KULTURË

Zotëria i pashëm përtej dritares. “Përmasa e katërt” e Janis Ricos vjen në gjuhën shqipe

21:36 - 07.05.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Janis Kondos* – Në thelb, njohja ime me Ricosin zë fill qysh në moshë shumë të vogël, kur një shok shkolle, bir të majti, më foli për Ricosin e më solli edhe një vjershë të tij. Jemi në vitet ‘50. Më bënë përshtypje të veçantë brishtësia e fjalëve dhe mënyra e ligjërimit. Pak gjëra merrja vesh asokohe nga poezia. Kjo ishte ideja e parë që krijoja për Ricosin. Kur u rrita edhe ca, para se të mbaroja shkollën, mësova më shumë për jetën e poetit dhe i lexova veprën. Më vonë, kisha fatin të shkoja në të njëjtin kurs me nipin e tij, kompozitorin Janis Glezos. Në atë periudhë Ricosi jetonte bashkë me mua, falë rrëfimeve të Janis Glezosit. Ky më nxiti të lexoja gjithë ç’libra qarkullonin prej Ricosit, të dëgjoja poezitë që i kishte muzikuar Mikis Theodhoraqis.
Kaluan vitet dhe unë tashmë shkoja në librarinë e shtëpisë botuese “Kedros”, në rrugën “Panepistimiu 44”, për të blerë libra. Ndodhemi në fillim të viteve ‘60. Atje shikoja Nananë, atë hyjneshë Olimpi, dhe bri saj një zotëri të pashëm me mustaqe, paksa të mbushur në fytyrë. Janis Ricosin. Atje takohej me Kostas Varnalisin, Melpo Aksiotin etj. Unë rrija te vitrina dhe e shikoja. Atëherë nisa ta kuptoja. Kisha filluar të shkruaja edhe vetë poezi.
Poeti Ricos është ai që quajmë poet i madh. Se sa i madh është një artist – në këtë rast, një poet – varet nga lëngjet që thith prej vendit të tij, prej vendeve përreth dhe prej mbarë tokës; ç’përrenj ndjenjash, ç’rrëkeza dashurie, ç’rrëkeza ngjyrash. Dhe, me kiminë që ka në vetvete, të gjitha këto i bën pastaj lumë dhe ndërton vjershat e veta. Ricosi është një personalitet i lartë artistik. Ka shkruar nga të gjitha: vepra tragjike, vepra për fëmijë, vepra teatrale, monologë, poezi, poema vigane. Pastaj, mbiemri “i madh” ka lidhje me mënyrën se si këmben motivet, fytyrat, maskat, teknikat, se si ndikohet nga dhjetëra poetë të huaj apo grekë, të vjetër e të rinj. Ky është personaliteti i poetit të madh. Ricosi, deri në fund të jetës, ishte i hapur ndaj çdo ndikimi. I avitej çdo gjëje. Nga poetët tanë, vetëm Ricosi dhe Elitisi punuan deri në fund të jetës me prirjen për t’u përtërirë. Jo duke përsëritur gjërat e shkuara. Mund të kishin një shtresë përsëritjeje, e cila është dëshmi e mirë e së shkuarës, por ata e përtërinin poezinë e tyre, e freskonin. Për mua, Ricosi është në thelb poet ekzistencial dhe erotik, një poet i së përditshmes. Nuk duhet të ndalemi vetëm te ballina e poetit “të angazhuar”. Në poezi ai është herë tradicional, herë bashkëkohor, herë surrealist, herë është një njeri që i qaset Hugo-it, herë popullor e herë të tjera shumë popullor. Poezia e tij duket sikur të flet ngadalë e sikur të ngushëllon.
Si njeri përputhej tërësisht me poezinë e tij. Gjë që do të thotë se ishte njeri i gjerë, i dhembshur, fisnik, i afrueshëm. Vetëm dy poetë ishin kaq të dhembshur: Ricosi dhe Andreas Empirikosi. Thonë se në internim, në kushte të vështira, ishte ai që dha kumtin “duhet të jemi të veshur e të mbajtur”. Ndaj, për t’i hekurosur, rrobat i vendosnin poshtë dyshekut. Nuk duhet të harrojmë se e kishin munduar së tepërmi varfëria, lodhja, puna dhe sidomos sëmundja. Ricosi e kaloi gjithë jetën me një mushkëri. Megjithatë, pinte duhan jashtë mase, cigare pa filtër, me një llullë të vogël, në mënyrë që ta tymoste të shkretën deri në fund. Ishte nga ata njerëz që nuk do t’i përfytyroje dot pa cigare.
VEPRA E SHKRIMTARIT
Poemat e përmbledhjes “Përmasa e katërt”, Janis Ricos i shkroi nga viti 1956 deri në vitin 1975, një hark kohor ky që përmendet si periudha më e begatë e krijimtarisë së tij. Të gjitha poemat zhvillohen në trajtë monologu teatral, me karakter narrativ, në varg të lirë dhe me fjalor të thjeshtë e, ndonjëherë, antilirik. Atyre u paraprin një hyrje si udhëzim skenik dhe mbyllen me një epilog, gjithashtu në prozë. Nëpërmjet personazhesh legjendare, të nxjerra nga cikli i atridëve apo ai i Luftës së Trojës, Janis Ricos flet për vetminë, për dashurinë e humbur, për plakjen e trupit, për përplasjet që ndodhin brenda ndërgjegjes së individit si autor veprash sociale, për kujtesën vetjake dhe për atë historike. Rrëfyesi i secilës poemë i drejtohet një personazhi tjetër, memec, i cili është vazhdimisht i pranishëm në skenë, dëgjon, por nuk përgjigjet. Përmasa e katërt, që i jep titullin librit, është, sipas vetë poetit, koha, jo thjesht koha biologjike që rrënon, shkatërron dhe e shpie njeriun drejt vdekjes, por kryesisht koha historike, e cila e shkundullon protagonistin dhe e detyron të luftojë me të shkuarën dhe të ardhmen, në mënyrë që, duke shqyrtuar veprat e veta, të shpjegojë shkaqet që i shtyjnë drejt rrënimit shpirtëror. Autori i shkrimit të mësipërm, Janis Kondos (1943-2015), është poet i rëndësishëm grek. Botoi mbi njëzet përmbledhje me poezi, si edhe disa me ese mbi poezinë dhe pikturën. U vlerësua me Çmimin Kombëtar të Poezisë për vitin 1998. Përzgjedhje nga vepra e tij u botuan në anglisht, danisht, gjermanisht, shqip etj. Materiali vjen në shqip nga Romeo Çollaku.




