OPINION

Samit më tepër problematik se historik!

13:33 - 03.12.22 DR. JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eshtë fjala për Samitin BE – Balkani Perendimor të 6 Dhjetorit në Tiranë. Padyshim ngjarje shumë e rëndësishme për rajonin dhe veçanërisht vendin tonë. Mirëpo, si përherë me ngut politik, Kryeministri Rama e cilësoi “datë dhe ngjarje historike“! Pikërisht këtu lind problemi, sepse fjalën “historik“ liderët tanë e kanë bërë hiper inflacioniste; duke e zhvleftësuar domethënien e saj me përdorimin “vend e pa vend“; aq sa vështirë të gjesh në 30 vitet e fundit një ngjarje “jo historike“! Për shkak të zellit të shfrenuar për propagandë dhe spektakël, qeveritarët tanë kanë injoruar dhe “hierarkinë“ në etiketimin e ngjarjeve diplomatike; duke kaluar te cilësimi “historik“, paçka se ka fjalë të tjera, si e “shënuar, e spikatur“, etj.
Le ta themi qysh në fillim se Samiti i Tiranës nuk mund të jetë “historik“ vetëm pse zhvillohet për herë të parë në Tiranë. Ca më tepër kur jemi 32 vjet demokraci, 13 vjet antarë të NATO-s, kandidatë prej 8 vitesh në BE, kemi kryesuar KiE-në dhe OSBE-në dhe së fundi jemi Antar i Përkohshëm i KS të OKB-së. Në këtë kuptim, ky Samit në Tiranë, nuk bën detyrimisht histori, por thjesht është i pari i radhës. Ja, më tregoni një vend tjetër europian ku të jetë shënuar si “historik“ Samiti i parë në kryeqytetet e tyre i BE-së, NATO-s dhe organizatave të tjera. Askund! Po, të tillë vlerësohen samitet ku janë miratuar traktatet themelore të BE-së si Lisbona, Mastrihti, ose ku është bërë zgjerimi i BE-së dhe NATOs me vende të tjera nga lindja, por askund tjetër; as Samiti i Selanikut i vitit 2003 nuk rezultoi “historik“ sikurse u pompua atëhere! Veç kësaj, Samiti i Tiranës është i pari në rajon i këtij lloji, por ai do të zhvillohet çdo vit me radhë në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perendimor. Atëhere a mos do të duhet të konsiderohen “historikë“ dhe atje, vetëm pse do ta kenë për herë të parë?
Dakord, por përse fillon nga Tirana? Përvoja e gjatë si diplomat në Bruksel, Berlin e gjetkë, duke përfshirë angazhimin me procedurat e brendshme për përcaktimin e datave/ vendeve për samite të tilla më ndihmojnë që tablloja e mëposhtme të jetë sa më pranë të vërtetës.
Së pari, ky Samit bëhet në Tiranë falë emrit të vendit tonë jashtë “Albania“ që fillon me gërmën e parë të alfabetit. Në praktikat diplomatike, në situata të ndryshme dhe delikate, për të shmangur xhelozitë, keqkuptimet dhe incidentet e rastit, të cilat mund të çojnë në dështimin e konsensusit, procedura sipas rendit alfabetik rezulton tradicionalisht si zgjidhja më e mirë dhe më konsensuale. I njëjti rregull ndiqet dhe me fotot familjare, ku liderëve tanë u takon të jenë në rresht të parë, etj. Së dyti, padyshim këtu kanë rëndësi dhe faktorë të tjerë politikë, të sigurisë, etj. Aktualisht, Tirana është kryeqyteti i duhur zyrtar për këtë Samit të parë në rajon; jo vetëm për fat por dhe meritë gjeopolitike të kësaj qeverie, çka nuk mohohet, se ka dhe gati 10 vjet në pushtet, por mbi të gjitha rrjedhojë e një pune të gjatë shumëvjeçare me demarshe të shumta diplomatike. Vendi ynë është vlerësuar për qëndrimet e tij të moderuara dhe konstruktive në rajon gjatë 3 dekadave të fundit. Organizimi i Samitit në Beograd nuk do të ishte i mirëpritur nga shumë vende të BE-së, për shkak të pozicioneve të tij politike kundrejt Rusisë, moslinjëzimit të politikës së jashtme me atë të BE-së, qëndrimeve ndaj Kosovës, etj. Pastaj, dreqi ta marrë, BE-ja boll e “ka mbajtur me hatër“ Serbinë!
