Sociale

Irma Kuka: Medikamentet pa recetë mund të shtojnë rrezikun nga COVID-19

18:00 - 22.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Jo pak persona që mund të kenë simptoma të lehta dhe dyshojnë që mund të jenë prekur nga koronavirusi (por ende nuk kanë bërë tamponin për ta konfirmuar) marrin medikamente për të luftuar virusin, edhe pse mund të mos jenë të prekur. Por, përdorimi i medikamenteve si antibiotikët apo holluesit e gjakut pa rekomandim të mjekut mund të sjellin përkeqësim të situatës shëndetësore në luftimin e COVID-19. Deklarata vjen nga farmacistja Irma Kuka, e cila gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare” tregon problematikat që ka kaluar tregu farmaceutik gjatë pandemisë. Ajo shton se qytetarët kurrsesi nuk mund të marrin medikamente pa u këshilluar më parë me mjekun. Ndërkohë, Kuka bën me dije se qytetarët shfaqin interes të lartë në blerjen e maskave. Kuka nënvizon se kjo periudhë ka risjellë në vëmendje rëndësinë e mjekësisë parandaluese, sepse individët më të rrezikuar për ashpërsim të sëmundjes janë ata me probleme shëndetësore ekzistuese.




Rreth 5 muaj pas ardhjes së pandemisë COVID-19 në Shqipëri, mund të na tregoni si paraqitet situata në tregun farmaceutik?
Ashtu si të gjithë sektorët e shëndetësisë, edhe shërbimi farmaceutik u gjend i papërgatitur për përballimin e emergjencës globale COVID-19. Të gjithë patën pasiguri për të nesërmen. Çfarë do të sillte ky virus? Si duhet të mbroheshim? A duhej përdorur maska, apo jo? Në mars shërbimi farmaceutik nuk arriti t’i përgjigjej kërkesës së lartë për maska dhe dezinfektantë. E njëjta gjë ndodhi për një kohë të shkurtër edhe me suplemente si vitamina C. Por, karantinimi i popullsisë ndihmoi të merreshin masat e nevojshme për ta përballuar këtë emergjencë, duke bërë që farmacitë të siguronin sasitë e duhura të produkteve që do konsumoheshin më shumë gjatë kësaj periudhe.

Në një kohë që vendi po përballet me një rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19 jo pak qytetarë tregojnë neglizhencë në respektimin e masave. Sa blihen maskat gjatë muajit të fundit?
Kërkesa për maska vazhdon të jetë e lartë, ndërkohë që shërbimi farmaceutik po i përgjigjet më së miri edhe me këshilla për mënyrën korrekte të vendosjes së tyre si dhe kur duhen përdorur. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për dorezat, pasi tani janë shpërndarë udhëzime për mënyrën korrekte të përdorimit të tyre dhe njerëzit janë edukuar për një higjienë vetjake më të shtuar, ku përfshihet larja e shpeshtë e duarve. Maska tashmë duhet konsideruar si një aksesor shtesë në garderobën tonë. Kur dalim nga shtëpia, duhet të kemi gjithmonë me vete një maskë dhe një dezinfektant duarsh. Maska duhet përdorur në çdo ambient të mbyllur dhe kur nuk kemi mundësi të garantojmë një distancë fizike prej 1.5 m.

A shprehin interes qytetarët në blerjen e vitaminës C dhe suplementeve të tjera që janë përfolur si forcues imuniteti në luftën ndaj koronavirusit?
Në fillim të marsit u spekulua me përdorimin e vitaminës C si një suplement që mund të parandalonte infektimin me SARS-CoV-2. Ajo që duhet rekomanduar me forcë është një stil jetese i shëndetshëm, dietë e pasur me fruta, perime të stinës, hidratim i mirë, sidomos tani gjatë verës dhe aktivitet fizik i përshtatshëm për secilin. Nëse do ndiqeshin këto këshilla, duke shtuar edhe përdorimin e maskës, respektimin e distancës fizike dhe larjen e shpeshtë të duarve mund të themi që rreziku për infektim bëhet minimal. Suplementet duhen përdorur kur këto elemente nutricionale nuk i marrim me dietën e përditshme dhe kur nevoja për to është e shtuar në kushte të caktuara shëndetësore. Mënyra më e mirë për të vendosur, nëse duhet apo jo të marrim një suplement është këshillimi me mjekun apo farmacistin tuaj.

A keni pasur raste ku pacientët kërkojnë medikamente si antibiotikë apo hollues gjaku pa recetë nga mjeku specialist?
Me shtimin e rasteve të dyshuara/konfirmuara me COVID-19 dhe sidomos atyre me simptoma më të lehta, por që nuk e kanë të nevojshme shtrimin në spital, ka bërë që njerëzit t’u drejtohen farmacive për të marrë medikamente si profilaksi. Duhet theksuar që nuk ekziston akoma asnjë medikament që na mbron nga COVID-19, apo që trajton në mënyrë specifike këtë sëmundje. Përgjigja e sistemit tonë imunitar luan rol kyç në kapërcimin e kësaj sëmundjeje dhe përdorimi pa kriter i antibiotikëve do e kompromentonte mirëfunksionimin e tij, duke na ekspozuar më shumë ndaj rrezikut të ashpërsimit të sëmundjes.
A duhen marrë këto medikamente pa rekomandimin e mjekut?
Si antibiotikët, ashtu dhe heparinat janë medikamente që në farmaci jepen vetëm me recetë mjeku. Nëse ka pacientë që janë në fazën e parë të sëmundjes COVID-19 dhe kanë dyshime mbi përdorimin e heparinës në kushte shtëpie (e cila theksoj është kategorikisht e ndaluar), i ftoj të gjithë të konsultojnë një analizë shkencore të realizuar bashkë me kolegen time Julia Daragjati PhD në platformën “Heda Albania”.
Sa të rrezikuar jeni ndjerë gjatë kësaj periudhe?
Rreziku për infektimin e profesionistëve të shëndetit në përgjithësi është më i shtuar, por nëse përdoren saktë pajisjet personale mbrojtëse dhe respektohen masat e higjienës e të distancimit fizik, ky rrezik ulet ndjeshëm. Kjo periudhë ka risjellë në vëmendje rëndësinë e mjekësisë parandaluese, sepse individët më të rrezikuar për ashpërsim të sëmundjes janë ata me probleme shëndetësore ekzistuese. Kjo pandemi po na bën të reflektojmë mbi rëndësinë e shëndetit publik dhe masat që duhet të marrim në të ardhmen, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për përballimin e emergjencave të këtij lloji.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.