KULTURË

IRENA BUZI: Bashkëpunimi me motrat Pipa, një shkollë më vete për mua

12:21 - 07.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Myftari, për shkak të natyrës së tij, arsimimit dhe background-it politik e letrar nga vinte, ishte i mirinformuar dhe i bindur që Pipa duhej botuar patjetër. Përkundër Myftarit, Pipa ishte krejt i panjohur për mua. Kështu që, në rrethanat ku ndodhesha, leximi i shkrimeve të Pipës 20-25 vjeçar pati një ndikim të madh tek unë që në atë kohë isha 25 vjeçe”. Botuesja Irena Buzi e kujton kështu ‘njohjen’ me Arshi Pipën, kur kishte moshën që ai kish pasur kur radhiste shkrimet e tij.




Ajo ende beson se një rol fort thelbësor, kanë luajtur motrat e Pipës.

Gjatë kësaj kohe u takuam dhe nisëm bashkëpunimin me motrën e Arshi Pipës, znj. Nedret dhe të shoqin e saj, z. Uran Kalakulla. Djalin e tyre, Platorin, së bashku me familjen e tij, do t’i takonim pak vite më vonë, pasi jetonin përkohësisht jashtë shtetit. Që nga viti 2005 e në vijim familja Kalakulla na priti e përcolli miqësisht në shtëpinë e tyre, duke na treguar dhe vënë në dispozicion një pjesë të madhe të arkivit “Pipa” që ata zotërojnë. Ky lloj bashkëpunimi, personalisht, më ka bërë të ndihem si pjesë e familjes së tyre deri sot e kësaj dite. Pa një miqësi të tillë zor se do të kryeja editimin e lëndës së Pipës”, thotë Irena Buzi në një intervistë për “Exlibris”.

– Zonja Irena, shtëpia juaj botuese “Princ”, që me librin “Kritika, ese 1940-1944” (2006) e deri më sot me “Trilogjia Albanika”, i ka sjellë lexuesit shqiptar një pjesë madhe të veprës së Arshi Pipës. Madje, me këtë emër të nderuar të kulturës sonë, ju si botuese dalloheni lehtësisht nga kolegët tuaj. A mund të na thoni si ka nisur ky bashkëpunim?

Ju falënderoj për ftesën që më bëtë për të ndarë me ju dhe me lexuesin përjetimet dhe mendimet e mia, me statusin e botueses. Çka më vrau syrin brenda çështjeve që më shtroni në këtë pyetje të parë ishte mendimi juaj se nëpërmjet botimit të veprës së Arshi Pipës dallohem lehtësisht prej kolegëve të mi. Ndoshta po, por, për hir të së vërtetës, nuk më kishte shkuar mendja se si mund të dukem nga jashtë dhe krahas kolegëve: procesi i botimit të veprës së Pipës ka qenë dhe është fort i lidhur me dashurinë time për qenien e padukshme, dijen, atdheun dhe gjuhën shqipe, duke përfshirë të gjithë izm-at që mund të burojnë prej tyre. Me fjalë të tjera, deri më sot, notova familjarisht kundër rrymës, me një kosto të madhe vetëmohuese. Për më tepër, nuk besoj te kulti i individit.

Arshi Pipa me nënën e vëllain Familja Pipa
<
>

 

Puna me veprën e Pipës zuri fill shumë më herët se botimi i librave të parë të Princit. Për parantezë, botimet e para përkojnë me librat “Kritika, ese 1940-1944” (2006) dhe “Për Migjenin, tri ese” (2006), të cilët dolën në të njëjtën kohë. Pra, kjo punë nisi në vitet 2000-2001, gjatë kohës që Myftar Gjana, administratori i botimeve, punonte si administrator i Bibliotekës Kombëtare. Në atë kohë, ai nxori nga fondi i Bibliotekës Kombëtare artikuj të shkruar nga Pipa, me dhe pa pseudonime, në revistat letrare të kohës si: “Bota e Re”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipnisë; “Kritika”, ku Pipa ishte kryeredaktor; “Shkëndija”; “Fryma”, botues i së cilës ishte Myzafer Pipa, vëllai i Arshiut. Ndërkohë, Myftari bënte promovimin e Pipës ndër miqtë e vetë shkrimtarë e gazetarë. Prej këtyre artikujve të nxjerrë, ai që gëzoi popullaritet mes njerëzve të letrave, ishte “Shpirti kritik”, i cili u botua te suplementi fondamental kulturor “Fjala” i gazetës “Tema”, suplement ky i mbështetur nga Mero Baze dhe me kryeredaktor Agron Tufën. Me Myftarin, siç edhe mund të dihet, u njoha në qershor të 1997-s dhe jetuam e bashkëpunuam deri në mars të 2018-s.