As Prishtina nuk kishte shans, për shkaqe që merret me mend, sidomos refuzimi i Beogradit dhe 5 vende të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën. Bosnie- Hercegovina po ashtu, për shkak të problematikave të nxehta politike. Meqë ra fjala, aty më 31 Korrik 1999 u zhvillua Samiti i më të mëdhenjve të botës, nga Cliton, Blair, etj ku u nënshkrua krijimi i Paktit të Stabilitetit të Europës Juglindore por që prapë nuk është quajtur historik! Hë për hë, as Mali i Zi nuk është vend i përshtatshëm, për shkak të problemeve të mprehta që po shfaq me stabilitetin politik, ndërsa Shkupi nisur nga mosmarrëveshjet e njohura me Sofjen, çka vonoi për shkak të vetos bullgare çeljen e negociatave me dy vendet tona.
Pas kësaj hyrjeje shpjeguese/vlerësuese, është e rëndësishme të theksohet se Samiti BE – Ballkani Perendimor bëhet në terrenin rajonal dhe në Tiranë “nga halli dhe jo nga malli“. Dihet tashmë se kohët e fundit Ballkani Perendimor është në qendër të vëmendjes së BE-së dhe SHBA-ve, kryesisht për shkak të tematikave sfiduese të brendshme dhe të jashtme e sidomos rrezikut të shtuar rus dhe kinez.
Krahas arritjeve dhe meritave, secili vend në Ballkanin Perendimor ka telashet, kusuret dhe gjynahet e veta në shumë drejtime që qëndrojnë pezull prej vitesh. Më i vështiri është padyshim dialogu Serbi – Kosovë, i cili ka ngecur në baltë 11 vjet pas lançimit të tij, edhe pse modelet me emra të ndryshëm nuk kanë munguar. Serbia duhet të përcaktojë përfundimisht dhe kahjen/qëndrimin gjeopolitik.
Siç u përmend dhe më lart, ndonëse Shqipëria nuk ka probleme gjeopolitike, brenda vendit ajo është “lesh e li“, me probleme dhe shqetësime kanceroze, sidomos krimi i organizuar, korrupsioni galopant, skandalet dhe shpopullimi i frikshëm që nuk ka të ndalur dhe kur qeveria ka kapitulluar “pa kushte“. Kësisoj, ka një asimetri shqetësuese midis “regresit performues brenda vendit dhe suksesit gjeopolitik dhe diplomatik“, mirëpo ky i fundit “nuk ta mbush lugën“! Mirëpo, dihet se sado sukses të kesh gjeopolitikisht, dmth me jashtë, sado të na ndihmojë dhe inkurajojë BE-ja dhe bota, sërish faktori vendimtar i suksesit mbetet performanca jonë reformuese dhe gjendja e brendshme, ku e kemi dhe të keqen më të madhe.
Të gjitha këto dhe të tjera sfida madhore kërkojnë përgjigje dhe zgjidhje të shpejta, tërësore dhe të qëndrueshme, qoftë dhe për ruajtjen e stabilitetit, kur demokracia dhe shteti i të drejtës në Ballkanin Perendimor tingëllojnë si luks diplomatik.
Kështu vijmë natyrshëm te manifestimi paqësor i opozitës më 6 Dhjetor; kjo e fundit është plotësisht në të drejtën e vet demokratike dhe kushtetuese që ta shfrytëzojë politikisht Samitin për ndërgjegjësimin më të mirë të BE-së dhe të qeverisë mbi problematikat serioze shqiptare. Kjo është praktikë normale në vendet demokratike. Ndryshe nga monizmi, ku më 25 Tetor 1990 dhe Kadareja kërkoi azil politik në Francë, propaganda e rregjimit e akuzoi si tradhtar se zgjodhi pikërisht atë ditë kur zhvillohej Takimi i Parë i Ministrave të Jashtëm të Ballkanit në Tiranë! Është kudo në botë praktikë e zakonshme e opozitës, shoqërisë civile, organizatave qytetare, etj që sa herë ka samite, ato zhvillojnë protesta të fuqishme, madje me dhunë të paparë në qendër të kryeqyteteve, në det dhe mal Kështu, në fund të qershorit të kaluar, për Samitin e G-7 në Kështjellën e Elmaut, në Alpet bavareze qeveria gjermane shpenzoi për sigurinë rreth 180 milion Euro. Madje, policia hoqi dhe gurët e varreve aty pranë, që protestuesit të mos i shkulnin për të qëlluar mbi pjesëmarrësit e lartë në Samit dhe i rivendosi më vonë.
