Intervista

Intervista/ “Rama po restauron diktaturën”, Ceka: Lulzim Basha, politikan i klasit të lartë

11:00 - 06.07.20 Gazeta Shqiptare

Valentina Madani – Neritan Ceka i përket PD-së historike, por që e mbush me besim edhe partia që drejton sot Lulzim Basha. Ish- themeluesi i PD-së thotë për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja ka sjelljen e një partie të tipit europian dhe se Lulzim Basha është një lider në ngjitje, me cilësi intelektuale dhe njerëzore të një politikani europian të klasës së lartë. Por, Neritan Ceka, i cili e njeh PD-në që në gjenezë, e këshillon Bashën që të bëhet ai, mjeti i PD-së dhe jo PD-ja mjeti i tij. Z.Ceka flet për procesin e brendshëm të demokratëve, lëvizjet aktuale politike dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kur bëhet fjalë për mundësinë e rikthimit të ish-larguarve nga kjo parti, z.Ceka përmend se, “PD-ja është një parti historike, por jo muze”. Ai komenton edhe reformën e re elektorale, listat e hapura dhe mundësinë e koalicioneve parazgjedhore. Rotacionin politik e sheh të mundshëm ndërsa, kryeministrin Edi Rama e akuzon se po “restauron” regjimin, që shqiptarët e përmbysën 30 vite më parë.



Z.Ceka, ju jeni bashkëthemelues i PD-së, por aktualisht nuk jeni më anëtar i saj. A ju mbush sot me besim PD-ja e Lulzim Bashës?

Jam larguar nga PD-ja që në vitin 1992, kur e kuptova që ajo po shkiste drejt ekstremizmit dhe po pushtohej nga oportunistët dhe servilët. Atëherë pjesa intelektuale e PD-së, me Gramoz Pashkon, Arben Imamin, Preç Zogajn, Arben Demetin, Shahin Kadarene, Teodor Kekon, Perikli Tetën etj. themeluan Aleancën Demokratike, që ka luajtur një rol të madh në rivendosjen e demokracisë në vitin 1997, por edhe për një kulturë të re politike të natyrës liberal- demokrate. Në vitin 2013, kur u emërova ambasador në Romë, dhashë dorëheqjen nga ajo parti dhe nga angazhimet politike në përgjithësi. Ky është pozicioni që kam edhe sot dhe të cilin nuk kam ndërmend ta ndryshoj. Natyrisht që asnjëherë nuk jam shkëputur shpirtërisht nga PD-ja e vitit 1991, sepse është një ngjarje, që njeriu e përjeton vetëm një herë në jetë. Ishin kohë historike, siç i quan Rexhep Qosja dhe t’i kesh përjetuar si protagonist është diçka që ruhet bashkë me emocionet e ngjarjeve të mëdha. Kjo më krijon edhe një detyrim moral ndaj asaj partie, edhe për ta gjykuar më thellë e sinqerisht, se sa një zgjedhës, apo fans i zakonshëm. Shumë gazetarë dhe analistë e gjykojnë pozitën e sotme të Partisë Demokratike si jo shumë solide, ashtu siç gjykojnë edhe Lulzim Bashën. Unë kam pasur gjithmonë një mendim të kundërt, sepse për mua, masa e gjykimit të një partie nuk është zhurma dhe rrëmujat që ajo krijon, por qartësia politike dhe programi bashkëkohor.

…dhe në ç’mënyrë e “gjykoni” ju Partinë Demokratike?

Në veprimtarinë e saj politike në parlament, si dhe në kohën kur vepron jashtë tij, PD-ja ka sjelljen e një partie të tipit europian, ashtu siç edhe lideri i saj është krejt i qartë në paraqitjen e një programi, që u referohet nevojave më urgjente të vendit, por edhe perspektivës europiane të zhvillimit të tij. Mund të përmend këtu kontrastin e një logjike të fortë politike në rastin e demaskimit të narkoshtetit, korrupsionit politik përmes PPP, demaskimin e transportit të parave të drogës, apo të kostove eksesive në favor të kompanive fantazmë, të propozimeve për taksën e sheshtë, apo për heqjen e taksimit të Rrugës së Kombit. Sa larg janë ato në logjikën europiane nga retorika shakatare e kazanit, tiganit, timonit e filxhanit! Problemi i elektoratit shqiptar është se e ka të vështirë të shkëputet nga imazhi i liderëve politikë të ashtuquajtur karizmatikë, që vijnë pa program, por vetëm me fjalime. Kosova i ka bërë hapat e para në këtë drejtim, sepse Albin Kurti erdhi si një lider programatik, ndërsa kryeministri i sotëm, Abdullah Hoti është qartësisht një burokrat. Unë do të pyesja se për çfarë na duhet dy milionë shqiptarëve që kemi mbetur, kur edhe gjysma kanë bërë valixhet për të ikur, pra çfarë na duhet një lider i superpushtetshëm, me disa qindra-mijë partiakë që paguhen nga taksat e shqiptarëve, që lëviz poshtë e lart me Gardë dhe polici, që shpërndan paratë e taksapaguesve me kapriçio teatrosh e favore PPP? Për këtë arsye, unë nuk jam me një PD të Lulzim Bashës, ashtu siç nuk kam qenë me PD-në e Sali Berishës, të një lideri vizionar, fillikat, që e sheh Shqipërinë si laborator të eksperimentimit të personalitetit e interesave të veta. Por, do të isha me Lulzim Bashën e PD-në, nëse do ta bindë elektoratin se është tipi i një lideri tjetër, i një zyrtari profesionist, që vjen të zbatojë një program të qendrës së djathtë, të një partie mendimi dhe veprimi së bashku me një staf profesionistësh dhe me këmbë në tokë. Pra, nëse bëhet ai mjeti i PD-së dhe jo PD-ja mjeti i tij për të njëjtin pushtet që është tashmë i saturuar.

