OPINION

Etikë diplomatike, jo përbaltje publike!

09:58 - 18.02.21 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në një takim me ambasadorë të huaj në Versajë, Bonaparti që i kishte «halë në sy diplomatët» pyeti me inat dhe tone të larta ambasadorin austriak, Kontin Metternich:




«Po ai, Perandori juaj, çfarë dreqin pret nga unë»? Metternich, ministri i ardhshëm i Jashtëm për 38 vjet dhe Kancelar për 26 vjet rresht, iu përgjigj me qetësinë e tij shpartalluese: «Ai pret nga ju që vetëm të silleni mirë, Madhëri!». Kaq mjaftoi dhe Bonaparti heshti. Ky rast flet për rëndësinë e dorës së parë që ka etika dhe mirësjellja diplomatike; në fakt, ajo karakterizon jo vetëm trupin diplomatik, por dhe liderët politikë në marrëdhëniet me të huajt. Ja pse, Bismark, ndonëse njihej si «Kancelar i hekurt» prapë këshillonte: Sillu mirë, shkruaj në mënyrë diplomatike, se dhe në një deklaratë lufte respektohen rregullat e mirësjelljes».

Edhe politika me diplomacinë tonë në 30 vitet e fundit kanë hedhur dhe konsoliduar baza dhe tradita pozitive në këtë fushë. Megjithatë, vërehen, madje disi shpesh shfaqje të pakëndshme në marrëdhëniet me të huajt. Le ta shohim konkretisht këtë shqetësim, duke u përqendruar më shumë tek institucioni i Kryeministrit, si shefi real i shumicës parlamentare por dhe protagonist i jo pak rasteve që nuk kanë të bëjnë me etikën diplomatike.

Rikujtojmë qëndrimet e ashpra ndaj disa liderëve të Kosovës që kulmuan me padinë ndaj ish homologut Haradinaj, diçka e panjohur në praktikën ndërshtetërore e që më vonë u tërhoq «nga halli». Më tej, kur cilësohej «gomar» kushdo që kritikonte ish Presidentin Thaçi për tezat famëkeqe të kufirit dhe kur quhej «Fletë Rrufe» thirrja e Thaçit në Hagë. Apo kur etiketohej «çmenduri» që BE-ja nuk po liberalizon vizat për Kosovën e deri te mosprania në Kuvend kur fliste Presidentja Osmani!

Por, pa shkuar larg, le të vazhdojmë me rastet më të spikatura të këtyre dy muajve të fundit.

Në fund të dhjetorit, kryeministri Rama u shpreh me tone dhe gjuhë shumë të ashpër ndaj ambasadës ruse, kur ajo ofroi vaksinën «Sputnik». E pakuptueshme përse duhej refuzuar qoftë dhe në parim një ofertë e tillë, sidomos në situatën e rëndë të COVID-19, kur vende anëtare të BE-së po e marrin atë. Ca më tepër kur më 6 janar, Kancelarja Merkel e pranoi në parim vaksinën ruse dhe bashkëpunimin në fushën e pandemisë gjatë telefonatës me Presidentin Putin. Ndërsa më 5 shkurt, Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell përgëzoi publikisht në Moskë autoritetet ruse për performancën e kënaqshme të «Sputnik V». Gjithsesi, e keqja më e madhe nuk ishte «Jo-ja», por reagimi pa kurrfarë etike diplomatike dhe njerëzore, me stigmatizime fyese e deri në kërkim ndjese për një ofertë të tillë të autorizuar nga qendra! Doemos bëri mirë Kryeministri që e korrigjoi deri diku veten më vonë, por njolla dhe dëmi mbeten aty. Këtë etikë korrekte diplomatike e reflektoi pak më vonë MPJ-ja jonë në formulimin e Notës lidhur me dëbimin e një diplomati rus.

