AKTUALITET

“Po të rrotullohesha në anën e kundërt vrisja familjen time” zbardhet dëshmia e policit Arjan Tase

07:49 - 06.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-shefin e komisariatit, Arian Tasen, i akuzuar për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia teksa drejtonte skafin në plazhin e Potamit në Himarë.




Në seancën gjyqësore, Tase nuk ka kundërshtuar masën e sigurisë dhe i ka kërkuar falje familjes së të miturës dhe Policisë së Shtetit.

“Ngushëllime familjarëve, falje Policisë së Shtetit”, ka thënë Tase.

Gjithashtu, në dëshminë e tij ka thënë se nuk donte të ndodhte, por nëse do të rrotullonte skafin në anën e kundërt, mund të kishte vrarë familjen e tij, pasi në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra me dy fëmijët. Ndaj tij rëndon akuza “Vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte”, vepër që dënohet 15 deri 20 vjet burg.

Ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e arrestoi me një akuzë më të lehtë “Vrasje nga pakujdesia”, që nuk shkonte më shumë se 5 vite burg. Por prokurorja, pas analizimit të provave, vlerësoi se vrasja nuk kishte ardhur nga pakujdesia, pasi oficeri ka shkelur ligjin duke hyrë me dashje në zonën e përcaktuar për pushuesit.

Ndërkohë, Prokuroria ka paraqitur një video në cilësinë e provës materiale, ku dallohet se mjeti lundrues ka dalë jashtë kontrollit. Në Gjykatën e Vlorës ditën e djeshme nuk ka pasur asnjë familjar apo edhe qytetarë.

Në seancën gjyqësore, që zgjati rreth një orë e gjysmë, Arian Tase është shfaqur i tronditur.

Nuk do të doja kurrsesi të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Nuk dua të mbrohem dhe nuk do të pretendoj asnjë rrethanë lehtësuese. Dua t’ju kërkoj ndjesë edhe të gjithë kolegëve të Policisë së Shtetit, të prekur nga kjo situatë. Nuk duhet të ndodhte kurrsesi, por fati im i keq. Në skaf kishte hipur vetëm nëna ime dhe djali im i vogël. Në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra me dy fëmijët. Nëse skafi do ishte rrotulluar në anën e kundërt, do të kisha vrarë familjen time. Nuk doja të ndodhte. Pashë që kishte dallgë, po qëndroja pak larg njerëzve”, tha Tase.

Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për komisarin Arjan Tase, i cili hyri me gomone në zonën e plazhit dhe përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia.

Në seancën gjyqësore, Tase nuk ka kundërshtuar masën e arrestit dhe i ka kërkuar falje familjes së të miturës dhe Policisë.

38-vjeçari Arian Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht në plazhin e Potamit. E mitura po lahej në det kur u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat, duke ndërruar jetë në vend. Fëmija, me origjinë nga Tropoja, jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Për këtë ngjarje të rëndë është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës, por protestuesit nuk janë mjaftuar me kaq dhe kërkojnë dorëheqjen e ministrave Çuçi, Kumbaro dhe Nano.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.