KULTURË

Moj Meri jonë! (Kështu do të mbaj mend)

09:51 - 13.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga ELI KANINA  – Moj Meri moj e bukura Meri-jonë!
Kaq e bukur në shpirt, në fjalët e tua, në librat e tu, në prezencën tënde elegante…!
Kaq delikate, deri në fund…si e porcelantë!
Me trëndafila të freskët mbi komedinë, me bluzën plot lule e ngjyra, me thonjtë e lyer me kujdes nga Manjola, me sytë e vegjël xixëllues, me flokët, që i rregulloje me dorë, duke më pyetur shpesh “Hë, s’i kam mirë? Eh varja, kur të dal…”




Po si na le kështu, pa u ndierë, pa u ankuar, kaq pabesueshëm?
Do ta mbaj mend atë vështrim prej vogëlusheje dhe një gjysëmbuzëqeshje të paqtë që shoqëronte bisedat tona, sa dukej se e gjithë qënia jote ishte bërë gati, edhe pse nuk e pranonte, të nisej…
– Vishi atletet dhe eja t’ia mbathim që këtej – të pëshpërita një moment, kur infermjeria që sapo mori turnin e dytë, erdhi e tu drejtua konfidente, me humor “Akoma këtu? Hajt çohu, se nuk ke gjë…”.
Dhe ti, u ktheve nga mua duke më sqaruar, se janë mësuar e u ka parë syri edhe më keq, ndaj nuk u dukeshe e sëmurë…
– Po ti nuk je e sëmurë – nxitova ta pohoj edhe unë, – është thjeshtë një siklet kalimtar, që u komplikua nga postcovidi, sa të normalizohet frymëmarrja, do ta shohësh…
Ah ajo frymëmarrja jote e rënduar, që vinte e ngrihej si nga fundi i një honi, me zhurmën e një gërrihme maceje…! As vetë nuk e besoja atë që po të thoja, por që më duhet të ta thoja.
Ti tund kokën me besim, aq sa mund të besosh një mjeke në atë shtrat spitali, por edhe mosbesuese për çka dëgjon nga mua, e bindur se ajo që po vuan, nuk ka zgjidhje…
Telefonata e Manjolës të shkëput prej meje.
Ndërsa të dëgjoj që merakosesh për bijën dhe kthimin e saj në Gjermani, sa më shpejt, pavarsisht problemeve të tua, kundërshtimet e tua nervoze, më nervozojnë edhe mua, sidomos kokëfortësia jote…
Më në fund hesht, dëgjon dhe më pas ca belbëzime “mirë, mirë…” e marr me mënd replikën e bijës në anën tjetër të celularit, që vazhdon të përkujdeset për ty, pa ndihmën tënde…
Që të merrem me diçka, bëj disa foto, duke gjetur raportin tënd me trëndafilat e verdhë, megjithëse simboli yt është trëndafili i bardhë i dimrit, i përjetësuar edhe në romanin me të njëjtin titull. Ah sa do ti shkonte ai, tamam asaj komedine, kësaj dhome të bardhë spitalore. Por tani nuk është dimër, dhe ti në spital nuk je, nga dashuria…

Meri Ilustrim Kadare Meri Ilustrim Goca Meri Ilustrim Lasgush
<
>

Pasi ti, e mbyll celularin, me fjalët “ mirë Manjola, si të thuash ti…!” unë shpërthej në një lumë këshillash:
– Lëre Manjolën të zgjedhë për ty, të vendosë për ty! Të lutem ndihmoje atë dhe veten, duke mos u shqetësuar për asgjë, vetëm mendo e lutu si të dalësh e stabilizuar, e shëndetshme, nga spitali!