Po në fillim të vitit, kryeministri Rama iu «hakërrua» Francës, se demek i mbante stok e nuk na jepte vaksina! Se nga i kishte këto të dhëna askush nuk e di! Gjithsesi, le t’i marrim për një moment të mirëqena kritikat e tij «pa doganë» që e detyruan ambasadën franceze të reagonte si asnjëherë tjetër me një Notë pothuajse proteste! Por, a nuk mund të bëhej kjo kritikë më butë nëpërmjet kanaleve diplomatike, duke takuar ambasadoren, me një Notë dhe kanale të tjera komunikimi, përfshirë dhe ambasadorin tonë në Paris? Përse duhej një sjellje dhe gjuhë e tillë e padenjë ndaj një vendi të madh, bashkëthemelues i BE e NATO-së që na ka ndihmuar e na ndihmon aq shumë? Sidomos kur Franca si dhe vende të tjera ka kohë që është vetë në siklet më të madh se ne? Tirada e sulmeve për këtë «kurnacllëk» vijoi dhe ndaj BE-së, Komisionit, dhe disa vendeve anëtare, me thumba, etiketime dhe insinuata! Aq sa e detyruan ambasadorin Soreca të shprehte publikisht, por me përmbajtje diplomatike habinë e tij të madhe! Sërish, si në rastin e Francës, po i marrim të mirëqena këto kritika. Por pak kanale diplomatike, dy dhe shumëpalëshe kemi me BE-në për t’i shprehur ato në vendin dhe formatin e duhur? Veç ambasadave në vendet e tjera, në Bruksel kemi një përfaqësi dinjitoze, kompetente dhe të vlerësuar në çdo drejtim. Ndërsa në Tiranë, veç MPJ-së, kemi Kryesinë e Kuvendit që shquhet vërtet për marrëdhënie dhe qëndrime shembullore, që ka Këshilltar Special ish-Raporterin e Europarlamentit, social – demokratin Knut Fleckenstein me goxha njohje, etj.

Tani, në raste të tilla krizash në BE dhe kur ne po presim të na thonë «Hyr» në portat e negociatave, të dalësh «me shpatë në dorë» nuk shkon fare! Nëse kjo bëhet për të treguar «muskujt» dhe për përfitime politike brenda vendit, kujdes; sepse, siç thotë Kenedi mitik «nëse politika e brendshme të mund, e jashtmja të vret».

Në këto kushte dhe përballë këtyre përbaltjeve në shesh, duke injoruar kanalet diplomatike është e vështirë të kuptohet se ku kërkohet të dilet me këto qëndrime të pavend e të padenja për një vend si Shqipëria, përfituesja më e madhe e ndihmave e fondeve të BE-së dhe vendet e saj anëtare. Më tej, nuk mund të bësh me faj as ata që e lidhin nervozizmin kryeministror dhe me ndonjë qejfmbetje për mosçeljen e negociatave. Përderisa dhe nuk dëgjohet të flitet fare për kushtet demek të plotësuara dhe kërkohet që «dopio gjashta» t’i lihet në dorë BE-së apo disa vendeve të veçanta. Dakord dhe në këtë pikë deri diku, por sërish lind pyetja: përse nxirren në pazarin publik të gjitha dhe nuk shfrytëzohen mjetet, kanalet dhe sjellja e duhur diplomatike? Pastaj, pse nuk ndiqet një radhë apo hierarki, siç ndodh kudo e sidomos në politikën e jashtme d.m.th., fillimisht të lesh të tjerët, ministren e Jashtme me goxha përvojë, apo dhe zëvendësit e saj, të cilët nuk kanë «vërtet të sharë», por flet e shfaqesh vend e pa vend në këtë «fushë të minuar»? Dhe në vend t’i zbutë gabimet i trash dhe më keq me qëndrime që nuk kanë të bëjnë me diplomacinë se «nuk i heq asnjë presje pohimeve të mia…»?!!

Aspak si xhentëlmen iu «vërsul» dhe ambasadorit britanik se ç’i duhet atij që ndërhyn në zgjedhjet tona?!!! Kjo pyetje mund të bëhej në vitin 1945, por kurrsesi tani. Sepse dihet që zgjedhjet nuk janë çështje e brendshme, por parim themelor i OSBE-së, të cilën Rama e kryesoi vitin e kaluar e ku Britania ka peshë të madhe! Mjafton të përmendim faktin se dhe ambasadorja Audrey Glover, Shefja e Vëzhguesve Ndërkombëtarë në tri palë zgjedhje problematike tonat më 1996, 2015 dhe 2019 është Britanike!

