BOTA

AXHENDA/ Kryeministri Rama merr pjesë në Samitin e NATO-s/ Çfarë pritet të ndodhë sot në Madrid!

08:36 - 29.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Spanjë ku do të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s që do të zhvillohet ditën e mërkurë dhe të enjte në Madrid.




Gjithashtu kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama ishin të ftuar dje në darkën mbretërore gala organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Mbretëresha Letizia në Pallatin Mbretëror të Madridit, ku morën pjesë kryetarët e qeverive dhe të shteteve anëtare të NATO-s.

Rama publikon videon e momentit kur bashkë me bashkëshorten priten nga Mbreti Felipe VI i Spanjës e Mbretëresha Letizia:

 

Kryeministri Edi Rama, ka ndarë në Facebook një video, ku tregon një moment nga pritja e organizuar mbrëmë nga Mreti Filipe V li Spanjës dhe Mbretëresha Letizia.

Postimi i Ramës në Facebook:

Momente nga pritja e organizuar mbrëmë nga Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Mbretëresha Letizia, për mirëseardhjen e udhëheqësve të shteteve pjesëmarrëse në Samitin e NATO-s.

Axhenda e sotme e punimeve të Samitit:

Këtë të mërkurë, Rama, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit  do të mirëpriten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s  Jens Stoltenberg dhe Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.

Në vijim, do të ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

Fjala e hapjes së Samitit do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s  z. Jens Stoltenberg, ndërsa Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse. Samitin do t’i adresohet online edhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky. Pas përfundimit të seancës plenare, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, pjesëmarrës në Samit do të vizitojnë  ekspozitën e teknologjisë së NATO-s.

Pasditen e së mërkurës, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama do të vizitojnë Muzeun Kombëtar Prado, në Madrid, e më pas kryeministri Rama do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.

Samiti i NATO-s do të vijojë punimet të enjten, në ditën e dytë të tij, ku Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë, së bashku me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Në këtë seancë, Samitit do t’i drejtohet edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s Gerald Connolly. Në ditën e dytë të punimeve të Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me Kryeministren e Suedisë Magdalena Andersson.

Në përfundim, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Enagás, e cila është një kompani spanjolle energjetike dhe operator evropian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron dhe operon rrjetin e gazit të Spanjës.

NATO synon ndryshimet më të mëdha prej Luftës së Ftohtë, çfarë pritet të ndodhë në Samit?

Liderët e NATO-s pritet që të arrijnë pajtueshmëri për një përforcim të madh të aleancës në krahun lindor, kur të takohen të mërkurën në Madrid. Qëllimi i këtij vendimi është forcimi i aleancës, pas pushtimit rus në Ukrainë.

Ky vendim përbën “ndryshim themelor në parandalim dhe mbrojtje”, brenda aleancës, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në nisje të samitit treditor. Ai ka thënë në disa komente paraprake se vendimet e këtij samiti do të bëjnë rishikimin më të thellë të politikave për mbrojtje prej Luftës së Ftohtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.