OPINION

Shqipëria ka nevojë për drejtësi, jo për censurë ndaj medias

13:43 - 27.07.22 GENC BURIMI
GSH APP Get it on Google Play

Shqipëria jonë nuk vuan as nga Gazhelët e Doganave dhe as nga pronarët e mediave. Do kesh gjithmonë Gazhelëra të tunduar të abuzojnë me postin për aq kohe sa politikani-padrino që i ka emëruar ua mban shpatullat ngrohtë. Me imuniteti të plotë nga lart, Gazheli i tanishëm emëron familjarë në ndërmarrjen e shtetit sikur ta kishte ndërmarrje të babait. Apo si në atë thënien e proverbistit të famshëm francez Lafonten që; “çdo person gjykohet në funksion të faktit nëse është i pasur apo i varfër”. Edhe Gazheli i Doganave ta vendos atë taksen e zhdoganimit të makinës në funksion të luksit të saj: sa më i pasur të jesh, aq me pak paguan haraçin për shtetin, për pjesën tjetër të ekuacionit konsultohu me Gazhelin…Aq të rëndomtë janë Gazhelët në atdheun e Konicës saqë kjo penë e famshme e shqiptarisë me një qejf të veçantë i vinte kësaj specieje epitetin përbuzës ‘Levantinet’. Nuk ka shurdh më të keq se ai që nuk do që të degjojë dhe as të verbër më të keq se ai që nuk do që të shikojë. ‘Kombëtares’ se doganave shqiptareve të ‘trajnuar’ nga Gazheli i vihen nën hetim në Greqinë fqinje për kontrabande disa nga as-at e saj më të shkathët për kalim maunësh pa zhdoganim, por ja që trajneri Gazheli në vend që të falënderojë median që po ia hap sytë përballe këtij megaskandali, preferon të flasë për hakmarrje burracake të një grupi pa moral.




Le te flasim për median tani se edhe ajo, si Gazheli nuk më habit as më revolton. Media është private, dhe linja e saj editoriale është po aq private. Do kesh gjithmonë pronarë mediash, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botën më të civilizuar, që do të fokalizohen tek disa fenomene më shumë sesa disa të tjera. A është për interes financiar (një temë si për shembull nga jeta private e stareve që sjell më shumë klikime në internet sesa një tjetër), a është për interes publik (një temë si ajo mbi qentë endacakë në rrugët e qyteteve tona që bëhet fenomen shqetësues), apo a është për interes shantazhi (një temë mbi gjullurdinë në Dogana ) kjo s’ka pikën më të vogël të rëndësisë mbi gjykimin që u bëjmë mediave as në planin juridik dhe as në planin moral. Media gjykohet kur ajo shpif jo në çfarë ajo trajton, dhe si e trajton, ndryshe vendi i rikthehet censurës që askush nuk e dëshiron.

Në të gjitha aferat që mediat e Irfan Hysenbelliut po shpalosin në lidhje me Doganat, asnjëra nuk po duket se ka hyrë në regjistrin e shpifjes. Po të ishte kështu, drejtori i doganave Gent Gazheli në vend që t’u qahet ambasadave të huaja me letra të hapura se po e sulmojnë për hakmarrje, t’u drejtohet gjykatave me denoncim për shpifje. Ky quhet shtet i të drejtës nëse nuk duam të kthehemi në shtet të Levantineve ku po na çon Kryeministri. Pasi mos të gabohemi në shënjestër. Para apo pas Gazhelit është vetë Kryeministri, Edi Rama si strumbullari i çdo çrregullimi në Shqipëri që denoncohet në media. Gazheli s’është veçse një marionetë më shumë a më pak e Trupës se estradës së Edi Ramës.

