besoj se shumë miq dhe media shqiptare kanë vënë re se, që prej vitit të kaluar, elemente të pro-pavarësisë dhe lokalistët radikal në Hong Kong kanë bërë vrap të shfrenuar, aktet e dhunës dhe terrorizmit janë përshkallëzuar dhe ndërhyrja e forcave të jashtme është rritur. Këto ngjarje jo vetëm rrezikojnë seriozisht stabilitetin shoqëror, prosperitetin ekonomik dhe sigurinë publike të Hong Kong-ut, por edhe shkojnë përtej vijës së fundit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës. Gjatë 23 viteve të kthimit në atdhe, Hong Kong-u është në gjendje të pambrojtur për sa i përket sigurisë kombëtare, gjë e cila është një rast shumë i rrallë në botë dhe përbën edhe shkaku thelbësor i fenomeneve të sipërpërmendura.

Asnjë shtet nuk do të lejonte një situatë të tillë të vijonte në territorin e tij. Bërja e ligjit të sigurisë kombëtare është një praktikë universale në komunitetet ndërkombëtare, dhe është e drejta e autoritetit qendror të çdo vendi. “Një shtet, dy sisteme” është një politikë themelore shtetërore e Kinës, kurse siguria kombëtare shërben si themeli, mbi të cilin zbatohet politika “Një shtet, dy sisteme”. Implementimi i masave të nevojshme nga Kina, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin Themelor të HKSAR (Hong Kong Special Administrative Region), për të ruajtur sigurinë kombëtare në Hong Kong, është punë e brendshme e Kinës dhe asnjë vend tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Vlen të theksohet se, ky ligj synon vetëm katër lloje të krimeve të përcaktuara qartë: shkëputja, përmbysja, veprimet terroriste, dhe marrëveshje të fshehta me vende të huaja ose me elementë të jashtëm për të rrezikuar sigurinë kombëtare, të cilat janë, gjithashtu, krime në vendet perëndimore. Qytetarët dhe të huajt në Hong Kong që i binden ligjit, nuk duhet të kenë aspak merak për ndikimin e këtij ligji mbi ta. Ky ligj sqaron qartë se, shteti siguron të drejtat dhe liritë e ligjshme të banorëve në Hong Kong. Një Hong Kong i sigurt dhe i qëndrueshëm nën “Një shtet, dy sisteme”, u shërben interesave të përbashkëta të Kinës dhe të vendeve të botës.

4.Q: Që nga fillimi i luftës kundër COVID 19 në Shqipëri, cilat kanë qenë ndjesitë tuaja apo të stafit tuaj diplomatik apo të kinezëve që jetojnë dhe punojnë në Tiranë, dhe si i vlerësoni masat e marra nga Shqipëria?

A: Në Shqipëri ndodhën të njëjtat skena që prej fillimit, nga data 9 mars me rastin e parë të konfirmuar në Tiranë, siç ndodhën në Kinë. Njerëzit duke dëgjuar këshillat e mjekëve dhe shkencëtarëve, duke ndjekur instruksionet e qeverisë, shfaqën vërtet këmbëngulje, optimizëm dhe shpirt sakrifice. Pati histori prekëse kudo. Mjekë dhe infermierë të rinj ju thanë mirupafshim të dashurve para së të drejtoheshin për të dhënë kontributin e tyre. Vullnetarë nga komunitetet shkuan derë më derë për të shpërndarë ushqime dhe artikujt të përditshmërisë. Njerëzit inkurajonin dhe argëtonin njëri-tjetrin nëpërmjet rrjeteve sociale. Kam qenë gjithmonë i inkurajuar dhe i prekur kur shihja doktorët dhe punonjësit e tjerë mjekësorë duke rrezikuar jetët e tyre për të kuruar pacientët në rrezik, muzikantët dhe artistët duke performuar online ose në ballkone për të gëzuar të tjerët. Në kohëra të errëta, kemi parë shkëlqimin e anës së ndritshme të njerëzimit dhe vetë jetës.

Unë mendoj se përgjigjja e qeverisë shqiptare, si tani, ka qenë e shpejtë dhe efektive. Nëpunësit civil, punonjësit mjekësorë dhe policët janë duke luftuar në front, duke shërbyer, duke u kujdesur dhe duke shpëtuar jetë, gjë e cila është e admirueshme. U provua se me masat e vendosura dhe me ndërgjegje individuale të secilit prej nesh, virusi është i frenueshëm. Shqipëria ka dërguar, gjithashtu, dy ekipe mjekësore në vendin fqinj, Itali, kur ishte edhe vetë nën kërcënimin e virusit. Kjo shfaqje e solidaritetit dhe humanizmit është shumë frymëzuese.

sdr_soft ndihme nga qeveria kineze rpt dav_soft
<
>
sdr_soft

5.Q:- Në kohën e rihapjes, kur ne po bashkëjetojmë me virusin, dhe ndoshta do të jetë kështu edhe për një kohë të gjatë, çfarë mund të mësojnë Shqipëria, Europa dhe tërë bota nga eksperienca e Kinës?

