OPINION

Pritja e Lulzim Bashës nga kryeministrat sllovenë dhe kroat, një mesazh i qartë europian për shqiptarët

08:03 - 19.02.21 Mal Berisha
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këto ditë, z Lulzim Basha, lideri i opozitës shqiptare dhe kryeministri i ardhshëm i Republikës së Shqipërisë, ndërmori një tur të shkurtër vizitash në dy vendet mike të rajonit tonë dhe për fat anëtarë të Bashkimit Europian: Slloveni dhe Kroaci.




Në Slloveni z Basha u takua me kryeministrin e këtij vendi, i cili është edhe kreu i Presidencës së ardhshme të Bashkimit Europian, Janez Janša. Pasi e njohu atë me planin e tij të integrimit, angazhimin dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kryeministër i ardhshëm, palët ranë dakord që të koordinojnë veprimet për të përshpejtuar rrugën europiane të integrimit të Shqipërisë si interes i çdo shqiptari dhe destinacioni i vetëm i vendit tonë.

Ndërsa në takimin e z. Basha me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, si dhe me ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të qeverisë së Republikës së Kroacisë, z. Basha i njohu ata me platformën e tij të integrimit. Ai iu shprehu atyre vullnetin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Europian. Ky proces do të sjellë për Shqipërinë fonde të mëdha për bujqësinë, biznesin e vogël dhe të mesëm, sipërmarrjet e të rinjve dhe standarde demokratike. Bashkëpunimi në sektorin e turizmit duke marrë eksperiencën dhe modelin më të mirë kroate për një rritje ekonomike dhe punësime ishte temë e bisedimeve.

Këto dy vende mike realizuan anëtarësimin në BE falë përpjekjeve serioze për zbatimin, më së pari të standardeve demokratike europiane, multipartitizmin, zgjedhjet e lira, reformat e ekonomisë së tregut të lirë dhe barazinë e të gjithë qytetarëve përpara ligjit. Anëtarësimi i këtyre vendeve në BE madje edhe pranimi në një ditë me vendin tonë i Kroacisë në NATO, përbënin dhe përbëjnë një model sesi edhe vendi ynë mundej, duhej dhe mund e duhet edhe sot, të ndjekë rrugën e tyre drejt integrimit europian pavarësisht stanjacionit tetëvjeçar që i ndodhi Shqipërisë, si një aksident historik.

Ishin këto pika të kontaktit që bënë që kryeministrat e këtyre dy vendeve, dhe vendeve tjera europiane në vijim, të prisnin këto ditë dhe të presin në të ardhmen, liderin e opozitës shqiptare z. Lulzim Basha, në formate të plota zyrtare. E tërë kjo, e parë në perspektivën e zhvillimeve shumë serioze dhe jashtëzakonisht të rëndësishme që e presin Shqipërinë që tani, e sidomos mbas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Kur shohim se Basha u prit si një kryeministër nuk kemi parasysh thjesht dhe vetëm atë që tani shihet si një rrotacion i domosdoshëm politik. Kjo, jo për hir të standardit tetëvjeçar të qeverisjes, që tani është bërë si një traditë. Jo! Rrotacioni nuk është diçka që vjen vetiu për forcë zakoni! Rrotacioni vjen sepse gjërat duhen ndryshuar në themel, në përmbajtje, në mënyrën e qeverisjes.

Ky ndryshim ka të bëjë me konceptin mbi qeverisjen që ka z. Basha. Me qeverisje ai nuk nënkupton sundimin personal, pushtetin e të fortëve, dhunën ndaj të vobektit, dhunën policore ndaj intelektualëve dhe medias dhe as gjoba e taksa të larta ndaj të varfërve. Ai nuk e pranon kategorikisht favorin ndaj të pasurit, rrëmbimin e pronave bazuar në ligje të stisura si ajo që ndodh sot me një mazhorancë false, urdhra ekzekutivë dhe makinacione të pafundme, që i hapin rrugën përvetësimit të pasurisë kombëtare nga një grup i vogël njerëzish të afërt me pushtetin, vjedhjen në tenderë pa konkurrencë, luks zyrash dhe makina luksoze, trefishim pasurish për ministrat dhe deputetët, ekonomi informale dhe as shkatërrim të institucioneve kulturore me vlerë kombëtare etj. etj.

Rrotacion do të thotë mbajtje premtimesh, fonde për shëndetësinë dhe jo vjedhje me koncesione, kujdes për studentët dhe jo karta false. Rrotacion nuk do të thotë gënjeshtra elektorale dhe mos mbajtje e premtimeve, por do të thotë ardhje në pushtet i një kategorie njerëzish patriotë që iu dhemb për vendin tonë, që mendojnë për mirëqenien e të gjithëve dhe jo vetëm të një grushti të vogël; do të thotë përfaqësim në drejtimin e qeverisë nga të gjitha trevat e vendit dhe jo përjashtimi i gjysmës së atdheut nga e drejta e përfaqësimit në organet ekzekutive; do të thotë një qeveri e re dhe një kryeministër, i cili kujdeset për Kosovën dhe jo për Serbinë; do të thotë ardhje në detyrë i një grupimi politik që ka në agjendën e vet integrimin europian. Ky i fundit do të thotë detyrim ligjor ndaj kujtdo që mban poste publike që të veprojë sipas standardeve demokratike europiane; do të thotë kufizim deri në masën zero i mundësive për korrupsion dhe jo siç ndodhi këto tetë vjet.

Rrotacioni është momenti kur ndahet e keqja që do ikë bashkë me të ashtuquajturën Rilindje, me të mirën që po vjen dhe që sjell lirinë e dëshiruar shumicës së shqiptarëve sot.