Ndaj, dhe ky manifestim opozitar në kuptimin më të plotë të fjalës nuk turpëron vendin, BE-në dhe demokracinë; përkundrazi i nderon dhe u shton vlerat atyre dhe vetë mazhorancës qeverisëse; natyrisht nëse kjo e fundit do të krijojë kushtet dhe lehtësitë e nevojshme si për mikpritjen dhe sigurinë e Samitit ashtu dhe për manifestimin e opozitës; e cila, detyrohet të dalë në shesh atë ditë, sepse ndryshe nga “homologët“ e saj europiane bullizohet, shahet dhe demonizohet “me libër shtëpie“ nga lideri i mazhorancës. Ca më tepër që forcimi i opozitës, i shoqërisë së vakët civile dhe i frymës së protestës janë ndër objektivat themelore të dialogut dhe bashkëpunimit BE – Ballkani Perendimor dhe vetë Samitin e Tiranës.
Kësisoj, kur sheh këtë katalog të nxehtë tematik rajonal, fjala “historik“ duket fare e tepërt dhe kortezi diplomatike, nëse do ta përdorë ndonjë lider europian thjesht për të na bërë qejfin“. Ajo nuk është përmendur as në njoftimin përkatës të BE-së. Edhe Presidenti gjerman Steimeier në Tiranë më 1 Dhjetor nënvizoi se Samiti është takim i rëndësishëm pune, ku nuk do të merren vendime, dhe që tregon rëndësinë e BE-së për rajonin tonë, por nuk tha “historik“ si homologu i tij Begaj.
Ndaj, tani çështja kryesore nuk është etiketimi, por axhenda tashmë e njohur, rezultati dhe produkti i Samitit; pra, sa do t’ia arrijë Samiti i Tiranës qëllimit që të paktën të nxisë, të vendosë në shina dhe të ofrojë alternativa për afrim, pajtim dhe integrim europian sa më të shpejtë për popujt e rajonit. Kjo do të përcaktojë, ama jo tani, por më vonë dhe në kohë, se sa ia vlejti ky Samit, sa i nevojshëm dhe i rëndësishëm ishte; sa për “ historik” kjo duket tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Themi kështu, sepse pa hequr dorë nga përqasja pozitive, realisht nuk ka gjasa që Samiti në Tiranë të shënojë ndonjë “breakthrough“ dmth arritje që ta bënte vërtet të hynte në histori. Sepse problemet në Ballkanin Perendimor, të gjitha pa përjashtim nuk zgjidhen dot prej askujt me “një të rënë të shkopit, sado magjik“ dhe as “brenda natës“! Karakterin e një ngjarjeje si “historike”, nuk e përcakton asnjë lider, por produkti dhe koha, si gjykatësi më i drejtë i dobisë së tij!
Ja pse është koha të hiqet dore nga këto superlativa dhe ndjenja euforie të pabazuara dhe që shfrytëzohen për interesa politike të brendshme dhe të gjithë vëmendja e mikpritësve tanë të përqëndrohet në përmbajtjen, objektivat, mënyrat dhe planet e veprimit për zbatimin e shpejtë dhe cilësor të tyre, pa i shtyrë ato në “ kalendat greke” Kjo kërkon seriozitet dhe angazhim gjithëpërfshirës, duke filluar nga krijimi i klimës, mjedisit dhe atmosferës politike në Tiranë, mes gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë, ekonomikë dhe socialë, sepse në BE nuk do të hyjë vetëm qeveria dhe diplomacia, por opozita, media, shoqëria, gjithë Shqipëria!.
Për fat të keq, preludi i këtij Samiti është tejet i trishtë, jo nga dimri, por nga përshkallëzimi i ligjërimit politik me sharje dhe ofendime prej alabakësh dhe mbi të gjitha aferat skandaloze të inceneratorëve, Portit të Durrësit dhe së fundi arbitrariteti në shkatërrimin kanibalesk të ”Prestige Resort” si simbol i imazhit, turizmit dhe medias së lirë elitare që po trondit botën dhe BE-në!. Ndërsa në aspektin e jashtëm, bojkoti serb dhe inati politik i Vuçiç, dhe pse Samiti bëhet te “ vëllai “ i tij i Ballkanit të Hapur” është ogur tjetër i keq. Çuditërisht, Kryeministri Rama, si mikpritës i Samitit, ndonëse nuk ka lënë fjalë dhe sulm pa bërë ndaj lidershipit opozitar për protestën e saj paqësore, deri tani nuk ka belbëzuar asnjë fjalë, qoftë dhe ngushëlluese për këtë bojkot skandaloz të mikut të tij ” për kokë” të Beogradit. Por, tanimë kjo nuk çudit askënd. Gjithsesi, shpresojmë që deri më 6 Dhjetor t’ia kthejnë mendjen Vuçiç, ashtu si në Qershor, kur refuzonte të shkonte në Bruksel; ndryshe do të ishte minus për Samitin dhe mësim i hidhur për BE-në.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.