DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Kandidati, gara për President. Ja presioni i Nanos. Katër votat e para për Meidanin

07:00 - 29.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

29 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Kandidati, gara për President. Ja presioni i Nanos. Katër votat e para për Meidanin

Nano: Kujdes krizën e re

Kreu i PS-së bën presion për postin e Presidentit

Tiranë

I kemi votat për të mos e futur vendin në krizë. Këtë ide e dha dje kryetari i PS-së, Fatos Nano, i cili paralajmëroi se mospërballimi i zgjedhjes së presidentit do të ndërpresë zhvillimin normal të vendit.

 

I pyetur nëse ai i kishte të gjitha votat që do ta zgjidhnin president, Nano u përgjigj se “nuk janë votat e familjes sime, por janë në funksion të stabilitetit politik të vendit të maxhorancës dhe proceseve kushtetuese në Shqipëri”. Sado të gjata të jenë fjalitë me të cilat përgjigjet Nano, kuptimi i tyre është i qartë. Ai do të dalë kandidat për president nga PS-ja dhe, nëse nuk votohet, atëherë vendi rrezikon të hyjë në vorbull krize që zgjat 270 ditë. Këtë ide ai e ka shpjeguar disa muaj më parë në kohën kur kërkonte të bëheshin ndryshime të Kushtetutës, për ta zgjedhur presidentin me një referendum popullor. Fatos Nano deklaroi se do të kandidojë për president, gjatë një interviste televizive. Që nga ajo ditë, pyetja kryesor që i drejtohet është nëse mundet të sigurojë numrin e nevojshëm të votave. Çdo herë Nano përmend stabilitetin dhe dje tha se do të punohet për sigurinë e stabilitetit politik të vendit, që nuk arrihet pa stabilitetin e maxhorancës qeverisëse, pa stabilitetin e opozitës, pa stabilitetin e procesit të dialogut institucional maxhorancë-opozitë edhe në funksionin e korrektimit të parregullsive të identifikuara nga OSBE-ja e ODIHR-i në zgjedhjet e fundit; të procesit të komisionit bipartizan në funksione elektorale të mëvonshme. Duke vazhduar idenë e tij, Nano shton se “nga kjo pikëpamje, mund të përballohet qetësisht edhe sfida presidenciale edhe kuorumet e duhura për të mos e ndërprerë zhvillimin normal të vendit”.

Meidani siguron katër vota

Për të hedhur kandidaturën i duhen edhe 16 firma

Altin Kreka

Tiranë

Meidani nisi të veprojë seriozisht për t’u rizgjedhur. Katër deputetë pranuan që ta mbështesin atë në kuvend. Presidentit aktual i duhen edhe 16 deputetë të tjerë, vetëm që të pranohet si kandidaturë në Kuvend. Katër të parët thuhet se kanë firmosur pro Meidanit, sepse nuk e pranojnë zgjedhjen e Fatos Nanos president.

Rexhep Meidani është në ditët e fundit të mandatit të tij presidencial. Pak javë nga përfundimi, ai shpalli publikisht synimin e tij për t’u rizgjedhur dhe për këtë bëri ftesë që ta rikandidojnë. Meidani përmendi se shkallët për t’u bërë kandidat zyrtar janë: kryesia e PS-së, Komiteti i Përgjithshëm Drejtues(të propozohet nga 30 anëtarë), si dhe Kuvendi(me propozim të 20 deputetëve). Forumet politike të PS-së duket se janë të pamundura për t’u kaluar nga ana e presidentit Meidani dhe ai ka zgjedhur rrugën e tretë, e vetmja e parashikuar në Kushtetutë. Presidenti aktual është duke punuar që të gjejë mbështetësit e tij për t’u propozuar. Fundi i qershorit pritet të sjellë edhe përplasjen e tij me kryetarin e PS-së, Fatos Nano, i cili në të gjitha rrugët e mundshme do të paraqitet si kandidat në Kuvend. Deklarimi i Nanos se do të kandidojë për president, i ka sjellë Meidanit mbështetësit e parë në derë. Jo të gjithë deputetët socialistë janë të mendimit se Nano është kandidati më i mirë për president. Ka nga ata që, pas pranimit publik nga ana e Nanos të synimit të tij për t’u zgjedhur president, e forcuan zërin e tyre kundër. Një prej tyre, deputeti Spartak Braho, është shprehur se do të preferonte Meidanin si president dhe Nanon si kryetar  partie. Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, nga ana tjetër, është shprehur kundër një kandidimi të mundshëm të Nanos për postin e numrit Një të shtetit shqiptar. Ish-kryetari i Kuvendit, Namik Dokle, njihet si një nga miqtë më të ngushtë të Meidanit dhe thuhet se do ta mbështesë atë deri në fund. Në listën e Meidanit flitet se kanë hyrë katër deputetë, por janë edhe 16 vende të tjera bosh, të cilat presidenti duhet që t’i plotësojë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.