OPINION

25 vjet në Këshillin e Europës

07:49 - 13.07.20 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjatë tre shekujve deri në mbarimin e Luftës së II Botërore Strasburgu  dhe gjithë rajoni i Alsace Lorraine ishte pika e nxehtë e ndarjes, ballafaqimeve ushtarake  dhe  nacionalizmit të egër franko-gjerman. Në shenjë pajtimi mes tyre dhe në plan mbarë europian, aty u vendos selia e Këshillit të Europës ( KiE) të krijuar më 5 maj 1949  që i parapriu krijimit të BE-së. Po ashtu,  në Strasburg  u depozitua Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, e miratuar në vitin 1950 dhe u vendos Gjykata me të njëjtin emër e krijuar më 1959, si krahu ligjor i KiE-së, që garanton në praktikë zbatimin e tyre. Pjesë  e saj përbërëse tejet e rëndësishme është dhe Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale. Më 10 maj 1990, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe përmbysjes së komunizmit në ish-Europën Qendrore dhe Lindore u krijua dhe « Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit » me seli në Strasburg; por në fakt njihet gjerësisht si «Komisioni i Venecias» meqenëse i zhvillon aty seancat plenare. Është organ konsultativ i KiE-së me 62 vende anëtarë, 47 të Këshillit dhe 15 të tjera jashtë tij, duke përfshirë dhe Kosovën. Ndonëse opinionet e tij nuk janë të detyrueshme, fakti që janë vetë të interesuarit që depozitojnë kërkesa/ankesa dhe niveli i padiskutueshëm i ekspertizës së tij të sprovuar u japin atyre  fuqi dhe më të madhe ligjore, morale e politike.




Mbas shumë peripecish dhe një stazhi gati pesëvjeçar pas vendosjes së marrëdhënieve praktike me të, më 13 Korrik 1995 Shqipëria u bë anëtarja e 35 e KiE-së. Pas OSBE-së, ishte anëtarësimi i dytë në një organizatë të kësaj natyre. Bashkë me të dhe në « filialet«  e saj të lartpërmendura, në Asamblenë Parlamentare dhe Komitetin e Ministrave. Ishte një ngjarje e rëndësishme sidomos në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të të drejtave dhe lirive themelore. Ndonëse raportet e përgatitura atëherë duke i «  rrumbullakosur » problemet, si për inerci të rënies së komunizmit dhe futjes në shtigjet demokratike konstatonin se Shqipëria ishte në rregull në këto fusha dhe me shpresë se defektet jo të pakta do të riparoheshin në proces.

Themi kështu, mbasi Shqipëria u anëtarësua në KiE, kur një vit më parë ishte dënuar me motive politike lideri i PS-së, Fatos Nano. Po atë vit, më 1994 kishte dështuar Referendumi për Kushtetutën e re që synonte shtimin e tepruar të kompetencave presidenciale, ishin dënuar dhe burgosur gazetarë për shkak të fjalës së lirë, SHIK-u ndiqte dhe persekutonte kundërshtarë politikë, etj.

Mirëpo, nisur nga mendimi i drejtë se aderimi në KiE do të parandalonte dukuritë negative dhe do të ndihmonte opozitën falë respektimit të supozuar të të drejtave të njeriut, PS-ja e asaj kohe dhe vetë Fatos Nano nga burgu dha publikisht « viston dhe konsensusin  për këtë anëtarësi”.

Ja pse, për të qenë të sinqertë, anëtarësimi në KiE  nuk është se shkaktoi ndonjë jehonë dhe bujë kush e di se çfarë, me gjithë pompat qeveritare ; dhe nuk kish se si në atë gjendje të nderë, madje tingëllonte disi ironik  dhe ngjarjet e mëvonshme do ta vërtetonin  skepticizmin e rastit.

Tani, 25 vjet pas aderimit, duke u kthyer në kohë, shohim se hapat dhe arritjet janë të shumta. Nuk ka si të mos përmenden me këtë rast  meritat e veçanta të KiE-së, Kuvendit, MPJ-së  dhe institucionet e tjera përkatëse, deputetët tanë që kanë qenë anëtarë të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Përfaqësia jonë Diplomatike në Strasburg me drejtuesit dhe stafet përkatëse, gjyqtarët tanë në Strasburg dhe ekspertë të tjerë. Veç  rezultateve pozitive të njohura që gjinden në projektet, programet dhe raportet e shumta, përfshi dhe kryesimin tonë gjashtëmujor të KiE-së më 2012 – 2013, le ta themi se problemet,  telashet  dhe zhgënjimet nuk janë më të pakta, madje nuk po na ndahen as në këtë vit jubilar. Në fakt, jemi ne që i kemi shkaktuar KiE-së por jo vetëm asaj shumë vonesa, ankesa, mungesa, dhe kokëçarje të mëdha. Por dhe KiE ka «  kusuret » e veta ndaj nesh.