A: Në lidhje me kontrollin dhe parandalimin e COVID-19, vendet ndryshojnë në masat e tyre për shkak të situatave të brendshme të ndryshme. Megjithatë, mendoj se të gjithë janë dakord se për të shpëtuar jetë, ne duhet të respektojmë këshillat dhe gjykimet shkencore të profesionistëve.

Një dilemë e madhe për të gjithë shtetet është si të balancohet kontrolli i sëmundjes dhe rimëkëmbja ekonomike. Ka pasur gjithmonë opinione të ndryshme, madje edhe debate. Bazuar në popullsinë e madhe, lëvizshmërinë dhe dendësinë e lartë urbane, Kina mori një qasje të paprecedentë, strikte dhe të plotë, e cila ka funksionuar mirë në frenimin e sëmundjes. Edhe së fundmi janë shfaqur në Kinë disa raste të reja, megjithatë situata është vendosur nën kontroll mjaft shpejt.

Tani shumë shtete po lehtësojnë masat e izolimit. Megjithatë, pandemia nuk është ndaluar ende dhe përhapja nuk është ndërprerë. Në Shqipëri, po shohim, gjithashtu, numrat e rasteve të reja janë herë në ngritje e herë në ulje. Njerëzit duhet të qëndrojnë vigjilentë. Sapo konfirmohet një grup infektimesh, duhet të aplikohet karantina dhe gjurmimi i kontakteve. Në shkallë botërore, duket se pandemia është ende larg përfundimit. Asnjë nuk është i sigurt derisa ne të gjithë të jemi të sigurt – kjo është më se e qartë.

6.Q:- Ne shqiptarët jemi shumë mirënjohës që Kina i ka siguruar disa ndihma Shqipërisë në luftën kundër koronavirusit, duke qenë se kjo ndihmë e vyer u dha në një emergjencë të jashtëzakonshme. Besoj se gjatë këtyre muajve e fundit, ju keni gjetur vlerësime jo të pakta qoftë nga politikanët, qoftë nga shqiptarët e zakonshëm. A mund të ndani me ne informacione konkrete të ndihmave, vlerësime të tyre ndaj ndihmave dhe  ndaj marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

A: Si miq të Shqipërisë, ne u përgjigjëm menjëherë sapo morëm kërkesë nga qeveria shqiptare. Kemi kaluar pengesa të mëdha për transportimin ndërkombëtar dhe i siguruam Shqipërisë pajisje mjekësore për emergjenca, duke përfshirë kite testimi, kostume mbrojtëse, doreza dhe maska, me vlerë mbi 500.000 Euro. Gjysmë milioni maska u janë dhuruar spitaleve dhe familjeve në nevojë. Zyrtarë të shëndetit publik kinez dhe ekspertë mjekësorë kanë mbajtur video konferenca me palën shqiptare për të ndarë eksperiencat e tyre. Kompani kineze dhe individë kanë mbështetur Shqipërinë në mënyrat e tyre. Udhëheqësit dhe miqtë shqiptarë shprehën solidaritetin e tyre ndaj Kinës në momentet më të vështira dhe ne ua kthyem miqësinë dhe përkujdesin.

Siç e përmendët edhe ju, unë kam pasur nderin të krijoj miqësi edhe me shqiptarë të zakonshëm, gjë e cila më ka ndihmuar të mësoj më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Më 1 qershor, unë vizitova disa familje në nevojë këtu në Tiranë për të festuar me fëmijët Ditën e Fëmijëve. Buzëqeshjet në fytyrat e tyre janë për mua të paharrueshme.

