DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Rrëfimi ekskluziv i mjekut. “Limprecht mund të shpëtonte”. Mjeku shqiptar Ilir Ohri: Minutat e fundit në Lurë

07:00 - 21.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

21 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




Tregon Mjeku

Ilir Ohri: Ambasadori mund të shpëtonte

“Minutat e fundit të Limprecht në Lurë”

Dëshmia e njërit prej dy mjekëve shqiptarë që u përpoqën për të rikthyer në jetë Ambasadorin. Çfarë ndodhi në zonën e largët dhe vonesa që mund të ketë ndikuar. Sot ceremonia në Tiranë

Intervistë/ Shefi i kardiologjisë i dërguar në Lurë për ambasadorin rrëfen detajet e ngjarjes

“Limprecht mund të shpëtonte”

Mjeku shqiptar Ilir Ohri: Minutat e fundit në Lurë

Tiranë

Ambasadori amerikan mund të shpëtonte nga vdekja. E pohon njëri prej dy mjekëve shqiptarë, i dërguar në Lurë për Jozef Limprehtin. Ilir Ohri, shefi i Reanimacionit në Kardio-Kirurgji, rrëfen për Gazetën gjithë detajet e vdekjes së ambasadorit. Mjekët tanë kanë mbërritur më shumë se një orë e gjysmë pasi lajmi kishte “zbritur” në ambasadën amerikane.

 

“E gjetëm në vdekje klinike”, thotë Ohri. Pse ata u lajmëruan me vonesë? Cila është diagnoza dhe si mund të shpëtohej kreu i ambasadës amerikane? “Vdekja e menjëhershme e Limprehtit mund të shmangej, nëse ambasadori do të kishte një mjek me vete”, thotë doktor Ohri. Helikopteri i kuq i Shëndetësisë është ndalur mundimshëm mes pishave të dendura. Por ka qenë tepër vonë”.

Kur ju lajmëruan se duhet të niseshit për në Lurë?

Në orën 2 e 35 minuta na lajmëruan se duhet të niseshim urgjent. Në fillim nuk e dinim se ku, por morëm të gjitha pajisjet dhe u nisëm me helikopter. Ka qenë një kohë rekord, që kemi mbërritur ku ishte ambasadori. U ulëm me vështirësi, por u lajmëruam paraprakisht që ishte shumë vonë…”

Çfarë ju thanë?

Na thanë se çdo gjë kishte marrë fund, që ambasadori kishte vdekur. Kur zbritëm, vetëm vërtetuam se ishte kështu. E gjetëm në vdekje klinike. Nuk kishte më asgjë për të bërë. Ishte mjeku amerikan, që i kishte dhënë ndihmën e parë. Kur shkuam ne ishte shumë vonë”.

Si ka ndodhur ngjarja?

Këtu ne nuk kemi qenë dëshmitarë, por na thanë se ambasadori po ngjitej në një si malore në Lurë, së bashku me gruan dhe njerëzit që e shoqëronin. Në një moment nuk është ndjerë mirë dhe gruaja e badigardi i kanë dhënë ndihmën e parë. Mund të ketë qenë edhe nga sforco fizike.

U njoftua se Limprehti vdiq nga infarkti. Sa e vërtetë është?

Unë nuk mund ta them këtë. A ishte një infarkt apo një çarje e aortës apo diçka tjetër. Këtë mund ta saktësojë vetëm autopsia. Përderisa ajo nuk është bërë ende, asgjë e saktë nuk mund të thuhet. Të gjitha janë hipoteza. Probabiliteti që të ishte një infarkt është i njëjtë me atë të çarjes së aortës së zemrës. Ne nuk mund të gjykojmë në bazë të atyre që thuhen. Duhet parë autopsia. Ajo që mund të thuhet me siguri është se ishte një vdekje e menjëhershme.

A mund të shpëtohej ambasadori?

Mund të thuhet se do të kishte shumë më tepër probabilitet të shpëtonte nëse do të ishte në Tiranë apo qoftë në çdo qytet, por pranë një spitali. Ashtu siç mund të kishte më tepër mundësi të shpëtonte nëse do të kishte një mjek me vete që t’i jepte ndihmën e shpejtë. Është e vërtetë që ia ka dhënë gruaja dhe njerëzit që gjendeshin me të, por jo çdo njeri mund të bëhet mjek, për të dhënë atë që duhet. Në sëmundjet e zemrës, pesë minuta është koha optimale për të ndërhyrë. Më pas është shumë e vështirë. Sa më shpejt të jepet ndihma e shpejtë, aq më mirë është, por kjo nuk është absolute. Ajo që i ndodhi në Lurë, mund t’i ndodhte edhe në gjumë apo në spital, dhe të mos shpëtonte. Por me siguri, nëse do të ishte më afër një spitali, do të ishte më e mundshme të shpëtohej. Megjithatë, ambasadorit iu dha ajo ndihmë që mund t’u jepej në kushtet e vendit ku ishte (zona e thellë).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.