JETËSHKRIMI
Janis Ricos (1 maj 1909, Monemvasia, Peloponez – 11 nëntor 1990, Athinë) konsiderohet një nga poetët më të mëdhenj grekë të shekullit XX. U propozua nëntë herë për Çmimin Nobel për letërsinë, por pa sukses, sigurisht edhe për shkak të bindjeve shumë të majta. Pati një jetë të vështirë, që nga rinia e më tej, me shumë punë e përpjekje. Gjatë Luftës Civile (mesi i viteve ‘40), Ricosi u angazhua në luftën kundër së djathtës fashiste, çka i kushtoi katër vjet internim nëpër ishuj. Nga ferri i këtyre kampeve shpëtoi përkohësisht, falë solidaritetit ndërkombëtar të nxitur prej poetëve dhe artistëve, si Eluar, Aragon, Neruda, Picasso etj. Më 1956, botoi veprën e madhe të pjekurisë së tij “Sonatë në dritën e hënës” , që e bëri fitues të Çmimit Kombëtar të Poezisë. Në fund të viteve ‘60, junta ushtarake në pushtet e internoi përsëri poetin në ishuj, çka nuk e pengoi ta pasuronte më tej veprën.
Nga viti 1970, poezia e Ricosit mori formën e sintezave të gjata, ku ëndrra dhe surrealja ndërfuten pa ndërprerje tek e përditshmja, me praninë e personazheve të çuditshme dhe zhvendosjen e vazhduar në kohë e hapësirë. Vëllimi Erotika përbën një himn shndritës për dashurinë. Vitet ‘80 e kthyen Ricosin te proza. Nëntë libra përmblidhen nën titullin Ikonostas shenjtorësh anonimë, ku mbizotërojnë ngadhënjimet e poetit: liria e metaforave, gjuha e guximshme, hapja e shqisave mbi një univers erotik, ku bashkëkzistojnë epokat dhe moshat. Janis Rios është autor i 150 vëllimeve me poezi dhe shumë vëllimeve në prozë, por ka edhe mjaft vepra të pabotuara apo të humbura.

TIMES LITERARY SUPPLEMENT :
Janis Ricos është poeti i madh me magjinë e stilit antik. Produkti i tij letrar ka qenë i pafund, jeta e tij heroike dhe plot ngjarje, zëri – mishërim i guximit kombëtar, kurse mendja e tij aktive, deri në fund.”

WASHINGTON POST BOOK WORLD:
“Poezitë e Ricosit, të drejtpërdrejta dhe me sensin e tyre të ankthit, janë mallëngjyese dhe dëshmojnë për guximin e një shpirti njerëzor në rrethan me të cilat pak nga ne janë përballur ose do të kishin triumfuar, sikur të ishin përballur me to.”

Pantelis Prevelakis:
“Pa elokuencën e Ricosit, grekët do të kishin harruar se si të emërtonin një pjesë të madhe të gjërave që i kanë atje, para syve… Herë si diell që sheh kudo, herë si një endacak me fener në dorë, Ricosi vëzhgoi vërtetësisht hapësirën greke dhe u zhyt thellë në shumë prej peripecive të saj.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.