Si po prezantohet PD-ja dhe lideri i saj përballë shqiptarëve, të cilët duhet të zgjedhin përmes votës, se kush do t’i qeverisë vitin e ardhshëm?

E kam thënë edhe një herë tjetër, që Lulzim Basha është një lider në ngjitje, me cilësi intelektuale dhe njerëzore të një politikani europian të klasës së lartë. Në janar të këtij viti, ai ishte padyshim lideri i sigurt i katërvjeçarit të ardhshëm. Unë kam gjithmonë dyshimin se dy vendime që krijuan zbehjen e këtij imazhi, nuk ishin personale të tij. Me sa e njoh Partinë Demokratike, ajo parti ka një bërthamë të fortë mendimi politik irracional dhe emotiv, që i ka shkaktuar historikisht disa trauma partisë dhe vendit. Ky mendim konkretizohet përmes presioneve të forumeve të larta, por edhe të thashethemnajës që karakterizon forcat e mëdha politike. Përgjithësisht, kjo valë e ka inonduar disa herë natyrën liberal demokrate dhe europiane të PD-së dhe rezultat i saj kanë qenë largimi nga parlamenti dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore. Në politikë është mirë të regjistrosh gabimet, por jo të mbetesh skllav i tyre. Me reformën zgjedhore, PD-ja u kthye përsëri në parlament, ndonëse jashtë mureve të tij dhe shihet qartë që kemi një ekuilibrim të politikës, të paktën në tri pole: PS-PD dhe Presidenti. Nuk duhet nënvlerësuar edhe ajo që quhet opozita e re në lëvizjen e fortë të kartonëve, por edhe karaktereve. Si rrjedhim rotacioni është në mos i sigurt, tepër i mundshëm.

NERITAN CEKA MITINGU I PD SHESHI I QYTETIT STUDENTI DHJETOR 1990 PARTIA ALEANCA DEMOKRATIKE 1996 NERITAN CEKA KTHIMI I POPULLIT NGA URA E LANES PER NE SHESHIN SKENDERBEJ 21 JANAR 1991 NERITAN CEKA KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TE PD 1991
<
>

Si e shikoni procesin e ndërmarrë nga PD-ja për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë?

Do të kisha dëshiruar që PD-ja të kishte qenë iniciatore e listave të hapura. Ky është përsëri rasti i presionit të mendimit politik irracional brenda PD-së, që futet në të njëjtën hulli me PS-në për frikën nga përballimi i vlerave personale me gjykimin e lirë të elektoratit. Përzgjedhja e deputetëve ka të bëjë me imazhin që PD-ja duhet të promovojë tek elektorati, por po kaq e rëndësishëm është përputhja e tij me hapësirën që paraqet programi. Shqiptarët kanë gjithmonë e më shumë nostalgjinë e parlamentit të parë, kur PD-ja kishte ajkën e intelektualëve dhe zotërinjve e zonjave shqiptare. Nëse do ta konsideronte fitoren në zgjedhjet e ardhshme si një mision, PD-ja duhet t’i referohej shembullit të Jezu Krishtit: In hoc signo vinces! Vertikalja do të ishte imazhi i deputetëve dhe vertikalja lideri me programin europian.

A duhet të rikthehen në listat e ardhshme, ata që mbetën jashtë në zgjedhjet e kaluara parlamentare?

