AKTUALITET

Franca, Italia dhe Gjermania mbështesin kandidaturën e Ukrainës për statusin e kandidatit në BE

17:03 - 16.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar mbështetjen që Ukraina të fitojë statusin e kandidatit “të menjëhershëm” për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.




Macron ka premtuar gjithashtu se Franca do t’i dorëzojë Ukrainës gjashtë armë shtesë me rreze të gjatë veprimi Cezar, teksa luftimet kundër forcave ruse në Lindje të vendit vijojnë.

Mbështetja për Kievin erdhi gjithashtu dhe nga liderët e Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë, gjatë vizitës që këta të fundit patën në Kiev.

Përballë frikës së Kievit se vendosmëria perëndimore për ta ndihmuar atë mund të zbehet, vizita e Macron dhe liderëve të Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë pati një peshë të madhe simbolike. Tre fuqitë e Evropës Perëndimore janë përballur me kritika për vazhdimin e angazhimit me presidentin rus Vladimir Putin – dhe dështimin për t’i siguruar Ukrainës shkallën e armatimit që ajo ka thënë se është e nevojshme për të shmangur forcat ruse.

Pasi mbërritën në Kiev nën zhurmën e sirenave të sulmit ajror, udhëheqësit u drejtuan për në Irpin , një periferi e kryeqytetit ukrainas që ishte skena e luftimeve intensive në fillim të luftës dhe ku u vranë shumë civilë. Liderët evropianë dënuan shkatërrimin atje.

Ndërsa imazhet tronditëse të një shkatërrimi të tillë kanë gjetur mbështetjen perëndimore, zyrtarët në Ukrainë kanë shprehur frikën se “lodhja e luftës” mund ta gërryejë atë – veçanërisht pasi rritja e çmimeve dhe zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara po shtojnë akoma më shumë shqetësimet e njerëzve.

SHBA dhe aleatët e saj evropianë i kanë dhënë Ukrainës miliarda dollarë armatime, ku Gjermania dhe SHBA njoftuan së fundmi dërgesa të reja armësh.

Armët e tilla kanë qenë çelësi i suksesit befasues të vendit në parandalimin e rusëve nga marrja e kryeqytetit, por zyrtarët në Kiev kanë thënë se do të nevojiten shumë më tepër nëse duan të dëbojnë forcat e Moskës.

Shumë në Ukrainë shpresonin se vizita e liderëve mund të shënonte një pikë kthese duke i hapur rrugën furnizimeve të reja të rëndësishme të armëve. Vizita vjen gjithashtu në një moment teksa liderët e BE-së përgatiten të marrin një vendim javën e ardhshme mbi kërkesën e Ukrainës për t’u bërë vend kandidat për anëtarësim në bllok.

Aleatët evropianë kanë dërguar gjithnjë e më shumë armë të rëndë dhe kanë shprehur mbështetjen ndaj Kievit duke vendosur sanksione të rënda ndaj Rusisë, duke shtrënguar dhe ekonomitë e vendeve të tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.