E ç’rëndësi ka nëse do kesh një infermjere përkujdesëse në garsionerën tënde, apo në një azil? Kudo që të jesh, ti je sociale, edhe në azil do bësh hall, ke kaluar kaq shumë, ke kaq shumë miq e mikesha, do zesh edhe më tepër atje, do keshë ç’të rrëfesh, pa do dëgjosh edhe shumë eksperienca të tjera, dhe do fillosh të shkruash edhe librin e rradhës, pa do të vijmë vizitë atje dhe do kalojmë mbasditet bashkë… do hapet edhe ndonjë vend derisa të vij edhe unë, të jetojmë bashkë. Se kjo është sfida e kohës që jetojmë, fëmijët duhet të jetojnë jetët e tyre, ne tonën…
– Nuk shkruaj më- më ndërpret ti- i kam mbyllur në dosje dorëshkrimet e fundit, jam e lodhur, edhe nga botimet…
– Po leri ato, se nuk e kemi festuar akoma botimin e ri, është herët të vendosësh, s’i dihet si vjen… ndoshta suksesi i këtij, të motivon për një tjetër – vazhdoj ta kundërshtoj unë, edhe pse me të drejtë e  mirkuptoj lodhjen e saj, për sfidat e botimit ndër vite.
– Mu mbaruan menjëherë ato që mora, dhe ma kanë kërkuar librin e ri, edhe shumë miq e mikesha- më thua teksa sytë të shkëlqejnë, si çupërlinë në prag të një takimi.
– Sigurisht që suksesin e ke të garantuar, interesi i këtij libri është edhe pena jote, edhe miqësia me çiftin Kadare. Unë do të shkoj në librari ta blej, dhe nëse do jesh akoma në spital, do të vij ta marr dedikimin këtu…megjithëse më ka marrë malli, për një kafe së bashku, tek lokali, pranë shtëpisë tënde, dhe atje mbase na bëhet mbarë, ta promovojmë librin kur të dalësh…
– Kur të dal kam disa intervista për të dhënë – më thua entuziaste, teksa mi numëron që nga Adi Krasta, Arta Marku, Rovena Dilo, dhe të tjerë…
Për një çast bëhesh ëndërronjëse, dhe unë nuk dua të ta shqetësoj ëndrrën, që të vezulloi fytyrën dhe mendimet.
Heshtim të dyja, me duar të lidhura, duke parë djalin e gruas në shtratin tjetër, që po rregullonte disa letra, ndoshta përgjigje analizash dhe rekomandime specialistësh, për të jëmën…

Nuk e di edhe sa do kishim vazhduar ashtu, kur na ndërpret zilja e celularit, është skaneri, që Manjola ta përcjell në mesazh, për doktorin, nëse ka ardhur.
Bijëza jote, në sfidë me me gjithë burokracirat e këtij vendi, përkujdeset për ty, ndërkohë merret me dokumentacionin për sistemimin tënd pas ndërhyrjes kirurgjikale, që do vendosnin nga konsulta, nëse do të bëhej…
Ngrihem dhe shkoj tek doktor Jovani, patrioti dhe miku yt i kahershëm, për ta pyetur.
-Ka nevojë edhe për një skaner tjetër, ky është i paqartë – përgjigjet, pa ma interpretuar më tej, duke vazhduar leximin e skanerit, apo fshehjen e syve, për të mos e thënë të vërtetën.
Kthehem në dhomë pa e dhënë veten, ndërkohë që ti bisedon me shoqen e dhomës nga Berati, të cilës unë ia njoha menjëherë rrobat e tua, që ti, fisnikja jonë pogradecare, si shpirt-xhymere ia kishe falur ato ditë bashkëvuajtjeje.
– Edhe një skaner tjetër nesër, se ky është i turbullt, nxitova të ta jap sihariqin, pa lënë shteg për pyetje prej teje – dheeeeee, unë po largohem më mirë, ju vazhdoni bashkë, ndoshta nesër kaloj  prapë…
Ta urova ditën e 1 qershorit, pak si me shaka, se edhe je bërë tekanjoze si fëmijë, edhe se dukeshe vërtet një fëmijë që ka nevojë për gjithçka, sidomos përkujdesje të ngrohta..
