Kosova

Rama pas takimit me Hashim Thaçin në burgun e Hagës: Lufta çlirimtare e Kosovës në kornizën e artë të heroizmit

14:51 - 10.05.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama ka vizituar të martën ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në burgun e Hagës, Haaglenden, ku ky i fundit ndodhet prej dhjetorit të vitit 2020.




Pas takimit, Rama theksoi se ish-Presidenti i Republikës së Kosovës është në super formë dhe i bindur se kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar përpara drejtësisë pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare.

“Ishte një çmallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në top formë, i bindur mbase dhe më shumë se kur e kam takuar më parë se të vinte këtu, se kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht përpara drejtësisë, pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, të udhëheqësve të UÇK-së.

Nuk ka shumë për të thënë. Natyrisht që të gjithë në jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, e gjakut të dhënë dhe natyrisht e të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej në Kosovën e lirë dhe sovrane”, deklaroi Rama.

Rama shkon në qelinë e Thaçit në Haaglenden 

Në orën 11:30, kryeministri shqiptar ka nisur takimin e tij me Thaçin, i cili pritej të zgjaste tre orë.

Ish-presidenti i Kosovës është paraqitur këtë të martë në seancën e radhës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është vizituar nga krerë qeveritarë vetëm për takime formale

Historia ka dëshmuar se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është vizituar nga krerë qeveritarë vetëm për takime formale.

Mund të sjellim shembullin e kryeministrit holandez Mark Rutte në vitin 2011 apo ish-kryeministren norvegjeze Erna Solberg në vitin 2015.

Por asnjë agjendë e tyre nuk përmbante një kornizë të tillë politike dhe miqësore.

Kujtojmë që burgu ku po mbahen ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjendet jashtë Hagës, në periferi të Scheveningen-it.

Haaglanden është një burg unik në Holandë, pasi është i vetmi që ka një qendër kujdesi për të paraburgosurit.

Takimi i fundit Rama-Thaçi para rreth dy vitesh

Takimi i fundit mes palëve daton më 29 qershor të vitit 2020 – tre muaj para se Gjykata Speciale në Hagë të konfirmonte aktakuzën ndaj Thaçit.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Prishtinë, Rama do të pritej edhe nga presidenti – asokohe – i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri shqiptar shoqërohej nga ish-ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Qëllimi i vizitës së Ramës ishte pikërisht “për të mësuar më shumë” në lidhje me aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet në kohë midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se ish krerët e UÇK-së dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën.

Kjo, përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 29 prill të 2022, e njëjta zyrë do të dorëzonte aktakuzën e ndryshuar kundër ish krerëve të UÇK-së.

Në njoftim thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja.

Këto të fundit, i referohen krimeve që pretendohet të jenë kryer në Gjilan dhe në fshatrat e Suharekës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.