Basha u prit në ato dy vende mike demokratike dhe sjell me vete mesazhet e mëposhtme tek qytetarët tanë:

Shqipëria është vend mik i Perëndimit. Shqipëria është vendi i popullit më pro -perëndimor në Ballkan. Shqipëria nuk është Edi Rama, i cili e ka adresuar akrepin orientues të busullës në drejtimin e kundërt me atë që dëshiron populli shqiptar!

Kjo vizitë tregon qartë se kush është njeriu i perëndimit në Tiranë. Edhe tani, në pak më shumë se dy muaj përpara se të vijë në pushtet: Ai është Lulzim Basha. Pasi ky e flet qartë gjuhën e Perëndimit, është edukuar në Perëndim, sillet dhe vepron si demokrat perëndimor. Një demokrat që nuk ushtron bullizmin as me mediat as me qytetarët e vendit të vet. Një lider që me thjeshtësinë e vet sfidon “modën” e simboleve të kravatave dhe maskave.

Kjo tregon qartë se kush është njeriu i Perëndimit në Tiranë: Është Lulzim Basha dhe definitivisht, jo, Edi Rama.

Basha ka besueshmërinë e kërkuar nga partnerët tanë perëndimorë, ka qëndrueshmërinë dhe konsistencën në veprimet që ndërmerr. Basha është partneri i përhershëm i BE–së. Ai është bashkëpunëtori i shkëlqyeshëm i drejtuesve të vendeve të BE–së, gjë që e ka dëshmuar kur ishte ministër i Brendshëm dhe i Jashtëm. Në rekordet e tij bëjnë pjesë dy nga arritjet më të mëdha të të gjitha qeverive shqiptare që janë: Anëtarësimi Shqipërisë në NATO dhe lëvizja e lirë e qytetarëve tanë në zonën Shengen. Të dyja këto kanë rëndësi jetike për ne shqiptarët. E para sepse Shqipëria dhe për efekt direkt Kosova, hynë nën ombrellën e mbrojtjes strategjike të aleancës më të madhe politiko ushtarake që njerëzimi ndonjëherë ka krijuar – NATO.

Së dyti, shqiptarët nuk duhet të harrojnë, madje duhet të kujtojnë me respekt atë se kush ishte Ministri dhe qeveria që ai përfaqësonte, që ua hoqi qafe sekserët e ambasadave dhe korrupsionin e lidhur me vizat për në vendet e zonës Shengen!? Ishte ajo qeveri dhe ministri që tani pritet si kryeministër në qarqet perëndimore, ende pa u bërë zgjedhjet, që e arriti këtë: Lulzim Basha.

Pritje të tilla sot janë shumë të rralla edhe për krerët e shteteve, në të gjithë botën. E megjithatë, bash në këtë kohë pandemie, u gjet koha për të pritur z. Basha. A është rastësi kjo apo një prelude i asaj që bota perëndimore e sheh me sytë e vet se do të ndodhë së shpejti në Shqipëri?

Rrotacion!

Programi i detajuar i lëshuar nga vetë z. Basha ditët e fundit, duket se është lexuar shumë mirë nga partnerët perëndimorë pasi përmban plane të detajuara për zhvillimin e Shqipërisë, bazuar jo në favoret ndaj miqve, siç ka ndodhur këto tetë vjet të qeverisjes rilindase, por në të drejtën e ligjshme të konkurrencës.

Bisedat me kryeministrin kroat për zhvillimin e turizmit dhe me atë slloven për lehtësirat ekonomike dhe thithjen e investitorëve të huaj, gjatë takimeve në ato dy shtete, e vërtetojnë këtë më së miri.

Basha, në mandatet e tij si ministër në qeverinë demokratike 2005 – 2013 ishte jo vetëm një luftëtar i paepur kundër krimit të organizuar, një mik e bashkëbisedues i denjë i partnerëve europianë, por edhe një partner i besueshëm që atë që thoshte e realizonte.

Ai e kuptonte atëherë dhe e kupton sot edhe më mirë, se politika jonë e jashtme është tërësisht e varur nga ajo e brendshme, se nuk mund të kërkosh integrim kur e përzë popullin tënd nga trojet e veta, pasi i ke ngushtuar të tëra hapësirat e ekzistencës, siç ka ndodhur këto tetë vjet në Shqipëri. Basha nuk është ai që fajëson Europën, siç bën kryeministri i sotëm në ikje, por njeriu që me një politike të qartë, do e çojë Shqipërinë drejt integrimit të pashmangshëm.

Basha i ka venë një limit dëshirës dhe gatishmërisë për pushtet prej jo më shumë se dy mandatesh, për veten e vet. Kjo do të thotë garantim i votës së lirë, i zgjedhjeve të lira, i medias së lirë, i të tëra lirive të individit që çdo qytetar europian gëzon sot.

Basha është njeriu i vlerave evropiane.

Prandaj rrotacioni nuk është një koncept abstrakt as një zëvendësim rutinë i qeverisjes dhe pushtetit.

Rrotacioni është sot më shumë se kurrë një nevojë jetike që ndjejnë shqiptarët për një qeverisje të drejtë ndaj tyre. Po aq është një kërkesë e evropianëve që e shohin kombin më të vjetër të Europës të tulatur e të ngecur nën një qeverisje të korruptuar. Ata duan të kenë një partner që vazhdon lëvizjen integruese aty ku iu këput shiriti afro tetë vjet më parë, me ardhjen e grupit të korruptuar të vetë quajtur Rilindja, sot ende në pushtet.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.