Më pas, ashtu si kur erdha, ta putha ballin dhe gushën, duke të kërkuar falje, që nuk mund të rri më tepër, por me premtimin se do vij shpejt, ndërkohë ti kujtohesh për serumin, dhe më kërkon ta kontrolloj e ta mbyll, se po mbaron.
– O Zot! Lëre infermieren ta bëjë punën e saj, edhe me këtë do merresh ti? – thërras unë, jo aq e bezdisur, sa e mahnitur, që kjo grua imcake me shëndet të brishtë, kërkon të mbajë në kontroll gjithçka rreth saj, deri në fund, e përkujdesur deri në mahni…
Infermjeria hyn, pasi unë e kam mbyllur serumin, kontrollon kateterin, ma shkel syrin, dhe përsëri qesh e shakatohet me Merin, a thua se kanë një jetë bashkë…
Largohem atë ditë nga spitali, duke sjellë në mendje si një film dokumentar, copëra bisedash nga takimet tona, në aktivitete letrare, në lokale, në shtëpi, në rrugë, gjithandej e rrethuar me miq e të njohur, gjithësaherë duke shkuar diku, gjithkund ku kishte diçka për të thënë e rrëfyer…
Një nga kënaqësitë e javës për mua kanën qenë bisedat në kafe me shkrimtaren Meri Lalaj.
Një zonjë, në të parë, po aq e zonja në të shprehur, më jepte shijen se e bukura nuk fshihet tek misteri e aureola që e mbështjell, por ndjehet nga mënyra si e përcjell. Elegancë!
Moj Meri, moj e bukur Merison- më vjen së brendshmi vargu i poetit të huaj Robert Bërns. Nuk di nëse emri Meri apo përkthyesi që e ka sjellë në shqip, ma ndërmendin këtë lirikë dashurie. E një soji ndryshe, kjo dashuri! Një dashuri krejt tjetër, që mbetet deri në mekjen e frymës, emocion i bukur …
E këndshme në gjithçka, transparente si një qelq, bisedat tona dukeshin si një dritëz që ndriçon të shkuarën, me një oborr këndvështrimi nga e ardhmja.
Shkëmbimi i librave, jo vetëm botimet tona, pir edhe librat që lexonim e sygjeronim njëra tjetrës, ishte si një premtim se do vazhdonim të ishim tek njëra tjetra, përtej këtyre takimeve së bashku. Largohesha çdo herë prej saj me shijen dhe freskinë e një degëze rozmarine në ujë…
Vështroj tani gëzueshëm librat që mbaj në bibliotekë prej saj.
Në poezi, Meri Lalaj ka vetëm një vëllim të botuar “ Në qoftë se…”, por proza, publiçistika dhe përkthimet e saj, janë një vlerë që kritikët dhe studiuesit duhet ti rikthehen për të gjetur aty, gjithçka të bukur e të rëndësishme, që Meri e kapërcente modestisht apo kritika e kohës ia  nënvleftësonte qëllimisht…
Duhej të lexoja “Dashuri e ndaluar” që të kuptoja kusuret me të cilat kishte nisur jeta e saj, një traumë diegieje në ezofag, që e kishte mbajtur gjatë në spital, apo një dashuri e rrëmbyer që e kishte larguar prej spitali, dhe prej të gjithëve( sepse djali që kishte zgjedhur, kishte cene në biografi).
Por nuk mund të kuptohet shkrimtarja Meri Lalaj, e përfolur kaq shumë për miqësinë me Lazgushin, pa një libër, ku të shpjegohet kjo miqësi, përtej librave dhe Pogradecit që i lidhte bashkë, me një këndvështrim krejt interesant që e vlerëson dhe plotëson imazhin e lexuesit për lirikun e madh.
