DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Meidani Intervistë/ Kreu i shtetit flet për Gazetën. Meidani kërkon votat e Berishës

07:00 - 18.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 18 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”

 Meidani

Intervistë/ Kreu i shtetit flet për Gazetën

Meidani kërkon votat e Berishës

Presidenti: “Fluiditeti” mes partive sjell vetëm zhvillim dhe forcon institucionet

Sipas të gjitha sinjaleve që vijnë nga Brukseli, Këshilli i Ministrave të BE-së do të shtyjë sërish hapjen e negociatave me Shqipërinë. Rezoluta e parlamentit Europian kërkon një president konsensual. Çfarë sinjalesh keni pasur ju në lidhje me këtë çështje, si dhe me rikandidimin tuaj nga Bashkësia Ndërkombëtare?

Në përfundim duhet të bindemi se plotësimi sa më i mirë i kushteve të Marrëveshjes së Asocijim-Stabilizimit është domosdoshmëri për hapjen e suksesshme të negociatave. Natyrshëm ka dhe disa kushtëzime, që mund të mos jenë realiste, madje mund të kenë dhe karakter relativisht artificial siç ishte, p.sh. ai për ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që për hir të këtij kushtëzimi imponon një proces maratonë në Kuvend, duke mos korrigjuar dhe disa nene të ligjit, që dilnin diçka nga korniza kushtetuese mbi konceptimin e vetë gjyqësorit. E thashë këtë për të dëshmuar edhe njëherë, me modesti, konceptin tim mbi të vërtetën, që në të shumtën e rasteve duhet trajtuar si konkrete e aspak abstrakte, si sugjeruese e bindjeformuese e aspak imponuese e urdhërzbatuese; e që për më tepër lidhet me relativitetin e jo absolutitetin e çfarëdo pohimi, gjykimi e vlerësimi, përfshirë këtu dhe temat e “europianizuara” si konsensuale, të përkthyera apo të zbërthyera, si konsensuale-konstitucionale, ose, së fundi, si konsensuale-koncensionale, apo dhe ato të zhvilluara me “bollëk” në mjedisin shqiptar si socialisto-socialist, demokrato-demokrat, socialisto-demokrat, demokrato-socialist, demokrato- komunist, republikano-monarkist, etj.etj…!

Ndërsa për sa u përket të ashtuquajturve nga ana juaj sinjale, unë mund të them se t’i quash ato sinjale është, ndoshta, pak, pasi mesazhet e transmetuara kanë qenë qartësisht për vazhdimësinë institucionale e stabilitetin social e politiko-ekonomik. Kjo në njëfarë mënyre është dhe vlerësimi më i drejtpërdrejtë i modelit institucional, me të cilin është realizuar drejtimi e ndërveprimi. Megjithatë, pavarësisht sinjaleve e pseudosinjaleve, mesazheve e pseudomesazheve, leximeve e pseudoleximeve, “më tha, e i thashë”, proces i zgjedhjes së Presidentit të Republikës, është një problemkrejtësisht shqiptar, dhe për më tepër i bazuar në debatin, gjykimin, vendimin dhe votën e përfaqësuesve të popullit, në Kuvendin e Shqipërisë”.

 

Cila do të ishte mbrojtja juaj pas deklaratës së Berishës se ju “e humbët shansin për t’u rizgjedhur pasi heshtët për manipulimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar”? A jeni i gatshëm të dekretoni zgjedhje të parakohshme nëse opozita ju mbështet për t’u rizgjedhur president?

Kësaj pyetja ja kam dhënë disa herë përgjigjen. Natyrisht, edhe pse unë po të isha në vendin e tij, do të luaja politikisht ndryshe bazuar në analizën time mbi ngjarjet e njerëzit, megjithatë mund të them se z. Berisha është brenda lojës së tij politike, duke orkestruar një deklaratë të tillë. Por sidoqoftë unë dëshiroj dhe shpresoj shumë që dhe ai në vetvete, duke mos shfaqur në publik arsyet e vërteta, të paktën të jetë i bindur, që nga pikëpamja institucionale e kushtetuese, ky lloj neutraliteti duhet të respektohet dhe nga presidentë të tjerë, në të ardhmen e proceseve tona elektorale; aq më tepër që aktualisht me proceset zgjedhore merren struktura permanente kushtetuese, përfaqësuesit e të cilave nuk janë më “vullnetarë” por funksionarë të trajtuar në mënyrë të veçantë nga shteti. Për sa i përket pyetjes së dytë, pota lexoni kushtetutën mund të gjeni vetëm disa hapësira të përcaktuara ligjërisht për shpallje zgjedhjesh të parakohshme. Dhe siç kuptohet prej neneve përkatëse kushtetuese ato hapësira mund të “hapen’ më shumë me një vullnet të përbashkët politik se sa me atë ligjor”.

Në PS ka filluar të diskutohet mundësia e tërheqjes së Nanos nga gara presidenciale dhe marrja e drejtimit të qeverisë prej tij. Ju z. President si do ta konsideronit këtë skemë?

Më falni, por mua, me detyrën që ushtroj, pavarësisht çështjes së kandidimit, nuk më lejohet të luajë as rolin e gazetarit që diçka “manipulon” apo bën diversion, në kuptimin pozitiv, për të njohur të vërtetën; as të një analisti që ia lejon vetes të bëjë çdo lloj analize e komenti, qoftë dhe pa e njohur fare problemin, skemën dhe thelbin e tij, apo duke mos patur fakte të mjaftueshme për gjykimin e tij; por as dhe të një politikani që dëshiron të ‘triumfojë” jo luajalisht me lloj lloj përgjigjesh, reagimesh e manovrash. Dhe në respektim të këtij parimi politiko-mediatik, me spektër sa shkencor, po aq njerëzor, qytetar e institucional, unë po e mbyll këtu, me mirëkuptimin tuaj, përgjigjen time…”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.