POLITIKË

Presidenti Bajram Begaj i kërkon Papës njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Vatikani

16:50 - 03.12.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në Vatikan, së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, ku u prit në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.




Begaj e falënderoi Atin e Shenjtë dhe, duke iu referuar marrëdhënieve historike e shumë shekullore mes shqiptarëve dhe liderëve të tyre me Selinë e Shenjtë, shprehu mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shteti i Vatikanit ka bërë për popullin shqiptar, sidomos pas ndryshimeve demokratike në vitet ’90.

Duke iu referuar vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Presidenti Begaj u shpreh se vlerësimet e Papës për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri i bën krenarë të gjithë shqiptarët. Presidenti Begaj e siguroi Papa Françeskun, se shqiptarët ndjehen të vlerësuar dhe janë mirënjohës për vendimet e Papa Françeskut dhe të Selisë së Shenjtë për shenjtërimin e Nënë Terezës, lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, emërimin e At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi i Vatikanit, dhe së fundmi të emërimit të Imzot Arjan Dodajt si Kryeipeshkv i metropolit shqiptar të Tiranë-Durrësit.

Një vëmendje të veçantë në takimin me Atin e Shenjtë, Presidenti i Republikës ia kushtoi Kosovës. Duke përshëndetur marrëdhëniet shumë të mira kanonike mes Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës, Presidenti Begaj nënvizoi se “që nga dita e shpalljes së pavarësisë Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në drejtim të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë”.

Lidhur me këtë vizitë Gazeta Il Tempo në Itali, zhvilloi një intervistë me Shkëlqesinë e Tij, Bajram Begaj.

Z. President ju takuat në Vaktikan Papa Françeskun, cilat janë mesazhet pas këtij  takimi?

B.B: Papa Françesku është kreu i shtetit të Vatikanit por njëherësh është edhe i pari katolikëve të botës. Si i tillë, lidhja me Shqiperinë, vendin e Shën Terezës dhe një vend nga më të hershmit me bashkësi fetare katolike është e veçantë. Dua të rikujtoj se Papa Françesku vizitën e tij të parë apostolike jashtë Italisë në Evropë, dhe të katërtën që prej zgjedhjes së tij, e bëri në vendin Tim. Ajo ka qenë një ditë historike për Tiranën.

Shqipëria është një vend që përjetoi dekada të tëra ateizmi total dhe të dhunshëm gjatë kohës së diktaturës. Rifillimi i jetës fetare në vend pas rënies së komunizmit, si dhe forcimi i saj, janë tregues jo vetëm i ndërtimit të themeleve kushtetuese për të garantuar lirinë e besimit, por edhe i harmonisë fetare të jashtëzakonshme që kemi, ku rol kryesor kanë edhe bashkësitë fetare të Shqipërisë, përfshirë katolikët shqiptarë.

Në këtë drejtim, ne kemi marrë gjithnjë mesazhe të jashtëzakonshme nga Papa Françesku, për të ruajtur klimën e respektit të ndërsjelltë mes besimeve të ndryshme fetare në vendin tonë, por edhe për ta ushqyer atë, si një vlerë që tek sa i përket Shqipërisë, mund të shërbejë si një shembull për të gjithë botën.

I shpreha mirënjohjen Papa Françeskut për kontributin e tij në procesin e dialogut mes feve në Shqipëri dhe kudo në botë.

Z. President megjithatë si Kryetar Shteti ju besoj keni biseduar edhe mbi problematika që kanë të bëjnë me marrëdhëniet 2 palëshe?

B.B: Marrëdhëniet midis Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë janë të gjata dhe me rëndësi historike. Padyshim janë të shënuara në historinë tonë letërshkëmbimet e Gjergj Kastriotit me Selinë e Shenjtë, apo Papa Klementin XI me origjinë shqiptare. Në 100 vitet e fundit, që kur këto marrëdhënie janë lidhur edhe zyrtarisht, mbetet hija e zezë e ndërprerjes dhe persekutimeve komuniste. Megjithatë, mendoj se që nga rilidhja e këtyre marrëdhënieve, Shqipëria ka treguar vëmendjen dhe ndjeshmërinë e nevojshme kundrejt Selise së Shenjtë, për të adresuar problemet e mbartura nga komunizmi. Sikurse edhe nga ana tjetër ka qenë thelbësore ndihma e Vatikanit në fushat sociale, arsimin e shendetësinë. Vitizitat e Papa Shën Gjon Palit II në 1993 dhe Papa Françeskut ne 2014 tregojnë vëmendje të veçantë për vendin tonë. Jam i sigurt që ky shkëmbim frytdhënës do të vazhdojë edhe më tej.