Po kështu në vëllimet me esse, publicistikë, shënime, apo tregime si “ Kapërcyell”, “ E diel mbrëma”, “Duke u kthyer në shtëpi” etj, ajo na rrëfen se të jetuarit në Pogradec, e kishte kthyer shtëpinë e saj, si një stacion mikpritës për poetë e shkrimtarë, që kalonin pushimet në Pogradec, por edhe thjesh kalonin andej për të shkuar në Korçë a Ersekë. Kështu Meri ma plotësonte përfytyrimin e krijuar nga tregimet, me detaje të tjera, që i kujtoheshin nga pyetjet e mua kureshtare.
Tregonte për Dritëroin dhe Sadijen, që sa herë venin e vinin për në Devoll, ndalonin për një gllënjkë raki e mezé me ç’tu ndodhej, dhe një dorë muhabet, aty në shtëpinë e saj. Madje një herë ju desh të qëndronin, për të larë, tharë e hekurosur pantallonat e njollosura, që i duheshin gati për takimin e të nesërmes.
Tregonte për Teodor Kekon, birin e mikes së saj Xhanfise Keko, që kur kish ardhur një nga herët për pushime, i kishte recituar me zë të lartë të gjithë poezinë e Robert Bensit, për Meri Merisonin, aq sa kishte tërhequr vëmendjen e banorëve dhe kalimtarëve, dhe nuk kishte pushuar pa e çuar deri në fund, edhe pse Meri vazhdonte me lutjet “o Dori mjaft”. Po kështu Koçi Petriti kishte shkruar një nga lirikat më të bukura, aty në guzhinën e saj, pranë sobës duke pjekur gështenja. Në atë guzhinë, ku një natë dimri shkrimtari Teodor Laço, me holfin dhe xhaketën me kuadrate, i binte kitarës dhe këndonte serenata, bashkë me Merin…
Kaq shumë kujtime kishte edhe me Ismalilin dhe Helenën, miqtë e saj të të gjitha kohërave, me të cilët e ruajti deri në fund miqësinë me takime e telefonata, miqësi së cilës i kushtoi edhe botimin e saj të fundit “ Helena, Ismaili dhe unë”.
Edhe vetë Helena e niste librin e saj me kujtime  “Kohë e pamjaftueshme”, duke e përmendur që në faqen e parë të kapitullit të parë “…kuptohej menjëherë se ajo letër nuk vinte nga Meri L. , e vetmja mikeshë e imja, me të cilën shkëmbenim letra rregullisht.”
Do të vazhdoja pafundësisht edhe me romanet e Merit, ku tek “ Qentë nuk angullijnë më” ajo përmes dashurisë së personazheve na jep me një stil të veçantë, tablonë shqiptare në ndërrimin e sistemeve. Meri Lalaj do të mbahet mend si e vetmja grua në podiumin e demokratëve pogradecarë, duke folur plot pasion për lirinë e demokracinë, një  ëndërr dhe kauzë që ajo e ushqeu deri në frymën e fundit, edhe pse zhgënjimet ia kishin vakur shpresat se Shqipëria do të bëhet, ndoshta për këtë e përzgjodhën edhe në fushatën e fundit elektorale, si kandidate për deputete, si një demokrate e flaktë dhe e argumentuar qartë…
Ndërsa romani “Trëndafilë të bardhë vjeshte” bazuar mbi një histori dashurie, me shumë detaje nga jeta personale e autores, mund të quhet edhe roman autobiografik, dhe trëndafili i bardhë i pragdimrit, e simbolizonte mrekullisht jetën e saj, cilësuar “ e vetme dhe rrallë në llojin e vet” si ky trëndafil i bardhë…
Në publicistikë, do përmendja mbledhjen dhe redaktimin e kujtimeve të librit të regjisores Xhanfise Keko, botimin  “Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” “, përmbledhjen me esse “Nga dashuria për njerëzit”, apo monografinë  “ Atdhetari Fehim Bej Zavalani”.
