OPINION

Asimetri diplomatike me Greqinë

09:00 - 08.08.20 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk e kemi fjalën për asimetri që vijnë nga sipërfaqja gjeografike dhe popullsia greke pesë herë më të madhe se e jona; apo se Greqia ka kohë në BE, krahas fuqisë së saj politike, ekonomike dhe ushtarake; as se nga 7 korriku 2019 në Athinë drejton e vetme një qeveri e djathtë, kurse në Tiranë «Rilindja» me konsum mbi 7-vjeçar pushteti. Jo, jo, fjala është për disbalanca të mëdha në politikën e tyre të brendshme dhe të jashtme që janë shtuar dy vitet e fundit në disfavorin tonë.




Këto asimetri në rritje shpjegohen kryesisht me dinamikën e ngadalshme politiko-diplomatike shqiptare. Ja, vjet në Tiranë pamë largimin e Ambasadores greke me një dekoratë të lartë nga Presidenti Meta. Ndërsa Ambasada dhe Konsullata jonë në Athinë dhe Janinë «pushtuan» faqet e para të medias pas plaçkitjes së 100 pasaportave shqiptare dhe dukurive të tjera, me masat dhe shkarkimet e rastit. Tre javë më parë u bë shkarkimi publik i Ambasadores sonë dhe stafit dhe caktimi «blitz» i pasardhëses në Athinë. Sado e drejtë, mënyra dhe forma si u bënë këto veprime i theksojnë më tej këto asimetri; fare mirë mund të ishte bërë lirimi nga detyra i Hobdarit, sipas ligjit dhe gjërat sqaroheshin në Tiranë. Veç kësaj, dhe pasardhësja e saj, kryesisht për mungesë përvoje, sidomos për një pozicion dhe moment të tillë nuk shton gjë në staturën e nevojshme të një Ambasadoreje në Athinë; ca më pak krahasuar me kryediplomatët tanë të mëparshëm «par excellence» në Athinë, të karrierës ose dhe politikë.

E pra, veç këtyre, shumë pak lëvizje dhe takime të larta nga Trana gjatë kësaj periudhe, hiq dy takime kortezie me homologun e vet grek vjet në Nju Jork dhe në «zoom» gjatë pandemisë.

Pa mohuar hapat dhe arritjet, Tirana zyrtare në dy vitet e fundit është mbizotëruar nga lajme dhe perceptime negative krizash dhe konfliktesh të brendshme politike. Vitin e kaluar opozita dogji mandatet parlamentare, bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit, u përfshi në protesta të dhunshme, etj. Por edhe shumica parlamentare ka ndërmarë hapa dhe veprime që kanë acaruar tej mase klimën politike brenda vendit. Në planin ndërkombëtar, arritja jonë këtë vit është kryesimi i OSBE-së, por për shkak të koronës pa ndonjë jehonë të prekshme, madje me rrezik për ndonjë bumerang politik, sidomos nëse negociatat me BE-në nuk çelen këtë vit; ndërsa «Mini-Schengen» lindi qysh në fillim «i vdekur» dhe nuk ka si të ndodh ndodhë ndryshe kur liderët tanë nuk meren dot vesh mes vedi.

Krejt e kundërta ka ndodhur në Greqi. Pas kapërcimit të krizës së rëndë financiare dhe Marrëveshjes historike të Prespës, ajo zhvilloi me sukses zgjedhjet evropiane, lokale dhe kombëtare më 7 korrik 2019, të cilat sollën dhe ndryshimin e madh me ardhjen në pushtet të «Nea Demokracia»

Vlen të theksohet qysh në fillim se qeveria e re greke hartoi dhe vuri menjëherë në zbatim strategjinë e saj të re tërësore «ripozicionimi» me logon «Greqia vend krijues, novator dhe i zhvillimit ekonomik e kulturor, që ofron një cilësi të dallueshme jetese, duke respektuar dhe mjedisin»

Ky «ripozicionim» përfaqëson një markë të re të imazhit dhe perceptimit publik për Greqinë, jo thjesht dhe vetëm si atraksion turistik, por si vend që ka dalë nga kriza me shumë mundësi zhvillimi në të gjitha fushat. Në kuadrin e «Greqia krijuese» ajo ka krijuar për herë të parë në ekip elitar të drejtuar nga politikani i njohur Steve Vranakis, i cili në më parë ka drejtuar në Londër ekipin krijues të «Google Lab» Më 26 korrik, kur Mitsotakis i dha shtetësinë greke hollivudianëve tve të famshëm, Tom Hanks dhe Rita Wilson me foton e tyre që bëri «xhiron e botës».