PD-ja është një parti historike, por jo muze. Lidershipi i një partie moderne do të rinovohet vazhdimisht, por pjesa profesionale e tij duhet të ruhet. Sigurisht është një trupë jetëgjatë që arkivon përvojën politike dhe administrative nga puna në qeverisje dhe parlament. Vetë parlamenti është trupë ligjvënësish dhe duhet hequr dorë nga dërgimi atje i deputetëve mbi kritere të kohës së komunizmit, pra ca tregtarë, ca bujq, ca të rinj, ca problematikë e kështu me radhë. Një parti që synon drejt pushtetit duhet të organizojë të gjitha resurset e saj intelektuale, të afta për realizimin e programit. Emra si Jozefina Topalli, Arben Imami, Arben Demeti, Genc Ruli, Preç Zogaj etj. duket qartë se PD-së i vijnë një herë në shekull.

Kush duhet të përjashtohet nga lista e kandidatëve të PD-së?

Përjashtimi bëhet vetëm sipas kritereve të statutit dhe çdo përjashtim i natyrës tjetër vetëm e dobëson partinë, prish imazhin e saj, dekurajon afrimin e figurave të reja dhe inkurajon të korruptuarit. Sidoqoftë, është koha të mendohet përtej listave.

Cili është qëndrimi juaj lidhur me katapultimet në PD? A e ekziston mundësia që të ketë sërish katapultime me afrimin e zgjedhjeve të reja?

Katapultimi është një shprehje që ka të bëjë vetëm me një metodë për ta bunkerizuar partinë përmes emërimit në pozitat kyçe të servilëve dhe të korruptuarve. Kjo ka rezultuar gjithmonë si një vetëvrasje politike për këdo që e përdor atë metodë. Nuk duhet konsideruar si katapultim sjellja në forumet kryesore, qoftë edhe në drejtimin e partisë, të njerëzve me përgatitje të lartë politike e profesionale, që kanë qenë të afërt me mendimin politik të PD-së, por që nuk janë angazhuar formalisht në strukturat e saj. Natyrisht nuk mund të presim që një profesor, analist i shquar, shkrimtar, artist, biznesmen i përgatitur intelektualisht, të nisë karrierën politike nga formacionet e PD-së nëpër lagje e fshatra. Në periudha vendimtare, siç ishte ajo e zgjedhjeve të vitit 2005 me KOP-in, kjo mënyrë solli vlera të vërteta në PD. Mendoj se koha është e ngjashme.

Nga kush rrezikohet opozita në garën përballë të majtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Opozita dhe ngushtësisht PD-ja ka vetëm një armik që e rrezikon dhe kjo është vetë PD-ja. Kjo parti, ashtu si më 1990-ën, ka shansin dhe misionin të paraqitet si një parti e re, krejt e ndryshme nga ajo që është, sepse përbën një kopje blu të PS. Alergjia që ka sot elektorati shqiptar vjen nga modeli i partisë-shtet, të përbërë nga struktura paralele burokratike, nga shushunja të buxhetit të shtetit dhe hekurishte në ingranazhet e administratës në të gjitha nivelet. Ky sistem recidivist duhet çrrënjosur me propozimin dhe zbatimin e një modeli të ri partie, të tipit europian verior, të cilin Lulzim Basha e njeh shumë mirë. Parimi kryesor i kësaj partie është që anëtarët e saj bashkojnë idetë dhe jo interesat personale. Kjo do të thotë që partia nuk garanton punë dhe pozita atje ku vihen firma dhe vilen para. PD-ja duhet të ketë si premtim elektoral miratimin e një ligji që ndalon drejtuesit partiakë përkundrejt sanksioneve të rënda të ndërhyjnë në punësime, favore, tendera. Modeli i ri duhet të konceptojë një parti si pjesë e shtetit dhe jo si ndërmarrje private, as si OJQ, që sillet si pushtuese ndaj qytetarëve që e mbajnë me taksat e tyre. Partia Demokratike duhet ta meritojë një ditë emrin e saj, ashtu si në dhjetor 1990. Është partia e një premtimi të madh ende të pambajtur. Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Dhe kjo nuk është Shqipëria që është premtuar!

Si e konsideroni marrëveshjen e fundit mes PS-PD dhe LSI për reformën e re elektorale? Kë favorizon Kodi i ri Elektoral…?

Personalisht prisja një reformë, e cila përfundoi si proverbi që u mbars mali dhe polli një mi. Këtu meritën kryesore e kanë ndërkombëtarët, që shkojnë sipas parimit që sa më keq të shkojnë punët në Shqipëri, aq më mirë është për rrogat, vilat, makinat dhe aureolat prej maharaxhai që krijohen rreth tyre nga servilët e tyre shqiptarë. Kodi i ri Elektoral favorizon vetëm partitë e mëdha me ruajtjen e proporcionalit rajonal, që është sistemi më antidemokratik për një vend të vogël.

Pse kaq e vështirë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje me lista të hapura në një kohë kur kryeministri Edi Rama deklaroi në seancën e fundit plenare se listat e mbyllura janë me mistere dhe sekrete ndërsa listat e hapura ndërlikojnë procesin e administrimit të votës…?