Po kështu do përmendja Merin përkthyese nga gjuha angleze( për të cilën edhe kishte mbaruar shkollën), botimet me po aq vlerë, që kanë autorësinë e saj, “Elisabet Tejlor”, “Esenini- një jetë”,  apo “Një shtegtim poetik – Anna Ahmatova” poete që e donte shumë dhe i kthehej vazhdimisht, duke na i përcjellë edhe në facebookun e saj, përkthime të mrekullueshme, po aq sa edhe vetë poezitë …
Një larmi veprash, në zhanre të ndryshme, për ta quajtur me meritë një akademiste, autoren Meri Lalaj, si një kontribuese dhe personalitet të Letërsisë Shqipe.
“Ne jemi gjithmonë në vendin ku ndodhet shpirti jonë, jo trupi jonë.” thotë Massimo Bisotti. Tani që Meri u kthye të prehet përjetësisht, atje në vendlindjen e saj, i vërtetë e i hatashëm deri në magji, liqeni i Pogradecit, zë e më buçet në veshë…
Me imazhin e liqerit pa kufi, i sillja dhe i përsjell edhe tani nëpër mend librat e saj, duke kujtuar bisedat tona për to. Në një nga herët kur Meri zgjodhi të ma servirë me elegancë kafenë, në shtëpinë e saj, mbaj mend shumçka më rrëfente. Unë rrufisja kafenë turke, në shtëpinë e Merit, dhe ajo vinte rrotull e mi tregonte raftet e bibliotekës, së reduktuar, sipas një selektimi dhe rishpërndarjeje që vazhdonte të bënte. Më shpjegonte sesi i kishte seleksionuar e sistemuar në dosje, edhe shumë dorëshkrime, letërsi e përkthime, që nuk kishte mundësi ti botonte, e lodhur nga strapacimet e gjata të Shtëpive Botuese, dikur prej biografisë, dhe tani sipas saj, prej statusit autore grua, në pension( pa biznes dhe sponsor).
Kjo lodhje e gjatë, ndoshta shpjegonte indiferencën e Merit për botime, por edhe ato lumturitë e saj të vogla, kur gjente të botuar shkrimet e saj në faqet e gazetave.
Mirënjohëse deri në fund, për këto botime në shtypin e shkruar, ajo shprehej me respekt ndaj mikut tonë gazetar e botues Mark Simoni. I gjendur dhe i gatshëm çdo herë që ajo i drejtohej, natën edhe ditën, me telefonata, apo gjatë takimeve tona të përdishme. Marku ishte  nga ata të paktët miq të mbetur, që Meri e takonte, e përqafonte entuziaste dhe me gëzimin e çiltër, se do fliste lirisht e për gjithçka, me detaje jete të lexuara apo të jetuara prej tyre, me mbresa apo përshtypje, nga Lidhja e Shkrimtarëve, me të thëna apo të pathëna, me citime apo debate në një nivel autorësh cilësorë, bashkëkohorë ose jo, nga letërsia shqiptare apo e huaj. Kështu nisnin nga ato biseda që nuk mbaronin kurrë, sikur mundnin e përballnin dijet, me kulturën e gjërë, që  nuk i mungonte asnjërit. Më tepër unë heshtja dhe dëgjoja, ndonjëherë si lexuese e apasionuar, merrja pjesë në bisedat e tyre, që ishin leksione jete për mua, dhe privilegj… Ishin këto biseda, që mi bënin kaq të çmuara, kafet me Merin dhe Markun, siç thotë Fabio Volo “Dhe mëson që aroma e kafesë është një ritual i vogël lumturie. Që mjaftojnë notat muzikore të një kënge, ngjyrat e një pikture, leximi i një libri, me ndjesi që ngrohin zemrën. Një zë në telefon, një mesazh i papritur, një takim. Sepse lumturia është e përbërë nga gjërat e vogla por të çmuara…!”
