Aktualitet

Rama thirrje pronarëve të lokalëve: Mos pranoni politikanë, jeni ju që e pësoni. Njerzillëku në arenën politike shumë i…

20:37 - 22.02.21 Gazeta Shqiptare

Kryeministri Edi Rama në një komunikim me gazetarët në aeroportin e “Nënë Tereza”, foli për fushatën zgjedhore dhe mos respektimin e masave nga politikanë të të gjitha partive.



Rama i bëri thirrje pronarëve të lokalëve që të mos hapin dyert për politikanët, pasi janë ata që e pësojnë.

Po ashtu, ai tha se shëndeti është mbi të gjitha dhe se do të diskutohet me eskpertët se si do të zhvillohet fushata zgjedhore.

Ndër të tjera, Rama nuk i ndali sulmet ndaj presidentit Meta. Ai tha se kur masat nuk respektohen nga “rojtari i Kushtetutës”, gjërat bëhen shqetësuese.

“Unë mendoj që ata të cilët ua hapin dyert e lokaleve atyre politikaneve nuk duhet t’i hapin dyert sepse janë ata që paguajnë, dëmtohen, janë ata që rrezikojnë t’u mbyllet biznesi fare. Janë ata të parë që duhet të refuzojnë këtë gjë. Nga ana tjetër kur mendon që presidenti, babai i gjithë kësaj familje, rojtari i të gjitha palëve, garanti i shëndetit Kushtetues të këtij vendi është i pari që jep shembullin katastrofik, kjo është fatkeqësi. Nga ana ime ajo që bëj është t’iu kujtoj çdo ditë kolegëve të mi që nuk na duhen ato që humbasim nga kontakti me më shumë se 10 vetë përballë jetës së njerëzve. Në djall vafshin të gjitha, kjo është A-ja dhe ZH-ja. Nuk bëj në asnjë moment kapërcime të kësaj sfide. Është një sfidë shumë e madhe, unë mendoj dhe nuk e di si do realizohet në kushtet e kësaj lloj hapësire shumë të ngushtë njërzillëku në arenën politike, që forcat kryesore politike që janë në garë të merren vesh se çfarë do të bëjnë dhe si do e bëjmë deri më 25 prill. Është automatike që çdo shtrëngim masash do të interpretohet si një reagim diktatorial i Edi Ramës për të zvogëluar brigadën e fituesve. Kjo nuk është problemi i kostos personale, por problemi i efektit. Mund ta shtrëngosh masën, por nëse nuk ka vetëdije politike, qytetare dhe përgjegjshmëri që ata me demek përfaqësojnë njerëzit, atëherë mund ta shkruash masën, mund të mos funksionojë dhe është më keq. Është duke u diskutuar dhe shpresojmë të gjejmë një rrugë për t’u marrë vesh. Mund të marrim edhe këshilla nga ekspertë të tjerë jo nga Komiteti i Ekspertëve, le të flasin nga ekspertët e tjerë, të kemi një ide të përbashkët se si do të zhvillohet kjo fushatë. Kush do të jenë kornizat që do të ndiqen në komunikimin e publikut,. Çdo gjë në këto kushte kontestohet për 1001 arsye. Edhe për arsyen e thjeshtë se në fushatë çdo gjë që ndodh tendenca është ta kthesh në një favor dhe disfavor për kundërshtarin. Edhe një fushatë elektorale që del nga kontrolli. Përfytyroni që presidenti mund të lë “Mercedesin”, që e përdor aktualisht pa eskorte në ato takime misterioze, e të marrë kalin. Të dekorojë ata të dekoratave, të nisen me kuaj e shpata, është e vështirë ta frenosh nëse nuk ka një konsensus. Rreziku për kuajt po bëhet imediat, sepse mund të tërbohen edhe kuajt. Kalojmë në një situatë tjetër, kur tërbimi i presidentit afekton edhe kuajt dhe bëhet e vështirë”, tha Rama

 

 

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.