Kryesore

Maqedoni e Veriut, 41 të vdekur dhe 1,022 të infektuar me COVID-19

22:00 - 28.11.20 Gazeta Shqiptare

Maqedonia e Veriut të shtunën ka shënuar rekord të ri sa i përket numrit të viktimave me COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi.



Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 41 të vdekur dhe 1,022 të infektuar nga testimi i 3,127 mostrave në 24 orët e fundit.

Sipas raportit, viktimat janë: 17 në Shkup, nga katër në Ohër dhe Gostivar, nga tre në Manastir dhe Strumicë, nga dy në Veles dhe Prilep dhe nga një në Kavadar, Radovish, Koçan, Probishtip, Kërçovë dhe Vallandovë.

Me këto viktima numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur betejën me COVID-19 ka arritur në 1,699.

Sa u përket të infektuarve, numri më i madh i rasteve të reja është regjistruar në Shkup, gjithsej 463 raste të reja.

Raporti i Ministrisë së Shëndetësisë njofton edhe për 680 persona të shëruar.

Numri i personave të diagnostikuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 60,723 persona, prej tyre 37,505 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 21.519.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të premten deklaroi se gjendja në këtë vend me pandeminë, ka nisur të stabilizohet.

Filipçe tha se piku vjeshtor i numrit më të madh të të infektuarve brenda një dite ishte regjistruar më 17 nëntor me 1,407 persona të infektuar. Ai kishte bërë të ditur edhe për uljen e fuqisë së transmetimit të infektimit nga një njeri te tjetri.

Ministria e Shëndetësisë ka hedhur poshtë edhe një kërkesë të Prilepit për vendosjen në karantinë të këtij qyteti për shkak të numrit të madh të të infektuarve.

Ministri Filipçe ka thënë se për momentin nuk ka nevojë për masa të reja, jo vetëm në këtë qytet por askund tjetër në shtet, meqë sipas tij masat që janë në fuqi kanë nisur të japin rezultate.

Aktualisht në spitalet e vendit janë rreth 1,300 persona që po trajtohen nga sëmundja COVID-19.

Shumica prej tyre janë në oksigjenoterapi.

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.