Fushata e sulmeve me fjalor të papërshtatshëm ndaj BE-së ka vijuar dhe ndaj disa Eurodeputetëve gjermanë, siç qe rasti së fundi ndaj atij të PPE-së, zotit Michael Gahler; pas sugjerimeve korrekte në përgjigje të sulmeve të lartpërmendura dhe mosplotësimit të kushteve për çeljen e negociatave. Sërish, dhe duke mbajtur anën e qeverisë, këto reagime nuk kishin pse të vinin nga Kryeministri, por me formatin e duhur nga MPJ-ja dhe Komisioni i Jashtëm i Kuvendit. Por, dhe vetë Rama mund t’i përgjigjej me finesë dhe korrektësi diplomatike. Për më tepër, sepse zoti Gahler është Eurodeputetët me pesë mandate nga viti 1999, i CDU-së së famshme të Merkel dhe Koordinator i Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Ndihesh vërtet në sëkëlldi kur dëgjon se demek ata nuk «i njeh as lagja e tyre» ndonëse zgjidhen direkt e jo me lista! Apo kur i bëhet thirrje medias që të mos u lejë hapësirë “broçkullave” të tyre! Kur dihet se Europarlamenti është tribuna më e fuqishme morale në botë, që na është ndodhur pranë gjithmonë, dhe në vitin 1996 pas farsës/masakrës zgjedhore të 26/28 Majit!

Fare mirë Kryeministri apo dikush tjetër poshtë tij mund të ishte shprehur me respekt ndaj Europarlamentit dhe zotit Gahler, e ndërkohë «me lezet» të jepte fakte dhe argumente kundërshtuese, por pa e kthyer në «gurgule publike». Kësisoj, i lihet rruga e hapur tratativave të mëtejshme. Dhe më ofenduese ishte se demek Gahler e të tjerë si ai na u «furnizuakan» me info të gabuara nga Tirana, duke nënkuptuar opozitën. Kur dihet se Europarlamenti ka aq shumë burime informacioni sa nuk ta pret mendja! Dihet se më parë dhe më 2019, ai doli hapur kundër të djathtës shqiptare pas daljes sa saj nga Kuvendi, duke dënuar dhunën në protestat e saj. Pastaj, nëse puna ka arritur në atë pikë sa opozita shqiptare t’ua kthejë mendjen Eurodeputetëve, atëherë këtu belanë më të madhe e ka shumica parlamentare që mesa duket ka filluar të mos «ngjit» më te ndërkombëtarët.

Një «pickim» dhe pse më të lehtë Rama ia dha dhe ambasadës së SHBA-së, kur disa ditë më parë u tha gazetarëve se «nuk ka nevojë të më mësojë ambasadorja amerikane……» kur të njëjtin mesazh mund ta jepte me finesë dhe frymë afirmative.

Së fundi, në parim gjithkush qoftë dhe kryeministri mund të kritikojë dhe qortojë nga mëngjesi në darkë këdo, po, dhe BE-në. Madje kjo e fundit pritet të lançojë një diskutim të gjerë publik për reformimin e saj. Por, si kryeministër i një vendi që është ende shumë larg anëtarësimit në atë klub politik, ka plot mënyra të tjera më efikase dhe më diplomatike për t’i shprehur në forume, samite, takime dy dhe shumëpalëshe. Sepse, «të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt» jemi të vegjël dhe pa besueshmërinë e duhur, për shkak dhe të «zullumeve» tona në 30 vitet e fundit. Pastaj, ja shihni, edhe Presidenti Erdogan pas etiketimeve ofenduese ndaj homologut Macron dhe BE-së është tërhequr nga «istikami» duke treguar shenja/mesazhe afrimi e bashkëpunimi. Apo kryepopulisti italian Salvini që do çonte për skrap BE-në, tani «ka rënë squk si pula» ka hyrë në qeverinë e re dhe është prononcuar qartë në favor të BE-së së qytetarëve!

10 vitet e fundit, gjatë punës si diplomat në Bruksel më bënte përshtypje se kolegë belgë dhe të vendeve të tjera shumë më të mëdha pohonin me modesti se «si të vegjël» tregoheshin të rezervuar për kritika publike ndaj «të mëdhenjve». E pra, kur ne veprojmë ndryshe nga Belgjika më 11 milion banorë,  bashkëthemeluese dhe selia e BE-së, kjo do të thotë «të bëhet më i rëndë bishti se sqepari». Ndaj, pa përbaltje publike, më modestë dhe me mirësjelljen e duhur diplomatike, se «uthulla e fortë prish enën e vet», më mirë «urtë e butë e plot tigani».

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.