Vitet 2000-2001, në jetën time, përkojnë me mbarimin e studimeve në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe me një zhytje të thellë në një vetizolim total, i cili zgjati për shumë vite me radhë. Ishte mu kjo periudhë vendimtare, kur kam punuar me orë të zgjatura punë ku ndërthureshin intensivisht krijimtaria artistike personale, leximi dhe përkthimi nga anglishtja në shqip. Midis leximeve ishin edhe shkrimet e lartpërmendura të Pipës.

Myftari, për shkak të natyrës së tij, arsimimit dhe background-it politik e letrar nga vinte, ishte i mirinformuar dhe i bindur që Pipa duhej botuar patjetër. Përkundër Myftarit, Pipa ishte krejt i panjohur për mua. Kështu që, në rrethanat ku ndodhesha, leximi i shkrimeve të Pipës 20-25 vjeçar pati një ndikim të madh tek unë që në atë kohë isha 25 vjeçe. Gjatë periudhës që merreshim me këto shkrime, isha e detyruar t’i kërkoja sime motre (sot Dr. në shkencat kompjuterike) që të më radhiste dorëshkrimet e përkthimeve të mia dhe dorëshkrimet e përkthimeve të Myftarit. Me nxitjen e saj, për gati dy vjet e gjysmë ndoqa kurse ku mësova disa programe kompjuterike. Nëpërmjet mjeshtërive bazë që fitova, arrita të shkruaja dhe përpunoja një tekst të caktuar, si edhe të bëja përpunime grafike aq sa të hartoja një libër.

Këto ishin shkurtimisht parakushtet që Myftarin dhe mua na çuan në krijimin e shtëpisë botuese, më datë 28 qershor 2005. Me krijimin e entit, nisi edhe puna e vërtetë për radhitjen, korrektimin dhe sistemimin e artikujve të Pipës, tashmë të grumbulluar. Gjatë kësaj kohe u takuam dhe nisëm bashkëpunimin me motrën e Arshi Pipës, znj. Nedret dhe të shoqin e saj, z. Uran Kalakulla. Djalin e tyre, Platorin, së bashku me familjen e tij, do t’i takonim pak vite më vonë, pasi jetonin përkohësisht jashtë shtetit. Që nga viti 2005 e në vijim familja Kalakulla na priti e përcolli miqësisht në shtëpinë e tyre, duke na treguar dhe vënë në dispozicion një pjesë të madhe të arkivit “Pipa” që ata zotërojnë. Ky lloj bashkëpunimi, personalisht, më ka bërë të ndihem si pjesë e familjes së tyre deri sot e kësaj dite. Pa një miqësi të tillë zor se do të kryeja editimin e lëndës së Pipës.

– Vepra e Arshi Pipës paraqet disa vështirësi për një botues si: përkthimi nga gjuhët e tjera ku janë botuar fillimisht, kërkimi në arkiv, sistemimi i materialeve për botim, aq më tepër në mungesë të autorit. Si ia keni dalë që të realizoni gjithë këto botime?

E vërtetë. Përveç dy librave të parë të botuar, të përmendur më sipër, shtatë librat e tjerë që pasuan  («Montale dhe Dante” 2007; “Stalinizmi Shqiptar” 2010; “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste” 2010; “Skicë e një konceptimi mbi jetën (plotësuar me) Mbi Gjeniun” 2011, 2020; “Trilogjia Albanika (e përbërë nga): I. Vargu folklorik shqip: ndërtimi dhe gjinitë, II. Jeronim De Rada, III. Letërsia shqipe: perspektiva shoqërore” 2013), duheshin përkthyer nga origjinali në italisht dhe ai në anglisht, brenda të cilit kishte raste që ndërthureshin edhe gjuhë të tjera. Gjetja e përkthyesit dhe ujdia me të ishte përgjegjësi e Myftarit.

