OPINION

Fillimi i fundit të kuajve të korruptuar?

10:57 - 27.07.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kuajt, këto kafshë fisnike, njihen në botë si kuaj të egër, kuaj ngarkese, kuaj vrapimi, etj. Në ekonomi, përcaktimin “kuaj të korruptuar” e ka përdorur ish-Kryeekonomisti i Bankës Botërore, Joseph Stiglitz, laureat i Çmimit Nobel në vitin 2001. Ai i referohej, në një studim të tij, korrupsionit galopant të vendim-marrësve të lartë publikë në vendet e Amerikës Qendrore, që kanë devijuar gjasat e zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve. Tek ne, disa vendim-marrës të lartë publikë në ekonomi, kanë shërbyer jo pak herë si kuaj të korruptuar. Me tenderat dhe politikat ekonomike që kanë frymëzuar dhe zbatuar, kanë kanalizuar para në xhepat jo ligjorë të partive në pushtet, për të ndihmuar në fitimin e garave zgjedhore. Kanë përqëndruar fuqi të pamata me potencial të errët në krijimin e ministrive përbindësh. Le të kërkojmë një shembull të vetëm në Evropë, por edhe më tej, të një dikasteri të përbashkët të financave dhe ekonomisë! Nuk gjejmë dot. Sepse ky aliazh, kjo monstër nuk mund të qëndrojë në këmbë. Janë dy struktura në konflikt të hapur interesi. Ministria e Financave kërkon të mbushë me para arkën e shtetit. Një ministri ekonomie e pavarur kërkon të gjenerojë politika për zhvillimin ekonomik të vendit. Drejtuesit e tyre në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ku kemi nisur bisedimet që




të shkojmë, zihen si macja me miun me njeri-tjetrin. Drejtuesi i ministrisë së ekonomisë kërkon para për të financuar programet e zhvillimit ekonomik. Drejtuesi i arkës së shtetit kërkon politika për të sjellë më shumë para në këtë arkë. Të dyja këto ministri nuk mund të qëndrojnë në të njëjtën këpucë! Tek ne po. Rrinë. Një statisticiene e ndershme dhe e zonja në krye të këtij përbindëshi tonit sot, po përpiqet, por e ka të pamundur të gjejë drejtpeshim mes dy orientimeve fort të distancuara nga njëra-tjetra. Këta kuaj të korruptuar tek ne kanë qenë në gjenezën e “Eldorados” së gënjeshtërt të zhvillimit ekonomik, përmes projekteve të partneritetit publik-privat, të nisur në vitin 2016. Këto projekte patën një kulm të tyre në dyvjeçarin 2017-2018(nisma 1 miliardë euro, etj.), për t’u sulmuar, anatemuar me të drejtë nga FMN dhe Banka Botërore, por edhe nga institucione të pavarura dhe ekonomistë të vendit, për përzgjedhje të gabuara, pa parë në fillim raportin kosto-përfitime, si dhe për nivel kontraktor shumë të dobët, krejt të paaftë për të mbrojtur si duhet interesat e arkës së shtetit, pra të parave të të gjithë neve. Për të mos folur për rastet kur kontrata përgatitej qëllimisht për të dëmtuar interesat e shtetit, në interes të vetëm dhe të panjinjur të privatit që kishte bërë ofertën e pakërkuar. Favorizimet okulte të kuajve të korruptuar (pa firmosur vetë këta kuaj në tenderat e zhvilluar), ndaj kompanive vendase me pozita mbizotëruese në tregje të caktuara, vranë përfundimisht konkurrencën dhe bënë që në vitet 2016-2018 të mos afrohej asnjë kompani ndërkombëtare me emër. Gjendja ndryshoi me ardhjen e një ministreje energjike në infrastrukturë, duke sjellë edhe kompani të huaja me emër. Por dëmet ama ngelën dhe imazhi i tenderimit shqiptar, si i paracaktuar dhe me konkurrencë të vrarë, është vështirë të hiqet edhe për një farë kohe.  Praktikisht, në kohën e “Eldorados” së PPP-ve, këto projekte i futën duart në taksat dhe xhepat e shqiptarëve deri në vitet 2027-2030. Përfitimi publik i tyre deri tani ka qenë minimal, ndërsa kostot me herë më të larta. Kuajt e korruptuar, gjithnjë me një gjuhe false të krijimit të shanseve për zhvillim ekonomik dhe të gjetjes së hapësirave fiskale për të ndihmuar biznesin dhe partinë në pushtet për të fituar pikë në biznesin e vogël hambar votash, ndërhynë në politikat e taksave tona, duke i bërë çorap ato. Në kohën e ndikimit të tyre, ritmi i ndërhyrjeve në sistemin tonë fiskal u rrit mbi tre herë, duke tkurrur bazën(numrin) e atyre që paguanin taksa dhe duke e rënduar klimën e të bërit biznes tek ne. Nga lëvizjet e fundit, duket si fillimi i fundit të kuajve të korruptuar në vendim-marrjen e lartë ekonomike publike të vendit. Le të shpresojmë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.