Në vijim të kësaj strategjiee, në vizitën e parë jashtë vendit në Nju Jork shtatorin e kaluar, Misotakis u takua me sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo me të cilin në Tetor konfirmuan në Athinë «Dialogu strategjik» me pesë shtylla kryesore: bashkëpunimi rajonal, mbrojtja dhe siguria, zbatimi i ligjit& lufta kundër terrorizmit, energjitika& investimet dhe kontaktet njerëzore. Me atë rast, Pompeo nxiti Greqinë «të bëhet lider në Ballkan»

Greqia i forcoi pozitat dhe në institucionet drejtuese të BE-së. Ajo ka një Komisioner dhe më të fuqishëm, Margaritis Schinas. Për herë të parë një Eurodeputet grek i «Nea Demokracia» është Kryetar i Komitetit të Stabilizim – Asociimit me Shqipërinë. Komisioni Evropian dha vlerësime pozitive për Greqinë lidhur me arritjet në fushën ekonomike, duke ofruar stimuj të tjerë fiskalë dhe financiarë.

Tani së fundi, në Samitin e BE-së në Bruksel më 17 – 21 korrik, Kryeministri energjik mjaft popullor, Mitsotakis mbështeti Merkel me Macron. Greqia përfiton 32 miliardë euro nga Fondi i Rimëkëmbjes i miratuar atje. Greqia hyri në nismës kineze ballkanike 17+1. Gjatë muajve të fundit, qeveria greke ka vepruar efektivisht në bashkëpunon me BE-në për zgjidhjen e krizës së azilit, duke dhënë një ndihmesë tejet të vlerësuar.

Gjatë kësaj periudhe Kryeministri Mitsotakis vështirë të ketë lenë metropol pa shkuar : në Washington, Bruksel, Paris, Londër, Berlin, Romë dhe gjetkë. Me 4 Nëntor ishte në Kinë dhe me 60 afaristë, në përpjekje për t’i dhënë një impuls të ri biznesit dypalësh. Një javë më vonë, më 10 Nëntor zbriti në tokën helene për një vizitë tre ditore Presidenti kinez Xi Jiping, i cili firmosi 16 marrëveshje ekonomike dhe tregtare, ku bie në sy Porti i Pireut i blerë nga gjigandi kinez COSCO. Gjithashtu, Greqia hyri në nismës kineze ballkanike 17 +1.

Megjithatë, Greqia vazhdon të jetë aktive në Ballkan me disa forume, samite dhe veprimtari, përfshirë formatin katërpalësh Greqi, Rumani, Bullgari dhe Serbi

Ky aktivitet intensiv i politikës dhe diplomacisë greke vërehet dhe ndaj nesh. Kështu, Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm grek, veç deklarimeve publike në disa raste kanë takuar në Athinë krerët e Omonias dhe të Partisë «Bashkimi i të Drejtave të Njeriut», ku i kanë siguruar për të drejtat e pakicave dhe të pronës, etj. Greqia na dha mbështetje për shmangien e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit dhe për «Po»-në e negociatave ; edhe pse kontribuoi me shtimin e të paktën dy, prej 15 kushteve. Së fundi, ajo njohu lejet e drejtimit të automjeteve tona dhe ka zgjatur afatin për puntorët sezonalë në Greqi, etj.

Vetëkuptohet se kjo epërsi e ndjeshme e politikës dhe diplomacisë greke paraqet sfida të mëdha për analoget e saj në Shqipëri. Natyrisht pa kurfarë droje dhe përulje, por me kujdes, duke shmangur qëndrimet e tipit «wishful thinking » apo dilentizmin diplomatik dhe që të mos i «biem murit me kokë».

Faktor tjetër kryesor që na dikton të jemi të matur dhe pragmatistë, veçse pa humbur kursesi frymën e parimeve dhe objektivave tona janë dosjet e nxehta ku spikatin çështja Çame, Ligji i Luftës, Varrezat dhe në veçanti Çështja e Detit. Mesa duket, kjo e fundit është përvëluese për të dyja palët, por sidomos ne ajo na qëndron si «Shpata e Demokleut» mbi kokë. Synimi këtu mbetet mirëkuptimi për një marrëveshje të drejtë dhe të balancuar, veçse jo me çdo kusht dhe çmim, e ca më pak në dëm të interesave tona.

Gjithsesi, përpara se të shkohet në tryezën e negociatave të vështira, kërkohet një konsensus sa më i madh dhe mbipartiak në të gjitha drejtimet lidhur me platformën, objektivat, metodat dhe ekipin negociator. Aq më tepër ur tre muajt e fundit Greqia ka bërë disa lëvizje ndërkombëtare në fushën e Derit; në Qershor ajo nënshkroi Marrëveshjen për Zonat Ekskluzive Ekonomike me Italinë dhe ka filluar negociatat me Egjiptin ; prtiet të vijojë me Izraelin, madje dhe me grupin rebel të Haftarit në Libi, duke iu kundërvënë Marrëveshjes së ngjashme të Turqisë me qeverinë e Libisë të njohur nga OKB-ja. Greqia gëzon mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve pas incidenteve/tensioneve në Mesdheun Lindor lidhur me tentativa për kërkime nafte nga Turqia. Ndërkohë, Ministri i jashtëm grek ka njoftuar se pas tyre, do të rifillojnë negociatat me Shqipërinë. Megjithë këto kambana alarmi, te ne mbretëron heshtje e plotë dhe ku nuk bëhet fjalë për informim publik.