Z. President, Papa Bergoglio është angazhuar shumë në një përpjekje për të dialoguar në mënyrë qe t’i jepet fund konfliktit në Ukrainë. Ju si Kryetar Shteti por edhe si ish Ushtaraku më i lartë shqiptar, si e mendoni këtë qasje të Papa Françeskut për çështjen në fjalë?

Papa perveç Kryetar Shteti është edhe udhëheqehesi i një besimi global atij katolik, si i tillë atij i takon të përfshihet në nisma paqe pavarësisht sesa të vështira janë ato dhe unë shpresoj që lutjet e Papës të dëgjohen sa më shpejt. Përtej këtij fakti si Kryetar Shteti unë mendoj që agresioni ndaj një vendi sovran si Ukraina, marrja me forcë ushtarake e 1/6 së territorit të një vendi fqinj, kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore, vrasja e mijëra civilëve të pafajshëm, krijimi i miliona refugjatëve që lënë shtëpitë e tyre, janë një imazh që nuk do ta kishim menduar kurrë ta shihnim në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Mendoj që përpjekjet e Papës për të ndikuar për vendosjen e paqes, janë të mirëpritura. Si udhëheqës shpirtëror i mbi një milliard njerëzve, fjala e Papës dëgjohet e ndiqet kudo në botë, ndaj thirrja e tij për paqe duhet të vlerësohet dhe realizohet.

Z. President, Ju vini nga Rajoni i Ballkanit, i cili perveç se ndodhet përtej Adriatikut, në të shkuaren ka qenë burimi i disa luftrave të përgjakshme. Edhe sot tensionet në Kosovë, Bosnjë apo dhe Mal te Zi janë të larta. Si e mendoni të ardhmen e rajonit Tuaj?

Pikërisht eksperienca e jonë ballkanike na mëson që nuk mund të luhet lojë luftrash në rajone me të kaluar dhe të sotme problematike. Për këtë arsye duhet dialog i vazhdueshëm, prosperitet ekonomik, energji pozitive për qytetarët tanë, por mbi të gjitha një projeksion i mirëfilltë Evropian për të ardhmen tonë. Zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk ka pse të përballet me Europskepticizmin e brendshëm të disa forcave politike të BE-së, por duhet të jetë e vetmja rrugë për ta bërë të gjithë Ballkanin pjesë të BE-së larg influencës së fuqive të treta në rritje.

Z. President, Ju e ftuat Papa Françeskun në një vizitë tjetër në Shqipëri. A mos vallë kjo ftesë ka lidhje me dëshirën Tuaj për më shumë vëmendje të Evropës ndaj vendit Tuaj dhe rajonit Tuaj?

Në radhë të parë ftesa ime ka të bëjë me inaugurimin e fillimit të punimeve në Santuarin e Nënë Terezës (Shën Terezës) në Tiranë, një vepër shumë e rëndësishme për Shqipeërine, shqiptarët por edhe botën e krishterë. Të mos harrojmë se Nënë Tereza u shenjtërua nga Papa Françesku në 2016, dy vjet pas vizitës së bërë në Tiranë. Jam i bindur se shqiptarët do të donin t’i shprehnin mirënjohjen e thellë Papës për rolin e tij në shenjtërimin e shqiptares të madhe, që i përket pa dyshim të gjithë botës.

Gjithashtu, roli i Papës dhe i Selise së Shenjtë është shumë i rëndësishëm për të shtuar vëmendjen e BE-së dhe të Perëndimit, jo vetëm për të ruajtur paqen në Rajonin e Ballkanit, por edhe për të siguruar të ardhmen Evropiane të Ballkanit. Në këtë pikëvështrim sigurisht i kërkova Papa Françeskut që Vatikani të njohë Kosovën si shtet, pasi kjo njohje do të ndihmonte akoma më shumë përpjekjet për dialog Beograd-Prishtinë që po udhëhiqen sot nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Z President faleminderit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.