EKONOMI

Bankat ngadalësojnë investimin te borxhi i qeverisë në lekë, rrisin atë në valutë!

07:21 - 29.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Investimi i sektorit bankar në borxhin e qeverisë shqiptare arriti në më shumë se 498 miliardë lekë ose 4.25 miliardë euro në fund të muajit shtator. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e instrumenteve të borxhit të qeverisë të financuar nga bankat tregtare është në rritje me 8.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.




Por, ecuria e portofolit sipas monedhës tregon se rritja e investimeve te titujt në lekë ka qenë shumë më e vogël në raport me ato në valutë. Vlera e bonove dhe obligacioneve në lekë arriti në 416.5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 3.4%. Rritja e këtij segmenti të aseteve të sektorit bankar është ndjeshëm më e ngadaltë se rritja e kredisë dhe rritja mesatare e vlerës së aseteve të sektorit bankar gjatë vitit të fundit.

Pjesa më e madhe e rritjes së ekspozimeve kundrejt qeverisë ka ardhur nga instrumentet në valutë të huaj. Vlera e eurobondeve të mbajtura nga sektori bankar shqiptar arriti në fund të shtatorit vlerën rekord të 81 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 49%. Kjo rritje reflekton interesin e ndjeshëm që shfaqën në emetimin e eurobondit të nëntorit 2019, por edhe blerjet e reja që kanë realizuar në tregun sekondar, sidomos gjatë këtij viti.

Në një masë të madhe, ky zhvillim është i lidhur me strukturën e depozitave bankare. Këtë vit, depozitat në valutë të huaj dhe sidomos në euro po bëhen edhe më dominuese. Rritja e shumës së depozitave bankare këtë vit ka ardhur në pjesën dërrmuese prej depozitave në euro.

Eurobondet e qeverisë shqiptare janë një nga instrumentet më me interes për të investuar likuiditetet e lira në euro, për shkak të kuponit të kënaqshëm në raport me alternativat e tjera të tregut financiar, por edhe për shkak të lehtësive rregullatore të njohura nga Banka e Shqipërisë për investimet në dy emetimet e fundit të eurobondeve.

Nga ana tjetër, hezitimi i bankave për të investuar në instrumentet e borxhit në lekë ka qenë i dukshëm sidomos pas muajit mars, kur Banka e Shqipërisë nisi rritjen e normave të interesit. Në shumë ankande, qeveria nuk arriti të siguronte të gjithë huamarrjen e planifikuar, edhe për shkak të pjesëmarrjes së ulët të bankave. Sipas Ministrisë së Financave, financimi neto (emetime-maturime) në tregun e brendshëm për 6-mujorin 2022 rezultoi në vlerën e -2.8 miliardë lekë. Rënia e huamarrjes së brendshme neto ka reflektuar hezitimin e bankave për të investuar sidomos në obligacione shtetërore. Ky hezitim ka qenë i motivuar më së shumti nga pritshmëritë për rritjen e shpejtë dhe të vazhdueshme të yield-eve, faktor që i ka shtyrë bankat të marrin pozita pritëse sidomos për instrumentet afatgjata të borxhit të qeverisë.

Qeveria shqiptare është huamarrësi kryesor në sektorin bankar shqiptar, me një vlerë që është sa 26.3% e aktiveve totale të sektorit. Nga ana tjetër, bankat janë financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, me më shumë se 60% të totalit, pa përfshirë këtu huatë për kompanitë publike të garantuara nga qeveria shqiptare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.