Në stilin më të shëmtuar të pseudo-demokracive klienteliste që ngatërrojnë shtetin me partinë që i sjell në pushtet, Edi Rama e katapulton Gazhelin nga përgjegjës financash të Partisë Socialiste në opozitë ku ai mbajti këtë post “sekretesh” nga 2007 deri më 2013, në postet më të lakmuara shtetërore si formë dhurate për shërbimet e kryera ndaj partisë. Pasi PS-ja fitoi zgjedhjet, Rama e bëri fillimisht Gazhelin nëpunës të lartë shtetëror në krye të dikasterit për luftën kundra pastrimit të parave. Më pas, pa përvojën më të vogël në diplomaci a ministri të Jashtme, e bëri ambasadori tek miku i tij Erdogan. E çoi më vonë në krye të një ndërmarrje shtetërore plot para por e administruar si një han, tek Albpetroli, dhe së fundmi e emëron në krye të doganave. Sa vite u bënë që ky Gazheli që ka lindur me lugë floriri në gojë jeton vetëm nga taksat e taksapaguesve kundër të cilëve ndërsehet sot? Si mos t’i bindet ky Shvejk i Shqipërisë së Levantineve në mënyrën më të verbërt, më bajate, më të pështirë, jo shtetit, por atij që thotë nga mëngjesi deri në darkë se “Shteti jam unë”, Edi Ramës? Edi Rama i kërkoi Gazhelit të gjejë material për evazion fiskal te Birra Tirana? Asnjë problem për anonimin Gazhel që i detyrohet gjithçka shefit dhe shtetit të shefit. Ndërkohë evazionin e vërtetë fiskal e bëjnë ditën me diell vartësit e vetë Gazhelit sipas raporteve që vijnë nga shteti fqinj. Edi Rama i thotë të detyruarit të tij të zellshëm të kopsisë një letër publike kundra Hysebelliut dhe grupit të tij? Personazhi mjeran i Konices do ta ekzekutoje menjëherë urdhrin pa parë pasojat. Ku është parë e dëgjuar në demokraci që Forca Publike që përfaqëson Gazheli me taborët e tij doganierë, ajo që ka në dorë po të dojë të shantazhojë dhe ambasadat e huaja nëse një ditë ua hap “valixhet diplomatike”, të vihet në rolin e viktimës? Monopoli legjitim i dhunës sipas përkufizimit të Max Veber u gjendka sot e dhunuar nga media? Për të qeshur me lot apo për të qarë me vaj? Kur majmuni hipën mbi pemën e kokosit duhet të bëjë kujdes që t’i ketë vithet e pastra, thotë një proverb afrikan që Gazheli duhet ta kishte përvetësuar për të evituar që kjo mesele t’i rikthehet si boomerang në fytyrë. Të japë llogari një më një e deri në fund per gjithçka akuzohet dhe mos të bëjë diversion me shantazhet e supozuara të mediave. Shqiptarët e rraskapitur paguajnë me taksat e tyre Gent Gazhelin dhe jo pronaret e medjave.

Duke parë në ç’situatë të nderë e vuri vartësin e tij, Rama vendosi të zbresë vetë në arenë me ato daljet e tija në Facebook që më shumë e bëjnë qesharak se e shpëtojnë. Kryeministri mbron shefin e tij të doganave me të njejtin zell si c’mbronte kahera ministrat Tahiri apo Koka. Në vend që ta frikësojnë faktet e frikshme mbi administatrën e doganave që po servir media, mburret si Don Kishoti se ka goditur evazionin fiskal aty ku duhet, tek biznesi i birrës. Edhe me incineratoret ashtu e filloi, me verbëri, nuk pa gjë, nuk dëgjoi gjë, fundin do ta mësojë po nga mediat, le të durojë dhe pak. Sa për evazionin fiskal të birrës Tirana që paska tronditur kaq shumë administratën e Gazhelit dhe mbarë qeverinë Rama 4 apo 5, çfarë skifo siç do thoshin italianët, në momentin kur kjo qeveri dhe ky kryeministër po përgatit amnistinë fiskale më të turpshme që ka njohur historia e Shqipërisë që nga koha e Levantineve të Faik Konices. Kjo të kujton ate fjalën tjetër të urtë popullore, Rama që preferon të merret me qimen ne syrin e Hysenbelliut dhe nuk sheh traun që i është ngulur në ballë me evazionin fiskal të miqve të tij që po përpiqet me të gjitha mënyrat t’ua legalizojë me shumicën e votave që ka në Kuvend. Do të kisha dashur ta shihja këtë Ramë më luftarak me skandalin e asaj firme që për të marrë një tender rrugësh në Tiranë shkoi deri aty sa dhe fallsifikoi dokumenta nga SHBA-të. Por e mbylli gojën sepse Damiani i tij duhet të kish dhënë dorëheqjen ashtu siç duhet të japë dorëheqjen Gazheli sot nëse skandalet në Dogana nuk përgënjeshtrohen me prova. I kerkoj me këtë rast përfaqësuesve parlamentarë të Opozitës të kërkojnë një komision hetimor mbi të gjitha akuzat e ngritura ditet e fundit në media në lidhje me Administratën e Doganave.

Është gjithmonë e tmerrshme kur dëgjon hajdutin të bërtasë kapeni hajdutin. Këto filma nuk funskionojnë më. Çështja nuk është më, a do të japë një ditë llogari Edi Rama, por kur do të vijë ajo ditë. Fjalën e ka Opozita që duhet të përmbushë misionin e kontrollit për të cilin e ka votuar një pjesë e popullit shqiptar. Lëvizja e opozitës duhet të jetë e fuqishme që Edi Rama t’i mbajë larg duart nga mediat dhe të japë llogari deri në fund për incineratorët, për doganat dhe zallamahitë e panumërta me koncensionet. Shqipëria nuk ka luksin e mbylljes së gojës së mediave të cilave ky kryeministër kërkon t’i çojë në riedukim siç dërgonin sovjetet neë gulag shpirtrat opozitarë. Shqipëria ka uri për drejtësi. Drejtësia vonon po nuk harron. As për pushtetin e sotëm dhe as për këdo pushtet që ka abuzuar me keëtë popull dhe këtë vend në këto 30 vite tranzicion. Të pakten ne, medja, nuk harrojmë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.