Së pari, çuditërisht, ndonëse lideri i opozitës i asaj kohe, Fatos Nano siç u përmend më lart e bëri të vetën,  qeveria dhe KiE-ja nuk u treguan luajalë dhe kjo e fundit nuk bëri kurrfarë presioni për lirimin e tij. Raporteri i saj duket se «  e hëngri sapunin për djathë » duke u besuar gjepurave qeveritare mbi demek gjyqësorin e pavarur të përgatitur nxitimthi në kurset gjashtëmujore të «plepave » në Golem!! As nuk u bë ndonjë rihabilitim për gazetarët e dënuar ose të anuloheshin disa ligje tejet të diskutueshme që binin ndesh me «  frymën « e KiE-së. Këtu bën përjashtim Komisioni i Venecias që i kritikoi amendamentet e projekt-Kushtetutës, që dhe shumica e popullit  e kishte hedhur atë  poshtë me referendum. Ndërkohë, raporteri i KiE-së për vendin tonë, holandezi Van den Linden shquhej për njoftimet e tij « rozë » dhe të sheqerosura. Së bashku me holandezin tjetër, Van den Broeck, Komisoneri i Lartë i BE-së kishin menduar që në vitin 1996, Shqipëria të nënshkruante Marrëveshjen e Asociimit me BE-në, shumë më e avancuar se ajo e tanishmja, me qëllim që vendi ynë të bëhej demek model.

Ky projekt fantazmë dështoi dhe u shkërmoq me turp pas farsës/ masakrës zgjedhore më 26/28 Maj 1996 dhe sidomos shembjes së piramidave në Mars 1997. Kam qenë i pranishëm në disa takime në vitin 1997 ku ka qenë i pranishëm Van den Linden dhe të tjerë dhe nuk dinin se «  ku të futeshin nga turpi dhe çfarë të thoshin » ndaj vërejtjeve se përse nuk e dëgjuan dhe opozitën atëherë,  por vetëm «  fyellin » e qeverisë !!!?

Edhe vitet e mëvonshme nxorën sheshit deficitet e shumta demokratike të vendit dhe politikës sonë. Për ironi të fatit, duket sikur se kemi zbatuar parimin leninist « Një hap para, dy hapa mbrapa » Tani, dihet se demokracia nuk është  gjë e lehtë dhe probleme do të kishte e do të ketë ; çështja është se në vend që këto probleme të vinin duke u  holluar, po trasheshin deri aty sa « nuk mbante më ujë pilafi » Dështimi më i madh ka qenë dhe mbetet ende është pikërisht mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me standardet e të drejtave dhe lirive të njeriut, si ADN-ja e KiE-së dhe demokracisë.

Në fakt, edhe pas viteve 2000, vështirë të ketë mbetur zyrtar, nga më i vogli te më i madhi dhe nga KiE-ja, pa u  përfshirë në vorbullën e krizave dhe konflikteve tona të ashpra politike dhe institucionale. Më 2007 u bë problem i madh zhvillimi i zgjedhjeve vendore, duke aktivizuar Kongresin e Autoriteteve Vendore dhe Rajonale. Po ashtu, konflikti i madh midis qeverisë së asaj kohe dhe Bashkisë së Tiranës lidhur me sheshin « Shqiponja » që solli shumë reagime dhe ardhjen e delegacioneve të ndryshme si ndërmjetësues të krizës dhe nga KiE-ja, por pa rezultat. Po ashtu, për zgjidhjen e krizës së ashpër të vitit 2010 – 2011, KIE angazhoi vetë Presidentin e Asamblesë së saj Parlamentare, Ministrin e tanishëm të  Jashtëm turk,  Mevlut Cafusoglu, i cili erdhi më se njëherë në Tiranë për takime me palët në konflikt. Më në fund, u realizua kompromisi i madh në Restaurant « Chrocodile »» pranë selisë së KiE-së.