Që kur kam mbërritur në Shqipëri, kam ndierë vazhdimisht dashamirësinë dhe miqësinë e shqiptarëve. Ndiej pritshmëritë e tyre të larta për marrëdhënie më të ngushta midis dy vendeve tona në shumë fusha. Mendoj se kemi bërë goxha përparim. Investimet nga Kina në Shqipëri kanë arritur në 1 miliard dollarë deri tani, ndërkohë që Kina mbetet partneri i tretë më i madh tregtar i Shqipërisë. Megjithatë, ka ende shumë potencial për bashkëpunim. Veprime më konkrete duhet të ndërmerren në të ardhmen. Besoj se me përmirësimin e ambientit të investimeve në Shqipëri, më shumë investime do të vijnë, dhe jo vetëm nga Kina. Kina do të vazhdojë të kontribuojë në rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit dhe të sponsorizojë në forcimin e infrastrukturës dhe objekteve kulturore të Shqipërisë. Disa programe të reja janë në diskutim e sipër.

7.Q:- Nga pikëpamja juaj, cilat janë pasojat e krizës COVID në ekonominë kineze dhe së dyti, cilat janë efektet e tyre të parashikuara në ekonominë botërore pasi Kina është një pjesë e rëndësishme e zinxhirëve të furnizimit global?

A: Për shkak të pandemisë, GDP e Kinës u tkurr me 6.8% në çerekun e parë të këtij viti. Ne kemi qenë të kujdesshëm në balancimin e kontrollit të COVID-19 dhe rritjes ekonomike. Si shumë vende të tjera, Kina po zbaton politika fiskale dhe monetare për të mbështetur bizneset dhe individët. Lajmi i mirë është se indekset kryesore ekonomike të Kinës në maj janë përmirësuar dhe rimëkëmbja po merr vrull. Unë besoj se perspektiva e ekonomisë së Kinës mbetet pozitive, duke qenë se Kina është një ekonomi e madhe me zinxhirë të plotë industriale, një bazë e fortë industriale dhe me kapacitete të mëdha inovative. Pas shpërthimit të koronavirusit, po lulëzojnë forma të reja të ekonomisë si ekonomia digjitale dhe ekonomia e gjelbër. Inteligjenca artificiale dhe 5G po japin gjithashtu një impuls të ri për rritjen tonë ekonomike.

Është shumë mirë të shohësh se më shumë ekonomi janë duke u rimëkëmbur ndërkohë që masat e izolimit po hiqen. Për shkak të pandemisë, disa vende po rimendojnë përbërjen e zinxhirëve të tyre industrialë dhe të furnizimit. Unë mendoj se Kina gjithashtu do të ndërmarrë masa për të rregulluar politikat tona industriale dhe të mbrojë sigurinë e zinxhirit tonë të furnizimit. Në të njëjtën kohë, Kina do të vazhdojë hapjen, lehtësimin e tregtisë dhe investimeve, të ndajë mundësitë tona të zhvillimit me botën. Sipas Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera, Kina do të vazhdojë të jetë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike botërore.

8.Q:- Që nga shpërthimi i pandemisë, shumë personalitete nga vendet e ndryshme të botës janë të mendimit se rendi botëror dhe ekonomik do të jetë ndryshe pas periudhës së koronavirusit. Cili është komenti juaj ndaj botës kur të ketë përfunduar pandemia?

A: Pandemia ka ndikuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rendin ekonomik botëror. Tregtia globale dhe investimet kanë rënë, të ardhurat e shteteve janë pakësuar, borxhet publike janë rritur. Disa studiues e konsiderojnë pandeminë si incidenti i tretë më i madh i shekullit të 21-të me ndikim global, pas 11 Shtatorit dhe krizës financiare botërore të vitit 2008. Në dy krizat e fundit u arrit shumë nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe solidariteti merr akoma më shumë rëndësi këtë herë. Në epokën pas pandemisë, multilateralizmi dhe bashkëpunimi do të jenë më kyç se asnjëherë më parë.

Vetëm disa ditë më parë u mbajt Samiti i 22-të ndërmjet udhëheqësve të Kinës dhe BE-së nëpërmjet video konferencës. Udhëheqësit e Kinës dhe udhëheqja e re e BE-së bënë shkëmbime të thelluara të pikëpamjeve se si të bashkëpunojnë për luftimin e pandemisë dhe forcimin e ekonomisë, diskutuan koordinimin e politikave për pikat e nxehta globale dhe rajonale dhe mbrojtjen bashkërisht të multilateralizmit. Të dy palët gjithashtu riafirmuan angazhimin e tyre për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse të investimeve këtë vit, gjë e cila është shumë inkurajuese.

Shqipëria ka arritur përparim të rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Unë shpreh urimet e mia më të sinqerta për suksese në të ardhmen. Kina do të bëjë çdo përpjekje për të punuar me organizata dhe shtete nëpër botë, përfshirë Shqipërinë, për të ruajtur paqen dhe prosperitetin në epokën pas pandemisë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.