Dukej se Meri nuk ishte nga ato që kënaqej me pak, por me aq pak sa jeta i kishte mundësuar, ajo diti të jetojë mrekullisht, të ndërtojë një jetë të sajën, larg andrrallave dhe gjërave të rëndomta, me shijen e rafinuar të shpirtit, të pasioneve dhe të kulturës që ajo mbartte.
Meri jetoi për shumë vite vetëm, sepse e bija Manjola me familjen e saj, ishte martuar dhe jetonte prej vitesh, në Gjermani. Vetëm, por jo e vetmuar!Apartamenti numër 34, në katin e shtatë të një pallati të ri në Bllok, dukej si një portëz e kënaqësive të vogla, të një jete të madhe, të mbushur e të larmishme. Një jetë e gjatë plot eksperienca, jetuar nga Meri jo thesht si një “gjallesë apo qenie” por si një njeri plot ëndrra dhe sfida, me një burim të pashterur energjie dhe besimi, me një lumë pasionesh, për të jetuar gjithcka të mirë e të bukur.
Në folenë e këndshme të Merit, më dukej se mikesha ime poete e shkrimtare, përkthyese e mbi të gjitha një aspiruese e thekur e demokracisë( jo si politikë por si një rend social) ishte pikërisht  mishërimi i asaj thënies nga Melissa Etheridge “E kam shitur shpirtin për lirinë. Është i vetmuar por është i ëmbël.”
Kjo liri dhe vetmi që e karakterizoi jetën e saj, nuk ishte braktisje, por një zgjedhje, fillimisht e detyruar nga rrethanat, dhe më pas si një mënyrë për ta jetuar jetën, e pavarur dhe e angazhuar gjithkund ku dëshironte të ishte, në aktivitete letrare, në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë, në Londër apo Gjermani, gjithandej …
Meri ishte një grua e fortë, se ashtu i kishte shkuar jeta, se i duhej të ishte e tillë, siç thotë Anna Magnani “Se “ti je e fortë” të thonë të gjithë. Se mos e dijnë ata se ç’ferr ke brenda. Nuk zgjedh të jesh e fortë, bëhesh, sepse nuk ke zgjidhje tjetër…!”
Java e parë e Qershorit, e ngarkuar me punët e angazhimet e mia, më vuri përpara dhe nuk i shkova dot më Merit. E telefonova nja dy herë gjatë javës dhe nuk ma hapi. Ndoshta, mu zemërua, që nuk i shkova të nesërmen, mendova dyshuese, dhe fundjavën e taksa ti shkoj e ta gjej, kudo që të ishte, në spital, në shtëpinë sociale, apo në apartamentin e saj 34…
Në ato pak vite që e kisha njohur, më dukej se edhe unë kisha një jetë me Merin. Dinte aq shumë, sa ndonjëherë i thosha se ishte bibliotekë lëvizëse, me një arkivë të thesartë kujtimesh, me emra, ngjarje e data. E rezervuar, vetëm për miqësinë që dua, ma kthente duke buzëqeshur…
Sa më shumë lexoja e pëlqeja letërsinë e Merit, por edhe përkthimet e saj brilante, aq dhe e ndieja energjinë e saj të bukur, teksa rrëfente e bisedonim për librat dhe gjithçka në atë kafenenë tonë të këndshme, ku nuk linim cep pa bërë foto. E privilegjuar me miqësinë e saj, ndieja shpesh edhe zhgënjimin kur më thoshte se nuk ia vlente të luftonte më për asgjë, në gjithçka kishte besuar dhe koha e kishte sfiduar.
Gjithsesi ajo i deshi të gjithë, gjithë jetën, edhe pse në fund mbeti e vetme, “ e vetme dhe e rrallë në llojin e vet” me dashurinë e saj, si një trëndafil i bardhë pragdimri …
Kështu do ta mbaj mend…
Sepse e tillë ishte Meri!
Mikja e të gjithëve…

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.