Puna ime fillonte pasi merrja tekstin e mbaruar së përkthyeri deri me shpërndarjen e librit. Natyrisht që në koordinimin e punës midis palëve, në hapat rishtarë të botimeve ka pasur edhe gabime, për të cilat jam bërë e ndërgjegjshme më vonë. Në këtë kuptim, përkthimet dhe botimet e para (2007, 2010) u shoqëruan me entuziazmin ndaj veprës së Pipës dhe me ngutjen për t’u botuar fjala e tij e munguar, gjë që më vonë solli domosdoshmërinë e rishikimit të përkthimit, si edhe të ribotimit. Këtë fat e pati “Stalinizmi Shqiptar”, ndërsa “Montale dhe Dante” së fundmi është futur në proces të rishikimit të përkthimit, i cili gjatë ribotimit do shoqërohet edhe me letërkëmbimin Montale-Pipa.

Përveç këtyre të dyjave, “Politika e gjuhës në Shqipërinë Socialiste”, sipas meje, për shkak të qasjes së saj dhe shtjellave të debatit historik mbi standardin, dialektet gege e toske, ka një ngërç editorial, i cili mendoj se duhet shmangur në një ribotim të mundshëm: pas disa diskutimeve midis Myftarit, përkthyesit Primo Shllaku dhe motrave të Pipës, znj. Fehime dhe znj. Nedret, u ra në ujdi që libri të botohej në shqipen gege dhe atë të standardit. Dhe ashtu u botua. Pas tij, vijoi puna me botimin e dorëshkrimit “Abbozzo di Una Concezione Della Vita, Seguita da Il Genio: Prigione di Burrel, 1955”. Përkthimi u mor përsipër nga motra e Pipës, znj. Nedret. Përpunimi dhe editimi i lëndës në shqip dhe në italisht ishte një bashkëpunim shumë i mirë ku u përfshi puna e bërë nga Myftari, znj. Nedret, një diplomat italian (mik i familjes Kalakulla), Prof. Dr. Ardian Marashi, Prof. As. Dr. Merita Sauku Bruci dhe unë.

Ky botim u kurorëzua me mbajtjen e një konference të mirëfilltë shkencore, të organizuar nga M.Gjana dhe A.Marashi, ky i fundit, atëkohë, Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Në këtë konferencë kumtuan Mgr. M. Gjana, Prof. Dr. Ardian Marashi, Prof. As.Dr. Merita Sauku Bruci, Prof. Dr. Hysamedin Feraj, Dr. Elvis Hoxha, Dr. Ermal Hasimja, Prof. As. Dr. Mark Marku, Dr. Virion Graçi, Amik Kasoruho (mik dhe nxënës i Prof. Pipës) dhe përkthyesja Nedret Kalakulla. Për aktet konferenciale, nuk u krijua mundësia që ato të botoheshin. Në lidhje me kërkimin në arkivin “Pipa” dhe sistemimin e materialeve për botim, një pjesë e mirë pune paraprake dhe e mahnitshme ka qenë bërë nga vetë Prof. Arshiu dhe një pjesë tjetër, po në atë frymë, ka qenë bërë nga motrat Pipa, znj. Nedret dhe znj. Fehime, bashkëpunimi me të cilat ka qenë si një shkollë më vetë për mua. Përmes këtij bashkëpunimi, që më pajisi me mënyrën e jetesës së familjes Pipa dhe me metodikën e tyre të punës, arrita që të kryej botimin e amanetit të Pipës, veprën “Trilogjia Albanika”, me ndjesinë që, kur punoja, Prof. Pipa mbikëqyrte punën time.

