

Një lajm i hidhur vjen nga bota e artit shqiptar pasi është ndarë nga jeta në moshë të hershme kompozitori Andi Bajraktari.

Lajmin e ka konfirmuar, akademiku Vasil. S. Tole muzikolog dhe kompozitor i cili në rrjetet sociale ka ndarë një foto të Bajraktarit, ku shkruan ‘U pre në mes jeta e një njeriu dhe artisti kompozitor me shpirt të madh. Andi Bajraktari ishte dhe do të kujtohet si personifikim i çdo gjëje të mirë që mund të ketë njeriu: student ekselent, kompozitor me vlera, mësues e pedagog i përkushtuar, familjar, bashkëshort e prind i dashur’.
Postimi i plotë:
U pre në mes jeta e një njeriu dhe artisti kompozitor me shpirt të madh. Andi Bajraktari ishte dhe do të kujtohet si personifikim i çdo gjëje të mirë që mund të ketë njeriu: student ekselent, kompozitor me vlera, mësues e pedagog i përkushtuar, familjar, bashkëshort e prind i dashur! Andi po hidhte i sigurt hapat në fazën e thelluar të formimit të tij si kompozitor dhe intelektual i muzikës. Vepra të reja po shkruante dhe ishte në prag të pranimit për studimet e doktoraturës në muzikë. Ai reflektonte mirësi për gjithshka që e rrethonte.
Na trishtove të gjithëve i dashur Andi me largimin tënd të parakohshme!
Ngushëllimet më të thella për bashkëshorten dhe fëmijët, motrën dhe familjarët si dhe për komunitetin e muziktarëve në Durrës, Tiranë e në gjithë Shqipërinë!
I paharruar miku dhe kolegu ynë Andi Bajraktari!
Mësohet se 39-vjeçari punonte si mësues i Muzikës në Durrës, ku shkak për ndarjen e parakohshme nga jeta është bërë një atak në zemër, sipas Durrës Lajm.
Andi Bajraktari ishte kompozitor dhe mësues prej 10 vitesh në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës dhe gjithashtu ishte lektor në Universitetin e Durrësit. Ai ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze dhe vetëm dy javë më parë erdhi në jetë vajza e tij e vogël.
Pritjet bëhen në agjencinë funerale “Paqja”, përballë Muzeut Arkeologjik, Vollga, Durrës.
Varrimi në orë 16:00 pranë varrezave të reja, Durrës”.
Sakaq kanë reaguar dhe familjarët e tij, me disa postime në ‘Facebook’.