Por historia nuk mbaron këtu. Më 2019, jehona dhe dilema politike  «  t’i bëjmë apo të mos i bëjmë zgjedhjet lokale më 30 Qershor » tronditi sërish Strasburgun politik.  Ai reagoi duke mos dërguar vëzhgues dhe duke u shprehur me nota kritike për rezultatin e tyre. Le ta theksojmë me këtë rast se mendimi i KiE-së është pikë referimi dhe për BE-në dhe OSBE-në në qëndrimet e tyre, pavarësisht dallimeve dhe diferencave.

Telashe i kemi sjellë dhe Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe vetes sonë në dy drejtime kryesore: vonesa dhe mosrespektim kriteresh lidhur me kandidatët tanë për gjyqtarë atje, të cilat KiE i ka kthyer mbrapsht. Gjithsesi, problemet më të mëdha i kemi pasur me paditë e shumta të depozituara atje dhe që janë vendosur në dëm të shtetit tonë, i cili këto vitet e fundit është detyruar të bëjë dëmshpërblime në disa dhjetëra milionë euro. Bëhet fjalë kryesisht lidhur me të drejtën e pronës, thelbi i demokracisë dhe sigurisë e paqes sociale.

Sikur të mos mjaftonin gjithë këto deficite dhe probleme, vitet e fundit vendi ynë e «  ka përmbytur » dhe Komisionin e Venecias me shumë kërkesa, dërgesa dhe ankesa lidhur me interpretimin e disa projektligjeve dhe akteve të tjera kushtetuese.  Aq sa Venecia dy vitet e fundit është kthyer në një arenë të vërtetë të përleshjeve institucionale shqiptare. Natyrisht është e drejtë e çdo vendi anëtar të kërkojë opinione te Venecia, ndaj dhe ajo është ngritur. Por jo ta tepërojë dhe për çdo gjë që fare lehtë, me më shumë dialog dhe mirëkuptim mund ta zgjidhë vetë t’i drejtohet një e dy asaj. Por, kështu ndodh kur kemi dy vjet pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese.

Në fakt, kemi thyer rekordin lidhur me numrin e dosjeve në Venecia, aq sa kemi  ndryshuar te publiku ynë dhe imazhin e  këtij vendi idilik të romancës, kinemasë dhe dashurisë. Kështu, Qeveria dhe Kuvendi kanë paditur Presidentin dhe anasjelltas, Qeveria ka kërkuar shkarkimin e Presidentit, për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe betimin e tyre, etj. Për ironi të fatit, dhe vetë KiE  ka paditur në Venecia projekt-ligjin e anti-shpifjes, etj. Të pajustifikueshme këto kërkesa dhe ankesa kur dhe shoqëria civile, media, grupet e interesit dhe organizatat ndërkombëtare  i kanë bërë thirrje qeverisë të tërhiqet nga pozicionet e saj refraktare. Apo kur situatat që ka kaluar vendi ynë me tërmetin dhe koronën kanë qenë të tilla që në interes të harmonisë dhe paqes politike mund dhe duhej të ishte pushuar çështja në ngarkim të Presidentit të Republikës, të zbuteshin tonet me opozitë, median, etj.

Për pasojë, kaluam mbi një vit duke pritur opinionet e Venecias, të cilat erdhën në prag të 25 vjetorit të aderimit në KiE !! Mirëpo, tani dhe çelja e negociatave është deri diku në « mëshirën » e opinioneve të saj dhe reflektimeve tona ndaj tyre që kërkon konsensus, vullnet politik dhe kohë e cila nuk prêt. Dhe më të pafalshme bëhen këto akte dhe veprime kur nga njëra anë  kryesojmë OSBE-në ndërsa nga ana tjetër brenda vendit « mbytemi me një lugë ujë » Atëherë, sa të besueshëm dhe çfarë imazhi  mund të kemi  jashtë vendit, si kandidatë të BE-së dhe  në organizma të tjera të mëdha ndërkombëtare, kur  nuk jemi në gjendje të vëmë rregull në « konakun » tonë ?

Ja pse, ky përvjetor, krahas freskimit të kujtesës historike është shumë më tepër   një apel ndaj klasës sonë politike, që të marrë më shumë përgjegjësi, të mos ua lerë gjithmonë « dopjo gjashtën» në dorë institucioneve të nderuara ndërkombëtare  por të zgjidhi vetë situatat dhe jo të bëhet pjesë e  problemeve të shumta.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.