Në këto rrethana, mendojmë se është momenti t’i kthehemi « lojës me top me presing në të gjithë fushën » dhe me kujdes në mbrojtje, që të mos pësojmë ndonjë « autogol ». Veç kësaj, topin » duhet ta luajnë të gjithë « lojtarët » dmth aktorët dhe faktorët e diplomacisë zyrtare, POR, bashkë me ata parlamentarë, ekonomikë, publikë, kulturorë, qytetarë, etj.

Tejet e rëndësishme që «fantazisti» në fushën e lojës duhet të jetë diplomacia jonë zyrtare, deri tani tejet e varfër dhe me fare pak hapësirë veprimi. Nuk kemi parë e dëgjuar në gati dy vjet për takime ambasadorësh, drejtorësh politikë, sekretarësh të Përgjithshëm, grupe pune, etj. Atëhere lind pyetja se ku dhe si bëhet «matja e pulsit», kolaudimi i qëndrimeve, formësimi i opinioneve, alternativave të ndryshme dhe « ushqimi » i opinionit publik ; që pastaj «më të mëdhenjtë» në Tiranë e Athinë të kenë çfarë të thonë e të vendosin kur takohen?

Sepse vetëm kështu mund të arrihet natyrshëm që të konceptohen, hartohen dhe kopsiten qëndrimet tona minimale dhe maksimale për dosjen me Greqinë, duke i ndarë veç e veç, por jo artificialisht dhe jo «të gjitha vezët në një shportë» siç u veprua gabimisht me negociatat e ndërprera dy vitet e fundit.

Gjithashtu, diplomacia jonë ka shumë më tepër mundësi të shfrytëzojë koniunkturat e ndryshme politike, sidomos marrëdhëniet tona me SHBA-të, Italinë dhe Turqinë si aleatë strategjikë; kështu, nuk do të biem pre e lëshimeve pa ndonjë rezultat dhe në dëm të kohezionit tonë të brendshëm.

Krahas diplomacisë zyrtare janë dhe një sërë aktorësh të tjerë që ndikojnë ndjeshëm në krijimin e frymës, klimës dhe terrenit të duhur për zgjidhjen e problemeve të mbetura pezull dhe përparimin e mëtejshëm si dy vende fqinj dhe miq; për momentin kjo klimë dhe terren janë të «helmatisura» nga disa akte ekstremiste dhe dashakeqe e që synojnë të na mbajnë peng.

Për këtë kërkohet gjallërimi i këtyre dimensioneve, duke filluar nga intensifikimi i diplomacisë parlamentare, në veçanti me grupet dypalëshe të miqësisë. Format dhe mundësitë e parlamentarizmit janë të shumta dhe me shumë rezerva të pashfrytëzuara, ku vitet e fundit Kuvendi ka krijuar përvojë pozitive.

Për të kaluar te diplomacia publike, kulturore dhe ajo qytetare, ku fare pak ndihen e shihen shoqëria civile, think tanket,OJQ-të, komuniteti akademik, etj. Rikujtojmë me këtë rast se «diplomatët» e parë dhe efektivë që promovuan marrëdhëniet e sapovendosura diplomatike pas vitit 1972 ishin volejbollistët elitarë të «Dinamo» me ndeshjet në Athinë që u kthyen në festa, Ansambli ynë i Këngëve dhe Valleve, Shkrimtari ynë i madh Kadare që pas kthimit nga Athina shkruante siç di ai për rrezatimin e qytetërimit helenik dhe miqësinë tonë të lashtë dhe artistë të tjerë. Këtë frymë dhe atmosferë vazhduan ta sillnin nga mesi i viteve 70 e në vazhdim legjenda tjetër e gjallë e muzikës greke Marinela, koleget/kolegët e saj me koncertet e paharrueshme kudo në Shqipëri.

Ndërsa vitet e fundit po ndodh e kundërta, të dyja palët «janë mbyllur në portë, duke u lënë terren të lirë veprimi për të vepruar sipas qejfit elementëve provokatorë, dashakeqës, ekstremistë, etj. Theksojmë se këto forma pune janë të domosdoshme për të ushqyer vazhdimisht besimin dhe mirëkuptimin e nevojshëm, duke siguruar terrenin e duhur për një reagim pozitiv bashkë me mbështejen për propozimet dhe lëvizjet e ardhëshme shqiptaro – greke.

Së fundi, një sugjerim praktik; nisur nga rëndësia e këtij dialogu,  sfidat specifike dhe momenti aktual, mund të ndihmonte caktimi i një të Dërguari të Posaçëm të Kryeministrit/Ministrit të Jashtëm ; i cili mund të ishte diplomat i lartë nga MPJ-ja, apo ish-ministër i Jashtëm/Ambasador karriere, që e njeh mirë dosjen. Ai do të bashkërendonte dhe aktivitetet/ dimensionet e lartpërmendura.

 

 

 

          


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.