Ndoshta Edi Rama e ka fjalën për propozimin e ambasadores amerikane. Nuk besoj se danezët aplikojnë një sistem që shqiptarët “budallenj” nuk e zbatojnë dot. Sigurisht, është një sistem që vështirëson vjedhjen e votës, sepse ka shumë kandidatë të interesuar për mbrojtjen e saj se sa në listat e ngurtësuara të sotme. Kjo është arsyeja e mospranimit të propozimit amerikan, por amerikanët, si naivë, i hanë këto lloj argumentesh. Sistemi më i mirë ishte ai që zoti Rama dhe zoti Berisha e përmbysën me ndryshimet kushtetuese dhe e betonuan në një mënyrë, që mund të hiqet vetëm bashkë me daljen nga skena të PS-së dhe PD-së. Nëse do të vazhdojë kjo marrëveshje, jam i sigurt që kjo dalje do të ndodhë jo shumë larg, sipas një ligji që ka vepruar edhe në vende të tjera në procesin e pjekjes politike të elektoratit. Shembulli më i afërt është Italia, ku monopoli i dikurshëm i partive tradicionale nuk funksionon më.

Para një viti ju jeni shprehur se Lulzim Basha duhet të “pastrojë” PD-në nga aleatët dhe se aleatët duhet të mblidhen në një grupim tjetër larg PD-së. Pse duhet ta bëjë PD-ja pikërisht këtë ndryshim…?

Nuk kam folur për pastrim, por për një diferencim fizik dhe programatik. Partitë aleate janë tashmë të fosilizuara dhe nuk ofrojnë asgjë të re. Ka dy zgjidhje. Ose ato të përfshihen brenda PD-së në një formacion politik të zgjeruar, bërthama e të cilit është PD-ja, në modele të njohura edhe nga politika aeuropiane, ose opozita paraqitet me dy grupime të veçanta, nga një anë PD-ja dhe nga ana tjetër të gjitha partitë e tjera në një grupim të dytë, si aleate politike ose zgjedhore të PD-së.

A e mbështesni ju heqjen e koalicioneve parazgjedhore? PS-ja apo PD-ja do jenë më të dëmtuara nga ndalimi i koalicioneve parazgjedhore?

Me sistemin proporcional rajonal koalicioni parazgjedhor, me një formulë marrëveshjeje brenda grupimeve, ndoshta ekonomizon rezultatin. Politikisht si njëri, ashtu edhe tjetri nuk sjellin asgjë të re nëse nuk dalin me një program për një Shqipëri ndryshe. Në këtë rast aleatët përbëjnë një handikap.

A fiton dot Partia Demokratike pa aleatët?

PD-ja mund të fitojë nëse konsideron aleatë shqiptarët, që kanë nevojë për ndryshim. Aleatët historikë në këtë synim janë një pengesë. Ata vërtet mund të sjellin disa vota përmes lidhjeve personale, por bëjnë një dëm më të madh përmes imazhit.

Në këtë rast keni parasysh edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim?

Këtu veçoj LSI-në, të cilën nuk e konsideroj një aleat, por një parti konkurruese, të cilën aleanca me PD-në e rrezikon, po aq sa ajo me PS-në.

Sipas jush, a është PD-ja me demokratike se ç’ishte vite më parë…?

Natyrisht që nuk mund të jetë, sepse kanë ndryshuar rrethanat në të cilat u krijua PD-ja si parti misionare, kur kërkohej më tepër përkushtim dhe idealizëm nga ato të sotmet, kur politika është bërë profesion. Natyrisht, ndikon edhe presioni i kohës me joshjen ndaj fitimit të shpejtë përmes korrupsionit, ku partia nga qëllim, kthehet në një mjet.

Në gjykimin tuaj, Edi Rama a po e “restauron” regjimin që shqiptarët përmbysën 30 vite më parë…?

Në histori ky proces quhet restaurim dhe ka karakterizuar çdo ndryshim themelor politik, pas të cilit klasat e përmbysura janë kthyer përsëri në pushtet. Shembujt janë nga historia e Francës, apo Anglisë, kur restaurimi u krye me të njëjtën distancë kohe si në Shqipëri, qoftë me vendosjen e monarkisë nga Napoleoni, apo të dinastisë Burbone nga Lui Filipi. Shqipëria po e paraqet atë proces të zhvilluar atë kohë me përmasa tragjike, në formën më vulgare dhe komike. Kjo është edhe një arsye më shumë që është nevoja për një Shqipëri tjetër dhe këtë mund ta bëjë vetëm një parti tjetër, në mos PD-ja e ndryshuar thellësisht, do të jetë një parti që shqiptarët do ta mirëpresin.

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE