KULTURË

Në kufijtë pafund të krijimit pamor

16:22 - 22.10.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

…Njihem me Liliana Çikën, prej aq kohësh, kur studionin bashkë në Institutin e Lartë të Arteve. Dhe, në ditët e sotme vullneti mbijetesës së Lilit në art, duke pikturuar dhe skulpturuar, më kujton shprehjen e famshme të Frida Kalo-s, e cila në përballje me veprat e saj thoshte se: “Unë jam subjekti dhe këtë e di mirë, por dua ta njoh edhe më mirë. Unë mendoj se dalë e ngadalë do të zgjidh problemet dhe mbijetën time.” Artistja shqiptare Liliana Çika duket se ka gjetë mbështetje të plotë dhe lundron me idetë e kësaj artisteje të famshme meksikane, e cila pikturoi në shtratin e saj të sëmundjes.




Liliana Çika, në rininë e saj ishte e lidhur ngushtësisht me skulpturën dhe u diplomua si një nga skulptoret më të talentuara të akademisë së arteve të mesviteve 70 – të shek. XX. Ajo studioi në ateljenë e skulpturës monumentale dhe e strukturoi skulpturën e vet duke u shprehur emocionalisht me volume të plota, që mbulohen nga një sipërfaqe me teksturë të pastër e butë. Këtë lloj interpretimi ajo e konsolidoi vite me radhë dhe e zhvillon deri në ditët e sotme. Kjo mënyrë e të bërit skulpturë është ende në kujtesën e shijeve më të mira të bashkëkohësve të saj kolegë në Shqipëri, si dhe të një publiku të huaj, kryesisht italian, ku ajo jeton, bën art dhe ekspozon që nga vazhdimësia e pasviteve 90-të.

Ajo u formua si një artiste figurative realiste. Në këtë ekspozitë të tetorit, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, arti i saj ka krijuar një atmosferë befasuese. Së pari sepse piktura është dominuese dhe së dyti krijimtaria tejkalon nga një art realist në një art modern. Në disa punime, dhe tek nudot, ajo pikturon figurën e bëshme, impresive, në lëvizje dhe me gjeste emocionale të gruas së ulur. Në rastësi të plotë ajo përdor, me guxim, të kuqen dhe blunë. Këto piktura shquhen, thellësisht për një interpretim figurativ modern, që lidhen në kuptueshmërinë e artit në fillim të shek. XX dhe, deri diku, me postimpresionizmin e francezit Paul Gauguin. Ndërsa, në disa vepra të tjera, ajo i tret të gjitha kufijtë e figuratives realiste, duke krijuar imazhe, në dukje abstrakte, të interpretuar nënndikimin e impresionizmit të hedhjes së ngjyrës dhe minimizimit të formës. Ajo gjatë interpretimit ka shuar linjën dhe i ka dhënë vend kompozicional njollave të ngjyrave, me të cilat krijon sipërfaqe harmonike, ku në nënshtresën e tyre e ndjejmë lëvizjen e figurave femrore apo ekzistencën e objekteve, si në rastin e pemëve.

Vizioni i krijimtarisë së Liliana Çikës në pikturë dhe në skulpturë, kryesisht i përket temës së fizikut dhe të ndjesive femrore. Kam mendimin se janë diçka më shumë se kaq e që lidhen me botën e saj të brendshme ose janë imazhe të asaj bote, me të cilën ajo bëhet e pranishme në shumë mjedise sociale, të cilat i sheh dhe i ndjen përmes fuqisë së interpretimit të një trupi të bukur femror alla Rubens.

Njohja me rininë e artistes më lejon të mendoj se pikturat në të kuqe, në blu, në të bardhë, që një vështrim në lëvizje i dallon si një mozaik unik, vijnë të shprehura përmes vizatimit, pikturimit dhe skulpturimit të figurës së saj fizike, të akteve të lëvizjeve dhe të shprehive të nëdheshme të vet psikofizikut të hershëm të artistes. Ajo, në përpjekje të memorizimit të njohjes së vetvetes zbulon thelbin e artit të saj që lidhet me guximin për të jetuar e përballuar fenomenet jetësore të gëzimit e të hidhërimit. Thelbi i artit të saj del në pah gjatë  pikturimit të procesit të meditimit të saj psikologjik mbi atmosferën e sotme psikosociale.

Ajo, ekspresivisht në një ngjyrë monokrome, ka ndërtuar krijime të botës së saj në pikturë. Ajo, ka krijuar nën ndikimet e forta të ngjyrës artin ekspresiv të nudove me volume skulpturore e të ndjeshme.  Ndërsa në çaste të tjera ajo ka krijuar sipërfaqe ngjyrash, të cilat gjenerojnë njolla abastrakte, që dëshmojnë rreth temave të antropologjisë së dasmave, valleve dhe kostumografisë popullore shqiptare. Gruaja, ku trupëzon edhe veten është epiqendra dhe subjekti i punimeve të saj…

Arti i Liliana Çikës është ekspozuar dhe vlerësuar gjërësisht nga kritika italiane. Vittorio Sgarbi është impresionuar prej pikturës së saj dhe e ka vlerësuar si: “Arti yt ka rezultuar si një mbështetje fondamentale e suksesit të manifestimit artistik…Për të pushtuar një mjedis artistik nuk mjaftoin një ekspozitë e thjeshtë, është e domosdoshme një dëshmi. Ata që synojnë të zbulojnë fuqinë e një artisti, e marrin atë nën kujdestarinë e tyre dhe me njohje i përshkruajnë thelbin e vizionit dhe të mendimeve. Zgjedhja e veprës suaj, e cila qendron në koleksionin e tij, është një dokument i qenies dhe angazhimit artistik.”

Ekspozita e Liliana Çikës u hap në 16 tetor në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Artistja, më e bukur se askurr, e ulur në karrigen e saj, plot energji u entuziazmua pasi rreth saj qendronin veprat e saj, ishin kolegë e artistë, koleksionistë, shokët e ateljesë së kohës së Akademisë së Arteve, të huaj dhe familjarët. Natyrisht dhe sa mirë nuk ishin shokët e partisë, as ministra, as deputetë e as kryetar e nënkryetar bashkie, por as kryetar shoqatash, as akademikë dhe kritikë e historianë të famshëm shqiptar. Por ishin gazetare e kameramanë, të cilët mrekullisht e seriozisht e promovuan artisten Liliana Çika në programet televizive dhe të mediave të shkruara të artit.

Suzana Varvarica Kuka

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.