OPINION

Për amnistinë e duhur fiskale

08:01 - 05.08.20 Artan Hoxha
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Projektligji “Për Amnistinë Fiskale dhe Penale për Subjektet që bëjnë Deklarim Vullnetar të Pasurive”, ndërsa ishte planifikuar të votohej në seancën plenare të datës 29 korrik nga Kuvendi, nuk u fut në këtë seancë, ndërsa u njoftua vijimi i diskutimit dhe miratimi në shtator. Projekti i miratuar me nxitim nga Këshilli i Ministrave ndeshi në kundërshti të shumta gjatë fazës së diskutimeve në komisionet e Kuvendit. Përfaqësuesit e bankave e të biznesit, të ftuar në diskutimet “online” të Komisioneve parlamentare të Ekonomisë dhe të Ligjeve vunë në pah një mori problemesh dhe defektesh. Komente kritike u bënë edhe nga vetë Komisioni Europian, ndërsa vihet re një shqetësim në rritje edhe i ambasadave të vendeve të ndryshme, kryesisht të vendeve të Bashkimit Europian, për shtigjet që hap ky projekt për ligjërimin e pasurisë, vënë përmes krimeve të ndryshme, nga shtetas shqiptarë, emigrantë apo jo, por edhe të huaj, në Shqipëri apo jashtë saj. Problemi më kardinal i projektit është ai lidhur me aspektin penal të amnistisë dhe ligjërimi i pasurisë së ardhur a krijuar nga veprimtaria kriminale për rrjedhojë, shqetësim që, në formën e pyetjes sqaruese, u ngrit në komisionet parlamentare edhe nga prokurori i përgjithshëm. Në fakt, projekti përjashton nga përfitimi amnistues penal dhe ligjërues pasuror të gjitha rastet (individë dhe/ose pasuri) që lidhen me veprat penale të përfshira në ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (siç njihet ndryshe ligji “antimafia”) apo të përfshira në Aktin Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, miratuar me ligjin nr. 18/2020, (siç njihet ndryshe ligji “OFL”).




Me këto përjashtime, ky projekt shënon për herë të parë mospërdorimin e teknikës së zakonshme të ligjeve për amnistitë – atë të cilësimit të drejtpërdrejtë të veprave penale që amnistohen – dhe përdorimin për herë të parë të teknikës së pazakontë të përjashtimit nga kjo amnisti të një bashkësie konkrete veprash penale, nga ku, për diferencë, dalin ato që amnistohen. Duke përjashtuar kështu veprat penale dhe individët për dy ligjet e sipërpërmendura, “antimafia” dhe “OFL”, projekti, në heshtje, i hap udhë amnistisë penale dhe ligjërimit të pasurive të rrjedhura nga shumë e shumë vepra të tjera penale. Numërohen mbi 100 vepra të këtilla penale – vjedhje të llojeve të ndryshme, mashtrime të llojeve të ndryshme, përfshirë atë kompjuterik, falsifikime të llojeve të ndryshme përfshirë atë të nënshkrimit apo monedhës a letrës me vlerë e deri te shitja e organeve apo e ushqimeve a lëndëve të rrezikshme – e plot vepra të tjera penale – le t’i quajmë krime ordinere – që nuk përjashtohen nga përfitimi prej këtij ligji. Për më tepër, edhe rastet e përjashtuara të ligjit “antimafia” apo “OFL” mund të përfitojnë indirekt ligjërim pasuror, duke pretenduar në formularët konfidencialë se i kanë vënë pasuritë përmes krimeve ordinere, e të këtilla do të kenë në dispozicion mbi 100 lloje, mbi 100 dyer e tunele për t’i ikur drejtësisë dhe ligjëruar pasurinë e vënë në fakt me krime të renda të tipit mafioz. Kjo teknikë e çuditshme e me këto pasoja ra në sy edhe të vetë deputetëve “rilindës” e të së ashtuquajturës “opozitë parlamentare”. Sipas pjesëmarrësve në diskutimet në komisionet parlamentare, deputetët referues e kanë ngritur këtë shqetësim, kanë pyetur pse është përdorur teknika e pazakonte e përjashtimit, por përgjigja e marrë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë ka qenë sa e paqartë, aq e çuditshme, pak a shumë se është përdorur kjo teknikë e pazakonte dhe jo ajo e zakonshmja për të nxitur kështu përfshirjen e sa më shumë njerëzve si dhe për të shmangur keqpërdorimin nga prokurorët përmes rikualifikimit të veprës penale.

Në fakt, vepra penale që lidhen me evazionin fiskal apo me veprimtarinë informale, por jo kriminale të rëndë apo ordinere, pra ato që lidhen me qëllimin zyrtarisht të shpallur të projektit –  janë rreth 20 nene gjithsej në Kodin Penal. Këto vepra duhen evidentuar një për një e për këto duhet bërë edhe amnisti penale, edhe fiskale, edhe ligjërim pasuror. Njëherazi duhet bërë amnisti administrative e plotë për çdo kundravajtje administrative lidhur me veprimtarinë e zhvilluar tërësisht apo pjesërisht në informalitet. Nga kjo amnisti, shumë e kufizuar në vepra penale, mund të konsiderohet që të mos përjashtohet askush, edhe zyrtarët për periudhën që nuk kanë qenë zyrtarë. Në këto raste pagesa e përshkallëzuar në periudha 4- mujorëshe me 5, 7 apo 10% mbi pasurinë e deklaruar, parashikuar nga projekti, është e tepruar. Ajo mund të përshkallëzohet në 1, 2 dhe 3%. Kjo përqindje mund të përshkallëzohet edhe në raport me pasurinë që kërkohet të ligjërohet – sa më e vogël pasuria, aq më e vogël pagesa në përqindje – pasi edhe taksimi zyrtar, ndaj të cilit është bërë evazion, ka qenë gjithnjë e vijon i përshkallëzuar edhe sipas vlerës se pasurisë apo madhësisë së biznesit. Si rregull, sa më e ulet pagesa e përfitimit nga ligji, aq më përfshirës bëhet ligji për hallexhinjve e vërtetë, për njerëzit që pasurinë e kanë vënë me punë të ndershme informale e, me qëllim a të diktuar nga rrethanat, kanë shmangur edhe pagesën e detyrimeve ndaj shtetit. Një amnisti e këtillë, për një numër të vogël veprash penale me natyre fiskale apo informale vështirëson në maksimum keqpërdorimin nga kategoritë e tjera, që pasurinë e kanë vënë përmes krimeve të renda apo ordinere, pasi do t’i duhet të faktojnë në deklaratën e tyre veprimtarinë informale dhe evazionin fiskal që kanë kryer përmes saj. Nëse gënjejnë për burimin e pasurimit dhe kapen ndëshkohen. Dhe, sa për veprat e lidhura me ligjin “antimafia” apo “OFL” shumë mirë që ky grup përjashtohet nga kjo amnisti, ndërsa për të gjithë grupin tjetër të krimeve ordinere mund të ketë, siç ka pasur edhe më parë, amnisti penale, por s’mund të ketë ligjërim pasuror, as me pagesë kaq të ulet dhe as pa kompensim të plotë të palëve të treta, të vjedhura a të mashtruara. Shkurt, këto duhen trajtuar ndryshe dhe më vete. Amnistia e duhur kërkon ligjin e duhur. Shkrimi i një ligji të këtillë nuk është detyrë e vështirë. S’ka pse komplikohet çështja me teknika të pazakonta. Veç nëse qëllimi nuk është ai i shpalluri.

Ridiskutojmë në shtator.

Marrë nga Syri.net

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.