Kryesore

Presidenti Meta vlerëson baletmaestron Ilir Kerni me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”: Vendi ynë ka nxjerrë shumë talente, me të cilët i gjithë populli shqiptar krenohet

19:55 - 14.09.21 gsh

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me anë të një ceremonie solemne, ka dekoruar baletmaestron dhe drejtuesin e spikatur artistik, zotin Ilir Kerni me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.



Pasi ndoqën një dokumentar për jetën dhe veprimtarinë artistike të baletmaestros Kerni, Presidenti Meta në fjalën e tij u shpreh se ai ka arritur gjatë këtyre katër dekadave, të shkëlqejë me një repertor jashtëzakonisht të pasur në karrierën e tij,

Më tej Meta u shpreh se vendi ynë ka nxjerrë shumë talente, me të cilët i gjithë populli shqiptar krenohet, kur i shohim teksa arrijnë majat më të larta të suksesit në nivel ndërkombëtar, dhe të cilët përmes artit të tyre shërbejnë si ambasadorë të pasurisë shqiptare në vendet e tjera ku ata performojnë, punojnë dhe jetojnë.

 

Fjala e presidentit Meta

“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’i akordoj sot, Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’, një prej artistëve më të suksesshëm shqiptarë dhe më të dashur për publikun, Mjeshtrit të baletit, Ilir Kerni.

Përgjatë më shumë se 40 viteve karrierë, në artin dhe fushën e baletit, Ilir Kerni ka ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe ka promovuar vlerat tona më të mira kombëtare, përmes interpretimeve të tij, në shumë skena dhe teatro të botës.

Ilir Kerni është një personalitet i shquar, shumë i njohur për të gjithë ne dhe shumë prezent veçanërisht gjatë viteve ’80 e deri në hapjen e Shqipërisë, por gjithashtu shumë i shquar në këto 30 vite, sidomos në skenat botërore.

Ai ka arritur gjatë këtyre katër dekadave, të shkëlqejë me një repertor jashtëzakonisht të pasur në karrierën e tij, tij, ku mund të përmendim interpretimet e tij në një sërë rolesh si: Azem Galica tek vepra “Shota dhe Azem Galica”,  Halili tek “Halili dhe Hajria”,  Basilio tek “Don Kishoti”, e shumë e shumë role të tjera, të cilat kanë shpalosur talentin  artistik të Ilir Kernit dhe janë mirëpritur nga artdashësit vendas por dhe publiku i huaj.

Për talentin dhe karrierën e tij të suksesshme si balerin, ai është vlerësuar me shumë çmime dhe tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Vlen për t’u përmendur se Ilir Kerni mban titullin ‘Ambasador i Kombit’ falë promovimit që ai i ka bërë vlerave të jashtëzakonshme të artit e kulturës shqiptare, në shumë skena europiane dhe botërore. Talenti i tij u shqua edhe në Kroaci, ku ai kërceu si balerin kryesor në Teatrin Kombëtar të Zagrebit, duke interpretuar shumë role të baletit modern dhe klasik.

Përgjatë 30 viteve karrierë jashtë vendit, ai ka bashkëpunuar me shumë emra të njohur të baletit europian dhe botëror.

Ilir Kerni u shqua për punën e tij pedagogjike si pedagog në Akademinë e Baletit në Tiranë, por puna e tij pedagogjike është e shtrirë edhe në shumë vende të tjera, si Japoni, Tajvan, Francë dhe Kroaci. Në tetor të vitit 2019, ai u emërua drejtor baleti i ‘Teatrit Kombëtar Kroat, në Split’, duke u bërë kështu artisti i parë shqiptar, të cilit i besohet një post drejtues në një teatër kombëtar prestigjoz jashtë vendit.

Një balerin i talentuar në skenat tona dhe ato botërore, koreograf i disa baleteve të njohura, pedagog, drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, dhe tashmë drejtor baleti i Teatrit Kombëtar Kroat, në Split, karriera e pasur e Ilir Kernit është dëshmi e punës së palodhur, e përkushtimit dhe e talentit të tij, por mbi të gjithë pasionit për baletin. ‘Kërcimtarët e mëdhenj nuk janë të mëdhenj për shkak të teknikës së tyre, ata janë të mëdhenj për shkak të pasionit të tyre.’  – ka thënë koreografja e njohur Martha Graham.

Dhe është pasioni ai që e ka shoqëruar Ilir Kernin në të gjithë jetën e tij artistike dhe e ka ngjitur në majat e suksesit. Karriera e tij me arritje të mëdha është frymëzim edhe për brezat e ri të balerinëve shqiptarë, për t’u përkushtuar më shumë në artin e bukur të kërcimit, dhe për të promovuar vlerat tona më të mira kombëtare në skenat botërore. Vendi ynë ka nxjerrë shumë talente, me të cilët i gjithë populli shqiptar krenohet, kur i shohim teksa arrijnë majat më të larta të suksesit në nivel ndërkombëtar, dhe të cilët përmes artit të tyre shërbejnë si ambasadorë të pasurisë shqiptare në vendet e tjera ku ata performojnë, punojnë dhe jetojnë. Artistë të tillë, janë e do mbeten gjithmonë Nderi i Kombit tonë.”

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.