Nga kjo lloj klime u arrit të gjendeshin gabime të llogaritjeve metrike ose të ndonjë gabimi të shkrimit në shqip, të shpëtuar gjatë botimit gjerman. Kam bindjes se vepra, në mos tërësisht, është shumë afër vullnetit të autorit. Gjithashtu, ky botim u vlerësua me çmimin Kombëtar të Bibliofilisë, «Lumo Skëndo 2013”, me motivacionin si “një botim që harmonizon vlera të çmuara intelektuale, estetike e bibliofilike, duke pasuruar me hijeshi e dije, Bibliotekën Albanologjike”. Sidoqoftë, krahas vlerësimit të punës sime me shkrimet e Pipës, i kërkoj ndjesë lexuesit për të metat që ndesh, me të njëjtat fjalë që Pipa i citoi nga vepra “Cuneus Prophetarum” (Çeta e profetëve) të Bogdanit, shkruar te Parathënia e veprës “Trilogjia Albanika I, Vargu folklorik shqip: ndërtimi dhe gjinitë”: “Si qua videbuntur casu non dicta latine, In qua scribebam, barbara terra fuit.” (Nëse këtu do të hasni ndonjë fjalë që unë ta kem shkruar E latinisht s’tingëllon, në dhe të huaj jetova.)

– Para ca kohësh ju botuat edhe një autor të rëndësishëm si Zef Zorba, në 100 vjetorin e tij, apo poetin Frederik Rreshpja. Po ashtu keni botuar edhe një vëllim me tregime të autorëve relativisht të rinj, por që janë nga veriu apo Kosova. A mund ta dimë se çfarë ju tërheq më shumë nga autorët veriorë? Është ky një synim i juaj apo rastësi?

Fillimisht, në lidhje me botimin e veprës poetike të Zorbës, dëshiroj të bëj një sqarim: për shkak të gjendjes së pandemisë, botimi ka mbetur pezull dhe pritet të mbyllet gjatë gushtit. Po nga kjo gjendje, me vonesë arrita të ribotoja veprën filozofike “Skicë e një konceptimi mbi jetën; Mbi gjeniun” nga Pipa, vëllimet poetike “Duke kërkuar Itakën” nga Rreshpja dhe “Lule nate” nga Primo Shllaku, projekte këto që zunë fill nga janari i këtij viti. Siç duket, jo vetëm këta autorë, por edhe gjithë autorët e tjerë shqiptarë të botuar nga ‘Princi’, përveç Virion Graçit dhe Romeo Çollakut, janë të lindur dhe të rritur në veri, në Kosovë apo Shqipëri qoftë.

Sigurisht që ka qenë ndikimi dhe njohja e Myftarit që ka përcaktuar në njëfarë mënyre linjën e botimeve deri në vitin 2016. Kjo gjë padyshim që ka ndikuar në formimin tim estetik, aq sa po e shpreh me shaka dhe në mënyrë figurative: – Po të më duhej të flisja shqip me një ufo, do zgjidhja të flisja në gegnisht, por unë nuk di të flas kësisoj. – Po të më thuhej “shko në një vend se një qenie e padukshme do vij dhe do të t’japë jetë”, atëherë do shkoja në Prizren.

– A mund të na thoni disa nga projektet e ardhshme të botimeve “Princ”?

Me thënë të drejtën nuk e di se çfarë mund të më sjellë jo vetëm e ardhmja, por edhe çasti. Sidoqoftë, ngulem fort te puna e përditshme dhe shpresoj… shpresoj se në të ardhmen e afërt do të botoj librat që janë në proces: “Letërkëmi CAMAJ-PIPA, 1959-1992” gjatë gushtit. Në vijim të tij, “Estetika si shkencë e shprehjes dhe gjuhësisë së përgjithshme: Teoria dhe Historia” nga Benedetto CROCE (përkthyer nga Zef Zorba dhe Alfred Bushi), “Politikë dhe letërsi: paradigma Gramsci” nga Arshi PIPA (përkthyer nga Majlinda Bashllari, me pasthënie nga Hektor Çiftja), ribotimi i traktatit estetik “Mbi Pikturën” nga Leon Battista ALBERTI (përkthyer nga unë), si edhe përmbledhja e gjithë veprës poetike të Lisandër Kolës. Pas këtyre, do të isha shumë e lumtur po të mbaroja botimin e tezës sime doktorale, të cilën e mbrojta në tetor 2019, si edhe veprën “Estetika: Leksionet mbi Artin” nga HEGEL, përkthyer prej meje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.